VENDOSA - State Supreme Audit-Shitjen e sipërfaqeve funksionale të objekteve të privatizuar më...
Transcript of VENDOSA - State Supreme Audit-Shitjen e sipërfaqeve funksionale të objekteve të privatizuar më...
1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KONTROLLI I LARTË I SHTETIT
KRYETARI
Adresa: Blv“Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë; E-mail: klsh.org.al; Web-site: www.klsh.org.al
Nr. 957/12 Prot. Tiranë, më 31.12.2017
V E N D I M
Nr. 220, Datë 31.12.2017
PËR
AUDITIMIN E USHTRUAR NË MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË,
DREJTORIA E DREJTIMIT TË PRONËS PUBLIKE “MBI PËRPUTHSHMËRINË
ME KRITERET E SHITJES DHE TRANSFORMIMIT TË PRONËS SHTETËRORE”
(për periudhën nga data 01.01.2016 deri më datën 31.08.2017)
Nga auditimi i ushtruar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Drejtimit të
Pronës Publike rezultoi se, kjo drejtori e ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me kriteret e
vlerësimit për pronën shtetërore që shitet apo transformohet, me përjashtim të çështjeve të cilat
janë theksuar në opinionin e auditimit, të cilat në shumicën e rasteve janë edhe si rrjedhojë e
veprimtarisë së institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces, që e japin efektin në
vlerësimin e vlerës së pronës dhe kufizueshmërinë e saj.
Pasi u njoha me Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe Projektvendimin e paraqitur nga
Grupi i Auditimit të Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit, shpjegimet e dhëna nga
subjekti i audituar, si dhe vlerësimet mbi objektivitetin dhe cilësinë e auditimit nga Drejtori i
Departamentit të mësipërm, Drejtori i Departamentit Juridik dhe Kontrollit të Zbatimit të
Standardeve të Auditimit dhe Etikës si dhe Drejtori i Përgjithshëm, në mbështetje të neneve
10, 15, 25 dhe 30, të ligjit nr. 154/2014 miratuar në datën 27.11.2014 “Për Organizimin dhe
Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”,
VENDOSA
I. Të miratoj Raportin Përfundimtar të Auditimit “Për Përputhshmërinë”, të ushtruar në
Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike sipas
programit të auditimit nr. 957/1 datë 19.09.2017, ndryshuar me shtesën e programit nr. 957/2
datë 15.11.2017, për veprimtarinë nga data 01.01.2016 deri më datën 31.08.2017
II. Të miratoj rekomandimet për përmirësimin e gjendjes dhe të kërkoj marrjen e masave sa
vijon:
2
A. OPINIONI I AUDITIMIT
Raporti Përfundimtar i Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit
Drejtuar: Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë
Opinioni i kualifikuar i Grupit të Auditimit mbi përputhshmërinë me kriteret e
vlerësimit të Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike
Ne kemi audituar përputhshmërinë e veprimtarisë së Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike
me ligjet dhe rregulloret në fuqi, duke përfshirë këtu procedurat dhe kuadrin ligjor dhe
rregullator për shitjen dhe transformimin e pronës shtetërore të formës truall, ndërmarrje,
ndërtesë apo aksione të kapitalit në shoqëri aksionere.
Bazuar në punën audituese të zhvilluar, ne konstatuam që përveç çështjeve të trajtuara në
bazën për kualifikimin e opinionit, çështjet subjekt auditimi të entitetit të audituar janë në
përputhje me kuadrin rregullator që përbën kriteret e vlerësimit mbi të cilën është kryer
auditimi.
Bazat për kualifikimin e Opinionit
Nga auditimi mbi përputhshmërinë, sa i takon shkallës së ndjekjes nga subjekti – Drejtoria e
Drejtimit të Pronës Publike, të rregullave, ligjeve dhe rregulloreve, politikave, kodeve të
vendosura apo termave dhe kushteve, mbi të cilat është rënë dakord (kriteret e auditimit të
përputhshmërisë), u konstatuan devijime materiale por jo të përhapura në:
-Përcaktimin e vlerës së shitjes së aksioneve të zotëruara nga shteti në shoqëritë me kapital të
përbashkët, të iniciuara nga institucioni publik përgjegjës edhe për miratimin e këtyre
vlerësimeve, duke detyruar këtë drejtori të shesë këto asete me një vlerë larg vlerës së tregut
në momentin e shitjes në një rast në shumën 308,111 mijë lekë.
