E Drejta Nderkombetare Publike

63
*** E drejta ndërkombëtare-përkufizimi Shumica e autorëve të drejtën ndërkombëtare e përkufizojnë si tërësi e rregullave që përcaktojnë të drejtat dhe detyrat e shteteve në marrëdhëniet midis tyre. Ky është përkufizim klasik i së drejtës ndërkombëtare dhe mund të gjendet te shumica e autorëve të së drejtës ndërkombëtare (Rivijer, Liszt, Westlake, Lawrence etj). Të gjithë këta e konsiderojnë shtetin si të vetmin subjekt të së drejtës ndërkombëtare. Një grup tjetër autorësh e konsiderojnë individin si të vetmin subjekt ndërkombëtar. Këtë grup e përbëjnë Dugui, Krabbe, Politis, etj. Sipas tyre, e drejta ndërkombëtare është tërësi rregullash që rregullon marrëdhëniet midis njerëzve që i takojnë grupeve të ndryshme politike. Grupin e tretë e përbëjnë autorët që e konsiderojnë shtetin subjekt kryesor të së drejtës ndërkombëtare, por njëkohësisht këtu fusin edhe subjekte tjerë dhe individin. Këtij grupi i takojnë Le Fur, Strupp, Devaux. E drejta ndërkombëtare publike shpjegohet si tërësi e normave dhe rregullave juridike që rregullojnë marrëdhëniet në mes subjekteve/shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare publike ndahet në dy degë: të përgjithshme dhe rajonale. E para, rregullon raportet ndërkombëtare ne përgjithësi. Ndërsa e dyta, rregullon raportet në një rajon a territor të caktuar. *** Subjektet e së drejtës ndërkombëtare Subjektet e së drejtës ndërkombëtare janë bartësit e të drejtave dhe detyrave në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në përcaktimin konkret të subjekteve ndërkombëtare autorët janë të ndarë në disa grupe: a) një grup e përbëjnë klasikët. Sipas tyre vetëm shtetet kanë cilësinë e subjektit ndërkombëtar. Për ta shteti është subjekt ndërkombëtar, sikurse që është individi subjekt në sistemin juridik të një shteti. Këtë qëndrimin e mbrojnë Oppenheim, Brierly, Rousseau. b) një numër i madh autorësh që nga shek XIX krahas me shtetet i proklamojnë edhe individët si persona ndërkombëtarë. Sipas tyre, shtetet dhe individët janë subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

description

.

Transcript of E Drejta Nderkombetare Publike

Page 1: E Drejta Nderkombetare Publike

*** E drejta ndërkombëtare-përkufizimi

Shumica e autorëve të drejtën ndërkombëtare e përkufizojnë si tërësi e rregullave që përcaktojnë të drejtat dhe detyrat e shteteve në marrëdhëniet midis tyre. Ky është përkufizim klasik i së drejtës ndërkombëtare dhe mund të gjendet te shumica e autorëve të së drejtës ndërkombëtare (Rivijer, Liszt, Westlake, Lawrence etj). Të gjithë këta e konsiderojnë shtetin si të vetmin subjekt të së drejtës ndërkombëtare. Një grup tjetër autorësh e konsiderojnë individin si të vetmin subjekt ndërkombëtar. Këtë grup e përbëjnë Dugui, Krabbe, Politis, etj. Sipas tyre, e drejta ndërkombëtare është tërësi rregullash që rregullon marrëdhëniet midis njerëzve që i takojnë grupeve të ndryshme politike. Grupin e tretë e përbëjnë autorët që e konsiderojnë shtetin subjekt kryesor të së drejtës ndërkombëtare, por njëkohësisht këtu fusin edhe subjekte tjerë dhe individin. Këtij grupi i takojnë Le Fur, Strupp, Devaux.

E drejta ndërkombëtare publike shpjegohet si tërësi e normave dhe rregullave juridike që rregullojnë marrëdhëniet në mes subjekteve/shteteve dhe organizatave ndërkombëtare.

E drejta ndërkombëtare publike ndahet në dy degë: të përgjithshme dhe rajonale. E para, rregullon raportet ndërkombëtare ne përgjithësi. Ndërsa e dyta, rregullon raportet në një rajon a territor të caktuar.

*** Subjektet e së drejtës ndërkombëtare

Subjektet e së drejtës ndërkombëtare janë bartësit e të drejtave dhe detyrave në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në përcaktimin konkret të subjekteve ndërkombëtare autorët janë të ndarë në disa grupe:

a) një grup e përbëjnë klasikët. Sipas tyre vetëm shtetet kanë cilësinë e subjektit ndërkombëtar. Për ta shteti është subjekt ndërkombëtar, sikurse që është individi subjekt në sistemin juridik të një shteti. Këtë qëndrimin e mbrojnë Oppenheim, Brierly, Rousseau.

b) një numër i madh autorësh që nga shek XIX krahas me shtetet i proklamojnë edhe individët si persona ndërkombëtarë. Sipas tyre, shtetet dhe individët janë subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Natyrisht, të gjithë kanë pranuar se kapaciteti i shtetit dhe individit sipas së drejtës ndërkombëtare nuk mund të jetë i njëjtë.

c) një grup më i vogël autorësh vetëm individët i konsiderojnë si bartës të vërtetë të së drejtës dhe detyrave në përgjithësi, pra edhe në të drejtën ndërkombëtare (Digi, Politis, Scelle). Westlake thotë se detyrat dhe të drejtat e shteteve janë vetëm detyra dhe të drejta të njerëzve që i përbëjnë ato.

*** Burimet e së drejtës ndërkombëtare

Burimet e së drejtës ndërkombëtare mund të përkufizohen si material aktual nga i cili juristi ndërkombëtar përcakton rregullat që duhet zbatuar në situatën e caktuar. Doktrina e pozitivizmit të pastër (Anzilotti) si të vetmin burim të së drejtës ndërkombëtare e konsideron pajtimin e vullneteve dhënë shprehimisht (traktatet) ose heshtazi (zakonet), d.m.th, vetëm rregullat e pranuara shprehimisht ose heshtazi nga shtetet.

Page 2: E Drejta Nderkombetare Publike

Burimet themelore (kryesore) janë: traktatet, zakonet ndërkombëtare, parimet e përgjithshme juridike. Burimet ndihmëse: jurisprudenca, doktrina. Si dhe rezolutat e organeve ndërkombëtare (si burime tretësore).

Traktatet ndërkombëtare: janë marrëveshjet e lidhura midis dy ose më shumë subjekteve të së drejtës ndërkombëtare. Element qenësor për ekzistimin e traktatit është pajtimi i vullnetit të subjekteve i cili shprehet nëpërmes organeve kompetente.

Sipas veprimit të normave juridike traktatet ndahen në: traktate ligje dhe traktate kontrata. Traktatet ligje janë burim i drejtpërdrejtë i së drejtës ndërkombëtare. Ato përmbajnë rregulla të përgjithshme që zbatohen nga të gjithë, sipas të cilave në të ardhmen duhet të zgjidhet ndonjë çështje e caktuar. Me to kontraktohen rregulla të reja të sjelljes ose vërtetohen rregullat ekzistuese.

Për ndryshim nga traktatet ligje, traktatet kontrata janë marrëveshje midis dy ose disa shteteve dhe kanë për objekt rregullimin e një çështje të caktuar midis atyre shteteve. Këto nuk janë burim i drejtpërdrejt i së drejtës ndërkombëtare, megjithëse mund të krijojnë të drejtë partikulare midis palëve. Këto janë rregullisht të kufizuara në pikëpamje të kohës.

Zakonet ndërkombëtare: deri në kohërat më të reja e drejta ndërkombëtare ka qenë e përbërë kryesisht nga rregullat zakonore. Që nga mesi i shek XIX zakonet kanë filluar të humbin këtë rëndësi si rezultat i nxjerrjes së një numri të madh të traktateve. Megjithëkëtë, zakonet kanë mbetur si burim i rëndësishëm sidomos në ato pjesë ku ende nuk është kryer kodifikimi.

Parimet e përgjithshme juridike të pranuara nga kombet e qytetëruara: paraqesin rregulla që janë zhvilluar në të drejtën e brendshme të shteteve dhe janë parime fondamentale të drejtësisë, të pranuara nga vetëdija juridike e përgjithshme. Ato janë rregulla që vlejnë dhe zbatohen në rendet e brendshme juridike të shteteve.

Në këtë kategori hyjnë: parimi mbi çështjen e gjykuar (res judica); parimi se askush nuk mund të përfitojë nga faji i vet; parimi i ndalimit të keqpërdorimit të së drejtës; parimi i përgjegjësisë që lind nga aktet e paligjshme, parimi lex specialis derogat generali (ligji special e derogon ligjin e përgjithshëm); lex posterior derogat legi prior (ligji i ri e derogon/zhvleftëson ligjin e vjetër); parimi sipas të cilit marrëveshjet duhet plotësuar me mirëbesim (“bona fide”) etj.

Praktika gjyqësore dhe doktrina: konsiderohen si mjete ndihmëse të cilat mundësojnë që të konstatohen rregullat juridike. Edhe doktrina e së drejtës ndërkombëtare është mjet ndihmës për përcaktimin e rregullave të së drejtës.

*** Teoritë që provojnë të shpjegojnë marrëdhëniet midis të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës së brendshme mund të klasifikohen në dy: teoria moniste dhe teoria dualiste. Sipas teorisë dualiste (Triepel dhe Anciloti), e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e brendshme janë dy sisteme juridike të veçanta dhe reciprokisht të pavarura dhe të ndara. E drejta ndërkombëtare dhe e drejta e brendshme rregullojnë materie te ndryshme dhe kanë burime krejtësisht të ndryshme. E drejta e brendshme është një tërësi e normave juridike qe rregullon marrëdhëniet brenda shtetërore. Ndërkaq e drejta ndërkombëtare kalon hapësirën e një shteti duke rregulluar kështu marrëdhëniet midis shteteve. E drejta e brendshme ka burim kryesor juridik ekskluzivisht

Page 3: E Drejta Nderkombetare Publike

vullnetin e shtetit, ndërsa e drejta ndërkombëtare vullnetin e një numri të konsiderueshëm të shteteve. Teoria moniste (është produkt i mendimit të Kellzenit), thekson se nuk ka ndarje në tërësinë e normave juridike, të brendshme dhe te jashtme, por vetëm dy pjesë të të njëjtit sistem.

*** Servitutet ndërkombëtare përfaqësojnë kufizime të jashtëzakonshme të sovranitetit territorial të një shteti, të imponuara me marrëveshje, me të cilat një pjesë ose tërë territori i një shteti duhet të shërbejë për disa qëllime ose interesa te caktuara të një shteti tjetër. Me fjalë të tjera, servitutet ndërkombëtare janë “e drejtë reale mbi sendin e huaj”. Kemi katër lloje të servituteve: aktive (ose pozitive); pasive (ose negative); ushtarake; ekonomike. Servitutet aktive janë ato me të cilat jepet e drejta e një shteti që të ndërmarr veprime të caktuara në territorin e një shteti tjetër, p.sh. të ndërtoj dhe shfrytëzoj vijën hekurudhore, të dërgoj forca të armatosura në territorin e caktuar, të shfrytëzoj portet e një shteti për furnizim të anijeve të veta, etj. Servitutet negative (pasive) janë ato servitute me të cilat jepet e drejta një shteti që të kërkoj nga shteti tjetër që ai të rezervohet nga ushtrimi i sovranitetit në çështje të caktuara. Të tilla janë e drejta e një shteti që të kërkoj nga shteti tjetër që të mos fortifikoj qytete apo zona të caktuara afër kufirit, të mos ndërtoj objekte në afërsi, etj. Servitutet ushtarake janë ato servitute me të cilat një shtet ka të drejtë të mbajë trupat e veta në territorin e shtetit tjetër. P.sh. e drejta e fluturimit të aeroplanëve ushtarak në territorin e një shteti tjetër, e drejta e aderimit të për qëllime teknike, etj. Servitutet ekonomike janë ato servitute të fituara për qëllime komerciale dhe të komunikacionit, siç janë: e drejta e peshkimit në ujërat territoriale të shtetit tjetër, prerja e drunjve, furnizimi me rrymë elektrike, etj. Servitutet mund të shuhen me: kalimin e afatit për të cilin janë krijuar; me dorëheqje të shtetit për të cilin ka qenë krijuar; me bashkimin e territorit të shtetit që ka përfituar dhe territorit të shfrytëzuar, si dhe me zhdukjen e interesit të shtetit të autorizuar.

***E drejta ndërkombëtare shpjegohet nga tri shkolla: natyraliste-spanjolle, shek. XVI-XVII; pozitiviste; grocianiste.

Shkolla natyraliste: (themelues Francisko de Vitoria) – e shpjegon të drejtën ndërkombëtare si tërësi e normave juridike që vijnë nga natyra, nëpërmjet Zotit. P.sh. shteti duhet të sillet mirë me shtetin tjetër dhe kjo është rregull natyrore. Kjo shkollë thotë po ashtu se luftëra të pa drejta janë luftërat pushtuese, ndërkaq luftërat që bëhen për mbrojtjen e interesave të veta janë luftëra të drejta.

Shkolla pozitiviste: shpjegon të drejtën ndërkombëtare përmes vullnetarizmit. Këto norma thotë se janë produkt i mendjes së njeriut, produkt i vullnetit, dëshirës dhe gatishmërisë së njerëzve. Përfaqësues i kësaj shkolle konsiderohet Gentilli i cili ka provuar ti jap formën shkencore dhe sistematike të drejtës ndërkombëtare. Gentilli i vë themelet e parimit pacta sunt servanta – marrëveshjet duhet respektuar.

Shkolla grocianiste: kjo shkollë bënë shkëputjen nga e drejta natyraliste dhe forcojnë më tej të drejtën pozitiviste, përmes Traktateve. Përfaqësues i kësaj shkolle është Hugo Groci që njëkohësisht konsiderohet baba i së drejtës ndërkombëtare. Me grocianët lind nevoja e kodifikimit të së drejtës ndërkombëtare.

Page 4: E Drejta Nderkombetare Publike

*** Kodifikimi është renditje e normave juridike në akte të veçanta. Me kodifikim nënkuptojmë sistematizimin e normave juridike me qëllim që të arrihet bashkimi i tyre në bazë të parimeve të përbashkëta. Qëllimet e kodifikimit janë: të zhvillojë dhe plotësoj aktet juridike; na jep mundësinë e fuzionimit (përmbledhjes) të së drejtës dhe praktikës; qartëson normat juridike ndërkombëtare. Kodifikimi i si drejtës ndërkombëtare lind në Kongresin e Vjenës në fillim të shek. XIX dhe merr hov në fillim të shek. XX. (Konventa e Hagës merret me armatimin, llojet etj. që përdoren ne luftë, Konventa e Vjenës merret me njerëzit, kategoritë e njerëzve që duhet dhe nuk duhet të luftojnë, bënë përcaktimin e rangut të përfaqësuesve diplomatik, përcakton rregullat e lundrimit, ndalon tregtinë me skllevër, etj.).

*** Shteti përkufizohet si institucion i krijuar nga grupi për realizimin e disa qëllimeve prej të cilave më e rëndësishmja është ruajtja e se drejtës dhe rendit brenda kufijve dhe ruajtja e pavarësisë së popullit në marrëdhënie me popujt tjerë. Shteti, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare duhet të ketë popullsinë e përhershme, territorin e caktuar, qeverinë dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet tjera. E drejta ndërkombëtare niset nga ajo se krijimi i shteteve te reja është çështje faktike e jo juridike. Janë dy teori për njohjen e shtetit: Deklarative dhe Konstituive. Teoria konstituive niset nga qëndrimi se shteti me faktin se është krijuar ende nuk është anëtar i bashkësisë ndërkombëtare. Sipas kësaj teorie shtetet e tjera përkatësisht bashkësia ndërkombëtare janë ato që vendosin se a do ta pranojnë shtetin e ri apo jo në rrethin e vet. Sipas kësaj shteti në pikëpamje të së drejtës ndërkombëtare krijohet me aktin e njohjes. Kjo teori është në kundërshtim me parimin e vetëvendosjes së popujve. Ndërkaq, sipas teorisë deklarative shteti i ri automatikisht fiton të drejtat që i takojnë subjektit ndërkombëtarë dhe bëhet anëtarë i bashkësisë ndërkombëtare po që se i ka plotësuar kushtet që i parasheh e drejta ndërkombëtare. Sipas kësaj teorie shteti nuk krijohet me njohjen por me këtë akt vetëm konstatohet se shteti është krijuar.

Në të drejtën ndërkombëtare dallojmë disa lloj njohjesh: de jure dhe de facto; shprehimisht dhe heshtazi; kolektivisht ose individualisht; me kushte dhe pa kushte.

Njohja “de jure” është njohje e përhershme dhe e plote, i përfshinë të gjitha marrëdhëniet me shtetin e ri. Njohja de jure, jepet shprehimisht nëpërmes një akti formal. Njohja de jure është njohje e plotë dhe e pa tërhiqshme.

Njohja “de facto” ekziston kur një shtet i shtyrë nga arsyet politike ose për shkak të paqartësisë frikësohet nga njohja e shtetit ose qeverisë së re dhe për këtë e shtynë njohjen e plotë, por njëkohësisht i konsideron të nevojshme të vendosë disa marrëdhënie me të. Kjo njohje është e përkohshme, e kufizuar në disa marrëdhënie dhe mund të tërhiqet ne çdo moment. Ky lloj i njohjes rregullisht i paraprinë njohjes de jure.

Njohja shprehimisht dhe heshtazi. Njohja shprehimisht jepet me një akt të njëanshëm, me telegram, me deklaratë të shefit të shtetit, me notë diplomatike që i dërgohet shtetit ose me traktat ndërkombëtarë. Njohja heshtazi jepet me akt që nuk i përket grupit të parë, por edhe nuk lë dyshim mbi qëllimin që të bëhet njohja ose që po bëhet pranimi. Shembull pjesëmarrja e delegacionit zyrtar të një shteti në solemnitete me rastin e fitimit të pavarësisë, interpretohet si

Page 5: E Drejta Nderkombetare Publike

njohje e heshtur, nëse pranon dhe dërgon përfaqësues diplomatik, lidhë çfarëdo marrëveshje me shtetin e ri, etj.

