DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES

23
DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Draft- Raport lidhur me fenomenin e gjakmarrjes Hyrje Duke vlerësuar të drejtën e jetës si të drejtën themelore dhe më të rëndësishme të njeriut të mbrojtur me ligj, duke pranuar edhe rrezikun që e kanos çdo ditë këtë të drejtë, Avokati i Popullit ka rimarrë iniciativën për sensibilizimin e institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe individëve në këtë çështje sensitive dhe ka hartuar një raport të veçantë për fenomenin e gjakmarrjes bazuar në eksperiencën institucionale dhe të dhënave të përcjella zyrës së Avokatit të Popullit nga Institucione Shteterore dhe OJF. Gjatë më shumë se 20 viteve tranzicion pothuajse çdo ditë në kronikat e zeza të medias njihemi me marrje jetësh në rrethana nga më të ndryshme, por në optikën tonë këtë radhë Ju kemi sjellë në vëmendje vrasjet për shkak të gjakmarrjes, apo hakmarrjes duke synuar sadopak të tërheqim vëmendjen e deputetëve me qëllim për të sensibilizuar e mbrojtur të drejtën e jetës. Të parandalojmë, sa të jetë e mundur, fenomenin e gjakmarrjes, që po sjell shkelje të tjera të të drejtave dhe të lirive themelore të individit. Njerëzit e përfshirë në gjakmarrje, jo vetëm që humbin babanë, burrin, djalin apo vëllanë e tyre, por si në një rreth vicioz, me dhjetra individë, të afërm të tyre, nën frikën e pasigurisë për jetën, humbasin lirinë e lëvizjes, të drejtën për të punuar që të ushqejnë familjet e tyre, të drejtat elektorale, si dhe fëmijët e tyre të drejtën për t’u arsimuar, etj. Theksojmë se edhe fenomeni i gjakmarrjes, ashtu sikundër çdo sfidë tjetër, me të cilën ndeshet shteti dhe shoqëria shqiptare, kërkon një adaptim të ri të sjelljeve dhe të veprimtarisë të të gjitha strukturave të administratës publike shqiptare dhe shtetit. E dimë se edhe bota e qytetëruar nuk është e imunizuar nga fenomenet e kriminalitetit. Nuk do t’i harrojmë kurrë shfaqjet e akteve terroriste të 11 shtatorit, pas të cilave të gjithë jemi të bindur se bota u gdhi më e varfër, më e varfër në sigurinë e saj, më e varfër në krenarinë e saj, më e varfër në vlerat e saj. Kjo, pa dyshim, ishte hakmarrja e antivlerave kundër vlerave, njerëzimi, pjesë e të cilit jemi edhe ne, është përpjekur të përsosë prej sa ka filluar vetë jeta. Sakaq, mrekullia filloi të realizohej qysh atë ditë, kur të gjithë ne pamë solidaritetin njerëzor të shfaqej përmes tymit, në radhët e gjata të mijëra njerëzve, të gatshëm për të dhuruar gjak. Ata ishin njerëzit gjakdhurues, jo njerëzit gjakmarrës. Avokati i Popullit sjell në vëmendje se Të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës janë vlera të përbashkëta në një shoqëri demokratike, ku e drejta për jetën përbën të drejtën themelore. Këto të drejta mbrohen nga një sërë konventash dhe aktesh të tjera ndërkombëtare, nga Kushtetuta dhe nga ligjet e brendshme të shtetit. Respektimi i tyre është një përparësi e punës së organeve shtetërore, në përgjithësi, dhe i atyre ligjzbatuese në veçanti. Nga ana tjetër, detyrimi për të siguruar mbrojtjen ligjore të të drejtave të njeriut dhe asaj të jetës, si një ndër të drejtat themelore dhe universale, ndikojnë në çdo aspekt të punës së institucioneve. 1

Transcript of DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013

Draft- Raport lidhur me fenomenin e gjakmarrjes

Hyrje Duke vlerësuar të drejtën e jetës si të drejtën themelore dhe më të rëndësishme të njeriut të mbrojtur me ligj, duke pranuar edhe rrezikun që e kanos çdo ditë këtë të drejtë, Avokati i Popullit ka rimarrë iniciativën për sensibilizimin e institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe individëve në këtë çështje sensitive dhe ka hartuar një raport të veçantë për fenomenin e gjakmarrjes bazuar në eksperiencën institucionale dhe të dhënave të përcjella zyrës së Avokatit të Popullit nga Institucione Shteterore dhe OJF. Gjatë më shumë se 20 viteve tranzicion pothuajse çdo ditë në kronikat e zeza të medias njihemi me marrje jetësh në rrethana nga më të ndryshme, por në optikën tonë këtë radhë Ju kemi sjellë në vëmendje vrasjet për shkak të gjakmarrjes, apo hakmarrjes duke synuar sadopak të tërheqim vëmendjen e deputetëve me qëllim për të sensibilizuar e mbrojtur të drejtën e jetës. Të parandalojmë, sa të jetë e mundur, fenomenin e gjakmarrjes, që po sjell shkelje të tjera të të drejtave dhe të lirive themelore të individit. Njerëzit e përfshirë në gjakmarrje, jo vetëm që humbin babanë, burrin, djalin apo vëllanë e tyre, por si në një rreth vicioz, me dhjetra individë, të afërm të tyre, nën frikën e pasigurisë për jetën, humbasin lirinë e lëvizjes, të drejtën për të punuar që të ushqejnë familjet e tyre, të drejtat elektorale, si dhe fëmijët e tyre të drejtën për t’u arsimuar, etj. Theksojmë se edhe fenomeni i gjakmarrjes, ashtu sikundër çdo sfidë tjetër, me të cilën ndeshet shteti dhe shoqëria shqiptare, kërkon një adaptim të ri të sjelljeve dhe të veprimtarisë të të gjitha strukturave të administratës publike shqiptare dhe shtetit. E dimë se edhe bota e qytetëruar nuk është e imunizuar nga fenomenet e kriminalitetit. Nuk do t’i harrojmë kurrë shfaqjet e akteve terroriste të 11 shtatorit, pas të cilave të gjithë jemi të bindur se bota u gdhi më e varfër, më e varfër në sigurinë e saj, më e varfër në krenarinë e saj, më e varfër në vlerat e saj. Kjo, pa dyshim, ishte hakmarrja e antivlerave kundër vlerave, që njerëzimi, pjesë e të cilit jemi edhe ne, është përpjekur të përsosë prej sa ka filluar vetë jeta. Sakaq, mrekullia filloi të realizohej qysh atë ditë, kur të gjithë ne pamë solidaritetin njerëzor të shfaqej përmes tymit, në radhët e gjata të mijëra njerëzve, të gatshëm për të dhuruar gjak. Ata ishin njerëzit gjakdhurues, jo njerëzit gjakmarrës.

Avokati i Popullit sjell në vëmendje se Të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës janë vlera të përbashkëta në një shoqëri demokratike, ku e drejta për jetën përbën të drejtën themelore. Këto të drejta mbrohen nga një sërë konventash dhe aktesh të tjera ndërkombëtare, nga Kushtetuta dhe nga ligjet e brendshme të shtetit. Respektimi i tyre është një përparësi e punës së organeve shtetërore, në përgjithësi, dhe i atyre ligjzbatuese në veçanti. Nga ana tjetër, detyrimi për të siguruar mbrojtjen ligjore të të drejtave të njeriut dhe asaj të jetës, si një ndër të drejtat themelore dhe universale, ndikojnë në çdo aspekt të punës së institucioneve.

1

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Theksojmë se megjithë rritjen e sigurisë e zhvillimit të veprimtarive politike, ekonomike, kulturore e sociale, ende kriminaliteti shfaqet në forma të ndryshme, madje të rënda, që cënojnë të drejtën e jetës. Disa nga format e cënimit të sigurisë për jetën janë krimet për hakmarrje ose gjakmarrje, konfliktet që kanë për bazë problemet e pronësisë, krimet kundër moralit, të ndërthurura këto edhe me format e ndryshme të trafiqeve, si ai i drogës, i qenieve njerëzore etj.

I

E drejta e jetës, dispozitat në Kushtetutën e Shqipërisë dhe një vështrim historik mbi fenomenin e gjakmarrjes

Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në një shoqëri të emancipuar marrin një rëndësi të veçantë dhe për këtë arsye kanë gjetur pasqyrimin e tyre në mënyrën më të plotë në kushtetutat demokratike të çdo shteti. Këto të drejta dhe liri nuk mund të respektohen dhe të gëzohen pa asnjë lloj kufizimi. Një mbrojtje absolute dhe e njëllojtë e të drejtave në të gjitha aspektet dhe në përgjithësi për çdo shtetas, do të ishte praktikisht e pamundur. Prandaj, ekzistojnë dhe kufizimet në të drejtat dhe lirinë themelore të njeriut, për të cilat kushtetutat dhe aktet ndërkombëtare i kanë klasifikuar si kufizime të lejueshme. Megjithatë, pavarësisht nga ky kuptim, ekzistojnë disa të drejta, që janë absolutisht të pacënueshme, për të cilat as vetë kushtetutat nuk e kanë mundësinë e lejimit të kufizimit të tyre. E drejta për të jetuar është një nga këto të drejta të rëndësishme. “Jeta e personit mbrohet me ligj”.1 Në këtë mënyrë është sanksionuar koncepti juridik i mbrojtjes së jetës njerëzore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky formulim shpreh qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjen e jetës së njeriut, e cila përbën një vlerë kushtetuese. E drejta për jetën paraqitet në Kushtetutë si një vlerë, nga e cila burojnë të gjitha të drejtat e tjera. Kreu i të drejtave dhe i lirive themelore të njeriut përshkohet nga koncepti i mosdhunimit të tyre. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas nenit 15 të Kushtetutës, janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, prandaj ekziston edhe detyrimi parësor dhe kushtetues i shtetit, nëpërmjet organeve të tij, që t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto të drejta. Parimet themelore të mbrojtjes së jetës gjejnë mbështetje të plotë në dispozitat kushtetuese. “Jeta është një e drejtë, atribut themelor i qenies njerëzore dhe kur kjo jetë hiqet ose merret, në çfarëdo lloj mënyre, njeriu, në të njëjtën kohë, eleminohet si mbartës të drejtash dhe detyrimesh. Jeta e njeriut duke pasur një vlerë të padiskutueshme bëhet objekt i mbrojtjes kushtetuese”.2 Mbrojtja e jetës së njeriut në çdo çast dhe në të gjitha rrethanat nuk është e njëjtë, pasi ajo është e ndikuar nga një sërë faktorësh të ndryshëm, për të cilët edhe ligjvënësi mund të jetë ai që nëpërmjet ligjit që harton e miraton të parashikojë hollësitë që mund të garantojnë këtë jetë njerëzore. Vetëm nëpërmjet ligjit mund të bëhen përjashtimet, kur, si rrjedhojë e mbrojtjes së një të drejte më të rëndësishme kushtetuese, kërkohet të hiqet jeta e dikujt. Ligji është ai, të cilit i jepet e drejta, që, në raste të veçanta dhe që kanë lidhje me vdekjen, në kuptim të nenit 2 pika 2 të Konventës

1 Kushtetuta e Republikë së Shqipërisë, neni 21 2Sokol Sadushi, “E drejta e jetës – E drejtë kushtetuese”, fjala e mbajtur në Konferencën Kombëtare “Shteti dhe Shoqëria Civile në Mbrojtje të së Drejtës së Jetës”,