-Klasifikimin e të ardhurave të përfshira si të realizuara nga kjo Drejtori për rastin e kthimit
në buxhetin e shtetit të shumave të paguara më parë për blerjen e një ish- hoteli, që nga
trajtimi kontabël nuk pasqyrohet si e ardhur e periudhës, por anulim i shpenzimeve për
investime të periudhave të mëparshëm në shumën 80,500 mijë lekë.
-Rastet e shitjes së sipërfaqeve funksionale për objektet e privatizuara më parë apo që
privatizohen rishtazi, në kundërshtim me sipërfaqen e përcaktuar në hartat treguese të
regjistrimit të pasurisë, ku vlerësimi i saj është subjekt i vlerësimit të një vlerësuesi, pa asnjë
relacion në lidhje me ndarjet e aplikuara të pronave.
-Krijimin e zonave pa servitut kalimi, gjatë shitjes së objekteve dhe sipërfaqen e tyre
funksionale apo truallin shtesë funksional.
-Mungesën e konfirmimit të pronësisë për pasurinë shtetërore që shitet apo transformohet, në
lidhje me statusin e pronësisë aktuale dhe të drejtat e parablerjes të njohura me vendime të
organeve kompetente, që ka krijuar edhe situatën e konflikteve të vazhdueshme gjyqësore ku,
nga databaza e vendimeve në proces evidentohen rreth 600 çështje në shqyrtim në sistemin
gjyqësor.
-Shitjes së pronave publike pa përmbushjen e afateve ligjore të kontratave të qirasë, në
kundërshtim edhe me statusin e regjistrimit të tyre në ZVRPP.
-Shitjen e sipërfaqeve funksionale të objekteve të privatizuar më parë në vendndodhje të pa
lidhura me njëra tjetrën, duke lejuar tjetërsimin e pasurisë shtet me kontrata të pa kthyeshme
shitjeje në një rast për truall në zona me prioritet zhvillimin e turizmit.
Ne e kemi kryer auditimin tonë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të
Sektorit Publik (ISSAIs) dhe konkretisht ISSAI 4000 “Standardi i Auditimit të
Përputhshmërisë” dhe ISSAI 4100 “Standardi i Audititmit të Përputhshmërisë për auditime
të performuara veçmas nga Auditimi i Pasqyrave Financiare”. Përgjegjësitë tona lidhur me
3
këto standarde janë përshkruar më hollësisht në seksionin “Përgjegjësitë e Audituesit për
Auditimin e Përputhshmërisë”, pjesë e raportit tonë përfundimtar. Ne jemi të pavarur
kundrejt subjektit të audituar, e theksuar kjo në ISSAI-n 10- Deklarata e Meksikës mbi
Pavarësinë e SAI-t, si dhe ISSAI 30- Kodi Etik, apo edhe çështje të tjera që lidhen me
auditimin. Ne i kemi përmbushur përgjegjësitë tona etike, në përputhje me standardet e
sipërpërmendura. Gjithashtu, ne besojmë se dëshmitë e mara gjatë punës sonë audituese janë
të mjaftueshme dhe të përshtatshme për të siguruar bazat për përgatitjen e opinionit të
auditimit.
Përgjegjësitë e drejtuesve të Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike mbi
Përputhshmërinë
Stafi drejtues i Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike është përgjegjës për shitjen e
pasurisë shtetërore dhe transformimin e saj në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret në
fuqi, ndër të cilat përmenden kriteret për shitjen e paketës së aksioneve shtetërore, kriteret për
shitjen e truallit dhe kriteret për shitjen e ndërmarrjeve publike.
Problematika lidhur me privatizimin e pronës shtetërore dhe rruga procedurale e ndjekur për
këtë qëllim, përfshin disa institucione të tjera shtetërore si ish- MZHETTS, ATP, ZVRPP,
ALUIZNI, njësitë e qeverisjes vendore dhe njësi të tjera publike shtetërore, për veprimtarinë
e të cilave, grupi i auditimit është shprehur në këtë material vetëm për sa i përket pjesës së
domosdoshme për pasqyrimin e procedurës së privatizimit, si dhe në lidhje me kompetencat
që mbartin këto institucione, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për iniciativë propozimesh
për ndryshime ligjore dhe nënligjore.