Njohja individuale ose kolektive – njohja individuale vjen nga qeveritë ose organet e ngarkuara me punë të jashtme dhe jepet me deklaratë, telegram, notë diplomatike etj. Njohja kolektive bëhet në konferenca, kongrese, ose në organizata ndërkombëtare. P.sh. kështu janë njohur Serbia, Rumania dhe Mali i Zi në Kongresin e Berlinit, pastaj Shqipëria në Konferencën e Ambasadorëve në Londër etj. Izraeli gjithashtu është krijuar me Rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Pranimi i një shteti në OKB është lloj i njohjes kolektive.

Njohja me kushte dhe pa kushte – parashtrimi i kushteve me rastin e njohjes së shteteve të reja është çështje rreth së cilës nuk ekziston unitet i mendimeve. Shumica konsiderojnë se parashtrimi i kushteve me rastin e njohjes është gjë e pa lejueshme. P.sh. me rastin e njohjes së Serbisë është kërkuar të garantoj barazinë midis personave që i takojnë religjioneve të ndryshme, në lidhje me punësimin, ushtrimin e funksioneve publike, etj. Në literaturë mbizotëron qëndrimi se mos përmbushja e kushteve nuk mund të shërbejë si bazë për revokimin e njohjes.

***Suksedimi juridik ndërkombëtarë – është kalimi i një pjese të territorit një shteti, nën sovranitetin e një shteti tjetër. Suksedimi mund të jetë i përgjithshëm ose pjesshëm. Suksedimi i përgjithshëm është vendosja e plotë e sovranitetit të një shteti mbi një shtet tjetër, mbi tërë territorin. Ndërkaq suksedimi i pjesshëm është vendosja e sovranitetit mbi një pjesë të caktuar të një territori shtetëror. Suksedimi bëhet me marrëveshje ose me luftë. Edhe ndarja e shtetit cilësohet suksedim.

Ka tri çështje karakteristike që kanë të bëjnë me suksedimin: a) me rastin e suksedimit çka ndodhë me Traktatet?; b) me borxhe publike?; c) dhe me të mirat publike.

Çështja e Traktateve zgjidhet në tri lloje/mënyra: në grupin e parë bëjnë pjesë Traktatet që nuk barten në pasardhës. Këto janë Traktate politike si: Traktatet për aleancat, ruajtja e paqes, neutraliteti, etj. Në grupin e dytë bëjnë pjesë Traktatet norma dhënëse të cilat mbesin në fuqi meqenëse janë të lidhura për në interes të përgjithshëm të tërë bashkësisë ndërkombëtare. Dhe në grupin e tretë bëjnë pjesë Traktatet që u referohen çështjeve që kanë të bëjnë me territorin, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi meqë rregullojnë një interes të caktuar lidhur me territorin.

Për Borxhet publike e drejta ndërkombëtare nuk ka rregull unike të ndarjes së borxhit të përbashkët publik. Në praktikë çështja e borxheve publike është zgjidhur nëpërmes marrëveshjeve speciale.

Për Të mirat publike e drejta ndërkombëtare thotë se janë të lidhura me territorin, pavarësisht se nën sovranitetin e kujt bie ai territor.

***Llojet e shteteve - të gjitha shtetet ndahen në shtete të thjeshta ose unitare dhe shtete të përbëra. Për sa i përket subjektivitetit të shteteve unitare nuk ekzistojnë kurrfarë problemesh sepse këto kanë një territor unik, organizim unik shtetëror, pushtet unik sovran, organ unik ligjdhënës, dhe një qeveri që përfaqëson brenda dhe jashtë. Ndërkaq çështja komplikohet kur kemi të bëjmë me shtete të përbëra, pasi ato përfaqësojnë bashkësi të dy apo më shumë

Page 6: E Drejta Nderkombetare Publike

shteteve. Në grupin e shteteve të përbëra bëjnë pjesë, bashkimi personal, bashkimi real, konfederata dhe federata.

Bashkimi personal: është bashkësi e dy a më shumë shteteve që i lidhë vetëm kurora mbretërore. Anëtarët e bashkimit personal e ruajnë pavarësinë e tyre të plotë, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. Lufta kundër një anëtari të bashkimit personal nuk është luftë edhe kundër anëtarit tjetër, i cili mund të mbetet neutral. Kufijtë shtetëror janë të veçantë dhe shtetasit e njërit shtet në shtetin tjetër konsiderohen shtetas të huaj.

Bashkimi real: është formë e bashkimit të dy a më shumë shteteve sovrane të cilat janë nën një monark dhe përbëjnë një subjekt ndërkombëtarë. Bashkimi real krijohet me vullnetin e shteteve anëtare (me Traktat ndërkombëtarë). Shtetet anëtare të bashkimit real e ruajnë autonominë e tyre të brendshme dhe i kanë të pavarura organet ligjdhënëse, administrative dhe gjyqësore. Ndërsa në politikën e jashtme, ushtrinë dhe financa janë subjekt unik. Anëtarët e bashkimit real s’mund të zhvillojnë luftë kundër njëri tjetrit dhe lufta kundër një shteti anëtar të bashkimit real konsiderohet luftë kundër të gjithëve.

Konfederata: është lidhje e dy apo më shumë shteteve të pavarura. Krijohet me marrëveshje ndërkombëtare dhe ka për qëllim mbrojtjen e pavarësisë së jashtme ose të brendshme të anëtarëve të saj. Ndonjëherë krijohet për ta evituar dominimin e ndonjë shteti më të fortë. Shtetet anëtarë të konfederatës e ruajnë pavarësinë ë tyre të plotë si brenda ashtu edhe jashtë.

Organ kryesor, dhe shpeshherë i vetëm, është dieta.

Federata: është bashkim i dy apo më shumë njësive/entiteteve në një shtet të përbashkët dhe krijohet me akt publik të brendshëm, me Kushtetutë. Federata si tërësi është subjekt ndërkombëtarë, megjithëse edhe anëtarëve iu pranohet sovraniteti i veçantë. Sipas rregullit politika e jashtme, diplomacia, ushtria, financat janë në kompetencë të federatës.

***Format e varësisë. Varësia nënkupton marrëdhëniet midis shtetit superior dhe shtetit inferior. Vasaliteti është formë e varësisë politike. Ai është karakteristikë për kohën e feudalizmit, ndërsa në të drejtën ndërkombëtare përfaqëson raport midis një shteti të fortë (suzerenit) dhe shtetit të varur (vasalit). Në plan të brendshëm shteti vasal është shtet gjysmë sovran meqë shumë kompetenca nga sfera e brendshme i nënshtrohen lejimit nga shteti suzeren. Vasali nuk e ka të drejtën e shkëmbimit të përfaqësuesve diplomatik, të lidhë marrëveshje ndërkombëtare, etj.

Protektorati është formë e raporteve midis protektorit dhe të projektuarit. Është marrëveshje me shkrim që bëhet nga protektori dhe i protektuari. Përmbajtja e këtyre marrëveshjeve ndryshon sipas rasteve ndërkaq të përbashkët kanë se shteti nën protektorat vihet nën mbrojtjen e shtetit më të fortë. Shteti nën protektorat nuk është pjesë përbërëse e shtetit protektor.

*** Të drejtat themelore të shteteve 1) e drejta e sovranitetit dhe pavarësisë; 2) e drejta për ekzistencë; 3) e drejta e barazisë; 4) e drejta për tu respektuar; 5) e drejta për të mbajtur lidhje me shtete tjera.

Page 7: E Drejta Nderkombetare Publike

E drejta e sovranitetit dhe pavarësisë: e drejta e sovranitetit është një ndër çështjet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, kurse respektimi i sovranitetit është ndër bazat kryesore të së drejtës ndërkombëtare dhe të tërë sistemit ndërkombëtarë. Me sovranitet nënkuptojmë pushtetin e plotë të shtetit mbi territorin e tij dhe pavarësinë e shtetit prej cilitdo shtet tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në të drejtën ndërkombëtare sovraniteti ka dy kuptime, të jashtëm dhe të brendshëm. Aspekti i jashtëm (nganjëherë quhet negativ) është e drejta e shtetit që të mos pranoj asnjë autoritet tjetër mbi vete. Aspekti i brendshëm (pozitiv) është shtrirja e pushtetit në tërë territorin e vendit.

E drejta për ekzistencë: është ndër të drejtat elementare të shteteve dhe konsiderohet si e drejtë natyrore e çdo subjekti. Shteti mund të marrë masat e nevojshme ushtarake për mbrojtje si, organizimi i ushtrisë, lidhja e aleancave mbrojtëse etj. Shtetet kanë të drejtë të ndërmarrin edhe masa të tjera, por ndërmarrja e te gjitha këtyre masave është e kufizuar me detyrën e qartë që shtetet të mos ndërmarrin asgjë që do ta cenonte sigurinë e shteteve tjera.

E drejta e barazisë: e drejta ndërkombëtare nis nga parimi se të gjitha shtetet janë të barabarta juridikisht. Përkundër jo barazisë së shteteve për nga numri i popullsisë, territorit, forcës etj. e drejta ndërkombëtare niset nga parimi ”par in parem non habet imperium” që do të thotë “të barabartët nuk kanë juridiksion mbi njëri tjetrin”.

E drejta për tu respektuar: dinjiteti është kualitet i shtetit si anëtarë i bashkësisë ndërkombëtare, kurse respektimi i tij nga shtetet tjera është një ndër të drejtat themelore. Në bazë të kësaj, shteti si person juridik ka të drejtë të gëzoj respektin e simboleve të tij, ligjeve të tij, dhe të rendit ekzistues.

E drejta për mbajtjen e lidhjeve: është futur relativisht vonë në listën e të drejtave themelore. Deri vonë është konsideruar se shteti kanë të drejtë që të vendosin nëse dëshirojnë të mbajnë marrëdhënie diplomatike, ekonomike etj. me shtetet tjera. Sipas kësaj, në baze të së drejtës ndërkombëtare asnjë shtet nuk mund të kërkoj nga shteti tjetër të mbajë me të lidhje të caktuara. Që nga fundi i shek. XIX çështja e mbajtjes së lidhjeve, më nuk ka qenë çështje e dëshirës së shtetit por detyrim i kohës.

***Përgjegjësitë e shteteve në të drejtën ndërkombëtare – a) politike; b) materiale; c)morale

Përgjegjësia ndërkombëtare e shteteve mund të jetë edhe e drejtpërdrejtë ose e tërthortë. Përgjegjësia e drejtpërdrejtë ekziston atëherë kur organet shtetërore ose përfaqësuesit shtetërorë e kanë shkelë të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa përgjegjësi të tërthortë kemi atëherë kur një shtet e merr përgjegjësinë për cenimin ose shkeljen e së drejtës ndërkombëtare nga shtetet tjera. Përgjegjësi të tillë kemi midis shteteve që janë në ndonjë lidhje juridike të caktuar, si në federatë, protektorat, kujdestari, etj.

Përgjegjësia e shtetit për organet ligjdhënëse: ekziston atëherë kur një shtet nxjerr ndonjë ligj që është në kundërshtim me detyrimet e tij ndërkombëtare, ose, kur dështon të nxjerrë ndonjë ligj i cili është i nevojshëm për t’i plotësuar detyrimet ndërkombëtare. Shteti mbanë përgjegjësinë për veprimet e organeve ligjdhënëse vetëm atëherë kur këto janë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare dhe kur ti jetë bërë dëm shtetit tjetër ose ndonjë shtetasi të huaj.

Page 8: E Drejta Nderkombetare Publike

Përgjegjësia e shtetit për aktet e organeve administrative: shteti ka përgjegjësi për punën e organeve të brendshme administrative të cilat punojnë për llogari të shtetit, qofshin ato lokale apo qendrore. Këtu kemi të bëjmë me trajtimin e ndryshëm të shtetasve të huaj, me aktet e paligjshme të forcave të armatosura, policisë, etj. Shteti në çdo rast mban përgjegjësi për veprimet e organeve administrative e ushtarake pasi që këto janë nën autorizimin dhe kontrollin e plotë të shtetit.

Përgjegjësia e shtetit për punën e organeve gjyqësore: edhe pse gjyqtarët janë të pavarur nga qeveria dhe vendimet e tyre janë definitive, megjithatë ekziston përgjegjësia e shtetit nëse gjyqet e një vendi e kanë cenuar të drejtën ndërkombëtare në zbatimin e normave të së drejtës së brendshme. Për shembull, kur një shtet nuk u lejon të huajve të mbrojnë të drejtat e tyre para gjyqeve lokale. Pastaj, këtu përfshihen edhe burgimi arbitrar, refuzimi i pranimit të imunitetit, mos ndjekja e ndonjë dorasi që ka vrarë ndonjë shtetas të huaj, mos ekzekutimi i ndonjë vendimi gjyqësor të nxjerrë në të mirë të ndonjë të huaji, etj.

Përgjegjësia e shtetit për aktet e personave privat: parimisht, shteti nuk mban përgjegjësi për aktet e personave privat. Mirëpo, meqenëse shteti ka për detyrim të siguroj rend dhe ligj brenda territorit te vet, atëherë vetvetiu duhet ti masat e nevojshme në parandalimin e shkaktimit te dëmit ndaj shteteve tjera, brenda territorit të tij. Megjithatë nëse përkundër masave të nevojshme, ndonjë person privat bënë ndonjë dëm, atëherë shteti duhet të siguroj që fajtorët të dënohen dhe të paguajnë dëmin. Me kaq merr fund përgjegjësia e shtetit.

***Intervenimi: përkufizohet si përzierje e dhunshme në punët e shtetit tjetër me qëllim që të ruhet ose te ndërrohet gjendja ekzistuese. Varësisht nga numri i intervenuesve, intervenimi mund të jetë individual dhe kolektiv. Ndërkaq sipas mjeteve që përdoren, intervenimi mund të jetë ushtarak, diplomatik dhe ekonomik. Sipas formës, intervenimi mund të jetë i drejtpërdrejtë (hyrje e forcave të armatosura) ose i tërthortë (nxitje e luftës civile).

Ndalimi i marrjes së territoreve: që nga fillimi i shek. XX e drejta ndërkombëtare mbështetet në parimin e respektimit të integritetit territorial të shteteve dhe ndalon të merret ndonjë territor me përdorimin e forcës.

Mënyrat e lejuara të marrjes së territorit – a) cedimi; b) okupimi paqësor; c) shtimi; d) parashkrimi.

Cedimi: është mënyrë e zgjerimit të territorit që realizohet me marrëveshje midis dy shteteve. Cedimi është pra transaksion midis dy shteteve. Cedimi mund të bëhet me kompensim ose falas dhe mund të jetë rezultat i bisedimeve paqësore ose luftës. Cedimi më së shpeshti realizohet në marrëveshje me anë të shitblerjeve. Cedimi mund të realizohet edhe me anë të këmbimit të territoreve midis shteteve

Okupimi paqësor: është vendosja e sovranitetit të një shteti mbi një territor që më parë nuk ka qenë nën sovranitetin e asnjë shteti tjetër. Okupimi paqësor çdo herë bëhet me akt të njëanshëm. Që okupimi të jetë i vlefshëm duhet të plotësohen katër kushte: 1)territori që është objekt i okupimit paqësor nuk duhet ti takoj asnjë shteti tjetër; 2)e drejta ndërkombëtare kërkon që okupimi të jetë efektiv, d.m.th të jetë pushtim i vërtetë e jo simbolik; 3)okupimin duhet ta ketë

Page 9: E Drejta Nderkombetare Publike

bërë shteti ose organet e tij të autorizuara e jo personat privat; 4)shteti duhet të bëjë notifikimin e okupimit

Shtimi: derisa cedimi arrihet me marrëveshje ndërkombëtare, shtimi është rezultat i ndryshimeve që shkaktohen nga forcat natyrore ose që janë rezultat i punës njerëzore. Zgjerimi i territorit më së shpeshti paraqitet në lumenjtë ndërkombëtarë. Në këto raste vetvetiu zvogëlohet territori i një shteti dhe zgjerohet territori i një shteti tjetër.

Parashkrimi: në të drejtën ndërkombëtare mund të përkufizohet si zgjerim i sovranitetit mbi një territor nëpërmes të ushtrimit të vazhdueshëm dhe të papenguar të sovranitetit mbi të, gjatë një periudhe të caktuar të domosdoshme për të krijuar bindje të përgjithshme se gjendja ekzistuese është në pajtim me rendin ndërkombëtarë. Parashkrimi është ndër format më të diskutueshme të zgjerimit të territorit shtetëror. Problemi më qenësor është se e drejta ndërkombëtare nuk parasheh se cili afat duhet të kaloj. Dhe për të qenë i vlefshëm parashkrimi, është e domosdoshme që asnjë shtet të mos protestoj.

***Territori shtetëror – përfaqëson vendin ku është vendosur popullsia dhe mbi të cilin shteti ushtron kontroll ose shtrin sovranitetin territorial. Duke u mbështetur nga e kaluara për ekzistimin e shtetit nuk kërkohet që kufijtë të jenë të përcaktuara saktësisht. Mjafton të ekzistoj një bërthame territoriale e padiskutueshme.

Përdorimi i forcës nuk lejohet me të drejtën ndërkombëtare, përveç në dy raste dhe kjo sipas nenit 7 të Kartës së OKB-së: 1) në vetëmbrojtje, dhe 2) kur rrezikohet paqja në rajon dhe më gjerë.

***Erga omnes – e vlefshme kundrejt tërë botës. Për shembull, e drejta në pronë është e drejtë “erga omnes”, prandaj zbatohet ndaj çdokujt që e cenon këtë të drejtë.

***Res judicata – parim sipas së cilit një çështje e gjykuar njëherë nga gjyqi, nuk mund të rigjykohet.

***Jus cogens – si e dhënë, e pa ndryshuar. I atribuohet rregullave që obligojnë shtetet të i përmbahen rendit juridik ndërkombëtar. Sipas nenit 53 të Konventës së Vjenës, norma “jus cogens” është normë e pranuar dhe e njohur si e tërë dhe e pa kundërshtuar nga komunitetit ndërkombëtarë e cila nuk lejon derogimin/heqjen/zhvleftësimin e saj dhe e cila mund të ndryshohet vetëm me një normë të mëvonshme të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare që përmban karakter të njëjtë. Sipas normave “jus cogens”, ndër të tjera ndalohet skllavëria, tortura dhe gjenocidi.

***E drejta e legacionit: E drejta për të dërguar përfaqësues diplomatik quhet e drejtë aktive e legacionit. E drejta për të pranuar përfaqësues diplomatik quhet e drejtë pasive e legacionit.