2

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Europiane të të Drejtave të Njeriut, të lejojë edhe heqjen e jetës për njeriun. Konkretisht, këto raste kanë gjetur rregullimin e tyre ligjor në dispozitat e përgjithshme të Kodit Penal që parashikojnë institutin juridik të mbrojtjes së nevojshme dhe të nevojës ekstreme ose në ligjin nr. 8290, date 24.02.1998 “Për përdorimin e armëve të zjarrit”, i ndryshuar me ligjin nr. 10291, date 24.6.2010, i cili u jep të drejtë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të policisë e tjera të armatosura të krijuara me ligj, të cilat nuk janë në përbërje të Forcave të Armatosura, si dhe rojave civile të armatosur që të përdorin armët e zjarrit në rastet e sipërpërmendura. Sipas kësaj dispozite të Konventës, jeta e njeriut, mund të hiqet dhe kjo lloj vdekjeje, që i shkaktohet atij, qoftë dhe nga shteti nëpërmjet organeve të tij, nuk ka të bëjë dhe nuk mund të jetë e njëjtë me dënimin me vdekje, si lloj dënimi që jepej më parë nga gjykata, por është e lidhur me ato raste përjashtimore, shprehimisht të sipërcituara. Në këtë mënyrë është ndërtuar legjislacioni ynë dhe në të vërtetë ky është kuptimi kushtetues e ligjor mbi të cilin realizohet mbrojtja e jetës së njeriut. Ky është legjislacioni ynë që më shumë u përgjigjet kushteve të një shoqërie moderne, të emancipuar dhe me një demokraci solide. Në këtë aspekt, legjislacioni shqiptar paraqitet shumë më pararendës se mendësia shoqërore dhe tradicionale, gjë që përbën një pengesë tepër të vështirë në përsosjen dhe konsolidimin e kësaj shoqërie. Por a ndodhen të përgatitur dhe a ndihen komod shteti dhe shoqëria shqiptare, në përgjithësi, përballë një legjislacioni të tillë emancipues e modern dhe a janë ata në gjendje që të garantojnë jetën e personit, lirinë dhe sigurinë e tij, ndërkohë që kanuni, rregullat zakonore, vetëgjyqësia dhe gjakmarrja arrijnë të eklipsojnë ligjin? Përgjigjia e kësaj pyetjeje është “Jo”. Kjo përgjigje vjen sepse në mjaft zona të vendit, kryesisht në Veri, familje të tëra ndodhen të ngujuara për shkak të gjakmarrjes. Secili nga ne e kupton se çfarë ndiejmë kur dëgjojmë se jeta e dikujt u privua si pasojë e marrjes së gjakut. Edhe më tej shtohet ky ankth, kur marrim vesh se një familje ose një fis i tërë u ngujua nga frika e gjakmarrjes. Të gjithë këta individë të pafajshëm, që deri në ato çaste që nuk kishin hyrë në gjak kryenin një detyrë, në disa raste, ndonëse të rralla, kanë qënë edhe punonjës të Policisë së Shtetit ose realizonin të drejtat e tyre si pjestarë të shoqërisë, papritur detyrohen të shkëputen prej saj, duke e privuar ndërkohë veten nga gëzimi dhe ushtrimi i këtyre të drejtave. A është e mundur që këta individë të shoqërisë të konsiderohen dhe të mbeten përgjithmonë të dënuar pa ligj dhe të privuar njëkohësisht nga ushtrimi i të drejtave dhe lirive të tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta? Çështja shtrohet: Në ç’mënyrë e realizon shteti dhe vetë shoqëria civile mbrojtjen e jetës, lirinë dhe sigurinë e këtyre njerëzve të pafajshëm, pra të këtyre familjeve që ndodhen në gjak? Ne nuk ndihemi mirë, kur jemi të detyruar të pohojmë se jetën e këtyre personave nuk është në gjendje ta mbrojë ligji. Ndihemi keq kur detyrohemi të pohojmë se jetën e tyre e mbron ngujimi. Ata, duke mos qenë të garantuar nga ligji, detyrohen të ngujohen dhe të vetëkufizojnë një pjesë shumë të madhe të lirive të tyre. Të drejtat dhe liritë themelore të këtyre shtetasve nuk realizohen sipas kuptimit kushtetues. Ato nuk ushtrohen si rrjedhojë e të qenit të tyre të ngujuar. Në Kushtetutë është i parashikuar kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve për shkak të ligjit, por ky trajtim është një kufizim i ligjshëm dhe kushtetues. Është e kuptueshme se këto të drejta dhe liri nuk mund të konceptohen si të paprekshme dhe të pakufizuara. Njihet kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore, por kur një gjë e tillë është e parashikuar me ligj, kur kërkohet të mbrohen të drejtat e të tjerëve. Dhe ky kufizim kushtetues parashikohet në rastet e diskriminimit (neni 18/3), të punës së detyruar (neni 26), të heqjes së lirisë (neni 27), të bërjes

3

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 publike të të dhënave vetjake (neni 35), të kontrollit të banesës (neni 37), të drejtës së pronës (neni 41), etj. Por nga ana tjetër, në disa dispozita të kreut të të drejtave dhe lirive themelore, legjislatori ka parashikuar vetëm rregullin e përgjithshëm dhe nuk ka lejuar absolutisht përjashtimin. Kjo do të thotë se ka disa të drejta dhe liri që nuk mund të kufizohen as nga ligji dhe as nga Kushtetuta. Mungesa në mënyrë të qartë e këtij përjashtimi shfaqet në shumë dispozita kushtetuese dhe konkretisht në nenet që nuk lejojnë tejkalimin e kufizimeve të parashikuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (neni 17/2), të drejtat e pakicave (neni 20), lirinë e ndërgjegjes e të fesë (neni 24), ndalimin e torturës (neni 25), të drejtën e mbrojtjes (nenet 28 e 31), prezumimin e pafajësisë (neni 30) etj. Në këtë grup dispozitash bën pjesë edhe e drejta për jetën (neni 21), në të cilën nuk është parashikuar asnjë lloj kufizimi. Kjo do të thotë se shteti nuk mund të pajtohet me raste ose dukuri që cënojnë të drejtën e jetës. Janë këto koncepte të sanksionuara në Kushtetutë, mbi të cilat u mbështet dhe Gjykata Kushtetuese për të konsideruar dënimin me vdekje në Shqipëri të papajtueshëm me Kushtetutën. Por si mund të përligjet shteti dhe shoqëria në tërësi për pamundësinë reale që ato paraqesin për të bërë konkret zbatimin në praktikë të kësaj dispozite kushtetuese? Jo vetëm kaq. Shteti dhe gjithë shoqëria në tërësi është e ndërgjegjësuar se këtyre shtetasve, jo vetëm nuk u mbrohet jeta, por njëkohësisht, u kufizohen edhe shumë të drejta të tjera kushtetuese themelore. Dhe përsëri ata paraqiten të pafuqishëm për zhdukjen e këtyre kufizimeve kushtetuese, që, në këtë rast, nuk bëhen me ligj. Vetëm një vështrim po të hedhim në dispozitat e Kushtetutës, do të krijojmë menjëherë bindjen se për këtë kategori individësh sanksionimi në Kushtetutë i detyrimit të organeve të pushtetit publik, për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore, si dhe për të kontribuar në realizimin e tyre, mbetet një formulim i pazbatueshëm. Si e realizojnë të drejtën e votës këta shtetas, një nga të drejtat themelore të shtetasve dhe, si të gjitha të drejtat e tjera, mbetet e padhunueshme. Kushtetuta, në nenin 45 të saj, ka sanksionuar të drejtën e çdo shtetasi për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, të drejtë të cilën ai e realizon nëpërmjet votës vetjake, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë. E drejta e votës përbën një të drejtë të pakufizuar. Sipas konceptit kushtetues, nga ushtrimi i të drejtës së votës nuk mund të privohet askush, me përjashtim të shtetasve të deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht. Pikërisht dukuria e gjakmarrjes pengon ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese të pakufizueshme. Fatkeqësia e këtyre shtetasve nuk mbaron këtu. Këta të ngujuar nuk janë në gjendje të ushtrojnë edhe shumë të drejta të tjera kushtetuese. Secili është i lirë të zgjedhë fenë ose bindjet si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht në publik nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve. E megjithatë, ata nuk mund të marrin pjesë në ushtrimin e këtyre praktikave fetare. Liria e organizimit është një tjetër e drejtë kushtetuese që ka rëndësinë e vet thelbësore në krijimin, në zhvillimin dhe në ruajtjen e demokracisë. Ajo ndihmon për t’u siguruar që njerëzit mund të mblidhen së bashku për të nxitur interesat e tyre dhe ndihmon ruajtjen e lirive dhe të drejtave të tjera kushtetuese. Por, njerëzit e ngujuar janë të kufizuar në të drejtën e tyre për t’u organizuar kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm ose për të marrë pjesë në tubime paqësore në sheshe publike për realizimin e të drejtave të tyre kushtetuese.

4

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Këta shtetas nuk mund të gëzojnë as të drejtën e lëvizjes lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit, aq më tepër të pretendojnë për të ushtruar të drejtën e tyre për punë, të drejtën për arsim, si dhe për përfitimin e shërbimit shëndetësor. Në stadin në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare, kur pretendimet e saj për t’u bërë pjesë e realitetit të ri europian, janë drejt zgjidhjes, ekzistenca e pengesave të tilla që nuk lejojnë ushtrimin e së drejtës më elementare, siç është e drejta për arsim, janë të palejueshme. Mosushtrimi i këtyre të drejtave dhe lirive kushtetuese, si rrjedhojë e dukurisë së gjakmarrjes, për të cilën kemi dijeni të gjithë, është njëlloj sikur shteti, shoqëria civile në tërësi, me vetëdije të plotë pranojnë të kufizohen dhe të dhunohen këto të drejta. Indiferenca që shfaqet ndaj përmasave të frikshme që ka marrë kjo dukuri, fajëson shoqërinë në tërësi dhe shtetin në veçanti. Të gjithë ne e dimë se Kushtetuta, jetën e njeriut e mbron me ligj. Thelbi i dispozitave kushtetuese është nxjerrja në pah e atyre drejtimeve themelore që parësore kanë respektimin e vlerës së jetës dhe të dinjitetit njerëzor. Vlera më e lartë për shtetin dhe shoqërinë është njeriu dhe jeta e tij, e cila qëndron në themel të të gjitha të drejtave, për arsye se mohimi i saj sjell edhe zhdukjen e të drejtave të tjera njerëzore. Jeta njerëzore, duke u konsideruar e tillë që nga fillimi i saj, bëhet një vlerë mbi të gjitha vlerat e tjera që mbrohet nga Kushtetuta. Por problemi që shtrohet për t’u zgjidhur është se, sa është në gjendje të bëjë një shtet ose një shoqëri e tërë për jetën njerëzore në mënyrë që të mbrojë dhe të garantojë një nivel të caktuar jetese? Dihet se për mjaft arsye shumë nga ne mund të jenë ndier të pasigurtë për jetën e tyre. Dhe kjo ka shpjegimet e veta. Por ekzistenca në mendësinë e një pjese të shoqërisë shqiptare, e zbatimit të rregullave të së drejtës zakonore dhe gjendja në të cilën ndodhen njerëzit e ngujuar për shkak të gjakmarrjes, janë tepër tronditëse, përbëjnë një dukuri që në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet bashkëudhëtar me një shoqëri që pretendon se ka arritur të ketë një legjislacion të përparuar, një kushtetutë tepër të avancuar dhe që dënimin me vdekje e konsideron dënim çnjerëzor, duke mos e pranuar tashmë si një lloj dënimi penal në legjislacionin e saj. Nëse do të hedhim një vështrim në vendet e tjera, të cilat janë të orientuara plotësisht drejt demokracisë dhe do të bëjmë krahasimin me stadin në të cilin ndodhet shteti dhe shoqëria shqiptare si mendësi, do të vërejmë me keqardhje se kemi rrugë të gjatë për të bërë. Problemi i mbrojtjes së jetës të njeriut nga vrasjet, në përgjithësi, dhe ato për hakmarrje e për gjakmarrje, në veçanti, paraqet rëndësi të madhe historike, politike-shoqërore, juridike e praktike. Vrasjet janë krime të rënda që prekin të drejtën për të jetuar, si e drejta më themelore e njeriut, e mbrojtur në Deklaratën Universale të Asamblesë së Përgjithshme të OKB (1948), me Konventën Europiane (1950) dhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 21). Për gjakmarrjen në Shqipëri, e cila në të kaluarën ka shuar familje të tëra, kanë shkruar shumë autorë të huaj, e sidomos albanologët e njohur J.G.Hahnn-i, F.B. Nopça, E. Durhani, S. Villari, G. Kasteletti, si dhe disa autorë të tjerë të kohës sonë. Me këtë problem të rëndësishëm janë marrë edhe rilindësit tanë të mëdhenj, si: S.Frashëri, P.Vasa, Z. Jubani, J.Vreto, A.Drenova, At Gjergj Fishta e deri në ditët tona shkrimtari i shquar I.Kadare dhe mjaft studjues të tjerë në Shqipëri e në Kosovë. Trajtimi i çështjes është bërë nga këndvështrime të ndryshme, sepse mbrojtja e jetës së njeriut nuk ka qenë e nuk është kudo e kurdoherë e njëllojtë.