Përgjegjësitë e Audituesve të KLSH mbi Auditimin e Përputhshmërisë
Objektivat e punës sonë lidhen me garantimin e sigurisë së arsyeshme nëse çështjet subjekt
auditimi, nuk paraqesin devijime materiale nga kriteret e vlerësimit, kështu si pasaktësi apo
gabime që mund të kenë ekzistuar, si dhe për të konkluduar me një raport auditimi që
përfshin një opinion. Siguria e arsyeshme është një nivel i lartë sigurie, por nuk garanton që
auditimi i kryer në përputhje me standardet mundëson identifikimin e çdo gabimi apo
anomalie që mund të ekzistojë. Objektivi ynë është gjithashtu dhënia e një opinioni mbi
përputhshmërinë e aktivitetit të institucionit, me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, si dhe
përdorimin e duhur dhe eficient të burimeve financiare të institucionit. Bazuar në standardet
ISSAI, ne aplikojmë gjykimin dhe skepticizmin tonë profesional në punën audituese.
B. PROPOZIME PËR NDRYSHIME APO PËRMIRËSIME NË
LEGJISLACIONIN NË FUQI
A. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi për shitjen e paketës shtetërore të aksioneve të
zotëruara nga shteti në shoqëritë me kapital të përbashkët u konstatua se baza ligjore (VKM
nr. 230 datë 4.4.1998 “Për privatizimin e pjesëve të kapitalit të zotëruara nga shteti në
shoqëritë me kapital të përbashkët”, të ndryshuar, është e vjetër dhe nuk reflekton ndryshimet
e legjislacionit në vijimësi, për aq kohë sa ajo mbështetet në ligjin e vjetër për shoqëritë
tregtare të vitit 1992 dhe jo në ligjin nr. 9901 datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë
tregtare”, të ndryshuar. Gjithashtu kjo VKM lë hapësira në standardet e përdorura për
vlerësimin e paketës së aksioneve me vlerën e tregut, duke marrë parasysh që raportimi i
njësive ekonomike është i rregulluar me ligjin nr. 9228 datë 29.4.2004 “Për kontabilitetin
dhe pasqyrat financiare”, të ndryshuar, nga i cili rrjedh edhe detyrueshmëria për zbatimin e
standardeve të kontabilitetit, që rekomandojnë raportimin e njësive ekonomike në mënyrë që
4
vlera e pasqyruar në pasqyrat financiare vjetore të jetë e njëjtë me vlerën e tregut sipas
politikave të vendosura dhe çmuarve kontabël të drejtimit.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 1.1 faqe 17-18 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit).
B. Gjetje nga auditimi: Në VKM nr. 926 datë 29.12.2014 u konstatua se në procedurën e
shitjes së pronës shtetërore, në rast të zhvillimit jo të suksesshëm të ankandit të parë të
zhvilluar nga DDPP, kësaj drejtorie i legjitimohet e drejta e uljes së VAM (vlera e
amortizimit të mbetur, që shërben si vlera me të cilën dërgohet për shitje nga MZHETTS
prona) deri në masën 30% në zhvillimin e ankandit të radhës, pa specifikuar kritere dhe
metodologji për masën e uljes së aplikuar. Nga grupi i auditimit një gjë e tillë është vlerësuar
si dobësi e kontrollit të brendshëm, duke qenë se përcaktimi i vlerës është bazë e gjykimit
subjektiv të kësaj strukture, pa procedura të mirëfillta të implementuara për ushtrimin e një
gjykimi të tillë.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 1.1 faqe 20-23 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
C. Gjetje nga auditimi: Në VKM nr. 926, datë 29.12.2014 dhe VKM nr. 413, datë
25.06.2014, me ndryshime, kërkohen konfirmime nga palë të treta për konfirmimin e statusit
dhe pronësisë, sipërfaqes apo çmimit të tregut. Gjatë auditimit konstatohen në shumë raste
vonesa në kthimin e përgjigjes nga këto institucione që shkaktojnë zgjatje të procedurave të
shitjes nga ana e DDPP. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të pronësisë mbi truallin që do të
privatizohet, nga AKP/ATP nuk është bërë konfirmimi i dokumentacionit të pronësisë apo i
pronësisë mbi truallin, por në përgjigje të kërkesave të DDPP ajo shprehet me një formulim
standard, konkretisht:“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave disponon një bazë të
dhënash dixhitale e cila mundëson dhënien e informacionit vetëm duke u nisur nga emri i
subjektit të shpronësuar dhe/ose vendimi i dhënë nga organet administrative që kanë