***Modus Vivendi: është term që përdoret për marrëveshjet e përkohshme për të cilat pritet që në të ardhmen të zëvendësohen me traktat ose konventë të përhershme/afatgjatë.

Page 10: E Drejta Nderkombetare Publike

***Konventa e Montevideos, të drejtat dhe detyrat e shteteve – ndër parimet e përgjithshme të Konventës së Montevideos është se “ekzistenca politike e një shteti është e çështje e ndarë nga njohja prej shteteve tjera”. Shteti si subjekt i së drejtës ndërkombëtare duhet të plotësoj katër kritere: të ketë territorin; popullsinë; qeveri; dhe të jetë i aftë të hyjë në marrëdhënie me shtetet tjera. Shtetet janë juridikisht të pavarura, gëzojnë të njëjtat të drejta dhe kanë kapacitete të barabarta në ushtrimin e tyre. Po ashtu të drejtat e secilit shtet nuk varen nga fuqia që ai posedon për të siguruar ushtrimin e tyre, por nga fakti i thjesht i ekzistencës së shtetit si subjekt ndërkombëtarë. Njohja e një shteti do të thotë pranim i tij me të gjitha të drejtat dhe detyrat që i parasheh e drejta ndërkombëtare. Gjithashtu njohja bëhet pa kushte dhe është e pa tërhiqshme. Shtetet nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të shtetit tjetër. Shtetet duhet të jenë paqedashëse, dhe mospajtimet ndërmjet veti duhet ti zgjidhin në mënyrë paqësore. Sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve është i pa cenueshëm.

***Intervenimi humanitar është përdorimi i forcës ushtarake kundër një shteti, nga një shtet ose grup shtetesh me qëllim ti jepet fund shkeljes së të drejtave të njeriut, të kryera nga shteti kundër të cilit intervenohet. Ky është definicioni më klasik i ndërhyrjes humanitare, edhe pse ka dilema se, p.sh. a cilësohet ndërhyrje humanitare kur bëhet pa pëlqimin e shtetit pritës, nëse ndërhyrja humanitare është e kufizuar vetëm në veprime ndëshkuese, pastaj intervenimi pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit (Këshilli i Sigurimit nuk parasheh autorizim për ndërhyrje humanitare), etj.

***E drejta humanitare rregullon sjelljen e forcave kur janë të angazhuara në luftë apo konflikt të armatosur. Pra, përfshinë ligjet e luftës, ligjet dhe zakonet e luftës ose ligjin e konfliktit të armatosur (jus in bello). Është korpusi ligjor që përfshinë Konventat e Gjenevës dhe Hagës, si dhe traktatet e mëvonshme dhe të drejtën zakonore ndërkombëtare.

***Commonwealth: është bashkësi (sui generis) vullnetare e shteteve të pavarura dhe sovrane, secila përgjegjëse për politikën e vet, që konsultohen dhe bashkëpunojnë në interes të përgjithshëm të popujve të tyre në përparimin e mirëkuptimit ndërkombëtarë dhe paqes në botë.

***E drejta e Optimit – është mundësia që tu pranohet banorëve të një territori që brenda një afati të caktuar të zgjedhin shtetësinë e shtetit që ka bërë cedimin (ceduesit) ose të pasardhësit.

***Plebishiti - është konsultë e përgjithshme e popullit në të cilën banorëve ju lejohet të shprehin vullnetin e tyre se cilin shtet dëshirojnë ti takojnë. Kështu, banorët e një territori kanë mundësi të deklarohen se a pranojnë a jo kalimin prej një shteti në shtetin tjetër. Plebishiti është instrument relativisht i ri, përmendet ne shek. XV-XVI, por zbatohet që nga Revolucioni Francez.

Page 11: E Drejta Nderkombetare Publike

***Shtetet neutrale: janë ato shtete të cilat me anë të marrëveshjeve të posaçme marrin për detyrë të mbeten neutrale në çfarëdo konflikti që ndodhë në të ardhmen mes shteteve tjera. Shtetet neutrale nuk lejojnë kalimin e forcave ushtarake të ndonjë shteti tjetër, nëpër territorin e tyre. Shteti neutral ka të drejtë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vetëmbrojtje nga çdo sulm nga jashtë. Po ashtu, nuk mund të hyjnë në marrëdhënie me karakter ushtarak.

***Selia e Shenjtë: shteti i qytetit të Vatikanit është neutral dhe i paprekshëm. Ka gjithsej 44 hektarë dhe rreth një mijë banorë. Me Marrëveshjen e Lateranit (1929) është rregulluar konflikti i gjatë mes shtetit të Italisë dhe atij Papal e cila përmban 1) marrëveshjen politike me të cilën “zgjidhet dhe eliminohet çështja romake”; 2) një konkordat i cili e rregullon pozitën e Kishës Katolike në Itali; 3) një konventë financiare, me të cilën precizohen detyrimet financiare të Italisë. Italia pranon sovranitetin e Selisë së Shenjtë, pronësinë e plotë, autoritetin ekskluziv, dhe juridiksionin e Selisë së Shenjtë mbi Vatikan. Me marrëveshje parashikohet paprekshmëria e Papës, e drejta e legacionit, Selia e Shenjtë heqë dorë nga e drejta e azilit dhe obligohet të dorëzojë kriminelët në rast strehimi aty. Shërbimet publike ushtrohen nga shteti i Italisë.

***Rastet e zhdukjes së shteteve: 1) me rastin e pushtimit të territorit të tij dhe nënshtrimit të plotë; 2) me rastin e aneksimit definitiv të tij; 3)me ndarjen nga shtetet tjera të territorit të tij; 4) me bashkimin vullnetar të dy a më shumë shteteve.

Pjesa e dytë

ORGANET E MARRËDHËNIEVE NDËRKOMBËTARE (ORGANET E PËRFAQËSIMIT)

Organet e përfaqësimit ndahen në dy grupe: të brendshme dhe të jashtme.

***Organet e brendshme janë to organe të cilat për shkak pozicionit që kanë përfaqësimin e shtetit jashtë, e bëjnë si detyrë dytësore. Këtu bëjnë pjesë: shefi i shtetit (presidenti ose monarku); shefi i qeverisë; ministri i punëve të jashtme. Ndërsa organet e jashtme janë vazhdimësi e pushtetit të brendshëm por që janë të stacionuara jashtë shtetit. Këtu hyjnë: misionet diplomatike dhe misionet konsullore.

***Shefi i Shtetit si organi më i lartë dhe reprezentativ, e përfaqëson shtetin në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare, vepron në emër të tij dhe çdo akt i tij konsiderohet si

Page 12: E Drejta Nderkombetare Publike

akt i shtetit. Shefi i shtetit është bartës i politikës së jashtme, ndërsa qeveria është hartuese e konturave të politikës së jashtme. Në kompetencat e tij hyjnë kryesisht, pranimi dhe dërgimi i përfaqësuesve diplomatik, lidhë marrëveshje ndërkombëtare, shpallë gjendjen e luftës, etj. E drejta ndërkombëtare nuk bënë dallimin midis kryetarëve të shteteve, qofshin ata individ apo kolektiv, monark apo president. Mirëpo autorët ndërkombëtarë janë të ndarë kur bëhet fjalë për pozitën e presidentit kur ky gjendet jashtë vendit. Grupin e parë e përbëjnë autorët të cilët thonë se meqenëse presidenti i shtetit nuk është sovran, sepse në republika populli është bartës i sovranitetit shtetëror, atëherë shteti nuk mund të kërkojë të njëjtat të drejta dhe privilegje, sidomos eksterritorialitet. Të tjerët nisen nga dallimi se a gjendet presidenti jashtë shtetit zyrtarisht apo për qëllime private, duke lejuar që vetëm në rastin e parë shtetet të kenë të drejtë të kërkojnë eksterritorialitet. Dhe grupin e tretë, e përbëjnë autorët që nuk bëjnë asnjë dallim midis presidentit dhe monarkut kur ata gjenden jashtë.

Shefi i shtetit e përfaqëson shtetin dhe për këtë nuk i nevojitet kurrfarë autorizimi i posaçëm. Gjatë qëndrimit në botën e jashtme, shefit të shtetit i bëhen nderime dhe i jepen lehtësi. Ata gëzojnë mbrojtje të posaçme personale, mbrojtje të dinjitetit personal, paprekshmëri të banesës, janë të përjashtuar nga ndjekja gjyqësore madje edhe në rast të veprave të rënda penale, me përjashtim të rasteve kur vullnetarisht i dorëzohen gjyqit, etj. Natyrisht, kusht për ti gëzuar këto është që shteti i jashtëm të ketë lejuar hyrjen e tij ose të mos ketë kundërshtuar. Shteti pritës mund të kërkoj largimin e tij ose, në rastet më të rënda, ta përjashtoj. Kryetarit të shtetit i takojnë të gjitha privilegjet që dalin nga pozita e tij, edhe në rastet kur zbulohet identiteti i tij gjatë qëndrimit ingcognito në ndonjë shtet tjetër. Ingognito – është qëndrim i pa njohur, i pa informuar i shefit të shtetit jashtë.

***Qeveria përfaqëson një grup të personave të cilët, si organ kolegjial, ushtrojnë pushtetin sovran të shtetit. Ajo është organ në të cilin merren vendime edhe për politikën e jashtme. Qeveria planifikon politikën e jashtme, merr vendime ose i realizon vendimet e ndonjë organi tjetër më të lartë, p.sh, Kuvendit. Deklaratat që i jep qeveria shkaktojnë efekte juridike. Kryeministri si shef i qeverisë, është faktor i rëndësishëm i politikës së jashtme dhe paraqitet si organ i shtetit që e përfaqëson plotësisht shtetin në punët e jashtme. Deklaratat e tij obligojnë shtetin. Kryetari i qeverisë paraqitet shpesh edhe personalisht në konferenca të ndryshme ndërkombëtare si përfaqësues i shtetit. Gjatë qëndrimit jashtë vendit derisa e përfaqëson shtetin, kryetari i qeverisë gëzon privilegje në bazë të Konventës mbi Misionet Speciale dhe lehtësi të tjera, të njëjta sikurse shefave të shteteve kur ata i prijnë misionit special.

***Ministri i Punëve të Jashtme qëndron si urë lidhëse në mes të shefit të shtetit dhe organeve të shteteve tjera dhe organizatave ndërkombëtare. Pra, mbajtja e lidhjeve të

Page 13: E Drejta Nderkombetare Publike

rregullta me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, është kryesisht çështje e ministrit të punëve të jashtme. Ndërsa pjesëmarrja e shefit të shtetit dhe të qeverisë në çështje të jashtme, kryesisht kufizohet në çështjet më të rëndësishme politike. Ata vetëm kohë pas kohe bisedojnë drejtpërdrejtë me përfaqësues të shteteve tjera. Sipas rregullave ndërkombëtare, komunikimi midis qeverive duhet të bëhet nëpërmes ministrave të punëve të jashtme dhe përfaqësuesve diplomatik të akredituar në atë shtet. Harmonizimi i politikës së jashtme bëhet brenda qeverisë, dhe u komunikohet shteteve tjera nga ministri i punëve të jashtme. Konventa e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike parasheh shprehimisht, që të gjitha çështjet zyrtare me shtetin e pranimit të misionit, të ngarkuarit e shtetit të dërgimit i kryejnë nëpërmjet ministrisë së punëve të jashtme. (të gjitha çështjet zyrtare midis dy shteteve, ambasadorët e dy vendeve të akredituar në kryeqytetet e njëri tjetrit, i kryejnë nëpërmjet ministrisë së punëve të jashtme).

Edhe në rast se politikën e jashtme e udhëheqë shefi i shtetit, ministri i punëve të jashtme është personi që i kryen të gjitha transaksionet. Ai (shefi i shtetit), nënshkruan dokumente të politikës së jashtme, është udhëheqës i të gjithë ambasadorëve, i konsujve dhe i personave të tjerë të shërbimit diplomatik. Për këtë arsye për ardhjen e ministrit të ri njoftohen shtetet e tjera me anë të rrugëve diplomatike. Ministrit të punëve të jashtme gjatë qëndrimit jashtë vendit, i pranohen të gjitha imunitetet dhe privilegjet që e drejta ndërkombëtare u jep personave diplomatik.

***Organet e jashtme janë ato organe që dërgohen nëpër shtete tjera me të cilat shtetet dëshirojnë të kenë marrëdhënie diplomatike. Këtu hyjnë: ambasadat; konsullatat; legatat dhe çdo emërtim tjetër, të cilat njihen me një emër si Diplomaci.

***Diplomacia është aplikim i inteligjencës dhe taktit në rregullimin e marrëdhënieve zyrtare midis qeverive të shteteve të pavarura (Satow). Ajo është shkencë mbi marrëdhëniet ose punët e jashtme të shteteve, shkencë ose art i bisedimeve (Ch. de Martens). Fjala diplomaci origjinën e ka nga greqishtja e vjetër diploma e cila ishte një dokument i shkruar në dy faqe të lidhura, që i është dhënë kryesuesit të misionit dhe ka përmbajtur instruksione për qëllimet e misionit. Në gjuhën e sotme fjala ka sinonime të ndryshme dhe shpesh përdoret si sinonim për “politikën e jashtme”. Me termin “diplomatik” nënkuptohet koleksion i dokumenteve zyrtare shtetërore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkaq, “trup diplomatik” është tërësia e përfaqësuesve zyrtar të huaj në një shtet (ambasadorët, konsujt, të ngarkuarit me punë). Diplomatët janë anëtarët e këtij trupi, ose çdo nëpunës publik i cili punon në punët diplomatike (ministri të punëve të jashtme, ambasadë ose përfaqësi tjetër diplomatike).

Page 14: E Drejta Nderkombetare Publike

***Përfaqësuesit Diplomatik janë të dërguar me autorizime që ta përfaqësojnë shtetin jashtë. Dërgimi i këtyre përfaqësuesve ka qenë i njohur qysh nga kohërat më të vjetra dhe janë konsideruar si të shenjtë. Në kohën e romakëve cenimi i paprekshmërisë së diplomatëve është dënuar edhe me vdekje. Përfaqësuesit e shteteve janë dërguar për një punë të caktuar dhe pas kryerjes së saj, misioni i tyre ka mbaruar. Qytet-shtetet italiane (Gjenova, Milano, Firence etj) janë fillesat e para të dërgimit të përfaqësuesve të përhershëm jashtë vendit. Këto, gjatë shek. XV fillojnë të mbajnë përfaqësues të përhershëm në Spanjë, Gjermani dhe Angli. Ndërkaq përfaqësuesit e përhershëm bëhen institucion i rregullt vetëm në pjesën e dytë të shek. XVII.

Përfaqësuesit diplomatik ndahen në përfaqësues të rregullt dhe të rastit ( ta jashtëzakonshëm). Përfaqësuesit e rastit dërgohen të përfaqësojnë shtetin në misione të caktuara si, në kongrese e konferenca ndërkombëtare, etj.

***Gjuha Diplomatike – prej kohës së romakëve e deri në shek. XIV, është përdorur gjuha latine. Nga andej e tutje paraqitet edhe gjuha frënge dhe deri në fund të shek. XIX pothuajse gjuhë e vetme në dokumentet zyrtarë ka qenë frëngjishtja. Ndërkaq Kongresi i Vjenës (1915) e fut gjuhën angleze po aq të rëndësishme (të njëjtë) sa edhe frëngjishten. Në fillim të shek. XX, më saktë në Konferencën e Paqes në Paris (1919) gjuha angleze trajtohet në mënyrë të barabartë me atë frënge. Sot, në OKB gjuhë pune janë gjuha angleze dhe frënge, ndërsa gjuhë tjera zyrtare janë edhe gjuha spanjolle, ruse, kineze dhe arabe.

***E Drejta e Legacionit ka të bëjë me këmbimin e përfaqësuesve diplomatik. Krijimi i përfaqësive të përhershme paraqet të drejtën e legacionit. E drejta për të dërguar përfaqësues diplomatik jashtë, quhet e drejtë aktive e legacionit. Ndërsa e drejta të pranoj përfaqësues diplomatik të jashtëm quhet e drejtë pasive e legacionit. Kjo e drejtë i takon kryesisht shteteve të pavarura, ndërsa shtetet gjysmë-sovrane (shtetet vasale dhe shtetet nën protektorat) nuk gëzojnë të drejtën e dërgimit të përfaqësuesve diplomatik. E drejta e legacionit i është pranuar edhe Selisë së Shenjtë. Gjithashtu të drejtën e legacionit e gëzojnë edhe Kombet e Bashkuara. Fillimi i luftës shkakton automatikisht ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.

***Kodifikimi i të Drejtës Diplomatike – rregullat që i referohen përfaqësuesve diplomatik janë krijuar si rregulla zakonore të së drejtës ndërkombëtare diplomatike. Fillimisht më 1815 në Kongresin e Vjenës rregullohet çështja e rangut të përfaqësuesve diplomatik, e plotësuar në Kongresin e Ahenit, 1818. Pas Luftës së Dytë Botërore, komisioni i së Drejtës Ndërkombëtare miraton më 1961 Konventën mbi Marrëdhëniet Diplomatike, ndërsa më 1963 është miratuar Konventa mbi Marrëdhëniet Konsullore. Kështu, me miratimin e konventave të Vjenës mund të thuhet se është rrumbullakuar çështja e kodifikimit të së drejtës diplomatike.

Page 15: E Drejta Nderkombetare Publike

***Vendosja e Marrëdhënieve Diplomatike – është akt i vullnetit të lirë që iu takon dy subjekteve të interesuar dhe, secili shtet vendos se a do të mbajë apo jo marrëdhënie diplomatike me ndonjë shtet tjetër. Pra, shtetet nuk janë të detyruara të dërgojnë apo të pranojnë përfaqësues diplomatik. Para se të vendosen marrëdhëniet diplomatike, duhet të bëhet njohja diplomatike midis dy qeverive. Akti për hyrje në marrëdhënie diplomatike mund të jetë në formë të marrëveshjes solemne apo përmes shkëmbimit të notave midis ministrave të punëve të jashtme, përfaqësuesve diplomatik të akredituar në shtetin e tretë, etj. Marrëveshjet e tilla nuk janë të afatizuara në aspektin kohor. Megjithatë, shtetet kanë të drejte që njëanshëm t’i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me ndonjë shtet tjetër. Në disa raste shtetet vendosin vetëm të tërheqin përfaqësuesit e tyre diplomatik por pa i ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Kjo tërheqje mund të jetë e përhershme ose e përkohshme. Marrëdhëniet diplomatike mund të ekzistojnë edhe pa shkëmbimin e përfaqësuesve të rregullt midis shteteve. Kjo bëhet me anë të komunikimit nëpërmjet një shteti të tretë.