5

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Në kohët e lashta, në formacionet parashtetërore, gjakmarrja ishte mjet i vetëmbrojtjes. Në rendin patriakal fisnor mori përhapje të gjerë, ndërsa në Mesjetë filloi të kufizohej sipas parimit të talionit “sy për sy”, “dhëmb për dhëmb”. Ky proces vazhdoi në shekujt e mëvonshëm deri në zhdukjen e plotë të saj. Vrasjet për gjakmarrje nuk kanë qenë vetëm fenomen shqiptar, por kanë pasur karakter ndërkombëtar. Ato kanë ekzistuar, në kohë të ndryshme në vende të tjera të botës, si: në Azi, në Arabi, te hebrejtë, në Greqinë e vjetër, në Romën e vjetër, te gjermanët, te sllavët, në Kaukaz, në Korsikë e gjetkë. Diku ato janë zhdukur më herët e diku më vonë. Veçoria e Shqipërisë qëndron në faktin se vrasjet për gjakmarrje vazhduan në disa zona më gjatë, për shkaqe të brendshme e të jashtme, objektive e subjektive. Ndër këto, më kryesoret janë: Ekzistenca për shumë shekuj e marrëdhënieve patriakale-fisnore, organizimi vetëqeverisës, krijimi me shumë vonesë i shtetit të pavarur shqiptar (28 nëntor 1912) dhe i së drejtës pozitive; prapambetja e përgjithshme social-ekonomike, arsimore e kulturore, forca e madhe e mentaliteteve të së kaluarës, si dhe pushtimet e gjata të huaja. Rishfaqja e vrasjeve për gjakmarrje në 20 vjetet e fundit kërkon një analizë të thellë të shkaqeve e të kushteve favorizuese, objektive e subjektive, për të organizuar një sistem masash parandaluese dhe luftën kundër tyre. Në Shqipëri ndodhi ashtu, siç ka thënë kriminologu i njohur amerikan Edvin Sutherland, që “ç’organizimi shoqëror” shpuri në “ç’organizimin individual”, sepse demokracia u keqkuptua si anarki, si vetëgjyqësi dhe u tronditën vlerat pozitive të popullit shqiptar. Kusht favorizues është mos zbulimi dhe moskapja në kohë e të gjithë fajtorëve nga policia, hetimi i mangët dhe jo objektiv i çështjeve nga prokuroria, dhënia e dënimeve të buta ose e pafajësive, si dhe lirimi para kohe, me kusht, jashtë kritereve ligjore nga gjykata. Atje ku nuk funksionon shteti e ligji, vepron vetëgjyqësia e kanuni. Natyrisht, nuk mund të mos përmenden edhe faktorët psikologjikë si temperamenti, karakteri, emocionet, mendësia e së kaluarës etj.

II

Situata aktuale e fenomenit të gjakmarrjes dhe hakmarjes në vend (sipas të dhënave zyrtare)

Nga statistikat zyrtare të organeve të Policisë së Shtetit (tabela bashkëlidhur) në 10 vitet e fundit me masat për forcimin e rendit e të sigurisë publike vërehet prirja e përgjithshme e uljes së vrasjeve për gjakmarrje apo hakmarrje, (OJF-të e ndryshme pretendojnë për shifra të tjera më të larta) . Vrasjet për gjakmarrje të zbuluara nga Policia në 3 vitet e fundit: 2010, 2011, 2012, kane rënë në 5 vrasje në vit nga 33, 12,13, vrasje në vit që ishin dhjetë vjet më parë në vitet 2001, 2002, 2003. Gjithashtu dhe numri i familjeve që kanë hyrë në hasmëri, apo gjak ka ardhur në rënie vitet e fundit dhe kjo prirje vazhdon. Nëse në periudhen 1990-2000 janë evidentuar 8229 familje që kanë hyrë në hasmëri, për periudhën 2001-2012 numri i familjeve që hynë në hasmëri ose në gjak është 1559, pra dukshëm disa herë më i vogël.

6

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Mosha e personave të vrarë sipas të dhënave zyrtare pas vitit 1990 deri në vitin 2012 përfshirë dhe vrasjet për gjakmarrje dhe hakmarrje në Shqipëri Vrasjet nga mosha 10-16 vjeç zenë 0.1% të të vrarëve për shkaqe gjakmarrje, apo hakmarrje. Vrasjet nga mosha 17-20 vjeç zenë 2.9 % të të vrarëve për shkaqe gjakmarrje, apo hakmarrje. Vrasjet nga mosha 21-37 vjeç zenë 47% të të vrarëve për shkaqe gjakmarrje, apo hakmarrje. Vrasjet nga mosha 38-42 vjeç zene 30 % të të vrarëve për shkaqe gjakmarrje, apo hakmarrje. Vrasjet nga mosha 43-65 vjeç zenë 19.6% të të vrarëve për shkaqe gjakmarrje, apo hakmarrje. Pjesa e mbetur mbi 65 vjeç zenë 0.4 % vjeç të të vrarëve për shkaqe gjakmarrje, apo hakmarrje. Shpërndarja rajonale e të vrarëve në 36 rrethet e vendit përfshirë dhe vrasjet për gjakmarrje dhe hakmarrje sipas të dhënave të Policisë; Tirana 23.6 % të numrit të të vrarëve Shkodra 17.6 % të numrit të të vrarëve Fieri 6 % të numrit të të vrarëve Vlora 5.5 % të numrit të të vrarëve Berati 4.7 % të numrit të të vrarëve Durrësi 4.5 % të numrit të të vrarëve Elbasani 3.8 % të numrit të të vrarëve Të gjithë rrethet e tjera së bashku përbëjnë 34.3 % të vrasjeve të ndodhura në shkallë republike. Vrasjet për gjakmarrje zenë 5.9 % të numrit të përgjithshëm të viktimave të evidentuara nga ana e Policisë së Shtetit, por kjo shifër mund të jetë më e lartë për shkak dhe të cilësimeve të ndryshme të vrasjeve dhe në rastet e vrasjeve për gjakmarrje ose hakmarrje. Personat që kanë kryer krime për gjakmarrje apo hakmarrje nuk kanë patur besim te organet e drejtësisë prandaj i janë referuar traditës apo kanunit. E kanë justifikuar veprimin si venie në vend të drejtësisë, nderit, dinjitetetit, etj. Në të shumtën e rasteve personat që kanë kryer krim për motivin e hakmarrjes, apo gjakmarrjes kanë qenë të nxitur nga familja. Vendlindja e autorëve të krimit është kryesisht nga zonat rurale, por vitet e fundit vihet re një tendencë në rritje në zonat urbane dhe sidomos në qytetet e mëdha. Vendbanimi i autorëve të krimit është më i madh në zonat urbane dhe më i vogël në zonat rurale. Arsimi i autorëve të krimit është 1% me arsim të lartë, 35 % me arsim të mesëm, 25 % me arsim tetëvjeçar, 39 % me arsim fillor ose të pa arsimuar. Statusi civil i autoreve të krimit është 56 % e autorëve kanë qenë të martuar me 1-3 fëmijë dhe 45 % e tyre kanë qenë të pamartuar.

7

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Profesioni i autorëve të krimit ka qenë kryesisht nga punët në bujqësi dhe në ndërtim. Aktiviteti profesional i familjeve të autorëve të krimit ka qenë 70 % nga bujqësia dhe 30 % nga punët e tjera të ndryshme në subjekte private dhe shtetërore. Rreth 20 % e autorëve të krimit kanë pasur precedentë penalë të mëparshëm dhe kanë qenë të kërkuar nga policia, ndërsa 80 % e tyre nuk kanë patur problem me ligjin dhe shtetin. Nga autorët e krimit vetëm 1 % e tyre kanë patur armë me leje dhe 99 % e autorëve të krimit i kanë patur armët pa leje duke i blerë, apo huazuar nga të afërm apo miq të tyre. Në rastet e armëmbajtjeve me leje arsyeja e paisjes ka qenë për gjueti si dhe për shkak të detyrës në organet e rendit. Lidhur me familjet e ngujuara aktualisht për shkak të gjakmarrjeve apo hakmarrjeve janë;

- Në Shkodër 39 familje - Në Malësinë e Madhe 9 familje - Në Kukës 13 familje - Në Lezhë 4 familje - Në Krujë 1 familje - Në Tiranë 1 familje

Janë aktualisht të ngujuar:

- në Shkodër 93 meshkuj dhe 23 fëmijë, - në Kukës 16 meshkuj, 6 femra dhe 7 fëmijë, - në Lezhë 4 meshkuj, - në Krujë 1 mashkull, 3 fëmijë dhe një femër.