përmbushur dhe përmbushin këtë sferë veprimtarie, si dhe vendime gjyqësore që kanë
disponuar më tej pronën. ATP mund të konfirmojë nëse ka vendim të mëparshëm apo
aktualisht ka kërkesë në proces shqyrtimi duke u bazuar në të dhënat që i referohen identitetit
të subjektit të shpronësuar” dhe se meqenëse ATP nuk garanton ndryshimet e vendimeve me
akte administrative apo gjyqësore, dhe në këtë rast nuk shprehet as për përfitimet e ish
trashëgimtarëve në një formë të përcaktuar nga ligji, ish pronarët shprehen me Deklaratë
Noteriale, si për mos ndryshueshmërinë e vendimeve, ashtu dhe për mos përfitim të
kompensimit në asnjë nga format e parashikuara nga ligji, si dhe nuk kanë procese gjyqësore
për pronën objekt privatizimi, kërkesë kjo e parashikuar në VKM nr. 926, datë 29.12.2014, i
ndryshuar. Vlerësojmë se kjo Deklaratë Noteriale është obligim për ish pronarët por kurrsesi
nuk është dokument vërtetues që të ofrojë siguri të mjaftueshme që në lidhje me pronën nuk
ka pasur përfitim fizik, monetar apo në një formë tjetër të parashikuar nga ligji.
Kjo për sa kohë që nuk vërtetohet nga institucioni përkatës shtetëror, grupi i auditimit nuk
mund të japë siguri në lidhje me pretendimet e palëve të treta për këto të drejta në të
ardhmen. Baza rregullatore nuk specifikon penalitete personale në rast të mos kthimit të
përgjigjes në kohë, në mënyrë që të shmangen problemet e evidentuara për vonesat dhe
statusin e vendimeve të pakonfirmuara nga ana e DDPP, si në drejtim të ndërprerjes së
procedurës, ashtu edhe në krijimin e sigurisë për këto vendime.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 1.1 faqe 20-23 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
D. Gjetje nga auditimi: Në VKM nr. 413, datë 25.06.2014 “Për përcaktimin e kritereve e të
procedurave të shitjes së trojeve në përdorim, sipërfaqe të domosdoshme, dhe trojeve shtesë
funksionale të ndërmarrjeve shoqërive tregtare, të objekteve shtetërore të veçuara, të
privatizuar, të objekteve apo ndërtesave të shitura të ish kooperativave bujqësore, si dhe të
5
ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit”, të ndryshuar, në KREU I, pika 3, që
bën fjalë për dokumentet që duhet të paraqesin subjektet, përcaktohet në pikën e) “Vërtetim
nga organet e pushtetit vendor për pagesën e qirasë së truallit në përdorim nga data e lidhjes
së kontratës së shitjes apo dhënies së lejes së ndërtimit deri më datën 7.6.2010”.
Ndërsa në pikën 7 thuhet: “Organet e qeverisjes vendore apo çdo organ tjetër shtetëror në
territorin e të cilit ndodhet objekti, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës
nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj
drejtorie, përkatësisht, vërtetimin që subjekti kërkues ka paguar qiranë e truallit nga data e
lidhjes së kontratës së shitjes së objektit deri në datën 7.6.2010, si dhe koeficientin e
bashkëpronësisë për objektet me dy a më shumë kate. Drejtoritë rajonale tatimore, brenda 10
(dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në
Ministrinë e Financave, duhet të konfirmojnë pagesën për taksën e përdorimit të truallit nga
data 7.6.2010 deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për blerjen e truallit”.
Ligji nr. 86/2014, datë 17.07.2014 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008
“Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, në nenin 9, paragrafi i dytë, përcakton:
“Përjashtohen nga pagesa e vlerës së qirasë së truallit në përdorim, nga momenti i
privatizimit, blerjes apo ndërtimit të objekteve deri në datën 7.06.2010, të gjitha subjektet
apo individët që janë objekt i ligjit nr. 10270, datë 22.04.2010, “Për të drejtën e privatizimit
të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën e përdorimit të tij”, të ndryshuar, të cilët
bëjnë kërkesë për privatizimin e këtij trualli dhe paguajnë në mënyrë të menjëhershme vlerën
e plotë të tij”. Në këtë ligj nuk është vënë ndonjë afat kohor se kur subjektet e ligjit nr. 10270
datë 22.04.2010 duhet të paraqesin kërkesë pranë organeve përkatëse për privatizim trualli.