***Klasifikimi i Personelit Diplomatik – Konventa e Vjenës e ndanë personelin diplomatik në këto kategori: 1) personeli (stafi) diplomatik ku hyjnë: shefi i misionit, këshilltarët (ose ministri këshilltar), sekretarët dhe atashetë. 2) personeli (stafi) administrativ dhe teknik ku hyjnë: shërbyesit e ndryshëm si, arkivistët, radiolidhësit, dhe personeli administrativ. 3) personeli (stafi) shërbyes/logjistik ku hyjnë: portierët, vozitësit, kuzhinierët, postierët, rojet, etj. Kategoria e parë dhe e dytë, gëzojnë imunitete dhe privilegje të plota diplomatike për ta dhe familjet e tyre, ndërsa kategoria e tretë vetëm për detyrat që janë të lidhura direkt me punën zyrtare.

***Rangu i Përfaqësuesve Diplomatik – sipas Kongresit të Vjenës mbi Rangun e Përfaqësuesve Diplomatik, përfaqësuesit diplomatik kanë qenë të ndarë në tri klasë: 1) ambasadorët, legatët dhe nunët; 2) përfaqësuesit, ministrat dhe të dërguarit e tjerë të shefave të shteteve; 3) të ngarkuarit me punë. Kongresi i Ahenit (1818) e zgjeron këtë rregullore dhe shton të ashtuquajturit “ministra rezidentë”. Tre grupet e para të përfaqësuesve diplomatik i akreditojnë shefat e shteteve, ndërsa grupin e katërt ministri i punëve të jashtme. Klasa e parë (ambasadorët, legatët dhe nunët) përfaqësojnë jo vetëm shtetin por edhe shefin e shtetit. Konventa e Vjenës (1961) shefat e misioneve diplomatike i ndanë në tri klasa: 1) ambasadorët dhe nunët, të akredituar pranë shefave të shteteve, dhe shefat e tjerë të misionit të rangut të njëjtë; 2) të dërguarit, ministrat dhe internunët, të akredituar te shefat e shteteve; 3) të ngarkuarit me punë, të akredituar te ministrat e punëve të jashtme.

Të gjithë shefat e misioneve në një shtet përbëjnë “trupin diplomatik” në krye të të cilit gjendet dekani (doajeni) i trupit diplomatik.

***Emërimi i Përfaqësuesve Diplomatik – për emërimin e përfaqësuesve diplomatik, vendosin pavarësisht shtetet, të cilat kanë kriteret e tyre të brendshme. Emërimin

Page 16: E Drejta Nderkombetare Publike

zakonisht e bënë shefi i shtetit. Ata duhet të gëzojnë kredibilitet të lartë, besueshmëri, vlera të larta morale e shoqërore, edukim të mirë, etj. Para se të bëhet emërimi duhet të kërkohet nga pala tjetër se a pranon kandidatin e caktuar. Kandidati për ambasador akreditohet nga shteti dërgues pastaj pritet nëse shteti i pranimit e jep apo jo, “agremanin” (pajtimin) për pranimin e kandidatit. Kërkesa përmban të dhënat për kandidatin (të dhënat biografike, funksionet e mëparshme, gjendjen familjare etj.). Shteti i pranimit mund të jap pajtimin ose mund të refuzoj dhënien e pajtimit. Shteti i pranimit mund edhe të refuzoj përgjigjen për një kohë, që nënkuptohet si qëndrim negativ në mënyrë të heshtur ndaj propozimit. Në këso raste shteti që dërgon mund të kërkoj përgjigje mirëpo nuk ka drejtë të kërkoj arsyet e refuzimit nga shteti pritës. Gjithashtu shteti pritës nuk është i detyruar që t’i sqaroj arsyet e mos dhënies së agremanit.

Arsyet për refuzim kanë të bëjnë me kandidatin e propozuar. Në kohërat e mëhershme si arsye për refuzim janë marrë gjinia, shtetësia, feja, etj. Ndërsa arsyet me të shpeshta në kohërat më moderne janë qëndrimi armiqësor i kandidatit të propozuar. Kur jepet agremani, përfaqësuesi diplomatik merr me vete “letrat kredenciale” me të cilat akreditohet te shefi i shtetit. Letrat kredenciale janë si lloj CV e kandidatit dhe përmbajnë emrin e përfaqësuesit diplomatik, titullin dhe klasin, shprehjen e dëshirës për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, etj. si dhe titullin e plotë të shefit të shtetit dhe të shtetit. Letrat kredenciale i dërgon shefi i shtetit dërgues tek shefi i shtetit pranues, me përjashtim të letrave të të ngarkuarve me punë të cilat zakonisht i dërgojnë ministrat e punëve të jashtme.

Përfaqësuesit diplomatik paraprakisht pajisen me pasaportë diplomatike për të treguar cilësinë e tij dhe shërben sidomos gjatë kalimit nëpër shtetet e treta, gjatë rrugës për në shtetin pritës. Përfaqësuesi diplomatik i merr funksionet e plota me dorëzimin e letrave kredenciale shefit të shtetit pritës, kurse i ngarkuari me punë ministrit të punëve të jashtme.

***Funksionet e Përfaqësuesve Diplomatik – përkundër përpjekjeve, ende nuk ekziston një unanimitet e plotë rreth funksioneve të përfaqësuesve diplomatik. Në përgjithësi ata kanë për detyrë që të përparojnë marrëdhëniet e gjithanshme ndërmjet dy shteteve. Konventa e Vjenës numëron pesë funksionet kryesore të përfaqësuesve diplomatik: 1) përfaqësimin e shtetit nga akreditohet në shtetin e akredituar; 2) mbrojtjen e interesave të shtetit nga është akredituar dhe të shtetasve të tij, brenda kufijve që lejon e drejta ndërkombëtare; 3) bisedimet me qeverinë e shtetit ku është akredituar; 4) informimin e shtetit të tij (akreditues) rreth ngjarjeve në shtetin e akredituar; 5) përparimin e marrëdhënieve miqësore, ekonomike, kulturore, shkencore etj. ndërmjet dy shteteve. Përveç ushtrimit të funksioneve diplomatike, ai mund të ketë edhe disa misione konsullore, ushtrimi i të cilave nuk ndalohet me konventë porse nuk autorizohet shprehimisht.

Page 17: E Drejta Nderkombetare Publike

***Mënyra e të Ushtruarit të Funksionit – Konventa e Vjenës ka paraparë se të gjithë personat që gëzojnë privilegje dhe imunitete janë të detyruar ti respektojnë ligjet dhe rregullat e shtetit në të cilin janë akredituar. Këta persona duhet që të mos përzihen në punët e brendshme të shtetit ku janë akredituar. Ministria e jashtme është kanali i vetëm i komunikimit nëpërmes të të cilit misioni diplomatik ushtron punët e veta. Mirëpo një numër i personave si p.sh. atashetë për çështje ekonomike, kulturore etj. mund të kenë kontakte direkte me organet përkatëse të shtetit ku janë akredituar.

***Lehtësitë në Punën e Misionit Diplomatik – shteti i pranimit duhet ti sigurojë misionit lehtësi të plota për kryerjen e funksionit të misionit si p.sh. të ndihmojë në instalimin e misionit, në sigurimin e banesave etj. Ndër lehtësitë tjera përmendim:

a) Liria e qarkullimit – liria e qarkullimit dhe udhëtimit për të gjithë anëtarët e shërbimit diplomatik është një ndër lehtësitë që i jepet misionit diplomatik për kryerjen e punëve të tij. Nëse përjashtohen kufizimet për shkak të sigurisë kombëtare, kjo liri konsiderohet ndër liritë themelore.

b) Liria e komunikimit – ndër detyrat kryesore të misionit diplomatik është të mbledhë dhe të dërgojë informata nga shteti ku është akredituar. Si dhe të marrë të njëjtat nga shteti i vet. Nevoja që misionet diplomatike të gëzojnë lirinë e komunikimit është respektuar pothuajse në mënyre absolute. Misionet diplomatike përdorin të gjitha mjetet përkatëse dhe mesazhet e shifruara gjatë komunikimit me qeverinë dhe misionet e tjera në shtetin ku janë akredituar. Përjashtim bënë vetëm radioemituesi i cili mund të vendoset vetëm në pajtim me shtetin te i cili bëhet akreditimi. Korrespodenca zyrtare nuk mund të cenohet dhe valiza diplomatike gjithashtu nuk mund të hapet apo të ndalet. Gjatë kryerjes së punëve të tij, korrieri diplomatik gëzon paprekshmëri të plotë, nuk mund të arrestohet e as të paraburgoset. Imunitetet e korrierit diplomatik pushojnë të jenë në fuqi kur ai e dorëzon valizën diplomatike që i është besuar.

***Paprekshmëria dhe Imunitetet e Përfaqësuesve Diplomatik – të drejtat që iu jepen përfaqësuesve diplomatik ndahen në dy grupe: në imunitete reale të cilat janë të lidhura me misionin diplomatik; dhe në imunitetet personale të cilat e mbrojnë personin e përfaqësuesit diplomatik. Që të dyja këto kanë të bëjnë me eksterritorialitetin sipas të cilit konsiderohet se përfaqësuesit diplomatik dhe vetë ndërtesa e misionit konsiderohet se janë jashtë territorit në të cilin janë faktikisht.

a) Paprekshmëria e lokaleve – të misionit diplomatik dhe përfaqësuesve të tij janë të lidhura me teorinë e eksterritorialitetit. Sipas kësaj teorie, lokalet e misionit diplomatik janë një enklavë brenda shtetit tjetër dhe si të tilla janë pjesë përbërëse e shtetit që e dërgon. Ndërtesa e misionit gëzon paprekshmëri të plotë dhe askush nuk guxon të hyjë në të pa leje.

Page 18: E Drejta Nderkombetare Publike

b) Azili diplomatik – nga paprekshmëria e lokaleve diplomatike buron e drejta e azilit diplomatik. Personi i ikur i cili strehohet në lokalet e misionit diplomatik, konsiderohet se i ka ikur autoriteteve të pushtetit lokal. Konventa e Havanës mbi Azilin (1928) ndalon tu jepet azil në ambasada, luftanije ose aeroplan ushtarak, kriminelëve të thjeshtë të cilët duhet ti dorëzohen qeverisë lokale, por lejon tu jepet azil të ikurve politik, më kusht që përfaqësuesi i misionit diplomatik të lajmëroj ministrin e punëve të jashtme për këtë azil dhe të pengoj çfarëdo veprimi të të ikur kundër sigurisë së përgjithshme të shtetit. E drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk e pranon të drejtën e azilit diplomatik.

c) Paprekshmëria e arkivit dhe dokumenteve – arkivi dhe dokumentet e misionit diplomatik janë të paprekshme. Kjo vlen “për çdo kohë dhe kudo që të jenë”. Sipas Konventës së Vjenës paprekshmëria e plotë e arkivit dhe dokumenteve të misionit diplomatik, është ekuivalente me rregullat e njëjta të Konventës mbi Privilegjet dhe Imunitetet e Kombeve të Bashkuara.

d) Paprekshmëria e përfaqësuesve diplomatik – Konventa e Vjenës parasheh që agjentët diplomatik janë të paprekshëm dhe nuk i nënshtrohen çfarëdo lloj burgimi ose paraburgimi. Edhe banesa e përfaqësuesve diplomatik gëzon statusin e njëjtë të paprekshmërisë dhe mbrojtjes sikurse lokalet e misionit. Paprekshmëri gjithashtu gëzojnë edhe dokumentet e tyre, korrespodenca dhe pasuria. Shteti i pranimit parasheh me ligje të brendshme, ndëshkimin e atyre personave të cilët cenojnë paprekshmërinë e përfaqësuesve diplomatik.

***Imunitetet Diplomatike – nga paprekshmëria e përfaqësuesve diplomatik, rrjedhin imunitetet diplomatike. Nuk mjafton mbrojtja e një përfaqësuesi diplomatik vetëm nga sulmi ose fyerjet, por duhet të jetë plotësisht i përjashtuar nga zbatimi i sanksioneve në shtetin ku është akredituar. Imunitetet e përfaqësuesve diplomatik ndahen në imunitetet penale dhe imunitete civile.

a) Imunitetet penale – përfaqësuesit e jashtëm nuk mund të nxirren para gjyqit në shtetin ku janë akredituar e as të dënohen nga gjyqet lokale. Konventa e Vjenës parasheh që imuniteti penal vlen për të gjitha veprat pa përjashtim.Për përfaqësuesit e jashtëm diplomatik vlejnë rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Mirëpo kjo nuk do të thotë që përfaqësuesit diplomatik nuk duhet të respektojnë normat juridike të shtetit ku janë akredituar. Megjithatë, përjashtimi nga përgjegjësia penale në shtetin e akredituar, nuk do të thotë edhe lirim nga përgjegjësia në shtetin e dërgimit. Pas kthimit të tij, shteti që e dërgon mund të

Page 19: E Drejta Nderkombetare Publike

ndërmarrë masa kundër personit që ka cenuar normat e shtetit territorial. Agjentët diplomatik nuk janë të detyruar as që të dëshmojnë. Përfaqësuesi diplomatik mund të heqë dorë nga imuniteti vetëm me pëlqimin e shtetit të vet, për shkak se imuniteti nuk i është dhënë atij si person, por i është dhënë për t’i bërë të mundur të kryej detyrën e tij pa pengesa. Në kohërat e sotme, shteti akreditues mund të kërkoj që përfaqësuesi diplomatik të tërhiqet, e në rastet më të rënda shpallet persona non grata dhe urdhërohet që të largohet nga shteti.

b) Imuniteti civil – arsyetimi i imunitetit civil është i njëjtë si ai për imunitetin penal. Mirëpo, rëndësia e tij është shumë më e vogël, për shkak se këtu nuk është fjala për dënim por për aktpadi private për sendet personale dhe pasurinë e personave diplomatik. Përfaqësuesi diplomatik mund të heqë dorë nga imuniteti civil. Heqja dorë jepet shprehimisht ose heshtazi. Gjyqet e vendin po ashtu mund të pranojnë aktpadi të cilat i paraqesin përfaqësuesit diplomatik. Janë tri raste sipas Konventës së Vjenës sipas së cilave nuk vlen imuniteti i përfaqësuesve diplomatik: 1) përfaqësuesi diplomatik nuk gëzon imunitet në rast të aktpadisë që ka të bëjë me pasurinë private të patundshme në territorin e shtetit ku është akredituar; 2) në rast të aktpadisë ku përfaqësuesi diplomatik paraqitet si trashëgimtar i pasurisë private të lënë me testament; 3) dhe në rast se ndaj përfaqësuesit diplomatik është ngritur aktpadi që ka të bëjë me veprimtarinë tregtare çfarëdo qoftë ajo, kur ushtrohet jashtë funksioneve diplomatike (jashtë detyrës zyrtare).

c) Imuniteti në çështje policore – përfaqësuesit diplomatik janë të përjashtuar nga pushteti policor në vendin ku janë akredituar dhe urdhrat dhe rregullat policore nuk shtrihen edhe mbi ta. Mirëpo natyrisht, kjo nuk do të thotë se ata janë të lirë të sillen sipas tekeve të ndryshme si, të tejkalojnë shpejtësinë e lëvizjes, të parkojnë automjetin në vende të palejuara, etj.

d) Imunitetet fiskale – misionet diplomatike dhe personeli i tyre janë imun nga e drejta fiskale në shtetin ku janë akredituar. Konventa e Vjenës nuk ka mundur të japë një listë të plotë të lirimeve, ndaj, imunitetet fiskale mbështeten rregullisht në kurtuazi dhe reciprocitet.

e) Imunitetet nga taksat – misionet diplomatike janë të liruara nga pagesa e çfarëdo lloj takse në shtetin ku janë akredituar. Mirëpo një lirim i tillë nuk nënkupton ndalimin e pagimit të shërbimeve speciale siç janë furnizimi më ujë, rrymë, shërbime telefonike etj. Edhe në rastet kur shfrytëzuesit e “të mirave komunale” nuk i kryejnë detyrimet ndaj organeve kompetente, kurrfarë mase shtrëngimi nuk mund të merret ndaj tyre, përveç të ndërpritet furnizimi i mëtutjeshëm.

f) Imunitetet nga të dhënat doganore – Konventa e Vjenës thotë se shteti i pranimit duhet lejojë hyrjen pa doganë të të gjitha sendeve për nevoja zyrtare apo personale të agjentëve diplomatik. Gjithashtu edhe dërgesat personale nuk mund të shikohen përveç në rastet kur ekziston dyshimi serioz se një dërgesë e

Page 20: E Drejta Nderkombetare Publike

tillë nuk është për përdorim zyrtar ose personal. Edhe kur insistohet të bëhet shikimi i dërgesës, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm në prani të agjentit diplomatik.

***Personat që gëzojnë privilegje dhe imunitet – Shefi i misionit dhe personat e rangut diplomatik, sipas Konventës së Vjenës gëzojnë të gjitha imunitetet dhe privilegjet, qoftë gjatë aktivitetit të tyre zyrtar apo privat. Personeli administrativ dhe teknik gëzojnë të gjitha imunitetet dhe privilegjet, përveç atyre që bëjnë përjashtim nga imuniteti civil dhe administrativ. Personeli shërbyes (logjistik) gëzojnë imunitet vetëm për aktet që ata i kryejnë gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare. Përjashtim nga imuniteti bëjnë personat që janë shtetas të shtetit të pranimit dhe personat që kanë rezidencë të përhershme në shtetin e pranimit.

***Personat lidhur me personelin e misionit – Konventa e Vjenës ka paraparë që anëtarët e familjes të personelit diplomatik të cilët bëjnë pjesë në familjen e tyre të ngushtë, gëzojnë privilegje dhe imunitete por me kusht që mos të jenë shtetas të shtetit të pranimit. Kjo vlen për anëtarët e familjes së shefit të misionit, të personelit tjetër diplomatik dhe personelit administrativ dhe teknik.