Këto të dhëna janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Shtetit në vitin 2012, por jemi të mendimit se mund të ketë një marzh gabimi deri në 3 %. OJF të ndryshme që veprojnë dhe trajtojnë problematikën e krimit të gjakmarrjes dhe hakmarrjes dhe pasojave që vijnë si pasojë të tyre japin shifra shumë të larta që duhen marrë me shumë rezërva. Shqipëria po kalon një periudhë të gjatë e të vështirë tranzicioni drejt shtetit juridik dhe zbatimit të të drejtave të njeriut, sipas standardeve më të përparuara perëndimore. Përveç vështirësive të natyrshme, që karakterizon çdo periudhë kalimtare, të natyrës ekonomike dhe shoqërore, Shqipëria përballon edhe një faktor tjetër negativ që shprehet në ballafaqimin ndërmjet dy sistemeve juridike krejt të ndryshme si e drejta shtetërore, e modeluar sipas standarteve më të përparuara dhe e drejta zakonore shqiptare, që vjen nga thellësitë e shekujve, e krijuar dhe e zbatuar në një realitet krejt të ndryshëm nga ai i sotmi. Rezu1tati më i dukshëm i këtij konfrontimi të heshtur, por real, është dobësia e shtetit dhe e institucioneve të tij, shkelja e ligjeve të shtetit, cënimi i të drejtave të njeriut, përfshi edhe të drejtën e jetës, në formën e

8

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 gjakmarrjes. Të drejtat e njeriut në vend nuk rrezikohen vetëm nga praktikat dhe mendësitë kanunore. E drejta e jetës ka qenë në fokusin e punës së Avokatit të Popullit që në fillimet e veprimtarisë së tij. Duke e vlerësuar atë me prioritet si të drejtën më të rëndësishme të njeriut, por duke pranuar edhe rrezikun që e kanos përditë atë për shkak të fenomenit të gjakmarrjes, të hakmarrjes dhe të kriminalitetit në tërësi, Avokati i Popullit ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh me qëllim për të sensibilizuar shtetin, shoqërinë civile dhe individin në këtë çështje, sensibilizimin ndaj fenomenit dhe nxitja e administratës publike shqiptare që të realizojë detyrat e saj për mbrojtjen e të drejtës së jetës të shtetasve tanë, e cila është e drejta më e rëndësishme e çdo njeriu. Synimet e institucionit të Avokatit të Popullit janë: Zbatimi një strategjie konkrete për të gjithë administratën publike, përmes veprimesh të bashkërenduara nga të gjitha institucionet dhe aktorët në këtë fushë, nën drejtimin e një komiteti dhe në lidhje të ngushtë me organet gjyqësore; Mbështetjeje ndërgjegjësuese nga organizmat e shoqërisë civile, që merren me të drejtat e njeriut; Pas rekomandimit të Avokatit të Popullit nga ana e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë është ndërmarrë iniciativa dhe është përgatitur draft Urdhëri për “Ngitjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr. 9389, datë 04.05.2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”, por akti ende nuk është miratuar. Kërkojmë vëmendjen tuaj për shkak se që nga miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit të sipërpërmendur, nga drejtuesi i Këshillit Koordinues nuk është marrë asnjë iniciativë për organizimin dhe mbledhjen e këshillit, i cili ndër të tjera në zbatim të shkronjës “a” të nenit 3 , të ligjit “... përcakton detyrat dhe masat konkrete për organet ekzekutive e ato të pushtetit vendor”. Nga Këshilli Koordinues, si organ ndërinstitucional, nuk është dhënë asnjë orientim ose porosi për stafin teknik të Këshillit të Ministrave, si ekzekutiv, në përbërje të këtij këshilli, për përgatitjen e akteve nënligjore në zbatim të ligjit nr. 9389, datë 04.05.2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”. Gjithashtu për këte arsye nuk është mundësuar asnjë vendimmarrje e Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit, për më tepër që dhe vetë përmbajtja e neneve 4, 5 dhe 6 kërkon që për çështje të veçanta, objekt i veprimtarisë së ligjit, të merret një vendimmarrje paraprake nga Këshilli Koordinues, e cila, sipas porosisë dhe detyrave të ngarkuara mund të formalizohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ashtu, si dhe për çdo institucion tjetër në përbërje të këtij Këshilli. Duke iu referuar ligjit nr. 9389, datë 04.05.2005 dhe përgjigjes të dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, të cilën e cituam më sipër konstatuam se: 1. Aktet nënligjore në zbatim të neneve 4, 5 dhe 6 të nenin 7 të ligjit nr. 9389, datë 04.05.2005 “Për krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes” nuk janë miratuar ende.

9

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 2. Këshillit Koordinues, duke mos e marrë iniciativën për mbledhjen e tij ka patur ndikimin e vet negativ për mos vënien në zbatim të ligjit të sipërcituar. 3. Mos nxjerrja nga Këshilli i Ministrave i tre akteve nënligjore në parashikuara në dispozitat e këtij ligji ka ndikuar në mos vënien në zbatim të ligjit në fjalë. Ndërkohë jemi të mendimit se kjo neglizhencë e Këshillit të Ministrive për të nxjerrë aktet nënligjore ka ndikuar negativisht në rritjen e efektivitetit të punës ndaj fenomenit të gjakmarrjes. Avokati i Popullit, nëpërmjet veprimtarisë së tij për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve, do të veprojë më aktivisht në parandalimin e konflikteve dhe të pasojave të tyre deri të gjakmarrjes. Përfaqësuesi vendor i zyres se Avokatit te Popullit në Shkodër, ka ndikuar dhe do të ndikojë për nxitjen e administratës publike dhe bashkëpunimin me OJQ-të në fushën e mbrojtjes të së drejtës së jetës. Gjithashtu, ky institucion do të vazhdojë sensibilizimin e të gjithë administratës publike shqiptare dhe të shoqërisë civile, që të realizohen këto rekomandime dhe punën e tyre ta matin me rezultatet pozitive që priten.

IV

Rastet e ndjekura nga Avokati i Popullit për gjakmarrjen. Avokati i Popullit sikurse cituam me lart ka regjistruar e trajtuar disa ankesa në vite për problemin e gjakmarrjes. Ato janë drejtuar nga personat që kanë qënë në gjak, familjarë të tyre të cilët kanë qënë të ngujuar. Objekti i ankesave ka qënë: Mbrojtja e jetës nga shteti, ndërmjetësimi për të bërë të mundur largimin nga vendbanimi per shkak se nuk mund të siguriohen jetët e tyre etj. Disa nga këto ankesa janë shqyrtuar duke u kërkuar shpjegime e informacione organeve të policisë e prokurorisë në rrethe. Nga rastet e shqyrtuara ka rezultuar se kërcënimet për marrje gjaku apo ngujim nuk denoncoheshin në organet komptente. Përgjigjia dhe orientimet e dhëna atyre kane qënë sipas rastit, ata që kishin kërcënime për vrasje apo ngujim nga gjaksit të bënin kallëzim në organet e policisë ose të prokurorisë, ata që kërkonin strehim jashtë shtetit ju është sqaruar juridiksioni institucional, etj. Është me rëndësi që të veçojmë një fakt shumë të rëndësishëm të punës së Avokatit të Popullit gjatë këtyre viteve. Sikurse u tha janë trajtuar disa ankesa të ndryshme që bëjnë fjalë për këtë problem, janë bërë publike me dhjetra raste të tjera të vrasjeve për gjakmarrje gjatë këtyre viteve të funksionimit të këtij institucioni.

Rast ilustrues; Hetimi i shkaqeve të vrasjes për hakmarrje ndodhur në fshatin Qelës të rrethit Pukë në datën 29.06.2012.

Shqetësimi i fenomenit të gjakmarrjes është bërë publik në media në mënyrë shumë frekuente, por sidomos në periudha pushimesh në kohë vere, apo fund viti për shkak të ndodhjes së disa ngjarjeve, vrasjeve për gjakmarrje e hakmarrje ndodhur gjatë këtyre muajve në Shkodër, në

10

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Pukë, në Tiranë e rrethe të tjera të vendit, si dhe disa raste të transmetuara në emisione televizive të cilat bëjnë fjalë për ngujimin e një numri personash që janë në gjak dhe të familjarëve të tyre. Nxitur nga media dhe me të drejtën e aksesit që na jep ligji organik, regjistruam me iniciativë rastin e vrasjes së dy vëllezërve M dhe plagosjen e katër personave të tjerë, tre nga familja M dhe një nga familja P ndodhur në lagjen Marrnaq, të fshatit Qelës të rrethit Pukë në datën 29.06.2012. Sipas medias, kjo tragjedi ndodhi për shkak të mos veprimit të organeve policisë për ndjekjen konform ligjeve të konfliketeve që kishin kohët e fundit familjet M dhe P. Për të hetuar administrativisht shkaqet që çuan në ndodhjen e tragjedisë në datën 29.06.2012, ku humbën jetën dy shtetas dhe u plagosën katër të tjerë, Avokati i Popullit vendosi ngritjen e një grupi pune dhe dërgimin e tij në Pukë. Për të përmbushur detyrimin ligjor të parashikuar në nenin 14 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”, grupi i punës shkoi në familjen M për të marrë pëlqimin e tyre për ndjekjen e këtij rasti nga insitucioni ynë. Pasi morëm pëlqimin e tyre për ndjekjen e këtij rasti nga institucioni ynë, u bënë verifikimet përkatëse dhe hetime administrative në organet e Policisë dhe të Prokurorisë Pukë rreth pretendimeve të ngritura nga media dhe ankuesit. Nga takimi i bërë me Shefin e Komisariatit të Policisë Pukë R.B. dhe disa punonjës të tjerë policie, grupi i punës u informua rreth konfliktit ndërmjet familjeve M dhe P, të cilat ishin banorë të të njëjtës lagje Marrnaq dhe komshi me njëra-tjetrën. Punonjësve të policisë iu kërkua informacion për të gjitha konfliktet e ndodhura ndërrmjet këtyre familjeve dhe shkaqet që çuan në ndodhjen e tragjedisë në datën 29.06.2012. Ata informuan se në datën 21.05.2012 rreth orës 09.30 shtetasi A.P. dhe A.M. janë takuar në qytetin e Pukës. A.P i ka kërkuar A.M që të sqaroheshin lidhur me debatin që ky i fundit kishte bërë me babanë e vëllezërve P para disa ditësh. Shkak i këtij debati kishtë qënë kërkesa e A.M drejtuar babait të A.N që të mos i kalonte bagëtitë në tokën e njërit prej pjestarëve të familjes M. Gjatë bisedës A.M dhe A.N janë konfliktuar fizikisht midis tyre. Sipas policisë, A.M. ka goditur A.P, ndërsa sipas vendimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë për mos fillimin e procedimit penal rezulton që të dy kanë goditur njëri-tjetrin. Gjatë këtij konflikti ka ndërhyrë policia dhe ka bërë shoqërimin e tyre në komisariat, ku i është marrë kallëzim shtetasit A.P. Këtij të fundit i është dhënë vendim për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa shtetasit A.M. i janë marrë deklarime. Në datë 22.05.2012 vepra penale dhe materialet e administruara janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, me shkresën nr. 746 prot. 22.05.2012 të Komisariatit të Policisë Pukë. Ky organ ka regjistruar kallëzimin penal nr. 71 të vitit 2012. Pas verifikimit të materialit kallëzues dhe referuar aktit të ekspertimit mjekoligjor nr. 26, të datës 21.05.2012 “Mbi ekzaminimin e shtetasit A.P.”, prokurorja e çështjes E.K. me vendimin e datës 28 maj 2012 ka vendosur mos fillimin e procedimit penal. Ky vendim është marrë me arsyetimin se, vepra penale e parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal “Dëmtime të tjera me dashje” nuk mund të ndiqet nga organi i Prokurorisë sepse ndiqet me kërkesë të të dëmtuarit akuzues drejtpërdrejtë në gjykatë. Gjithashtu policia informoi se ndërmjet pjestarëve të dy familjeve dhe konkretisht B.P. dhe V.M. në datën 15.06.2012 ka ndodhur një konflikt në Kamëz, ku B ka goditur V. Për këtë konflikt V ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë nr. 5 Tiranë ndaj B, ndërsa në datën 29.06.2012, rreth orës 06.10, në lagjen Marrnaq janë vrarë me armë zjarri shtetasit H.M. dhe P.M. si dhe janë plagosur po me armë zjarri shtetasit A.M., T.M. dhe A.M. Vrasja dhe plagosja e personave të sipërpërmendur është bërë nga shtetasit B.P. dhe F.P., të cilët janë arrestuar nga policia. Në këtë ngjarje është plagosur edhe njëri prej autorëve të kësaj ngjarjeje, B.P. Nga ana e policisë janë shpallur në kërkim dhe shtetasit A.P.(vëllai i autorëve) dhe S.P.(djali i xhaxhait të autorëve) të cilët sipas të dhënave të policisë janë bashkëautorë të