Edhe pse ligji 86/2014 ka hyrë në fuqi në muajin gusht 2014, me daljen e tij nga strukturat
përkatëse në Ministrinë e Financave nuk është kërkuar ndryshimi dhe shfuqizimi i këtyre
pikave të VKM nr. 413, datë 25.06.2014, për të ardhur në standardin e ligjit, edhe pse më pas
është bërë ndryshimi i këtij vendimi me VKM nr. 603, datë 31.08.2016.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 1.1 faqe 20-23 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
1.1 Rekomandimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm
ligjore për ndryshimin e VKM nr. 230 datë 4.4.1998 “Për privatizimin e pjesëve të kapitalit të
zotëruara nga shteti në shoqëritë me kapital të përbashkët” me qëllim sjelljen e tij në
koherencë me kërkesat e ligjit nr. 9901 datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë
tregtare”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 9228 datë 29.4.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat
financiare”, të ndryshuar.
-Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm me qëllim saktësimin
e kritereve dhe metodologjisë për masën e uljes së VAM-it në VKM nr. 926 datë 29.12.2014,
me ndryshime dhe në Udhëzimin nr. 5222, datë 26.06.2015 kjo për të eliminuar praktikat e
deritanishme ku përcaktimi i vlerës është bërë mbi bazën e gjykimit subjektiv.
-Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ndryshimin e
VKM nr. 926, datë 29.12.2014 dhe VKM nr. 413, datë 25.06.2014, me ndryshime, në mënyrë
që moskthimi i përgjigjeve në kohë dhe nga ana tjetër mos konfirmimi i informacionit të
shoqërohet me përgjegjësi personale të drejtuesve të institucioneve publikë të përfshirë në
procesin e shitjes apo transformimit të pronës shtetërore.
- Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ndryshimin e
VKM nr. 413, datë 25.06.2014, me ndryshime, në mënyrë që përjashtimi nga pagesa e taksës
së truallit siç është përcaktuar në ligj të përjashtohet edhe në VKM, duke shfuqizuar pikat
përkatëse të këtij vendimi.
Menjëherë.
6
C. MASA ORGANIZATIVE
1. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi u konstatua se DDPP është e organizuar dhe
funksionin në dy sektorë në bazë të strukturës së ministrisë, miratuar me Urdhrin e
Kryeministrit nr. 45, datë 31.03.2015 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së
Ministrisë së Financave”, i ndryshuar dhe në bazë të rregullores “Për organizimin dhe
funksionimin e Ministrisë së Financave" miratuar në muajin shkurt 2016, në të cilën kjo
drejtori ka një përshkrim të shkurtër të misionit dhe funksionit të saj. Nga auditimi u
konstatua se nuk ka një manual apo rregullore të proceseve të punës për këtë drejtori, që
konkludohet nga fakti se pjesë e vlerësimit dhe procedimit të praktikave të auditimit janë të
përfshirë të gjithë punonjësit, pa një ndarje të qartë të detyrave të gjithsecilit në rrjedhën e
proceseve të punës. Gjithashtu, konstatohet se kjo drejtori ka hartuar një gjurmë auditi, e pa
miratuar nga Titullari i institucionit. Nga procedura e ekzekutimit të ankandeve, nuk ka një
gjurmë në lidhje me të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces, dhe grupi i auditimit e ka vlerësuar
si një dobësi të sistemit të kontrollit të brendshëm.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 1.1 faqe 20-23 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
1.1 Rekomandimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë për Drejtorinë e Drejtimit të
Pronës Publike të hartojë manual të punës, në të cilin të jenë përcaktuar qartë detyrat dhe
funksionet në përmbushje të proceseve të punës. Në mënyrë që procesi i shitjes së pronës të
jetë sa më transparent, rekomandojmë krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin
e ankandeve me mjete elektronike.