***Koha sa vlejnë privilegjet dhe imunitetet diplomatike – përfaqësuesit diplomatik gëzojnë privilegjet dhe imunitetet nga momenti kur hyjnë në territorin ku janë akredituar për të marrë detyrën e tyre. Kjo vlen për atë kategori të personave të cilët shkojnë për herë të parë në detyrë. Ndërsa personat e tjerë të cilët gjenden në shtetin e pranimit, fillojnë ti shfrytëzojnë privilegjet dhe imunitetet diplomatike që nga momenti kur bëhet notifikimi i emërimit të tyre ministrisë së punëve të jashtme. Privilegjet dhe imunitetet e përfaqësuesve diplomatik pushojnë të vlejnë në momentin kur ai e përfundon funksionin e tij dhe kur të largohet nga shteti ku ka qenë akredituar.

***Kalimi nëpër shtetet e treta – Konventa e Havanës parasheh që gjatë kalimit nëpër shtete të treta për në vendin e destinimit ose në kthim për në vendin e vet, gëzojnë të njëjtat imunitetet si në vendin ku janë akredituar. Për ti shfrytëzuar privilegjet dhe imunitetet, përfaqësuesit diplomatik duhet që: a) shteti i destinimit të përfaqësuesit diplomatik, të mos jetë në luftë me shtetin nëpër të cilin kalohet transit; b) duhet të jetë fjala për transit e jo për ndalim të panevojshëm; c) kalimi nëpër shtetin e tretët duhet të jetë për të arritur në shtetin ku është akredituar, d) ose për tu kthyer në shtetin e dërgimit; e) shteti nëpër të cilin kalohet duhet të jetë i njoftuar për kalimin, përndryshe ne rast kalimi “incognito” ai s’mund të kërkoj privilegje; f) që shteti nëpër të cilin kalohet duhet të ketë njohur qeverinë dhe shtetin e destinimit të përfaqësuesit diplomatik. Privilegje dhe imunitete të njëjta gëzojnë edhe anëtarët e përfaqësuesve diplomatik.

Page 21: E Drejta Nderkombetare Publike

***Përfundimi i Misionit Diplomatik – misioni diplomatik mund të përfundoj me: 1) kryerjen e detyrës së misionit, kur përfaqësuesi diplomatik dërgohet me qëllim të caktuar, p.sh. të marrë pjesë në varrim, martesë, kurorëzim, konferencë ndërkombëtare, etj.; 2) kalimin e afat për të cilin është dërguar, nëse letrat kredenciale janë lëshuar për një periudhë të caktuar; 3) revokim, të cilin mund ta bëjë shteti që e ka dërguar ose përfaqësuesi ka dhënë dorëheqje, apo për shkak të transferimit në pozitë tjetër; 4) me shpalljen e një personi “persona non grata”; 5) ngritjen e përfaqësuesit diplomatik në një rang më të lartë; ndërprerjen e mundësisë për të mbajtur marrëdhënie diplomatike (p.sh. zhdukja e njërit shtet); 6) ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike për shkak të fillimit të luftës; 7) vdekjen e përfaqësuesit diplomatik.

***KONSUJT

Konsujt historikisht prejardhjen e kanë nga Greqia e Vjetër. Qytet shtetet greke kanë pasur funksionarë të quajtur “proksenë” të cilët kanë qenë të ngarkuar me funksione konsullore. Institucioni konsullor merr hov të zhvillimit gjatë shek. XIX, më zhvillimin e tregtisë, industrisë, lundrimit, etj. dhe kështu funksioni i tyre kryesor bëhet mbikëqyrja e përgjithshme e tregtisë dhe e lundrimit të shtetit të tyre dhe mbrojtja e interesave komerciale të shtetit të vet.

Në shumicën e vendeve ky shërbim ka qenë i ndarë nga shërbimi diplomatik, mirëpo që të dy kanë qenë nën kontroll të ministrisë së punëve të jashtme. Ndërkohë, këto shërbime janë bashkuar duke formuar një shërbim unik të jashtëm, dhe sot mjaft persona diplomatik ushtrojnë edhe detyra konsullore. Për dallim nga ambasadorët ku shteti i pranimit duhet të japë “agrementin”, për konsujt jepet “ekzekvatura”.

***Llojet dhe Klasat e Konsujve – konsujt ndahen në konsuj profesionalë (konsuj karriere – consules missi) dhe konsuj nderi (consules electi). Konsujt profesional janë nëpunës dhe shërbimin konsullor e kanë profesion të rregullt dhe të vetëm, janë në marrëdhënie pune me shtetin e vet. Ata janë rregullisht shtetas të shtetit të dërgimit.

Konsujt e nderit janë persona autoritativ që jetojnë, e shpeshherë, janë shtetas të shtetit ku veprojnë si konsuj. Ata për punën e tyre nuk marrin rrogë, meqë punët konsullore i ushtrojnë paralelisht me punët e veta të rregullta. Konsujt e nderit marrin rangun në çdo klasë pas konsujve profesional.

Konventa e Vjenës, të gjithë shefat e konsullatave i ndanë në katër klasa: 1) Konsuj të përgjithshëm; 2) Konsuj; 3) Nënkonsuj; 4) Agjentë konsullor.

Konsujt e përgjithshëm – procedura e emërimit është pak a shumë e ngjashme me emërimin e ambasadorëve. Konsujt e përgjithshëm emërohen nga shefi i shtetit dhe

Page 22: E Drejta Nderkombetare Publike

rrallë herë nga ministri i punëve të jashtme. Ata emërohen si udhëheqës të një distrikti të madh në shtetin e akreditimit, apo disa distrikteve konsullore dhe kanë nën drejtimin e tyre disa konsuj.

Konsujt – emërohen nga shefi i shtetit apo ministri i punëve të jashtme, për një qark konsullor më të vogël dhe më pakë të rëndësishëm.

Nënkonsujt – i emëron ministri i punëve të jashtme, për qark konsullor edhe më të vogël dhe më pak të rëndësishëm se për konsuj, dhe janë nën kontrollin e konsujve të përgjithshëm ose konsullit.

Agjentët konsullor – i emëron konsulli i përgjithshëm ose konsulli në qarkun e të cilit duhet të kryejnë funksionet. Ata punojnë brenda autorizimeve të cilat i marrin nga konsulli i përgjithshëm ose konsulli.

Të katër klasat e konsujve, kanë të njëjtat imunitete dhe privilegje diplomatike për ta dhe familjet e tyre, sikurse ambasadorët.

***Emërimi i Konsujve – konsiderohet se marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike e përfshinë edhe pajtimin për vendosjen e marrëdhënieve konsullore. Megjithëse, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nuk nënkupton automatikisht (ipso facto) ndërprerjen edhe të marrëdhënieve konsullore. Emërimin e konsujve e bënë shteti i dërgimit ndërsa kryerjen e funksioneve e lejon shteti i pajtimit.

Shteti i dërgimit i jep shefit të porsaemëruar të konsullatës patentën konsullore të quajtur Lettre de provizion. Konsujt e përgjithshëm dhe Konsujt, patentën konsullore e marrin nga shefi i shtetit ose kryeministri, ndërsa Nënkonsujt rregullisht nga ministri i punëve të jashtme.

Patenta konsullore përmban të dhënat për kandidatin, kategorinë e tij dhe klasin konsullor, distriktin ku do të shërbej dhe selinë e konsullit. Kjo i dorëzohet shtetit në territorin e të cilit shefi i konsullatit do të ushtrojë funksionet konsullore. Pranimi i konsullit bëhet vetëm nëse shteti i pranimit jep të ashtuquajturën “ekzekvaturë”, si leje për ushtrimin e funksionit dhe është dëshmi për pranimin e tij. Dhënia e ekzekvaturës mund të refuzohet apo edhe të tërhiqet në çdo kohë. Shteti i cili refuzon ekzekvaturën nuk është i detyruar ti komunikoj arsyet e refuzimit. Shteti i pranimit mund edhe të lajmëroj në çdo kohë shtetin e dërgimit se ndonjë funksionar konsullor është persona non grata. Shteti i dërgimit (emërimit) është i detyruar në këtë rast që të revokoj personin në fjalë.

***Funksionet e Konsujve – konsujt janë organe shtetërore të cilët dërgohen jashtë zakonisht për qëllime të mbrojtjes së interesave të shtetit brenda qarkut konsullor. Ata

Page 23: E Drejta Nderkombetare Publike

nuk janë përfaqësues diplomatik, nuk kanë rëndësi diplomatike dhe nuk akreditohen pranë qeverisë se vendit të pranimit, por në distriktin ku shërbejnë.

Ka raste kur përfaqësuesit konsullorë kanë ushtruar funksione të cilat i kryejnë përfaqësuesit diplomatik. P.sh. kur një shtet i vogël, në vend të përfaqësuesve diplomatik dërgon përfaqësues konsullor i cili i kombinon funksionet konsullore me ato diplomatike; në rast se për arsye formale, në një shtet nuk mund të dërgohen përfaqësues diplomatik atëherë dërgohet përfaqësuesi konsullor, p.sh. gjatë kohës kur Egjipti ishte nën protektoratin e Turqisë dhe Anglisë, shtetet evropiane dërguan konsuj të përgjithshëm; etj.

Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, detyrat e konsujve janë: 1) të mbrojë interesat e shtetit dhe shtetasve të tij; 2) të zhvilloj dhe përparoj marrëdhëniet tregtare, ekonomike, kulturore e shkencore; 3) të informoj shtetin e dërgimit (shtetin e vet) për kushtet e zhvillimit tregtar, ekonomik, kulturor, etj.; 4) të ndihmoj shtetasit e vet në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të tyre para autoriteteve të vendit ku vepron; 5) lëshon pasaporta dhe dokumente të udhëtimit shtetasve të vet dhe viza personave që udhëtojnë në shtetin e tyre.

***Imuniteti dhe Privilegjet e Konsujve – meqenëse në totalitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Konsujt nuk janë përfaqësues diplomatik, nuk e përfaqësojnë shtetin jashtë, por janë të kufizuar në kompetenca si në pikëpamje territoriale ashtu edhe të funksioneve. Ata nuk gëzojnë pozitë të njëjtë me përfaqësuesit diplomatik, dhe kështu edhe nuk trajtohen njëlloj nga shtetet. Pozita e tyre ndryshon dhe shtrihet në mes të privilegjeve të përfaqësuesve diplomatik dhe të huajve të thjeshtë.

Lokalet konsullore janë të paprekshme. Organet e shtetit të pranimit mund të hyjnë në to vetëm me lejen e shefit të konsullatit. Paprekshmëri, në çdo kohë dhe kudo që të jenë, gëzon edhe arkivi konsullor. Shteti i dërgimit ka të drejtë të vendos stemën dhe flamurin e vet në ndërtesën e konsullatat si dhe në mjetin zyrtar të transportit. Ata nuk mund të burgosen ose tu imponohet çfarëdo kufizimi i lirisë personale, me përjashtim të rasteve kur kryejnë ndonjë vepër të rëndë penale dhe në bazë të vendimit të gjyqit. Në rast burgimi, paraburgimi ose fillimi të procedurës penale, shteti i pranimit ka për detyrë të lajmëroj autoritetet e shteti të dërgimit.

Ata gëzojnë imunitet gjyqësor për veprat që kryejnë gjatë ushtrimit të funksioneve konsullore. Ata mund të ftohen të dëshmojnë, por nuk mund të detyrohen. Përjashtim nga imuniteti gjyqësor bëjnë vetëm çështjet nga sfera civile. Ata gëzojnë të drejtën e udhëtimit dhe qarkullimit, përpos në zonat e ndaluara.

Page 24: E Drejta Nderkombetare Publike

Për kryerjen e detyrave të tyre, funksionarët konsullorë komunikojnë më organet kompetente lokale të qarkut të tyre konsullor, si dhe me organet qendrore. Funksionarët dhe nëpunësit konsullorë si dhe anëtarët e familjeve të tyre janë të liruar nga të gjitha tatimet dhe taksat shtetërore, rajonale apo komunale, përpos tatimit të tërthortë. Ata janë të liruar edhe nga dogana dhe inspektimi doganor.

Konsujt e nderit gëzojnë të drejta më të kufizuara. Lokalet konsullore nuk gëzojnë paprekshmëri, kurse arkivi dhe shkresat gëzojnë paprekshmëri vetëm nëse janë të ndara nga shkresat private. Privilegjet dhe imunitetet nuk u njihen anëtarëve të familjeve të tyre. Ata gjithashtu nuk gëzojnë imunitet penal, mirëpo nëse janë objekt i gjykimit atëherë procedura duhet të zhvillohet me respekt i cili atyre u takon.

***Përfundimi i Misioneve Konsullore – funksionet konsullore pushojnë me: 1) notifikimin (e shtetit të emërimit – pranimit) se funksionet e tij kanë pushuar; 2) me tërheqjen e ekzekvaturës; 3) me notifikimit e shtetit të pranimit – shtetit të emërimit se ka pushuar ta konsiderojë anëtarë të personelit konsullor.

Funksionet konsullore pushojnë me ndërprerjen e marrëdhënieve konsullore, kjo rregullisht ndodh në rast lufte midis dy shteteve. Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nuk nënkupton vetvetiu edhe ndërprerjen e marrëdhënieve konsullore. Shteti i pranimit mundet në çdo kohë, dhe pa pasur detyrim lajmërimi, që një funksionar konsullor ta shpall persona non grata. Në raste të tilla shteti i dërgimit duhet ta revokoj personin në fjalë. Misioni konsullor gjithashtu mund të përfundoj edhe me rastin e vdekjes së konsullit ose me dorëheqjen e tij.

AKTET E NJËANSHME JURIDIKE

E Drejta Ndërkombëtare Publike njeh edhe disa akte të njëanshme juridike ndërkombëtare përmes së cilave vepron një shtet i caktuar, pavarësisht vullnetit të shtetit tjetër. Akt i njëanshëm juridik konsiderohet shprehja e vullnetit të një subjekti ndërkombëtarë, me qëllim që të shkaktohet ndonjë pasojë juridike ndërkombëtare. Me këto akte, krijohet, ndryshohet ose pushon ndonjë gjendje juridike. Aktet e njëanshme ndahen në akte të njëanshme të pavarura; të varura; dhe të përziera.

Aktet e njëanshme të pavarura janë ato që vetvetiu shkaktojnë pasoja juridike ndërkombëtare midis subjekteve të së drejtës ndërkombëtare. Këtu bëjnë pjesë notifikimi; njohja; protesta; heqja dorë; dhe premtimi.

Akte të njëanshme të varura janë ato të cilat vetëm bashkërisht me një akt tjetër të njëanshëm të ndonjë subjekti tjetër shkaktojnë pasoja juridike ndërkombëtare. Të tilla

Page 25: E Drejta Nderkombetare Publike

janë oferta dhe pranimi; rezerva dhe pranimi i juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Aktet e njëanshme të përziera janë ato akte në të cilat shprehja e njëanshme e vullnetit është i lidhur me një veprim material ose faktit. Këtij grupi i takon okupimi; derelikcioni (lëshimi i një territori ku shprehja e vullnetit duhet të përcillet edhe me veprim faktit) dhe negociorum gesto.

Për të shkaktuar pasoja juridike, akti i njëanshëm duhet të afektoj edhe në subjektin tjetër ndërkombëtarë. Llojet kryesore të akteve të njëanshme janë: notifikimi; njohja; protesta dhe heqja dorë.

***Notifikimi (lajmërimi) – është lajmërim zyrtar i drejtuar ndaj një apo më shumë subjekteve ndërkombëtare për ndonjë qëndrim, kërkesë, apo ngjarje për të cilën pretendohet të ketë rëndësi juridike ndërkombëtare. Notifikimi mund të jetë i detyrueshëm dhe fakultativ (vullnetarisht). Në bazë të së drejtës ndërkombëtare notifikimi është i detyrueshëm: a) me rastin e shpalljes së luftës; b) lajmërimi i fillimit të luftës ndaj shteteve neutrale; c) me rastin e bllokadës detare; d) okupimi paqësor.

Notifikimi më së shpeshti praktikohet vullnetarisht. P.sh. shtetet tjera lajmërohen për ndërrime në krye të shtetit, ndërrimin e qeverisë, ministrit të punëve të jashtme. Lajmërimi për ndërrimin e shefit të shtetit dhe ministrit të punëve të jashtme nuk janë akte të thjeshta por kanë për qëllim të tregojnë se cili person tash e tutje është i autorizuar për akte të caktuara. Notifikimin mund ta bëjnë vetëm organet kompetente që përfaqësojnë shtetin në marrëdhëniet ndërkombëtare.

***Njohja (pranimi) - është deklarim i njëanshëm se një gjendje faktike konsiderohet e vlefshme. Njohja është mjaft e shpeshtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe mund të bëhet shprehimisht ose heshtazi (p.sh. vendosja e marrëdhënieve diplomatike, nënkupton që shteti me të cilin janë vendosur marrëdhëniet diplomatike është pranuar heshtazi). Pasojat juridike të njohjes janë se shteti që e ka bërë njohjen, nuk mund që më vonë ta kontestojë faktin ose ta konsideroj si të kundërligjshëm. Rëndësia e njohjes qëndron në faktin se ajo e zëvendëson parashkrimin.

***Protesta – është deklaratë me të cilën mohohet ligjshmëria e ndonjë situate të caktuar. Ajo ka për qëllim që të bëjë me dije se shteti që proteston nuk pajtohet dhe nuk i pranon aktet për të cilat është i njohur dhe refuzon pranimin e gjendjes së re. Kur një shtet nuk proteston lidhur me aktet të cilat i konsideron të paligjshme, konsiderohet si heqje dorë nga këto. Prandaj kjo shërben që një shtet të pengoj ndonjë shtet tjetër që të fitoj të drejtë për shkak të mosreagimit të tij. Meqenëse mosreagimi nuk do të thotë në çdo rast pranim, protesta është e nevojshme vetëm në rastet kur me të drejtë pritet reagimi i palës së interesuar. Mosreagimi në disa raste merret si pranim i heshtur.

Page 26: E Drejta Nderkombetare Publike

E drejta ndërkombëtare nuk parasheh ndonjë rregull se brenda cilit afat duhet të protestohet, apo se sa kohë duhet të kalojë që të konsiderohet se mosreagimi është shprehje e pranimit të heshtur. Për të qenë e vlefshme, ajo duhet të bëhet nga organi kompetent që përfaqëson shtetin në marrëdhënie ndërkombëtare, dhe duhet ti drejtohet shtetit apo shteteve që kanë krijuar gjendjen e tillë për të protestuar.