11

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 kësaj ngjarjeje të rëndë. Në vend ngjarje kanë shkuar punonjësit e policisë dhe eksperti kriminalist të cilët kanë kryer veprime procedurale dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes. Këto informacione Shefi i Kamisariatit dhe punonjësit e policisë i dhanë verbalisht si dhe nëpërmjet disa shkresave që kishin përpiluar lidhur me këtë ngjarje. Nga punonjësit tanë u pyetën me procesverbal dy vëllezërit e të vrarëve, V. e B.M., dy nipat e tyre F. e K. M. dhe shtetasi A.D. (koleg pune me të ndjerin P.M.). Ata na informuan për konfliktet që kishin nisur muajt e fundit ndërmjet dy familjeve për çështjen e kalimit me bagëti të babait të autorëve në tokën e L.M., i cili është njëri prej vëllezërve të të ndjerëve (vdekur në një aksident automobilistik në vitin 1995). Njëri prej nipave të të ndjerëve, A.M., i ka thënë babait të autorëve që të mos i kalonte bagëtitë në tokën e tyre. Ata shpjeguan se pas këtij debati me fjalë kishin ndodhur dy konflikte fizike ndërmjet pjestarëve të këtyre familjeve, një ndodhur në qytetin e Pukës në datën 21.05.2012 midis A.M. dhe shtetasit A.P., për të cilin A.N kishte bërë kallëzim ndaj A.M dhe një tjetër kishte ndodhur në Kamëz në datën 15.06.2012 ndërmjet V. dhe shtetasit B.P., për të cilin V. kishte bërë kallëzim ndaj B. Me shumë rëndësi ishte deklarimi i tyre për një ngjarje që kishte ndodhur pas disa ditëve nga konflikti i parë ndërmjet pjestarëve të këtyre dy familjeve. Në datën 26.05.2012, në afërsi të banesës së nënës së të ndjerëve, F. dhe K. (të cilët janë nipat e të ndjerëve) u kanë dalë para rreth 20 metra larg shtetasit B.A. dhe S.P. Sipas tyre, B. kishte në dorë një automatik, kurse S. kishte në dorë një levë. F. dhe K. pasi i kanë parë që po vinin në drejtim të tyre të armatosur, kanë ikur me vrap dhe kanë hyrë në shtëpinë e gjyshes së tyre që ndodhej aty pranë. Ata janë ndjekur me vrap nga B. që mbante automatikun në dorë. F. dhe K. deklaruan se qëllimi i B. duke i ndjekur me vrap me armë në dorë ka qënë për t’i vrarë ata në shënjë hakmarrje për konfliktet e ndodhura midis dy familjeve të tyre. Sapo kanë hyrë në shtëpi, F. ka telefonuar Komisariatin e Policisë Pukë. Ai ka biseduar me një punonjës policie të quajtur F., të cilin e ka informuar për ngjarjen ndodhur me ta. F. i ka thënë se do të vinte në vend policia, por në fakt nuk ka shkuar. Meqënëse policia nuk ka shkuar, F. ka telefonuar përsëri policinë. Në telefon i është përgjigjur i njëjti punonjës policie, F., i cili i ka thënë atij që të shkonte në komisariat e të bënte kallëzim. F. i është përgjigjur F. se nuk mund të vinte dot, sepse personat janë duke i pritur ata dhe po të dalin nga shtëpia mund t’i vrasin. F.i ka thënë se nuk kishte se çfarë të bënte, por të gjente kohën e të shkonte në polici për të bërë kallëzimin. F. ka shkuar në komisariatin e Policisë Pukë pas dy ditësh nga ndodhja e ngjarjes, në datën 28.05.2012 dhe ka bërë kallëzim me shkrim tek inspektori i policisë së zonës oficeri i policisë gjyqësore L.L. Pasi ka bërë kallëzimin me shkrim, një punonjës policie civil, i cili i është prezantuar si i krimeve të rënda, i ka thënë që ta tërhiqte kallëzimin se do ta sqaronte ai këtë problem. F. ka nguruar sepse në të njëjtën zyrë ka qënë edhe A.P. i cili ishte njëri prej personave të kallëzuar prej tij. Më pas A. është nxjerrë jashtë dhe F. i është kërkuar me insistim nga punonjësit e policisë që të tërheqë kallëzimin, sepse edhe po të mos e tërhiqte ata nuk do ta çonin në Prokurori. Ndodhur në këto kushte, F. është detyruar që të bënte një deklaratë për tërheqjen e kallëzimit të bërë. Pas pak punonjësit e policisë kanë futur në zyrë A. dhe i kanë thënë atyre (F. dhe A.) që t’i jepnin dorën njëri-tjetrit dhe kështu u bë. Pak më vonë aty kanë ardhur P.M. (xhaxhai i F.) dhe A.M. (djali i xhaxhait të tij). Të katër së bashku, F., P. dhe A.M., si dhe A.P. kanë shkuar e kanë pirë kafe në një lokal në qytet. A. u ka thënë atyre se do të vinte nga Greqia vëllai i tij dhe se do ta mbyllnin këtë problem si të ishte më mirë. Të nesërmen A. ka marrë në telefon P. dhe i ka thënë që të mos dilnin nga shtëpia se do t’i vrisnin. Sipas familjarëve të të ndjerëve, P. dhe H. kanë takuar edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Pukë dhe i kanë thënë shqetësimin që kishin dhe ngjarjen e ndjekjes me armë të nipave të tyre F.

12

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 dhe K. nga pjestarët e familjes P. dhe kërcënimin që u ka bërë më pas A. Njëkohsisht të ndjerit, vëllezërit dhe nipat e tyre kanë vënë në dijeni nëpërmjet telefonit dhe drejtpërdrejtë edhe specialistin e policisë së rendit L.L., i cili mbulon zonën ku ata banojnë. Sipas tyre, Shefi i Komisariatit u ka kërkuar prova filmike lidhur me armën që autorët kishin, duke i filmuar ata me armë në dorë. Gjithashtu familjarët e të ndjerëve pretenduan se, policia ka neglizhuar ndjekjen e problemeve të tyre. Sipas tyre, nëse polica do të kishte vepruar konform ligjit për ndjekjen e kallëzimit të bërë nga F. ndaj tre pjestarëve të familjes P., ngjarja e rëndë e vrasjes së H. e P. M. dhe plagosja e katër personave të tjerë do të ishte parandaluar. Meqënëse u mor ky informacion të ri dhe shumë i rëndësishëm, lidhur me kallëzimin e bërë nga shtetasi F.M. për veprën penale të vrasjes të mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, grupi i punës u kthye përsëri në Komisariatin e Policisë Pukë për të bërë verifikime të mëtejshme të regjistrave të telefonatave dhe pyetjen e personave të cilët kishin marrë dijeni për kallëzimin e bërë nga shtetasi F.M. Nga këqyrja e “Librit të evidentimit të telefonatave të bëra nga publiku gjatë shërbimit” dhe “Libri i marrjes dhe dorëzimit të shërbimit në sallën operative” dhe “Komunikata operative e datës 27.05.2012” të këtij komisariati rezultoi se, në datën 26.05.2012 punonjësi i policisë së informacionit F.N. kishte regjistruar informacionin e dhënë në telefon nga shtetasi F.M. ku ky i fundit njoftonte policinë se shtetasi A.P. i kishte zënë pritë me automatik në afërsi të shtëpisë. Për këtë ngjarje nga F. ishte njoftuar Shefi i Komisariatit dhe disa punonjës policie të tjerë. Ky informacion ishte pasqyruar edhe në komunikatën operative të datës 27.05.2012 drejtuar Shefit të Komisariatit të Policisë Pukë nga specialisti i drejtimit në sallën operative F.N. Nga komunikata operative rezultonte se, pas konsultimeve me Shefin e Komisariatit është kërkuar që shtetasi F. M. të paraqitej në komisariat e të bënte kallëzim tek inspektoi i policisë së zonës L. L., i cili ka marrë detyrë që ta ndjekë e marrë kontakt me palët për sqarime dhe ndjekje procedure ligjore. Këto fakte, njoftimin e marrë në telefon nga shtetasi F.M. dhe njoftimin e bërë Shefit të Komisariatit dhe të punonjësve të tjerë të policisë për këtë ngjarje, punonjësi i policisë së informacionit F.N i deklaroi edhe gjatë pyetjes me procesverbal të bërë nga punonjësit tanë. Specialisti i policisë së zonës dhe oficeri i policisë gjyqësore L.L., pasi u pyet për herë të dytë rreth kallëzimit të bërë nga shtetasi F.M. për ndjekjen me armë nga shtetasit B., A. dhe S.P., pranoi se e kishte marrë kallëzimin e tij në datën 28.05.2012. Sipas tij, po atë ditë ai ka vënë në dijeni shefin e krimeve Q.G. dhe ndërkohë u ka marrë deklarime me shkrim shtetasve F.M. dhe A.P. Ai shpjegoi se pas pak minutash kallëzuesi ka tërhequr kallëzimin e bërë dhe në këto kushte ai nuk ka bërë asnjë veprim tjetër. Gjithashtu ai deklaroi se vepra penale e kallëzuar nuk i ishte referuar organit të Prokurorisë dhe kallëzimi e materialet procedurale nuk i ishin dërguar këtij organi, por ishin mbajtur prej tij me pretendimin se kallëzuesi kishte hequr dorë nga ankimi. Në përfundim të kryerjes së hetimeve administrative nga grupi i punës i zyres së Avokatit te Popullit u konstatua se: 1. Shefi i Komisariatit të Policisë Pukë R.B. dhe punonjësit e policisë të pyetur nga ana jonë duke përfshirë edhe specialistin e policisë së rendit që mbulon këtë zonë L.L. fshehën konfliktin kryesor të ndodhur para vrasjes, kallëzimin e bërë nga shtetasi F. M në datën 28.05.2012. Ne gjykojmë se ky kallëzim, sikurse u pasqyrua edhe më lart, bën fjalë për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë në bashkëpunim me autorë shtetasit B. S. dhe A.P. ndaj shtetasve F. dhe K.M te parashikuar nga nenet 78, 22 e 25 të K.Penal, të ndryshuar, si dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake nga shtetasi B.P. parashikuar nga neni 278 i K.Penal, të ndryshuar.