Menjëherë
2. Gjetje nga auditimi: Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk ka një strategji
udhëheqëse të mirëfilltë në lidhje me procesin e privatizimit të pronës publike. Në disa raste
prona shtetërore është privatizuar nga subjekte private të cilët kanë pasur kontratë qiraje 20
vjeçare mbi këto objekte, apo kanë ushtruar aktivitetin e tyre privat në kufi të këtyre pronave
publike sikurse rasti i shoqërisë “V.” shpk. Kjo shoqëri ushtron aktivitetin e saj në sheshin nr
4, të Kombinatin Metalurgjik Elbasan dhe ka privatizuar me Vlerë Amortizimi të Mbetur
(VAM), 10% më të ulët se ai fillestar, 3 (tre) objekte shtetërore po në këtë shesh, në tre
ankande të ndryshme radhazi, pa konkurrentë. Një situatë e tillë lë të kuptohet se ekziston
mundësia e cënimit të parimeve në fushën e privatizimit si, konkurrenca e hapur dhe e drejtë,
eliminimi i monopoleve apo pozitës dominueses në treg etj.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
2.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Drejtoria e Drejtimit të Pronës
Shtetërore, mbështetur edhe në përvojën e vendeve të tjera, duhet të hartojë një Strategji të
Qëndrueshme të Privatizimit e cila duhet të përfshijë metodat dhe modelet e përparuara të
privatizimit. Konstatohet se, procedura e shitjes së pronës shtetërore me ankand nuk ka
rezultuar efektive. Duke marrë në konsideratë rëndësinë e çështjes së privatizimit të pronës
shtetërore do të ishte e rëndësishme edhe përfshirja e shoqërisë civile në diskutime me qëllim
menaxhimin efikas të privatizimit dhe transparencën si parakusht i privatizimit të drejtë.
Gjithashtu Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike duhet të publikojë në faqen e saj të Web-it
regjistrin e azhornuar të shitjes/privatizimit të pronës publike.
Menjëherë
3. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi u konstatua se, fitues i ankandit të objektit bashkë me
truallin “Kaldaja provizore nr. 41”, e Ndërmarrjes së Seleksionimit të Metaleve Kombinati
7
Metalurgjik Elbasan, me Sipërfaqe Totale të objektit 1,189 m2(nën objekt 189 m
2 dhe
sipërfaqe funksionale 1,000 m2) me vlerë totale 2,128 mijë lekë është shoqëria A. shpk me
NIPT K..... e cila e ka me qira këtë objekt. Nga auditimi i kontratës së Qirasë, (pjesë e dosjes
së privatizimit të objektit) ndërmjet shoqërisë A. shpk me NIPT K73026210L në cilësinë e
Qiramarrësit dhe Këshillit të Qarkut Elbasan, në cilësinë e Qiradhënësit, përcaktohet se,
çmimi i qirasë për një vit kalendarik është në vlerën 1,902 mijë lekë. Konstatohet se, nuk ka
gjurmë auditimi në lidhje me arsyetimin pse kjo pronë ka kaluar në procedurë privatizimi me
ankand. Nga analiza e bërë rezulton se, të ardhurat që do të mungojnë në buxhetin e
shtetit nga kjo procedurë e shitjes së pronës shtetërore me ankand kundrejt vazhdimit
të kontratës së qirasë do të jenë në vlerën 29,728 mijë lekë si dhe prona shtetërore do të
jetë e pakësuar me 1,189 m2 Sipërfaqe objekt dhe truall. Veprime të tilla të pashoqëruara
me analiza krahasueses për leverdishmërinë e vendimeve për shitje përkundrejt dhënies me
qira të objektit kanë krijuar të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në vijimësi.
-U konstatua se, fitues i ankandit të objektit “Reparti i Përpunimit Mekanik nr. 29A”, i
Ndërmarrjes së Seleksionimit të Metaleve Elbasan, është kompania M. shpk me NUIS
L........U. Bazuar në dokumentin e “Ekstraktit historik të regjistrit tregtar” të kësaj kompanie,
konstatohet se, kompania M. shpk me NUIS L....U, zhvillon aktivitetin e saj në Bradashesh
Elbasan, Ndërmarrja e Përpunimit të Metaleve, ish Reparti mekanik, objekti 29A, Zona
Kadastrale 3965 Metalurgji. Kjo adresë është bërë në bazë të depozitimit të Vendimit të datës
28.04.2014 “Ndryshimi i selisë”. Pra fitues i ankandit të shitjes së objektit “Reparti i
Përpunimit Mekanik nr. 29A”, i Ndërmarrjes së Seleksionimit të Metaleve Elbasan, është
kompania e cila zhvillonte aktivitetin e saj po në këtë objekt, kontrata e qirasë së të cilës
nuk figuron e regjistruar në dokumentin e lëshuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të
Pasurisë së Paluajtshme Elbasan dhe nuk është pjesë e dosjes së privatizimit të këtij objekti
por që, nga Regjistri Tregtar konstatohet se, kjo kontratë është lidhur më datë 28.04.2014.