***Heqja dorë – është deklaratë e njëanshme e vullnetit. Me të, një shtet heqë dorë nga një e drejtë e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, d.m.th. shuhet një e drejtë subjektive e shtetit. Ky akt mund të bëhet shprehimisht (expresis verbis) nëpërmes notës, letrës ode deklaratës, ose heshtazi, në rast se një shtet nuk proteston kur i shkelen të drejtat e tij. Heqja dorë shpesh gjendet edhe në traktatet ndërkombëtare. Sipas traktatit të fundit, Italia ka hequr dorë me të gjitha të drejtat, koncesionet dhe interesat nga ujdhesa e Sazanit në Shqipëri.

TRAKTATET NDËRKOMBËTARE

Nocioni i Traktateve. Pikë të përbashkët traktatet kanë shprehjen e lirë të vullnetit të dy apo më shumë subjekteve të së drejtës ndërkombëtare. Me traktat konsiderohet çdo pajtim i vullnetit midis shteteve me qëllim të krijimit, ndryshimit ose ndërprerjes së ndonjë raporti juridik reciprok. Disa autorë thonë se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të lidhen domosdo me shkrim, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të konstatohet pajtimi i vullneteve. Në praktikën ndërkombëtare ka pasur raste të lidhjes së marrëveshjeve vetëm verbalist apo vetëm me shkëmbimin e letrave (marrëveshja Kenedy-Hrushov për tërheqjen e raketave nga Kuba).

Meqenëse traktatet përmbajnë të drejta dhe detyra, me to kufizohet liria e veprimit të shteteve, madje edhe sovraniteti reciprok i tyre. Kjo nuk nënkupton vënie në pozitë të nënshtruar por vetëm kufizim reciprok dhe nënshtrim ndaj rregullave për të cilat janë marrë vesh.

***Kodifikimi i të Drejtës së Traktateve – duke u nisur nga praktika dhe rëndësia e çështjes, Kombet e Bashkuara kanë filluar kodifikimin e së drejtës së traktateve më 1949. Konferenca Diplomatike e Vjenës (1969) aprovoi të Konventën mbi të Drejtën e Traktateve. Ajo ka të bëjë vetëm me traktatet që i lidhin shtetet dhe vetëm në formë të shkruar. Sa i përket traktateve që lidhin shtetet dhe subjektet tjera të së drejtës ndërkombëtare, apo këto të fundit në mes tyre, e që nuk janë në formë të shkruar, Konventa nuk ndikon: a) në vlerën e tyre juridike; b) në zbatimin e rregullave nga kjo konventë në ato marrëveshje; c) si dhe në marrëveshje në të cilat përveç shteteve si palë kontraktuese, janë edhe subjekte tjera të së drejtës ndërkombëtare.

Page 27: E Drejta Nderkombetare Publike

Kështu, Konferenca Diplomatike e mbajtur në Vjenë më 1986 aprovoi tekstin e ri të Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve midis Shteteve dhe Organizatave Ndërkombëtare. Konventa zbatohet: a) në marrëveshje midis një a po më shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, dhe b) në marrëveshje midis organizatave ndërkombëtare.

***Emërtimi i Traktateve – për lloje të ndryshme të dokumenteve ndërkombëtare përdoren edhe emërtime të ndryshme. Më se shpeshti quhen marrëveshje ose traktate ndërkombëtare. Ndërkaq, për lloje të ndryshme të marrëveshjeve përdoren emërtime të ndryshme, si: konventë; pakt; kartë; statut; deklaratë; protokoll; kompromis; kartel; konkordat; modus vikendi; etj. Nuk ekziston ndonjë kriter i saktë për përdorimin e këtyre emërtimeve dhe të gjitha shërbejnë për të treguar shprehjen e vullnetit midis dy apo më shumë palëve kontraktuese. Kombet e Bashkuara i regjistrojnë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare pa marrë parasysh së çfarë emërtimi kanë.

Traktatet pretendojnë të përfaqësojnë marrëveshjet më të rëndësishme (traktatet e paqes, traktatet tregtare, etj).

Paktet janë marrëveshje solemne që i referohen çështjeve të ndryshme politike (pakti Brian-Kellog mbi Heqjen Dorë nga Lufta etj.)

Konventa është marrëveshje që rregullon raportet midis shteteve për ndonjë çështje të caktuar (p.sh. Konventa e Hagës për Zakonet e Luftës,etj.)

Deklarata përfaqëson më së shpeshti “marrëveshje ligj” me të cilën palët kontraktuese detyrohen reciprokisht se në të ardhmen do t’u përmbahen disa rregullave të sjelljes.

Karta dhe Statuti janë marrëveshje për krijimin, organizimin dhe përcaktimin e kompetencave të organizatave ndërkombëtare (p.sh. Karta e OKB-së, etj.)

Termi është akt që përdoret për marrëveshje shumëpalëshe të lidhura në konferenca ndërkombëtare, me të cilin krijohen norma juridike për çështje të caktuara (p.sh. Akti Përfundimtar i Kongresit të Vjenës-1815, etj.)

Protokollet janë marrëveshje të ndryshme joformale midis shteteve, ose marrëveshje plotësuese për vazhdimin ose ndërrimin e marrëveshjeve të tjera.

Kompromisi është marrëveshje për zgjidhjen paqësore të ndonjë konflikti, nëpërmes arbitrazhit apo ndonjë gjykate tjetër ndërkombëtare.

Kartelet janë marrëveshje të cilat i lidhin eprorët ushtarak për të shkëmbyer robër, të plagosur, ndërprerjen e luftimeve, etj.

Konkordate janë marrëveshje të cilat i lidh Vatikani me shtetet tjera dhe i referohen pozitës së kishës katolike në shtetin e caktuar

Page 28: E Drejta Nderkombetare Publike

Modus Vivendi është term që përdoret për marrëveshje të përkohshme për të cilat pritet që në të ardhmen të zëvendësohen me një traktat apo konventë.

***Llojet e Marrëveshjeve Ndërkombëtare – traktatet ndërkombëtare klasifikohen sipas kritereve të ndryshme: a) sipas formës traktatet ndahen në traktate me shkrim dhe traktate me gojë; b) sipas mënyrës së lidhjes ndahen në traktate solemne dhe traktate të thjeshta; c) sipas hapësirës gjeografike traktatet ndahen në traktate të përgjithshme dhe në traktate rajonale; d) sipas aderimit ndahen në traktate të hapura, gjysmë të hapura dhe të mbyllura. Traktatet e hapura janë të hapura për çdo shtet që dëshiron tu bashkohet. Gjysmë të hapura janë ato traktate kur vullneti për aderim të mëvonshëm i një shteti varet nga pajtimi apo jo, i shteteve tjera për ta pranuar. Traktatet e mbyllura janë ato në të cilat nuk lejohet aderimi i shteteve tjera; e) sipas lëndës traktatet mund të jenë politike, ekonomike, juridike etj.; f) sipas qëllimit mund të jenë traktate të paqes, traktate mbrojtëse, etj.; g) sipas kohës traktatet mund të jenë të afatizuara dhe pa afat; h) sipas veprimit të normave juridike traktatet ndahen në traktate ligje dhe traktate kontrata; i) sipas numrit të subjekteve tradicionalisht ndahen në dypalëshe dhe shumëpalëshe; j) më parë traktatet janë ndarë në publike dhe sekrete që pak a shumë sot i përgjigjet ndarjes së traktateve në traktatet të regjistruara dhe të paregjistruara.

(p.sh. një traktat ligj-Karta e OKB-së, ndërsa një traktat kontratë-marrëveshje në mes dy subjekteve ndërkombëtare për kryerjen e një shërbimi. Elementet që ndryshojnë traktatet ligj dhe traktatet kontrata: traktatet ligj-janë akte juridike që karakterizohen nga pakufizimi kohor. Traktatet kontratë-janë akte juridike për përmbushjen e objektivave të një marrëveshjeje të caktuar).

***Palët Kontraktuese – në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të jenë çdo subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Këtë të drejtë e kanë shtetet, organizatat ndërkombëtare dhe kryengritësit (nëse janë të pranuar si palë ndërluftuese).

a) Shtetet si palë kontraktuese – për shtetet plotësisht sovrane thuhet se gëzojnë kapacitet të plotë kontraktues, respektivisht aftësi për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Çështja ndryshon kur është fjala për shtetet që nuk janë plotësisht sovrane, shtete të përbëra dhe shtete me pozitë të posaçme. Kështu, shtetet janë ndarë sipas aftësisë së tyre kontraktuese në: a.a) shtete plotësisht sovrane; a.b) shtete të përbëra; a.c) shtete me neutralitet të përhershëm; a.d) shtete gjysmësorvane. Derisa shtetet plotësisht sovrane janë jokontestuese, për shtetet e përbëra vlejnë rregulla të ndryshme. Në shtetet federative, marrëveshjet i lidhe federata si tërësi. Mirëpo edhe njësitë federale ne raste të caktuara kanë

Page 29: E Drejta Nderkombetare Publike

të drejta për të lidhur marrëveshje të ndara me shtetet tjera, por me kusht që ti lejoj shteti federal. Te bashkimi personal dhe konfederata, marrëveshjet ndërkombëtare i lidh çdo shtet anëtar veç e veç. Ndërsa te bashkimi real, aftësinë e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare e ka vetëm unioni si tërësi. Shtetet me neutralitet të përhershëm e kanë të kufizuar kapacitetin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare edhe pse janë sovrane. P.sh. ato nuk mund të lidhin marrëveshje për aleancë, ndihmë reciproke ose garanci. Ndërsa shtetet gjysmë sovrane parimisht e kanë të lejuar të lidhin marrëveshje ndërkombëtare, por me kusht që kjo t’u lejohet nga suzereni ose protektori. P.sh. Serbia edhe para fitimit të pavarësisë më 1878 ka lidhur një numër të marrëveshjeve ndërkombëtare, pastaj Tunizi, Maroku, etj. Për sa u përket territoreve nën kontroll ndërkombëtar, vlen rregulla: traktatet i lidh shteti ose organizata ndërkombëtare së cilës i është besuar administrimi. Marrëveshjet që lidhin shtetet me individë dhe organizata private nuk kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, sepse njëra nga palët nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

***Organet Kompetente për Lidhjen e Traktateve – për të qenë juridikisht të vlefshme, traktatet duhet të jenë të lidhura nga organi kompetent. Përcaktimi i këtyre organeve bëhet me rregulla të brendshme të shteteve, ndërsa për organizata ndërkombëtare, me aktin e themelimit të tyre. Të drejtën për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare e kanë ato organe të cilat e përfaqësojnë shtetin jashtë. E drejta ndërkombëtare klasike pranon vetëm dy organe të shtetit: shefin e shtetit dhe ministrin e punëve të jashtme. Për të parin, thuhet se gëzon “jus ommimodae representationis”-të drejtë dhe kapacitet ta përfaqësojë shtetin në çfarëdo rrethane. Për ministrin e punëve të jashtme, gjithashtu thuhet se ka të drejtë për të lidhur marrëveshje dhe nuk ka nevojë që tu jepen autorizime.

Kryetari i qeverisë qëndron në mes kryetarit të shtetit dhe ministrit të punëve të jashtme, sidomos në rastet kur kryetari i shtetit nuk ushtron pushtet ekzekutiv. Përfaqësuesit diplomatik gjithashtu gëzojnë kompetenca të caktuara kur është fjala për marrëveshje midis shtetit të dërgimit dhe shtetit ku është akredituar. Me Konventën e Vjenës, si përfaqësues të shteteve dhe kompetent për të lidhur marrëveshje, pa pasur nevojë për autorizime janë: a) kryetarët e shteteve, qeverive dhe ministrat e punëve të jashtme; b) shefat e misioneve diplomatike, për marrëveshje që kanë të bëjnë me shtetin e dërgimit dhe të pranimit; c) përfaqësuesit e shteteve në konferenca ndërkombëtare. Konventa e Vjenës nuk i ka përfshirë komandantët ushtarak, për të cilët vlen e drejta ndërkombëtare e luftës dhe nuk kanë nevojë për kurrfarë autorizimi. Marrëveshjet që ata lidhin janë të detyrueshme për shtetin dhe nuk i nënshtrohen ratifikimit.

Page 30: E Drejta Nderkombetare Publike

Personat e tjera mund të lidhin marrëveshje ndërkombëtare vetëm nëse janë të autorizuar dhe kanë full powers. Autorizimet jepen nga organet kompetente dhe përmbajnë kufijtë deri ku shtrihen autorizimet e personit në fjalë. Para lidhjes së traktateve ndërkombëtare bëhet ekzaminimi i kredencialeve (autorizimeve) dhe përfaqësuesit e shteteve shkëmbejnë plotfuqishmëritë ose i deponojnë në një vend të posaçëm. Nëse tejkalohen plotfuqishmëritë, marrëveshja konsiderohet plotësisht e pavlerë. Ndërsa sa i përket organizatave ndërkombëtare, të drejtën e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare e kanë organet më të larta të organizatës përkatëse.

***Pajtimi i vullnetit – në të drejtën ndërkombëtare,kërkohet që pajtimi i vullnetit në çdo rast, të jetë dhënë lirisht. Vetëm nëse ky pajtim ekziston atëherë marrëveshja ndërkombëtare ka vlerë të plotë. Elementet që shfuqizojnë traktatet (nulitet absolut) janë: dhuna, lajthimi, mashtrimi dhe korrupsioni i përfaqësuesit të shtetit.

Dhuna mund të përdoret gjatë lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare, ndaj personit i cili e shpreh vullnetin e shtetit (vis apsoluta) ose ndaj shtetit si tërësi (vis compulsiva). Përdorimi i dhunës ndaj personit i cili e lidh marrëveshjen e bënë marrëveshjen e tillë të pa vlerë dha i nënshtrohet anulimit. Dhuna nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin e forcës fizike. Prandaj Konferenca për të Drejtën e Traktateve e ka miratuar deklaratën për Ndalimin e Përdorimit të Dhunës Ushtarake, Politike dhe Ekonomike. Me Deklaratë, palët dënojnë kërcënimin ose përdorimin e çfarëdo forme të presionit, nga cilido shtet, me qëllim që të detyrohet shteti tjetër që të kryej ndonjë veprim kundër vullnetit të tij të lirë.

Lajthimi do të thotë mosnjohje ose përfytyrim i gabuar i ndonjë fakti apo situate. Lajthimi më së shpeshti është përvjedhur nga mosnjohja e fakteve. Për shembull, me rastin e ndarjes së Austrisë dhe Polonisë, kufiri është dashur të shkoj nëpër një lumë për të cilin më vonë është konstatuar se nuk ekziston fare. Lajthimi mund të jetë “error facti”-kur i referohet gjendjes faktike dhe “error juris”-kur i referohet gjendjes juridike (çështjes së interpretimi ligjor e gjuhësor).

Mashtrimi ndikon gjithashtu në vlerën juridike të marrëveshjeve ndërkombëtare. Marrëveshja e lidhur me mashtrim nuk është juridikisht e vlefshme. P.sh. nëse një shtet, me rastin e lidhjes së një marrëveshje ndërkombëtare, përdor hartën gjeografike ose dokumente të rrejshme. Shtetet para se të lidhin marrëveshje ndërkombëtare duhet që të shqyrtojnë me kujdes çdo fakt, por edhe të mos presin nga pala tjetër që t’i jap të gjitha informatat që i posedon. Mashtrimi, sikurse edhe lajthimi, është shumë i rrallë në marrëdhëniet ndërkombëtare, mirëpo pasojat e tij janë të ndryshme. Mashtrimi do të kishte jo vetëm pasoja juridike, por dëmton edhe besimin midis shteteve dhe do ta diskreditonte rëndë shtetin që është shërbyer me mashtrim.

Page 31: E Drejta Nderkombetare Publike

Korrupsioni i përfaqësuesve të shtetit përveç përdorimit të forcës ose kërcënimit më forcë, shtetet mund të përdorin edhe veprime tjera të palejuara ndaj shteteve kontraktuese, siç është korrupsioni. Përdorimi i korrupsionit është arsye juridike për anulimin e marrëveshjes ndërkombëtare. Konventa e Vjenës parasheh që nëse vërtetohet se lidhja e një traktati mes shteteve është arritur me korruptimin e përfaqësuesve shtetëror, me veprime të drejtpërdrejta ose të tërthorta, atëherë kjo e bënë të pavlefshëm (të paqenë), traktatin në tërësi.

***Lënda e marrëveshjes – përbënë një apo më shumë detyrime midis shteteve ose vetëm ndaj njërës palë. Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare përmbajnë detyrime të dyanshme për palët. E drejta ndërkombëtare ndalon që objekt i traktatit të jenë të jenë disa obligime të cilat i bëjnë traktatet të jenë të pavlefshme. Kështu, shtetet nuk mund të lidhin marrëveshje të cilat do të ishin në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare që janë të karakterit të detyrueshëm (p.sh. normat jus cogens). Konventa e Vjenës nuk përmban një shpjegim të qartë se cilat janë normat imperative, mirëpo është e qartë se shtetet nuk janë të lira të lidhin marrëveshje, shembull për fillimin e luftës agresive, për lejimin e skllavërisë, tregtisë me robër, etj. Marrëveshjet e tilla janë të palejuara dhe nuk shkaktojnë efekte juridike.

***Lidhja dhe Hyrja në Fuqi e Traktateve Ndërkombëtare – lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare është një procedurë mjaft e ndërlikuar. Janë disa hapa të cilët duhet ndjekur për lidhjen e një traktati: a) akreditimi i personave që do të zhvillojnë bisedime; b) bisedimet dhe miratimi; c) autentifikimi dhe nënshkrimi; d) ratifikimi dhe shkëmbimi i instrumenteve të ratifikimit; d) aderimi; e) regjistrimi dhe publikimi i marrëveshjes.

Akreditimi i negociatorëve; plotfuqitë – është hapi i parë që merr shteti pasi të ketë vendosur të zhvilloj bisedime me një apo më shumë shteteve për lidhjen e ndonjë marrëveshje. Personat e tillë pajisen me plotfuqi (full powers). Plotfuqishmëria është instrument formal që lëshohet nga shefi i shtetit ose ministri i punëve të jashtme. Me rastin e lidhjes së marrëveshjes dypalëshe plotfuqishmëria shkëmbehet midis përfaqësuesve shtetëror. Ndërsa me rastin e lidhjes së marrëveshjeve shumëpalëshe në konferenca ndërkombëtare, fillimisht formohet një komision i cili i shqyrton plotfuqishmëritë e delegatëve dhe i raporton konferencës. Çfarëdo marrëveshje e lidhur nga një person që s’ka pasur plotfuqishmëri ose që nuk konsiderohet përfaqësuesi shtetit, nuk ka vlerë juridike.