13

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Sikurse u provua nga këqyrja e dokumentave në Komisariatin e Policisë Pukë, si “Libri i evidentimit të telefonatave të bëra nga publiku gjatë shërbimit”, “Libri i marrjes dhe dorëzimit të shërbimit në sallën operative” në datën 26.05.2012 dhe “Komunikata operative e datës 27.05.2012”, njoftimi për veprën penale i dhënë në telefon nga shtetasi F.M. është regjistruar dhe për ngjarjen është vënë në dijeni Shefi i Komisariatit të Policisë Pukë R.B.i, oficeri i policisë gjyqësore L.L. dhe disa punonjës të tjerë policie. Ky fakt u provua edhe nga deklarimet e punonjësit të policisë së informacionit të këtij komisariati F.N. 2. Veprat penale të kallëzuara nga shtetasi F.M. nuk i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë jo vetëm ditën e ndodhjes së tyre, por as edhe pas marrjes me shkrim të kallëzimit të bërë prej tij në Komisariatin e Policisë Pukë. Kallëzimi i bërë nga shtetasi F.M. dhe materialet procedurale të tjera, si marrja e deklarimeve nga shtetasi F. M. dhe marrja e deklarimeve të shtetasit A.P. janë mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore L.L. Mosreferimi i veprës penale në organin e Prokurorisë dhe mosmarrja e masave për ndjekjen e kallëzimit, vijnë në kundërshtim të plotë dhe të hapur me detyrimet e parashikuara në nenin 293/1 e 2 të K.P.Penale.3 Justifikimi i punonjësit të policisë L..L. se nuk i ka referuar organit të prokurorisë veprat penale dhe nuk i kanë dërguar këtij organi kallëzimin sepse kallëzuesi hoqi dorë nga kallëzimi i bërë, vjen plotësisht në kundërshim me dispozitat e K.P.Penale. Për këtë veprim oficeri i policisë gjyqësore L.L. ka mbajtur edhe një procesverbal “Për heqjen dorë nga e drejta e ankimit”. Këtë procesverbal ai e ka bazuar në nenin 285/1 të K.P.Penale.4 Konstatojmë se ky veprim i tij është në kundërshtim të plotë me ligjin procedural dhe me vetë dispozitën ku ai e ka bazuar këtë procesverbal. Vepra penale e vrasjes (mbetur në tentativë) dhe ajo e mbajtjes pa leje të armëve luftarake nuk hyn në grupin e atyre veprave penale të parashikuara nga neni 284 i K.P.Penale, për të cilat ndjekja penale mund të fillojë vetëm me ankimin e të dëmtuarit, i cili mund ta tërheqë atë në çdo fazë të procedimit. Heqja dorë nga ankimi, sipas nenit 285 të K.P.Penale, bëhet vetëm për ato vepra penale që janë parashikuar në nenin 284 të K.P.Penale,5 si nenet 89, 102/1, 105, 106, 130, 239, 240, 241, 243, 264, 275 dhe 318 të K.Penal dhe jo për të gjitha veprat penale, sikurse është bërë në këtë rast. Punonjësit e policisë, Shefi i Kamisariatit R.B., specialisti i policisë së zonës L.L. dhe punonjësit e tjerë të policisë (emrat e të cilëve do t’i zbardhë hetimi penal), me cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore kishin detyrimin të bënin referimin e veprës penale në organin e prokurorisë dhe të merrnin masat e nevojshme të parashikuara në nenin 294/1 të K.P.Penale.6

3 Sipas nenit 293/1 të K.P.Penale, me marrjen njoftim për një vepër penale, policia gjyqësore, pa vonesë, i referon prokurorit, me shkrim, elementët thelbësor të faktit dhe elementet e tjera që janë mbledhur deri atëherë. Ndërsa sipas nenit 293/2 të këtij kodi, kur ka urgjencë dhe në rastet e krimeve të rënda, njoftimi bëhet menjëherë dhe me gojë. Ndërsa sipas nenit 293/2 të këtij kodi, kur ka urgjencë dhe në rastet e krimeve të rënda, njoftimi bëhet menjëherë dhe me gojë. 4 Sipas nenit 285/1 tw K.Pr.Penale, heqja dorw nga e drejta e ankimit bwhet personalisht ose nwpwrmjet pwrfaqwsuesit me deklaratw tw nwnshkruar ose me gojw para prokurorit ose njw oficeri tw policsw gjyqwsore, i cili mban procesverbal tw nwnshkruar detyrimisht nga deklaruesi. 5 Sipas nenit 284/1 tw K.Pr.Penale, pwr veprat penale tw parashikuara nga nenet 89, 102/1, 105, 106, 130, 239, 240, 241, 243, 264, 275 dhe 318 të K.Penal, ndjekja penale mund tw fillojw vetwm me ankimin e tw dwmtuarit, i cili mund ta twrheqw atw nw çdo fazw tw procedimit. 6 Sipas nenit 294/1 tw K.Pr.Penale, edhe pas referimit tw veprw penale policia gjyqwsore vazhdon të kryejw funksionet e treguara në nenin 30, duke grumbulluar e fiksuar çdo element të vlefshëm për rindërtimin e faktit dhe për individualizimin e fajtorit. Ajo (policia gjyqësore) procedon sidomos: a) për kërkimin dhe fiksimin e sendeve dhe të gjurmëve të veprës penale, si dhe ruajtjen e tyre si dhe të vendit të ngjarjes për aq kohë sa ajo është e domosdoshme; b) për kërkimin dhe pyetjen e personave që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit;

14

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Këto qëndrime të punonjësve të policisë vijnë në kundërshtim edhe me: I. Nenin 3 të ligjin nr. 8677, datë 02.111.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, të ndryshuar, ku parashikohen funksionet e Policisë Gjyqësore.7 II. Nenin 1/2 të ligjit nr. 9749, datë 04.06.2007 Për Policinë e Shtetit”.8 III. Nenin 4/1 të ligjit të cituar më sipër ku parashikohen përgjegjësitë e policisë.9 Nga analiza ligjore e provave të administruara, e fakteve dhe e rrethanave të kryerjes së veprimeve dhe mosveprimeve të punonjësve të Komisariatit të Policisë Pukë kemi arritur në konkluzionin se: 1. Ngjarja e ndodhur në datën 29.06.2012 është tragjike, janë vrarë dy shtetas, vëllezër dhe janë plagosur katër persona të tjerë, tre të afërm të viktimave dhe një nga autorët e vrasjes. 2. Pretendimet e familjarëve të viktimave se shkak për ndodhjen e kësaj tragjedie ka qënë Komisariati i Policisë Pukë ne opinionin e zyres tone qëndrojnë. Sikurse u përshkrua edhe më sipër, nga ana jonë u provua se qëndrimi i policisë i mbajtur në rastin e kallëzimit të bërë nga shtetasi F.M., është në kundërshtim të hapur me detyrimet ligjore, të cituara më lart, që ajo ka. Kryerja nga punonjësit e policisë të disa veprimeve në kundërshtim me ligjin, sikurse është procesverbali për heqjen dorë nga e drejta e ankimit, insistimi i punonjësve të policisë ndaj kallëzuesit për të hequr dorë nga kallëzimi dhe mos kryerja e detyrimeve ligjore të përshkruara më sipër për referimin e veprës penale në organin e Prokurorisë, për marrjen e masave organizative për ndjekjen e këtij kallëzimi konform rregullave procedurale e ligjore, ka sjellë edhe ndodhjen e ngjarjes së rëndë dhe ardhjen e pasojës kriminale ku kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur katër të tjerë.

c) për kryerjen e veprimeve të caktuara në nenet vijuese. 7 “1. Policia Gjyqësore, me cilësinë e subjektit të procedimit penal, kryen këto funksione: a) merr dijeni për veprat penale; b) parandalon ose pengon pasojat e mëtejshme që rrjedhin nga veprat penale; c) kërkon autorët e veprave penale; ç) kryen veprimet e nevojshme për të siguruar burimet e provës dhe për të grumbulluar gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal; d) kryen çdo hetim dhe veprim të urdhëruar ose të deleguar nga organi procedues; dh) kryen veprime procedurale për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale; e) kryen veprime në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale penale me autoritetet e huaja brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; ë) kryen veprimet në zbatim të ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009 "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë; f) kryen çdo detyrë të tjetër të parashikuar në legjislacionin në fuqi. 2. Funksionet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni ushtrohen nga oficerët dhe agjentët e Policisë Gjyqësore. 3. Policia Gjyqësore dokumenton kryerjen e funksioneve të saj në përputhje me rregullat e Kodit të Procedurës Penale". 8 “Misioni i Policisë është të ruajë rendin dhe sigurinë publike, në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut”. 9 “a) të mbrojë jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale; b) të parandalojë, të zbulojë dhe të hetojë, në përputhje me ligjin penal dhe me ligjin procedural penal, veprat penale dhe autorët e kryerjes së tyre; c) të mbrojë rendin dhe sigurinë publike; dh) të mbrojë individë, mjedise dhe objekte të caktuara nga rreziqe të mundshme; ë) të kryejë detyrat e parashtruara në këtë ligj, në ligje të tjera, si dhe në aktet nënligjore, të cilat parashikojnë detyra për Policinë”.

15

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Kemi bindjen e plotë se, nëse drejtuesi dhe punonjësit e Komisariatit të Policisë Pukë do të kishin referuar veprën penale në organin e prokurorisë dhe nëse do t’i kishin sugjeruar këtij organi kryerjen e disa veprimeve procedurale, si kontrollin e banesës së autorëve, përgjimin e bisedave të tyre, vënien në vëzhgim dhe metoda pune të tjera të ligjshme, autorët do të ishin arrestuar, armët do t’u ishin sekuestruar dhe vrasja e plagosja e ndodhur në datën 29.06.2012 do të ishte parandaluar. Sjellim në vëmëndje se, sipas pjestarëve të familjes M. dhe oficerit të policisë gjyqësore L.L., policia i ka bërë kontroll banese shtetasit A.M. për rastin e kundërvajtjes penale “Dëmtime të tjera me dashje” të kryer prej tij ndaj shtetasit A.P. Ndërsa në rastin e kallëzimit të shtetasit F. M. për krimet e vrasjes së mbetur në tentativë dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, nuk u ka bërë kontroll banese autorëve, shtetasve B. A. dhe S. P.? Sikurse rezulton nga hetimi i këtij rasti, qëndrimi i punonjësve të Komisariatit të Policisë Pukë, duke filluar nga Shefi i Komisariatit dhe punonjësit e tjerë është i kundërligjshëm. Ky qëndrim duke e fshehur kallëzimin e bërë nga pjestarët e familjes së viktimave për dy vepra penale të rënda dhe reagimet e tyre për t’i “zgjidhur” problemet me mënyra e mjete të kundërligjshme sikurse është bërë në këtë rast, si dhe duke moskryer detyrimet ligjore, ka sjellë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e disa shtetasve. Nisur nga realiteti i vendit tonë, gjykojmë se kjo ngjarje mbart edhe rrezikun që vrasja e kryer për hakmarrje të shndërrohet në seri vrasjesh për gjakmarrje ndërmjet dy familjeve, siç edhe ka ndodhur në disa raste të tjera. Ndërkohë jemi të mendimit se kjo ngjarje ka cënuar edhe imazhin e Policisë së Shtetit. Qëndrimet e punonjësve të policisë R.B., L.L. etj, në këtë rast, duke kryer dhe moskryer me dashje disa veprime, janë në kundërshtim me ligjin dhe përbëjnë mos përmbushje të rregullt të detyrës që iu është ngarkuar atyre, njëri si drejtues i Komisariatit të Policisë dhe të tjerët duke përfshirë edhe atë vetë si oficerë të policisë gjyqësore. Këto veprime dhe mosveprime të tyre kanë sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshme të shtetasve duke humbur jetën dy persona dhe plagosur katër të tjerë. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre ata kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të K.Penal. Për këtë ngjarje nga Zyra e Avokatit te Popullit u bënë tre rekomandime, respektivisht: - Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë: a. Fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të punonjësve të Komisariatit të Policisë Pukë R.B., L.L. etj, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të K.Penal. b. T’i kërkohet Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë marrja e masës ndaluese të parashikuar nga neni 240/1/a i K.P.Penale “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, duke i pezulluar nga detyra Shefin e Komisariatit të Policisë Pukë R.B. dhe oficerin e policisë gjyqësore L.L. deri sa të përfundojnë hetimet. Kjo masë të kërkohet me arsyetimin, se duke qënë në detyrë, njëri drejtues i këtij komisariati dhe tjetri oficer i policisë gjyqësore, ekziston rreziku që të zhdukin provat e fajësisë së tyre. Rekomandimi u pranua dhe nga organi i prokurorisë filloi ndjekja penale ndaj katër punjësve të policisë konkretisht Shefit të Komisariatit R.B., oficerit të policisë gjyqësore L.L., shefit të