Nuk ka gjurmë auditimi në lidhje me arsyetimin pse kjo pronë ka kaluar në procedurë
privatizimi me ankand. Sipas përcaktimeve ligjore, kjo kontratë duhet të jetë e lidhur për një
periudhë kohore 20 vjet.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
3.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë, përpara se të fillojë procedurat e
privatizimit të pronës shtetërore duhet të sigurohet nga të gjithë institucionet përgjegjëse se,
kjo pronë shtetërore nuk është dhënë në përdorim për ushtrimin e veprimtarive private me
kontratë qiraje. Referuar faktit të bashkimit të dy ministrive (ish Ministria e Financës dhe ish
Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes) dhe shkrirjes së
tyre në një të vetme në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, rekomandojmë që, në rastet e
ekzistencës së kontratave të qerasë ekzistuese të vlerësojë efektin e shitjes në krahasim me
efektin e qeradhënies për të maksimizuar vlerën e pronës dhe të ardhurave të arkëtuara. Pjesë
e dosjes së privatizimit të pronës shtetërore me ankand të jenë edhe dokumentet e tjerë të cilat
më parë administroheshin nga ish MZHETTS.
Menjëherë
4. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi i dokumentacionit të privatizimit të pronës shtetërore
me procedura ankandi, u konstatuan raste të copëtimit të pronës publike sikurse është rasti i
shitjes së objektit “Ambiente Artizanale”, në Peshkopi, tek ish PAM (Parku Automobilistik i
Mallrave). Në dosjen e privatizimit të objektit “Ambiente Artizanale”, nuk ka një relacion
shpjegues në lidhje me arsyetimin përse Bashkia e Peshkopisë ka kërkuar privatizimin e kësaj
prone shtetërore, pasi nga dokumentacioni i dosjes, vërehet se kjo pronë mund të kishte më
shumë vlerë nëse nuk copëtohej pasi ajo ndodhet në një shesh të madh ndërtimi, kufizohet me
sheshe të lira si dhe ndodhet afër unazës së re të qytetit.
8
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit).
4.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë në çdo rast të privatizimi të pronës
shtetërore duhet të bazohet në analiza të sakta dhe krahasimin e alternativave të mundshme të
cilat ndikojnë në marrjen e vendimeve të drejta duke shmangur në këtë mënyrë edhe
procedurat spontane të privatizimit të pronës publike.
Menjëherë
5. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi i dosjeve të privatizimit me procedurë ankandi të
objekteve në pronësi të ish Kombinatit Metalurgjik Elbasan, u konstatua se, në asnjë rast ish
Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nuk ka kërkuar nga
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Elbasan, ndarjen e kësaj pasurie të
paluajtshme në kartela të veçanta për të gjitha ato raste kur sipërfaqja që do të privatizohet
është më e vogël se sipërfaqja e regjistruar në kartelë, bazuar në të dhënat e komisionit të
vlerësimit të pronës shtetërore për çdo objekt të vlerësuar për shitje, në mënyrë që privatizimi
i pronës shtetërore të behët sipas hartave dhe ndarjes përkatëse në ZVRPP.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
5.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë, para zhvillimit të procedurës së
ankandit, të marrë masa për ndarjen e pasurisë së paluajtshme në kartela të veçanta për të
gjitha ato raste kur sipërfaqja që do të privatizohet është më e vogël se sipërfaqja e regjistruar
në kartelë. Në këtë mënyrë blerësi i kësaj prone të paluajtshme do të bëjë të mundur
regjistrimin e kësaj pasurie të paluajtshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Menjëherë
6. Gjetje nga auditimi: Konstatohet se, procedura e privatizimit të pronës shtetërore ka
zgjatur vite me radhë Këto diferenca kohore në zgjatjen e procedurës janë subjekt edhe i
ndryshimit të vlerës së pronës që privatizohet si pasojë e kushteve apo çmimeve me të cilat
këto pasuri vlerësohen. Në këto raste të përmendura zgjatja e afateve cënon procedurat e
kontrollit të brendshëm duke krijuar risk të vazhdueshëm në realizimin e shitjes sipas dosjeve
përkatëse, në kundërshtim me afatet e përcaktuara në VKM përkatëse.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
6.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë, të analizojë problematikat e
dosjeve të privatizimit të viteve 2007-2016 si dhe të marrë masat për zgjidhjen e tyre.