Bisedimet dhe aprovimi – procedura e lidhjes së marrëveshjeve varet nga numri i palëve. Në rast të traktateve dypalëshe bisedimet i zhvillojnë ministritë përkatëse ose ministri i punëve të jashtme i një shteti dhe përfaqësuesi diplomatik i shtetit tjetër.

Page 32: E Drejta Nderkombetare Publike

Ndërsa në traktatet shumëpalëshe, bisedimet bëhen në konferenca a kongrese ndërkombëtare . Në konferenca, fillimisht caktohet një komitet i cili duhet të propozojë tekstin e traktatit. Komiteti pranon dhe shqyrton propozimet e delegatëve dhe i raporton konferencës. Për çështjet më të rëndësishme, bisedimet i zhvillojnë ministritë e punëve të jashtme me ndihmën e përfaqësuesve të tyre diplomatik.

Bisedimet mund të zhvillohen drejtpërdrejtë ose me shkrim. Përfaqësuesit e shteteve para fillimit të bisedimeve marrin instruksionet fillestare. Mirëpo edhe më vonë, sidomos para se ta nënshkruajnë tekstin final. Miratimi i tekstit të traktatit nëpër konferenca ndërkombëtare bëhet më dy të tretat (2/3) e votave të shteteve pjesëmarrëse dhe që votojnë, nëse nuk është paraparë ndryshe.

Të zgjedhurit e gjuhës – çështja e përdorimit të gjuhës është aktualizuar kur gjuha latine ka pushuar të jetë gjuhë e përgjithshme e komunikimit midis shteteve (shek. XVIII). Prej atëherë gjuha frënge është përdorur për gati një shekull, derisa në fillim të shek. XX ka hyrë në përdorim edhe gjuha angleze. Sa i përket zgjedhjes së gjuhës së komunikimit, shtetet kanë disa mundësi: a) për shtetet që përdorin një gjuhë (p.sh. ShBA, Britania e Madhe, Kanadaja, etj.) marrëveshjet i lidhin në gjuhën e tyre të përbashkët, pastaj shtetet e Amerikës Latine përdorin gjuhën spanjolle, shtetet arabe-në gjuhën arabe, etj,;

b)-shtetet që s’kanë gjuhë të përbashkët marrëveshjet e tyre mund ti lidhin: b.a) në njërën nga gjuhët diplomatike ose, në gjuhën e secilës palë kontraktuese. Kjo praktikohet në marrëveshjet dypalëshe; b.b) apo edhe në të gjitha gjuhët e palëve kontraktuese, ose vetëm në disa gjuhë, siç është rasti me Kartën e OKB-së.

Autentifikimi dhe nënshkrimi – bisedimet përfundojnë me redigjimin e tekstit përfundimtar të marrëveshjes. Teksti i tillë mund të nënshkruhet, të nënshkruhet ad referendum, vetëm të parafohet, apo të përfshihet në aktin final të konferencës. Nënshkrimi është faza përfundimtare me të cilën marrëveshja hyn në fuqi. Nënshkrimi vihet rregullisht pasi të përfundojnë bisedimet; bëhet përkohësisht, në të njëjtin vend dhe në praninë e përfaqësuesve të të gjitha palëve kontraktuese. Teksti mund të publikohet pas përfundimit të bisedimeve, kurse nënshkrimi mund të bëhet pas një kohe të caktuar.

Nënshkrimi është akt shumë formal dhe e vënë më së shpeshti personat që kanë zhvilluar bisedimet. Rendi i nënshkrimeve varet nga numri i palëve kontraktuese dhe gjuha e marrëveshjeve. Te traktati dypalësh që lidhet në gjuhën e dy palëve, secili

Page 33: E Drejta Nderkombetare Publike

përfaqësues së pari e nënshkruan tekstin në gjuhën e tij. Ndërsa në traktatet që lidhen në një gjuhë, ose të traktatet shumëpalëshe, nënshkruhen sipas rendit alfabetik.

Ka raste kur nënshkrimit i paraprinë vetëm parafimi i marrëveshjes ose vënia e inicialeve (emrit dhe mbiemrit). Kjo ndodhë më së shpeshti kur përfaqësuesit e shteteve nuk kanë autorizime të plota për ta nënshkruar marrëveshjen. Marrëveshjet e parafuara nuk konsiderohen të nënshkruara. Edhe nënshkrimi ad referendum është i ngjashëm me parafimin.

Ratifikimi dhe shkëmbimi i instrumenteve të ratifikimit – a)- koncepti dhe funksioni i ratifikimit. Ratifikimi është pajtim përfundimtar i palëve kontraktuese, së bashku me detyrimet që dalin nga marrëveshja e arritur mes palëve. Një grup autorësh thonë se ratifikimi i marrëveshjeve është i detyrueshëm dhe është formë normale e hyrjes së marrëveshjeve në fuqi. Ndërsa një grup tjetër autorësh, mendojnë se nuk nevojitet ratifikimi për marrëveshje.

Konventa e Vjenës i parasheh rastet kur marrëveshjet duhet shprehur me ratifikim: a) nëse marrëveshja e parasheh shprehimisht; b) nëse palët konsiderojnë që ratifikimi është i domosdoshëm; c) nëse marrëveshja është nënshkruar me rezervë ratifikimi; nëse qëllimi që marrëveshja ti nënshtrohet ratifikimit është shprehur gjatë bisedimeve. Marrëveshjet që i lidh personalisht shefi i shtetit, s’kanë nevojë të ratifikohen me kusht që përmbajtja e tyre të mos i kaloj kompetencat e tij ekzekutive dhe kushtetuese.

E drejta ndërkombëtare nuk parasheh afat kohor se kur ratifikimi duhet të bëhet apo të refuzohet, por në të shumtën e rasteve traktatet përmbajnë rregulla sa i përket kohës së cilës duhet bërë ratifikimi. Ratifikimi i pjesshëm ose me kusht nuk mund të bëhet, ai vetëm mund të jepet apo të refuzohet plotësisht.

b)- praktika e shteteve. Sipas kushtetutave të vendeve të ndryshme ratifikimi është kompetencë e organeve ekzekutive, legjislative, apo të dyjave. Kompetenca e organeve ekzekutive ekziston në monarkitë absolute ose kushtetuese si dhe në regjimet totalitare. Këtij grupi i takojnë shtetet në të cilat ratifikimi ka qenë kompetence ekskluzive e shefit të shtetit. Kompetenca e organeve legjislative ekziston zakonisht në vendet me rregullim parlamentar ku vendimin përfundimtar për të marr detyrime ndaj botës se jashtme e kanë organet ligjdhënëse. Grupin e tretë e përbëjnë vendet me regjim të përzier, në të cilat vendimin përfundimtar për ratifikim e merr shefi i shtetit, mirëpo me pajtimin paraprak të organit ligjdhënës.

Page 34: E Drejta Nderkombetare Publike

Instrumentet e ratifikimit – janë dokumente formale mbi ratifikimin e marrëveshjeve. Me to organi i shtetit konstaton se marrëveshja është pranuar nga shteti dhe detyrohet ta respektoj. Ato përmbajnë tekstin e plotë të marrëveshjes ose vetëm pjesë nga hyrja dhe përfundimi. Në rast të traktateve dypalëshe, rregullisht bëhet këmbimi i instrumenteve të ratifikimit, por jo në qytetin ku është nënshkruar marrëveshja por në kryeqytetin e shtetit tjetër. Në rast të traktateve shumëpalëshe, instrumentet e ratifikimit deponohen në sekretarinë e ndonjë organizate, zakonisht në sekretarinë e OKB-së. Me shkëmbimin e instrumenteve të ratifikimit, ose me deponimin e mjaftueshëm të numrit të tyre, marrëveshja hyn në fuqi.

Aderimi – një shtet mund të bëhet palë kontraktuese jo në momentin e nënshkrimit dhe ratifikimit, por edhe më vonë. Në këtë rast shteti nuk ka marrë pjesë në bisedime që kanë quar në marrëveshje, por vetëm ftohet nga palët kontraktuese që t’iu bashkohet dhe kështu iu nënshtrohet rregullave të formuluara nga nënshkruesit. Mundësia e ratifikimit mund të jetë e pakufizuar, e kufizuar në disa shtete (p.sh. vetëm shtetet anëtare të OKB-së apo shtete që i takojnë një regjioni të caktuar). Aderimi është akt i lirë dhe ka efektet e njëjta si nënshkrimi dhe ratifikimi. Aderimi bëhet pasi traktati të ketë hyrë në fuqi.

***Lidhja e Marrëveshjeve Ndërkombëtare në Mënyra të Tjera – Nënshkrimi, ratifikimi dhe aderimi janë mënyra tradicionale të pajtimit të shteteve me një traktat. Krahas këtyre mënyrave hasim në lidhjen e marrëveshjeve edhe: a) me këmbimin e notave (letrave) midis shteteve; dhe b) me lënien e disa marrëveshjeve të hapura për nënshkrim për një kohë të mëvonshme.

a.a)- në të tilla raste, notat e nënshkruara nga një përfaqësues i shtetit të dërgimit mjaftojnë që të konsiderohet se ekziston pajtimi i shteteve tjera për detyrime ndaj njëri tjetrit.

b.b)- në kohërat e sotme disa marrëveshje ndërkombëtare lehen të hapura për nënshkrim për një kohë të caktuar në mënyrë që tu jepet shteteve mundësi t’i shuajnë dallimet midis aderimit dhe nënshkrimit e ratifikimit.

***Hyrja në Fuqi – në secilin rast të marrëveshjes ndërkombëtare, palët kontraktuese përcaktojnë rregullat e hyrjes në fuqi të një traktati. Kështu e lejon edhe Konventa e Vjenës. Sipas Konventës, traktati hyn në fuqi kur të gjitha shtetet pjesëmarrëse në bisedime të shprehin pajtimin me traktatin. Shumë marrëveshje hyjnë në fuqi në ditën e

Page 35: E Drejta Nderkombetare Publike

nënshkrimit. Disa të tjera hyjnë në fuqi me ratifikim dhe aderim. Traktatet shumëpalëshe hyjnë në fuqi pasi të jenë ratifikuar nga një numër i caktuar shtetesh dhe numri i ratifikimeve ndryshon nga rasti në rast. Në disa raste të tjera, traktati hyn në fuqi ditën (datën) e caktuar, nëse palët janë marrë vesh kështu ose edhe kur të plotësohet ndonjë kusht i paraparë.

***Regjistrimi dhe Publikimi i Traktateve – a) sipas Paktit të Lidhjes së Kombeve. Para dhe gjatë Luftë së Parë Botërore janë lidhur shumë marrëveshje sekrete midis shefave dhe shteteve të ndryshme. P.sh. Traktati i Londrës (1915) Francë-Britani-Rusi-Itali, pastaj Marrëveshja Sykes-Picot etj. Është konsideruar se një praktikë e tillë ishte një ndër shkaktarët e luftës. Kështu më 1917, me Dekretin e Paqes qeveria sovjetike hiqte dorë nga diplomacia e fshehtë dhe filloi publikimin e marrëveshjeve të Rusisë Cariste. Më vonë, presidenti i SHBA-ve Woodrow Wilson më programin e tij katërmbëdhjetë pikësh (1918) angazhohet kundër marrëveshjeve sekrete. Pakti i Lidhjes së Kombeve u bënte thirrje të gjitha shteteve anëtare që çdo marrëveshje që lidhin qoftë me anëtarë të tjerë, qoftë me shtete jo anëtare t’i regjistrojnë në Sekretariatin e Lidhjes. Regjistrimi mund të bëhej me kërkesën e të gjitha palëve, apo vetëm të njërës prej tyre.

b)- regjistrimi sipas Kartës së OKB-së. Karta e OKB-së parasheh që çdo marrëveshje ndërkombëtare e lidhur nga shtetet anëtare të OKB-së, ndërmjet vete, me ndonjë shtet jo anëtarë, apo edhe në mes dy shteteve jo anëtare, duhet të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së dhe pastaj ky ta publikoj. Sipas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, regjistrimi bëhet me kërkesën e vetëm njërës palë, ndërsa kur palë kontraktuese janë Kombet e Bashkuara regjistrimi bëhet ex officio. Regjistrimi bëhet vetëm pasi të ketë hyrë marrëveshja në fuqi, dhe kur njëra palë kontraktuese paraqet kërkesën për regjistrim, kjo e liron nga detyrimi palën/ët tjera.

Tekstet e marrëveshjeve publikohen në gjuhë origjinale dhe në përkthim dhe, në gjuhën frënge dhe angleze nëse këto nuk janë gjuhë origjinale.

***Rezervat – Rezerva është deklaratë e njëanshme e dhënë nga një shtet me rastin e nënshkrimit, ratifikimit ose aderimit në traktat që ka për qëllim të përjashtoj apo modifikoj efektet juridike të dispozitave të caktuara të marrëveshjes ndaj atij shteti. Rezervat ekzistojnë kur një shtet është i interesuar të pranoj pjesën më të madh të një traktati, mirëpo ka vërejtje për pjesë të caktuara. Shumica e shteteve mbrojnë qëndrimin se vënia e rezervave në një traktat nuk është e lejueshme përveç nëse pranohen nga të gjitha shtetet nënshkruese

Sipas Konventës së Vjenës, lejohet vënia e rezervave, por një gjë e tillë refuzohet nëse: a) traktatet e ndalojnë shprehimisht; b) nëse rezerva e caktuar nuk gjendet në mesin e

Page 36: E Drejta Nderkombetare Publike

rezervave të lejuara me traktat; c) nëse rezerva është inkompatibile me lëndën dhe qëllimin e traktatit. Efektet që shkakton rezerva dallojnë nga rasti në rast. Kur është fjala për traktat dypalësh, problemi është më i lehtë sepse rezerva konsiderohet si propozim i ri në marrëveshjen midis palëve, kështu që nëse nuk arrihet pajtimi, marrëveshja konsiderohet e papërfunduar.

Ndërsa vënia e rezervave lejohet në traktate shumëpalëshe sepse nëse një marrëveshje është e hapur për nënshkrim nga të gjitha shtetet atëherë është e logjikshme që edhe të kufizohet amplituda e pjesëmarrjes së tij. Vënia e rezervave mund të shkaktoj asi situatash që një shtet mund të konsiderohet palë kontraktuese nga një shtet tjetër, por jo edhe nga një shtet i tretë.

***Përcaktimi i Momentit të Vënies së Rezervave. Ruso i dallon rezervat sipas momentit kur vihen:a) në rezerva që vihen në momentin e nënshkrimit të traktatit; b) në rezerva që vihen në momentin e deponimit të instrumenteve të ratifikimit; c) në rezerva që vihen me rastin e ratifikimit.

a)- rezervat që vihen në momentin e nënshkrimit kanë përparësi, sepse janë të njohura që në momentin e lidhjes për palët kontraktuese dhe përjashtojnë çdo befasi.

b)- rezervat që vihen në momentin e deponimit të instrumenteve të ratifikimit janë të përhapura sidomos në vendet me regjim presidencial dhe kanë për qëllim që të respektohen prerogativat e organeve ligjdhënëse. Ky lloj i rezervave është i përshtatshëm sepse paraqiten pasi të ketë përfunduar faza e bisedimeve.

c)-rezervat që vihen me rastin e aderimit shkaktojnë më së shumti probleme sepse me rastin e paraqitjes, traktati ka marrë tashmë karakter përfundimtar midis palëve fillestare.

***Pjesët e traktatit. Traktatet ndërkombëtare përmbajnë preambulën, pjesën dispozitave, pjesën përfundimtare, vendin dhe kohën e lidhjes së marrëveshjes, nënshkrimet dhe vulat.

a)- Pjesa hyrëse e traktatit përmban titullin, thirrjen perëndive (invokacio) dhe preambulën. Në titull tregohet se për çfarë marrëveshje është fjala. Kësaj pjese i shtohen edhe emrat e palëve kontraktuese dhe data e lidhjes së marrëveshjes. Thirrja perëndive sot mund të hasë vetëm në marrëveshjet që i lidh Vatikani. Preambulën e përbëjnë: numri i palëve kontraktuese; shefat e shteteve; shtetet; qeveritë, e në kohërat

Page 37: E Drejta Nderkombetare Publike

e sotme edhe popujt, ose në emër të kujt lidhet; motivet dhe qëllimet qe dëshirojnë t’i arrijnë.

b)- Pjesa dispozitave përmban rregullat qenësore të marrëveshjes. Në të, shtetet marrin përsipër detyrimet dhe të drejtat e ndërsjella. Ajo ndryshon nga marrëveshja në marrëveshje.

c)- Pjesa përfundimtare përmban dispozitat mbi hyrjen në fuqi të traktatit, mënyra e pranimit të traktatit, a do të jetë i hapur për nënshkrim apo jo, kohëzgjatja e të qenit në fuqi, rregullat mbi heqjen dorë, rregulla mbi zbatimin dhe interpretimin, rregulla mbi rezervat, etj. Në fund të marrëveshjes shtohet koha dhe vendi ku është lidhur. Nën të vihen nënshkrimet e personave të autorizuar dhe vulat.

***Mjetet për Sigurimin e Plotësimit të Traktateve, a)karakteri detyrues i traktateve. Traktatet krijojnë rregulla të detyrueshme për shtetet kontraktuese. Përderisa një grup autorësh detyrueshmërinë e traktateve e nxjerr nga e drejta natyrore, të tjerët këtë e zbatojnë mbi rregullat e moralit dhe të religjionit, duke i konsideruar si të shenjta. Ndërsa grupi i tretë mbështetet në kërkesat e jetës politike dhe domosdoshmërinë e jetës ndërkombëtare.

Me kalimin e kohës, me shtimin e ndërvarësisë midis shteteve, me zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë, rregulla e njohur pacta sunt servanta bëhet një ndër aksiomat kryesore në marrëdhëniet midis shteteve.

b)- mjetet për sigurimin e plotësimit të traktateve. Palët e një traktati duhet t’i plotësojnë detyrimet e marra në tërësi, përpos traktateve që janë pranuar me rezerva. Kjo detyrë del nga rregulla pacta sunt servanta e cila konsiderohet si bazë e tërë rendit juridik ndërkombëtarë. Parimi “pacta sunt servanta” përmban: a) detyrimin e përmbushjes së marrëveshjeve ndërkombëtare me mirëbesim-“bona fides”; b) detyrimin e domosdoshëm të përmbushjes së marrëveshjeve ndërkombëtare pavarësisht rrethanave, përveç në rastet e pamundësisë absolute të plotësimit të tyre; c) në rast të kolizionit midis të drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, përparësi kanë normat e së drejtës ndërkombëtare; d) shtetet nuk duhet të lidhin marrëveshje që bien ndesh me detyrimet e marra nga ndonjë marrëveshje e lidhur më parë; e) shteteve iu ndalohet që në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare të heqin dorë nga traktati.