16

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 parandalimit dhe hetimit të krimeve të lehta Q.G. dhe specialistit për hetimin e krimeve të rënda K.Z. Gjithashtu ata të katër u pezulluan nga detyra me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë. -Rekomanduam Komisariatit të Policisë Pukë që t’i referojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë veprat penale të kallëzuara nga shtetasi F.M. në datën 28.05.2012. Rekomandimi i pranua dhe kallëzimi iu referuar organit të Prokurorisë Pukë. -Rekomanduam Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shteti: a. Të merren të gjitha masat e nevojshme për kapjen sa më shpejtë të bashkëautorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, të cilët duke qënë të lirë dhe të armatosur vazhdojnë të përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë publike. b. Analizimin me objektivitet, me transparencë dhe luajalitet të shkaqeve që çuan në ndodhjen e masakrës në fshatin Qelëz të rrethit Pukë në datën 29.06.2012 dhe nxjerrjen e përgjegjësive administraive. c. Fillimin e ecurisë disiplinore ndaj punonjësve të policisë që kanë bërë shkelje ligjore, por që nuk kanë përgjegjësi penale. d. Përgjithësimin e këtij rasti në të gjitha organet e Policisë së Shtetit, me qëllim që ngjarje të tilla, të mosreferimit të veprave penale në organit e Prokurorisë dhe të mosndjekjes konform ligjit të kallëzimeve të marra nga shtetasit të mos përsëriten në të ardhmen.

Konkluzione nga hetimi i këtij rasti, te cilat vlejne edhe per me gjere:

Nga hetimi administrativ që u bë nga institucioni ynë i shkaqeve të gjakmarrjes rezultoi: - Ngjarja tragjike e vrasjes për hakmarrje të dy personave dhe plagosja e katër personave të tjerë u krye për faj të organit të policisë Komisariatit të Policisë Pukë, drejtuesit dhe punonjësve të tij, të cilët sikurse u analizua më lart nuk kanë kryer detyrat ligjore për administrimin e kallzimit të bërë nga familjarët e viktimave ndaj autorëve dhe të afërmve. Policia jo vetëm që nuk kreu veprimet e para hetimore procedurale, por ajo edhe më vonë nuk referoi veprat penale të ndodhura në organin e Prokurorisë. - Është i njohur fakti se vrasjet për gjakmarrje janë një fenomen i prejardhur nga vrasjet për hakmarrje. Nëse organet shtetërore nuk reagojnë me forcën e ligjit në rastet e vrasjeve për hakmarrje, ekziston rreziku potencial që ato të shndrohen në seri vrasjesh për gjakmarrje ndërmjet familjarëve dhe të afërmeve të të vrarit dhe vrasësit. - Ky fenomen është i lidhur ngushtë me shkallën e besimit që njerëzit kanë tek shteti dhe organet e tij. Nëse shtetasit kanë besim tek shteti, ata nuk hyjnë në rrugën e mundimshme të vetgjyqësisë dhe e kundërta nëse nuk kanë besim tek shteti i drejtohen kësaj rruge. -Një nga organet e administratës publike që ka një rol të rëndësishëm në këtë fenomen është Policia e Shtetit. Ajo është organi i parë që ndeshet me të, jo vetëm për faktin se njoftohet e para për krimin e ndodhur, por është ajo që kryen edhe veprimet e para procedurale duke filluar që

17

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 nga këqyrja e vendit të ngjarjes, grumbullimin e provave të fajësisë, parandalimin e pasojave të mëtejshme të veprës penale etj. Pra ajo mund të bëjë shumë për parandalimin e tij. - Në momentet e para të ndodhjes së një krimi për hakmarrje, nga personat e afërm të viktimave të vrarë për hakmarrje shpesh dëgjohet të shprehen se “po presim reagimin e shtetit”. Kjo është aktuale dhe këtë e kemi dëgjuar edhe nga deklarime të personave që kanë patur tragjedi të tilla edhe kohët e fundit, rasti i vrasjeve në Thumane. Nga kjo shprehje e tyre kuptojmë se pavarësisht reputacionit të shtetit, përsëri njërëzit kanë besim tek ai. - Besojmë se jemi të të njëjtit mendim se kush kryen një krim shpejt a vonë do të përgjigjet para drejtësisë, të paktën nga statistikat reth 90% të rasteve kështu ndodh. Duke e ditur këtë rrezik që do të përballen me drejtësinë, askush nuk dëshiron që të kufizojë lirinë e tij dhe të bëj një krim për të marrë gjakun e familjarit apo të afërmit të tij. Ndërsa kur shteti nuk vepron, atëherë njerëzit humbasin besimin dhe kërkojnë ta marrin vetë hakun për vrasjen e ndodhur. - Nëse institucionet ligj zbatuese do të kryejë me korrektesë dhe përkushtim misionin e vet ligjor për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, ku mbrojtja e jetës së shtetasve është detyra kryesore e saj, ajo ndikon shumë. Në këto raste ajo duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për zbulimin dhe kapjen brenda një kohe të shkurtër të autorit apo autorëve të vrasjes për hakmarrje apo për gjakmarrje, të grumbullojë provat e fajësisë, të bëjë një hetim të plotë dhe të shpejtë ngjarjes dhe së bashku me organin e prokurorisë ta dërgojnë atë me të gjitha provat para gjykatës për t’u gjykuar, atëherë familjarët e viktimës do të qetësohen dhe do t’u lehtësohet deri diku dhimbja që ju është shkaktuar. Në këto rrethana ata nuk kanë shkaqe për t’u futur në rrugën e krimit nëpërmjet vetgjyqësisë. - Organet e policisë mund të ndikojnë shumë edhe në parandalimin e fenomenit të ngujimit të familjarëve të vrasësit, i cili është një nga pasojat e krimit të gjakmarrjes. Sipas K.Penal, kanosja për t’u ngujuar dhe nxitja për gjakmarrje perbejne veper penale dhe dënohet panalisht. Policia dhe Prokuroria nuk duhet t’i lerë jashtë objektit të punës së vet këto fenomene që janë me pasoja të shumllojta. Ajo duhet të mbajë kontakte miqësore me familjarët e vrasësit dhe ata të viktimës, duke u krijuar besimin tek ata se do t’u qëndrojë pranë. Duke u qëndruar pranë t’u marrë informacione nëse ndokush nga pala tjetër i ka kërcënuar për t’u ngujuar, apo ka nxitur e shtyrë për gjakmarrje palën tjetër të të vrarit. Këto informacione duhet t’i shfrytëzojë për të parandaluar krime të tjera dhe të verë para përgjegjësisë ligjore autorët e tyre. Me kompetencat që i janë dhënë Policisë së Shtetit e cila ka edhe atributet e policisë gjyqësore dhe me mjetet teknike që ka në dispozicion, ajo ka mundësi shumë më të mëdha se më parë për të kryer misionin e vet me mjetet dhe metodat ligjore dhe pa cënuar të drejat e njeriut. - Mosreagimi nga policia në kohë për të kryer detyrat ligjore është me pasoja shumë të rënda dhe bëhet shkak për ndodhjen në të ardhmen e afërt të krimeve të tjera, sikurse është rasti që sapo hetuam në rrethin e Pukës. Kemi bindjen e plotë se, nëse drejtuesi dhe punonjësit e Komisariatit të Policisë Pukë do të kishin referuar veprën penale që kishte ndodhur ndërmjet pjestarëve të këtyre dy familjeve në organin e prokurorisë dhe nëse do t’i kishin sugjeruar këtij organi kryerjen e disa veprimeve procedurale, si kontrollin e banesës së autorëve, përgjimin e bisedave të tyre, vënien në vëzhgim dhe metoda pune të tjera të ligjshme, autorët do të ishin arrestuar, armët do t’u ishin sekuestruar dhe vrasja e plagosja e ndodhur në datën 29.06.2012 do të ishte parandaluar.

18

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 - Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes së këtij fenomeni edhe roli që luajnë organet e Prokurorisë dhe Gjykatës. - Organet e prokurorisë gjatë hetimit të këtyre veprave penale duhet të caktojnë në krye të hetimit prokurorë me eksperiencë dhe me nivel të lartë profesional . - Kërkohet hetim i plotë, i gjithanshëm, objektiv dhe i shpejtë i ngjarjeve të tilla dhe i autorëve të tyre. Nuk duhet mjaftuar vetëm me zbulimin e autorit të vrasjes, ekzekutorit, por duhet zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tij, sikurse janë nxitësit e kryerjes së krimit etj. - Ndaj autorëve të krimit të gjakmarrjes dhe hakmarrjes prokurorët duhet të kërkojnë dënime maksimale. - Organet e gjykatës duhet të gjykojnë çështjet e kësaj natyre në mënyrë të plotë, me objektivitet dhe me shpejtësi, mundësisht me gjykim të pandërprerë. - Ndaj autorëve të këtij krimi duhet të japin dënime maksimale. Theksojme se realizimi i strategjisë kombëtare për parandalimin dhe për luftën kundër gjakmarrjes lidhet drejtpërdrejt me organizimin, drejtimin, e bashkëpunimin e organeve shtetërore me organizatat joqeveritare, me gjithë elementet përbërës të shoqërisë civile dhe krejt opinionin publik, duke zbatuar secili detyrat e përcaktuara në ligj si dhe angazhimet e ndërmarra në programet e tyre. Përparimi i shoqërisë sonë krahas popujve të tjerë të qytetëruar kërkon që të kapërcejmë edhe këtë sfidë bashkë me sfidat e tjera.

V Trajtimi i rasteve të prekura nga fenomeni i gjakmarrjes në disa prej njësive të qeverisjes vendore të vendit.

BASHKIA SHKODËR

Gjatë kësaj periudhe informon se në skemën e ndihmës ekonomike aktualisht janë të përfshira 45 familje që kanë probleme me gjakmarrjen. Nga programet mbështetëse që kanë aktorë të tjerë si OJF, qendra komunitare etj, adresohen nga zyra sociale e bashkisë të gjithë individët që kanë nevojë për mbështetje sociale. Gjithashtu nga Njësisia e Mbrojtjes së Fëmijëve, pranë kësaj bashkie evidentohen dhe koordinohet puna në rrjet me të gjithë institucionet dhe OJF rastet që mund të paraqiten pranë kësaj njësie, për të marrë shërbimet dhe ndihmën e kërkuar duke ndikuar në lehtësimin e situatës në të cilën ato ndodhen. Në programet e arsimit gjithëpërfshirës, Projektit “Shansi i dytë” përfitojnë shumica e fëmijëve të ngujuar nga i gjithë Qarku, konkretisht janë 28 nxënës nga të cilët 18 janë vajza që ndjekin programin mësimor falë këtij projekti që implementon DAR Shkodër.