Okupimi i territorit – në të kaluarën është përdorur shpesh okupimi i një territori të caktuar nga një shtet ndaj shtetit tjetër, si mënyrë për të siguruar plotësimin e marrëveshjes. Raste të tilla përmendim Marrëveshjen e Paqes së Frankfurtit (1871), Traktatit e Versajës (1919), etj.

Page 38: E Drejta Nderkombetare Publike

Garancia – është mjet i shpeshtë për sigurimin e plotësimit të marrëveshjes, përmes së cilës, një ose disa shtete apo Organizata Ndërkombëtare premtojnë se do të veprojnë pavarësisht, që palët kontraktuese t’i plotësojnë detyrimet e veta. Rastet më të shpeshta të garantimit kanë të bëjnë me: a) ruajtjen e një gjendje të caktuar (p.sh garantimi i neutralitetit të Zvicrës); b) me sendërtimin e ndonjë veprimi konkret (p.sh. kur një shtet i tretë premton se do ti shlyej detyrimet e shtetit që është në vonesë). Këtu hyjnë edhe masat e dhunshme që mund t’i marr ndonjë organizatë ndërkombëtare për t’i detyruar shtetet që ti plotësojnë detyrimet e tyre.

***Veprimi i Traktateve ndaj Palëve Kontraktuese. Një ndër rregullat më të vjetra të së drejtës së traktateve thotë se marrëveshjet shkaktoj efekte për palët kontraktuese. Marrëveshje e tilla i detyrojnë në radhë të parë shtetet, apo edhe subjekte brenda shtetërore, që të realizojnë detyrimet e marra me traktat. Marrëveshjet ndërkombëtare mbesin në fuqi pa marrë parasysh ndërrimet që mund të bëhen në një shtet, siç është ndërrimi i shefit të shtetit, shefit të qeverisë, ministrit të punëve të jashtme apo edhe tërë rendit shoqëror. Kjo rregull vlen derisa të ekzistojë subjekti ndërkombëtarë. Përjashtim nga kjo bëjnë vetëm ato traktate, realizimi i të cilave nënkupton formën e caktuar të qeverisjes, p.sh. marrëveshja midis dy shteteve për mbrojtjen e monarkive bëhet e paqëndrueshme nëse në njërin prej tyre monarkia zëvendësohet me republikë.

***Veprimi i Traktateve në Shtetet tjera. Sipas rregullave të përgjithshme, traktatet u referohen vetëm palëve kontraktuese. Kjo është shprehje e parimit “pacta tertis nec prosunt”. Megjithatë ekzistojnë disa përjashtime kur traktatet mund të shkaktojnë efekte edhe në shtetet e treta.

a)- shtete të treta që përfitojnë – një shtet i tretë mund të përfitoj të drejta nga një traktat po që se palët kontraktuese kanë pasur për qëllim një gjë të tillë. Ekzistojnë mendime të ndryshme kur bëhet fjalë për formën e saktë në të cilën fitohen këto të drejta. Një grup autorësh thonë se vetë traktati mund t’u jap të drejta shteteve të treta. Një grup tjetër, mohon ekzistimin e çfarëdo të drejte përderisa shteti i tretë të mos i ketë pranuar ato. Një shtet i tretë mund të pajtohet shprehimisht ose heshtazi me traktatin i cili krijon të drejta jo vetëm për palët kontraktuese, por edhe për shtetet e treta. Lidhur me këtë, Konventa e Vjenës parasheh plotësimin e dy kushteve qenësore: a) dëshirën e palëve që të krijojnë të drejtën e tillë; b) pranimit nga ana e shfrytëzuesit të ofertës. Për shembull, Marrëveshja Hay-Varilla (1903) midis ShBA-së dhe Panamasë parasheh që kanali i Panamasë do të jetë i hapur për anijet tregtare dhe luftanijet e të gjitha shteteve, edhe pse palë kontraktuese kanë qenë vetëm ShBA-të, Panamaja dhe Britania e Madhe.

Page 39: E Drejta Nderkombetare Publike

b)- shtetet e treta dhe detyrimet e imponuara me traktate – një ndër rregullat e barazisë sovrane të shteteve është se traktatet nuk mund t’iu imponojnë detyrime shteteve të cilat nuk janë palë kontraktuese. Sipas Konventës së Vjenës, për krijimin e detyrimeve për një shtet të tretë duhet plotësuar dy kushte: a) palët kontraktuese të kenë qëllim që dispozitat e traktatit të shërbejnë si bazë për krijimin e detyrimeve edhe për shtetin e tretë; b) që shteti i tretë t’i pranoj detyrimet e tilla shprehimisht dhe në formë të shkruar. Në këtë rast vjen deri te marrëveshja e re midis palëve kontraktuese dhe shtetit të tretë. Marrëveshja e tillë pastaj, mund të marr fund apo ndryshohet vetëm me pajtimin e të gjitha palëve kontraktuese.

***Interpretimi i Traktateve Ndërkombëtare. Interpretimi do të thotë gjetja e kuptimit të saktë të normës/traktatit, mbi të cilën është arritur marrëveshja në mënyrë që të eliminohen paqartësitë apo dykuptimësitë. Nevoja e interpretimit të traktateve shtrohet për shkak se ndonjëherë palët kontraktuese nuk pajtohen me përmbajtjen e dispozitave të traktatit dhe detyrimeve që dalin nga ato. Kjo për shkak se shumë fjalë kanë më shumë se një kuptim, kurse kuptimi i tyre mund edhe të ndryshoj me kalimin e kohës. Megjithatë, ndodhë që ndonjëherë përkundër kuptimit të qartë që ka teksti, ndonjëra palë përpiqet që traktati të ketë kuptim të atillë që t’i përgjigjet interesave të saj.

***Subjektet e Interpretimit. Interpretimin e traktateve ndërkombëtare mund ta bëjnë autorët-interpretimi doktrinar; secili shtet për vete-interpretimi zyrtar i brendshëm; apo të gjitha palët bashkërisht-interpretimi zyrtar ndërkombëtarë.

a)- interpretimi doktrinar s’është interpretim i detyrueshëm, megjithatë mund të ndikoj tërthorazi në interpretimin zyrtar në atë masë që doktrina ndikon në praktikën e shteteve.

b)- interpretimi zyrtar i brendshëm është ai që e bëjnë organet e caktuara ligjdhënëse, administrative apo gjyqësore të një shteti. Ky lloj interpretimi nuk i detyron palët tjera kontraktuese, por vetëm shërben si dëshmi se si një shtet i kupton rregullat e një traktati apo traktatin në përgjithësi.

c)- interpretimi zyrtar ndërkombëtarë është interpretimi më i rëndësishëm. Ai ka karakter detyrues për palët. Atë mund ta bëjnë personat që kanë marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe gjykatat ndërkombëtare, qofshin ato të arbitrazhit qoftë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Page 40: E Drejta Nderkombetare Publike

***Rregullat e Interpretimit. E drejta ndërkombëtare nuk ka rregulla precize lidhur me interpretimin e traktateve. Groci dhe autorë të tjera kanë zbatuar rregullat e së “drejtës romake”. Ekzistojnë 13 rregulla kryesore të interpretimit të traktateve: 1) nuk ka pse të interpretohet ajo që s’ka nevojë për interpretim, nëse teksti është i pastër dhe me kuptim natyror; 2) pikë fillestare në interpretim është që të vërtetohet vullneti i palëve, meqenëse traktatet janë të lidhura mbi parimin “bona fidei”; 3) nëse teksti i traktatit është i qartë dhe i sigurt, lejohet largimi nga ai vetëm nëse teksti që interpretohet jep përfundime absurde; 4) termat e përdorura në marrëveshje duhet të interpretohen në pajtimin që kanë në gjuhën e përditshme e jo në kuptimin e caktuar teknik ose ndonjë kuptim tjetër; 5) në rast dyshimi rreth kuptimit të ndonjë dispozite, duhet marrë në konsideratë tërë tekstin e traktatit dhe jo vetëm një shprehje; 6) të gjitha traktatet duhet të interpretohen në pajtim me arsyen e tyre dhe ndryshe nga kuptimi i tyre literal; 7) duhet konsideruar si gjë e sigurt se palët kontraktuese kanë dashur diçka të arsyeshme e jo ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare; 8) duhet konsideruar se çdo pjesë e traktatit dhe i tërë traktati kanë një kuptim dhe një qëllim; 9) gjatë interpretimit, në rast të paqartësisë rreth kuptimit të ndonjë termi duhet të preferohet ajo që është më pak e rëndë për palën që merr detyrime. Kufizimet që i imponohen lirisë së një shteti ose sovranitetit duhen të interpretohen në mënyrë restriktive; 10) nëse dispozita ka dy kuptime të pranueshme të tekstit të traktatit, atëherë duhet të preferohet ai që e ka ditur pala e cila e ka bërë propozimin në atë kohë; 11) marrëveshjet e mëparshme midis palëve të njëjta, apo midis njërës palë dhe palëve të treta, duhen të merren parasysh për qëllim të sqarimit të dispozitave; 12) në marrëveshjet shumëgjuhëshe, interpretimi i së cilës duhet të jetë në pajtim me të tjerat, por nëse ka kundërthënie atëherë duhet të merret teksti origjinal ose gjuha kryesore; 13) në rast dyshimi mund të shfrytëzohen edhe punët përgatitore për konventë, rrethanat nën të cilat është lidhur, motivet që kanë nxitur lidhjet e traktatit, etj.

***Metodat e Interpretimit. Në të drejtën ndërkombëtare ekzistojnë disa rregulla të interpretimit të traktateve. Në literaturë përmenden metoda e interpretimit literal, sistematik, logjik, historik, etj.

a)- interpretimi literal nënkupton nxjerrjen e kuptimit të fjalëve të izoluara dhe shpjegimin sintaksor të lidhjes midis fjalëve

b)- interpretimi sistematik zbatohet në rastet kur zbatimi i metodës së parë nuk i përgjigjet kuptimit në kontekst më të gjerë të paragrafëve, të neneve dhe të traktatit në përgjithësi.

Page 41: E Drejta Nderkombetare Publike

c)- interpretimi logjik mbështetet mbi rregullat e përgjithshme të logjikës dhe të mendjes së shëndoshë. Ky interpretim ka për qëllim eliminimin e kundërthënieve duke zbatuar atë që është e qartë dhe që ka përfundim logjik.

d)- interpretimi historik përdoret në rastet kur kuptimi i një traktati nuk mund të nxirret nga përmbajtja e tij. Në këtë rast teksti i paqartë sqarohet duke marrë parasysh punët përgatitore, motivet që kanë shpënë deri te lidhja e traktatit, etj.

Në praktikë mund të imponohet përdorimi i njërës apo tjetrës metodë, apo përdorimi paralel i më shumë metodave.

***Mbarimi i Veprimit të Traktateve. Konventa e Vjenës parasheh që “çdo traktat që është në fuqi i detyron palët kontraktuese dhe këto duhet ta plotësojnë me mirëbesim”. Nga kjo del qartë se asnjë shtet nuk mund të lirohet nga detyrimet kontraktuese në çfarëdo momenti. Konventa ka paraparë që: “Mbarimi i marrëveshjes, denoncimi i saj apo tërheqja e njërës palë kontraktuese mund të bëhet vetëm në bazë të zbatimit të rregullave kontraktuese ose të kësaj Konvente. Po e njëjta rregull vlen për ndërprerjen e zbatimit të një traktati”. E drejta ndërkombëtare njeh disa mënyra të mbarimit të veprimit të traktateve: me kalimin e afatit të traktatit; me plotësimin e qëllimit të traktatit; me marrëveshje të palëve kontraktuese; me lidhjen e marrëveshjeve të reja që zhvleftësojnë marrëveshjen e mëparshme; zhdukja e njërës palë si subjekt kontraktues, etj.

a)- mbarimi i veprimit të traktatit me kalimin e afatit – të gjitha marrëveshjet që janë lidhur për një periudhë të caktuar, mbarojnë se vepruari me kalimin e asaj periudhe, përveç kur përtërihen për një afat të mëtejmë. Me kalimin e afatit, marrëveshja automatikisht pushon të vlejë dhe s’është e nevojshme që palët të njoftojnë njëra-tjetrën.

b)- plotësimi i qëllimit të traktatit – kur traktati ka për lëndë arritjen e ndonjë qëllimi, atëherë posa të plotësohet qëllimi, marrëveshja mbaron së vepruari. Shembull, marrëveshja për ndërtimin e një ure mbi lumin kufitar mbaron së vepruari posa të kryhen detyrimet e parapara në të.

c)- pamundësia që të plotësohet marrëveshja – është një ndër arsyet e mbarimit së vepruari të traktateve. Kjo mund të ndodhë si rezultat i veprimit të forcave madhore, etj. Në rastet kur pamundësia e plotësimit të traktateve është e karakterit të përkohshëm atëherë marrëveshja vetëm suspendohet për një kohë të pacaktuar. Konventa e Vjenës parasheh që pamundësia e plotësimit të traktateve vlen vetëm nëse është e karakterit

Page 42: E Drejta Nderkombetare Publike

të përhershëm, p.sh. marrëveshja që ka për lëndë shfrytëzimin e ujërave të një lumi për ujitje është e pamundshme të plotësohet nëse lumi shteret.

d)- denoncimi – është heqje dorë e një shteti nga traktati ndërkombëtarë. Shumë traktate parashohin shprehimisht mundësinë e tërheqjes së njëanshme nga traktati, pas njoftimit nga njëra palë kontraktuese. Traktate të tilla përmbajnë rregulla të cilat përcaktojnë modalitetet që duhet plotësuar njoftimi për tërheqje nga traktati. Është e diskutueshme se a mund të jenë objekt denoncimi ato traktate të cilat nuk e kanë paraparë këtë shprehimisht. Traktatet e tilla nuk mund të denoncohen pa pajtimin e palëve tjera kontraktuese. Përjashtim bëjnë traktatet që nuk mund të denoncohen me njoftim: traktatet e paqes, traktatet mbi kufijtë mund të shuhen vetëm me pajtim të dyanshëm. Gjithashtu nuk mund të denoncohen traktatet që lidhen me afat të caktuar para se të kaloj afati i paraparë, traktatet që lidhen për kryerjen e ndonjë pune të caktuar, para se të përmbushen detyrimet që dalin nga traktati.

Për traktatet dypalëshe, njoftimi për denoncim i bëhet palës tjetër. Ndërsa për traktate shumëpalëshe, njoftimet i drejtohen shteti depozitar e ky i informon palët tjera kontraktuese. Traktati i tillë mbaron së vepruari vetëm ndaj palës e cila e ka bërë denoncimin. Sipas Konventës së Vjenës, marrëveshja e cila nuk parasheh rregulla për mbarimin e saj dhe nuk parasheh mundësinë e denoncimit apo tërheqjes, nuk mund të jetë objekt i denoncimit apo i tërheqjes përveç nëse vërtetohet se palët kontraktuese kanë pasur qëllim të lejojnë mundësinë e tërheqjes. Në këso rastesh njoftimi duhet bërë 12 muaj më parë.

***Marrëveshja e Re Midis Palëve të Njëjta Kontraltuese. Marrëveshja e re midis palëve të njëjta kontraktuese (mutuus dissensus) mund të sjellë në çdo rast ndryshimin ose ndërprerjen e vlerës së ndonjë marrëveshjeje. Kjo është pasojë e logjikshme e së drejtës, e cila u bënë të mundur atyre që kanë lidhur një marrëveshje, të mund edhe t’i japin fund në çdo kohë me marrëveshje të re. Marrëveshja e tillë mund ta ndërpresë, ndryshojë ose zëvendësojë marrëveshjen e mëparshme. Marrëveshja e re nuk është e domosdoshme të lidhet në formën e caktuar, mjafton vetëm shkëmbimi i notave.

***Mbarimi i Veprimit të një Traktati si rezultat i Shkeljes së tij. Në traktatet dypalëshe, Konventa e Vjenës i jep të drejtë një shteti që të mbarojë zbatimin e traktatit në përgjithësi apo pjesërisht, si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuese nga ana e palës tjetër. Kjo e drejtë i takon një shteti vetëm kur është fjala për shkelje të rëndë të traktatit. Shkelja vetëm e ndonjë pjese të traktatit jep të drejtë që vetëm në atë pjesë të zbatohet rregulla e lartpërmendur.

Page 43: E Drejta Nderkombetare Publike

Kur është fjala për shkeljen e traktateve shumëpalëshe, Konventa e Vjenës: a) u jep palëve të drejtën të suspendojnë zbatimin e plotë ose të përgjithshëm të traktatit, qoftë midis tyre dhe shtetit që e ka bërë cenimin qoftë në përgjithësi; b) i jep të drejtë palës së dëmtuar të suspendoj zbatimin e traktatit qoftë pjesërisht apo në përgjithësi; c) i jep të drejtë secilës palë, pos palës që e ka bërë cenimin, që të vë në dukje shkeljen si arsye për suspendimin e zbatimit të traktatit në tërësi ose pjesërisht.

***Ndikimi i Luftës në Traktatet Ndërkombëtare. Fillimi i luftës midis dy shteteve shkakton pasoja të ndryshme në traktate. Disa traktate që janë të papajtueshme me gjendjen e luftës, mbarojnë së vepruari. Të tilla janë traktatet për miqësi, aleancë, mossulmim, ndihmë reciproke, etj. Me fillimin e luftës, këto traktate mbarojnë së vepruari.

Një grup tjetër traktatesh mbeten në fuqi edhe pas mbarimit të luftës por zbatimi i tyre vetëm pezullohet gjatë periudhës së luftës. Këtu bëjnë pjesë të gjitha traktatet ligje dhe aktivizohen me rivendosjen e paqes.

Grupin e tretë e përbëjnë traktatet të cilat kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare të luftës dhe rregullojnë marrëdhëniet e shteteve gjatë luftës, si p.sh. Konventa e Hagës, Konventat e Gjenevës, etj., të cilat fillojnë të veprojnë me fillimin e luftës.