19

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 BASHKIA KOPLIK

Në Bashkinë Koplik janë disa familje që vuajnë pasojat e gjakmarrjes. Pavarësisht masave të marra dhe ndërhyrjeve të herëpasherëshme nga institucione publike e jopublike për përmirësimin e situatës, duhet të themi se situata nuk është zgjidhur. Bashkia ka ndihmuar këto familje duke i trajtuar me ndihmë ekonomike në maksimumin e kufirit të përcaktuar nga ligji, janë dërguar pranë këtyre familjeve mësues dhe psikologë për të ndihmuar në edukimin e fëmijëve dhe pakësimin e pasojave psikologjike që shkakton ky fenomen tepër negativ i shoqërisë tonë, aktivitet ky i kryer në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Malësisë së Madhe.

BASHKIA PESHKOPI

Nga Bashkia Peshkopise për rastet e ngujimit ofrohen të gjitha shërbimet dhe nevojat që kanë këto familje, gjithashtu bashkëpunon edhe me aktorë të tjerë të cilët ofrojnë shërbime në Peshkopi për këtë kategori. Shërbimet e ofruara janë: Mbrojtje të familjes në bashkëpunim me policinë, Shërbim shëndetësor, Përkrahje sociale, Shërbim social ku janë nën kujdesin e punonjësit social, Punonjësi Social ndjek këto raste dhe ndihmon familjen për nevojat e tyre, informon ato për çdo shërbim që u takon si dhe i zbaton ato. Aktualisht në Bashkinë Peshkopi kemi vetëm një rast gjakmarrje. Kjo familje, familja “Ziza”, ka qënë e ngujuar në Peshkopi për një periudhë të shkurtër ku i janë ofruar të gjitha shërbimet e duhura.

VI

Institucionet Qendrore

Ministria e Shëndetësisë, Gjakmarrja si dukuri shoqërore me nuanca primitiviteti ka pasoja të rënda në margjinalizimin e shoqërisë nëpërmjet izolimit të saj, traumatizon personalitetin e fëmijëve, duke kultivuar në familje ndjenjën e krimit, të urrejtjes, të dëshpërimit dhe të përbuzjes shoqërore, e bën familjen ekonomikisht të varfër, rëndon situatën sociale të njerëzve, që kërkojnë kujdes të veçantë etj. Për të zbutur pasojat e këtij fenomeni të tmerrshëm dhe vetëgrryes të shoqërisë sonë, Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale ka mundësuar orientimin me përparësi të programeve shtesë të ndihmës ekonomike, kryesisht, me programe ushqimore. Per familjet e ngujuara nga gjakmarrja behet e ditur se; përfitojnë shërbim shëndetësor sipas paketës bazë të Kujdesit Shëndetësor Parësor që çdo qendër shëndetësore nëpërmjet mjekut të familjes u ofron pacientëve që janë rregjistruar pranë saj. Në rastin konkret kjo kategori, shërbimet i merr kryesisht në shtëpi. Për gjendje shëndetësore që kërkojnë trajtim më të specializuar, mundësohet vizita në bashkëpunim me shërbimin spitalor të rrethit gjithmonë në kushte shtëpiake. Politika sociale e shtetit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të të moshuarve, apo të njerëzve me probleme gjakmarrjeje ka qenë dhe do të jetë më e përmiresuar në të ardhmen.

20

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ka ndërmarrë të gjitha iniciativat e mundshme për përfshirjen e familjeve të prekura ky fenomen në të gjitha politikat institucionale të fushës së edukimit, punësimit, ndihmës ekonomike, përkujdesjes shoqërore, angazhimeve lokale dhe kombëtare. Bëhet me dije se kjo kategori mund të përfitoje nga skema e pagesës së papunësisë, ndërsa pjesëmarrja e tyre në programet e nxitjes së punësimit që zbatohen nga ana e Shërbimit Kombëtar te Punësimit është e vështirë për kushtet e tyre specifike. Të gjithë shtetasit shqiptarë kanë akses dhe përfitojnë nga Programet e Mbrojtjes Sociale, të cilat janë të parashikuara në Ligjin 9355 datë 10.03.2005 “Mbi ndihmën ekonomike dhe shërbimet shoqërore”, i ndryshuar. Programet e mbrojtjes Sociale kanë të bëjnë me përfshirje më të gjërë sociale të kategorive në nevojë, të parashikuara në këtë ligj dhe mbulojnë skemën e ndihmës ekonomike dhe pagesave në cash, si dhe aksesin në shërbimet shoqërore. Këto shërbime ofrohen nga institucionet publike dhe jopublike, të liçensuara nga ligjet në fuqi. Programet e mbrojtjes sociale implementohen nga Pushteti Vendor dhe të gjitha rastet specifike evidentohen dhe verifikohen nga administratorët shoqerorë të komunave dhe bashkive. Ky proçes realizohet drejtpërdrejtë nga strukturat vendore. Këta persona mund të përfitojnë direkt nga programet e mbrojtjes sociale në bashkëpunim me strukturat vendore. Objekt i mbrojtjes sociale janë dhe shërbimet shoqërore, të cilat ofrohen edhe nga subjekte jopublike që mbështesin në mënyrë të veçantë këto raste specifike. Programet e tyre mund të marrin në mbrojtje të drejtpërdrejtë rastet e familjeve në gjakmarrje, përtej referimeve përkatëse të rasteve specifike në institucionet e përkujdesit shoqëror publik. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta thekson faktin se gjatë veprimtarisë së saj ka në fokus grupet në nevojë duke synuar nëpërmjet politikave, programeve dhe strategjive që zbaton, përfshirjen e tyre sociale dhe integrimin e tyre në të gjitha aspektet. Megjithëse INSTAT nuk disponon informacion lidhur me numrin e familjeve në gjak ose të ngujuara dhe vendndodhjen e tyre, nisur nga të dhënat e dërguara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, bashkëlidhur gjeni të dhëna statistikore në funksion të këtij Raporti.

VII

Konkluzione dhe Rekomandime

Një nga sfidat, me të cilat ndeshet shoqëria dhe shteti shqiptar në kete dekade është edhe fenomeni i gjakmarrjes dhe hakmarrjes, zakon i trashëguar nga e kaluara e lashtë, i papajtueshëm me parimet e shoqërisë së qytetëruar dhe të shtetit të të drejtës. Ajo sjell pasoja shoqërore të rënda, me marrjen e jetës së njerëzve, me ngujimin e mjaft familjeve, duke i rrënuar ekonomikisht dhe duke i shkëputur nga jeta politike-shoqërore, si dhe duke lënë fëmijët pa shkollë. Pra, është fakt se në vendin tonë shkelen, rrezikohen ose nuk zbatohen disa nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.

21

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 Gjakmarrja por është fenomen i lokalizuar në disa zona dhe me përmasa të kufizuara, por ajo përbën problem shqetësues dhe prandaj meriton të vlerësohet seriozisht, si nga pikëpamja politike, ashtu dhe ajo shoqërore. Por për fat të keq, organizmat shtetërorë ende nuk kanë arritur të bëjnë vlerësimin e duhur të kësaj situate të krijuar, si dhe të mendojnë e të punojnë në bashkëveprim të ngushtë me njëri-tjetrin. Këtë e tregon fakti se nuk ka statistika të sakta. Fenomeni i mësipërm mund të luftohet me efektivitet vetëm në qoftë se shteti dhe shoqëria civile do të punojnë sipas një strategjie të përbashkët. Avokati i Popullit synon edhe me anë të këtij raporti në sensibilizimin dhe angazhimin më të madh të organeve shtetërore e të shoqërisë civile për parandalimin dhe për luftën kundër krimeve ndaj jetës, veçanërisht kundër gjakmarrjes e hakmarrjes. Gjithashtu Qeveria Shqiptare duhet të ndikojë mbi organet e administrates publike në varësi të saj për vlerësimin e fenomenit të gjakmarrjes, si dhe të forcojë bashkëpunimin e mbështetjen për organizatat joqeveritare për parandalimin e gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Organet e Policise së Shtetit të marrin masa për parandalimin e konflikteve, për zbulimin, kapjen dhe dorëzimin e gjithë fajtorëve organeve të prokurorisë, duke forcuar edhe bashkëpunimin me Interpolin për ekstradimin e vrasësve, që fshihen jashtë shtetit. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës duhet të luajë rol më të madh pozitiv e parandalues për përmirësimin e programeve mësimore, që të sigurohet edukimi i brezit të ri me frymen e tolerancës, kundër vetëgjyqësisë, hakmarrjes e gjakmarrjes, si dhe për trajtimin e mësuesve të zonave, ku është e përhapur gjakmarrja, që të ndihmojnë nxënësit e ngujuar. Problemet sociale të familjeve të ngujuara kërkojnë një angazhim më të madh të shtetit, posaçërisht të Ministrisë së Punës e të Çështjeve Sociale, që, nëpërmjet zyrave rajonale, të ndihmojnë familjet e ngujuara me të ardhura të pamjaftueshme, si dhe për të ulur nivelin e varfërisë e të papunësisë. Organet e prokurorisë duhet të bashkëpunojnë më mirë me policinë dhe të zhvillojnë hetime të shpejta, të plota e objektive, duke ia dërguar çështjet për gjykim, me prova sa më të plota, gjykatës. Gjykatat kanë për detyrë t’i gjykojnë shpejt dhe të caktojnë dënime të drejta për çdo fajtor. Çdo dënim i butë, apo pafajësi e pabazuar i lë shteg vetëgjyqësisë, hakmarrjes e gjakmarrjes vetjake. Avokati i Popullit, nëpërmjet veprimtarisë së tij për zgjidhjen e ankesave të qytetarëve, do të veprojë aktivisht në parandalimin e konflikteve dhe të pasojave të tyre në përgjithësi dhe në veçanti atyre të gjakmarrjes dhe hakmarrjes. Institucioni do të vazhdojë sensibilizimin e të gjithë administratës publike shqiptare dhe të shoqërisë civile, të organeve ligj zbatuese, të drejtësisë, etj, që të realizohen këto rekomandime dhe punën e tyre ta matin me rezultatet pozitive që priten. Sa me lart trajtuam kërkojmë nga Ju të nderuar deputetë të nxitsi organet e pushtetit qendror, dhe ato vendore, si bashkitë dhe komunat, këshillat komunalë e bashkiakë, kryepleqtë, që të

22

DRAFT/RAPORT MBI FENOMENIN E GJAKMARRJES 2013 bashkëpunojnë me organet e tjera si: policia, drejtoritë arsimore dhe ato të punës dhe të çështjeve sociale, me OJQ-të, për t’i minimizuar dhe zhdukur fenomenet e gjakmarrjes dhe hakmarrjes si dhe duke hequr njerëzit nga ngujimi, që fëmijët të shkojnë në shkolla dhe njerëzit të ndihmohen edhe me mjete jetese, duke kontribuar kështu në uljen e mundësive dhe premisave për krimin e gjakmarrjes dhe hakmarrjes në mbroitjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në vendin tonë.

23