Njëkohësisht më marrë masa për eliminimin e procedurave të tej zgjatura të procesit të
privatizimit të pronës shtetërore për periudhën në vijim, duke kontribuar kështu në rritjen e
mëtejshme të besimit të publikut dhe njëkohësisht në stabilitetin makroekonomik të vendit.
Menjëherë
7. Gjetje nga auditimi: Konstatohet se, vlera prej 36,152 mijë lekë e paraqitur në llogarinë e
“Parapagimeve për blerjen e pronës shtetërore” e cila është trashëguar në vitin 2017,
përfaqëson 20% të vlerës fillestare të ngurtësuar paraprakisht për blerjen e objektit me
ankand, por që aktualisht personat të cilët kanë paguar këtë vlera nuk janë fitues të ankandeve
dhe që u lind e drejta e rimbursimit të kësaj vlerë por që nuk janë paraqitur për tërheqje të
kësaj shume të ngurtësuar si dhe nuk janë njoftuar nga ana e Drejtorisë së Drejtimit të
Pronës Publike. Konkretisht, për vitit 2015, është realizuar shitja me ankand e objektit
bashkë me truallin e godinës “Reparte prodhimi” Shkodër, nga ku vlera prej 36,091 mijë lekë
i takon vlerës së truallit të përcaktuar sipas hartës, vlerë e cila i shkon drejtpërdrejt ish-
9
pronarit të truallit por që nuk janë njoftuar nga ana e Drejtorisë së Drejtimit të Pronës dhe nuk
është qartësuar nëse ish pronarët kanë përfituar më parë kompensim apo jo në lidhje me këtë
pronë.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
7.1 Rekomandimi: Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike të marrë të gjitha masat e
nevojshme për njoftimin dhe rimbursimin e vlerës fillestare të ngurtësuar për blerjen e
objekteve me ankand personave të cilët nuk kanë rezultuar fitues të ankandit dhe qe i lind e
drejta e rimbursimit të kësaj vlere.
-Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, për të gjitha rastet e privatizimit të objekteve së
bashku me truallin me procedurë ankandi për të cilat, vlera e truallit i takon ish pronarëve të
truallit, duhet të njoftojë këta të fundit dhe të qartësojë bazuar në dokument) nëse këta ish
pronarë kanë përfituar më parë kompensim apo jo në lidhje me këtë pronë dhe më pas të
marrë masa për likuidimin e kësaj vlere në drejtim të tyre.
Menjëherë
8. Gjetje nga auditimi: Konstatohet se, në ankandet e zhvilluara nga Drejtoria e Drejtimit të
Pronës Publike, përfaqësuesi i ish Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe
Sipërmarrjes, është nëpunës i Drejtorisë së Pronës, e cila ka si detyrë të kryejnë verifikimin
nëse ky dokumentacion ka kaluar në hallkat përkatëse sipas kërkesave të përcaktuara me ligj
dhe më pas ta kalojë atë në Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike. Pra nga ana e ish
MZHETTS, nuk janë zbatuar përcaktimet ligjore të Manualit të Menaxhimit Financiar dhe
Kontrollit, kapitulli II “Ndarja e detyrave”. Gjithashtu në një rast të tillë, pavarësisht se nuk
vërtetohet le të kuptohet mundësia e një konflikti të mundshëm interesi të personave të cilët
kanë marrë pjesë në një procedurë vlerësuese dhe njëkohësisht caktohen të marrin pjesë edhe
në procedurën e ankandit gjë e cila bie ndesh me Ligjin e konfliktit të interesit.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
8.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë, në mënyrë që të bëjë sa më
transparente procedurat e privatizimit të pronës publike, të marrë masa që, në komisionin e
ankandit të privatizimit të pronës publike të mos marrin pjesë persona të cilët janë përgjegjës
për verifikimin e dokumentacionit të privatizimit të pronës publike për shitje.
Menjëherë
9. Gjetje nga auditimi: Në lidhje me njoftimet e kryera për privatizimin e pronës shtetërore,
konstatohet se, në të gjitha shkresat e Degës Rajonale të Shoqërive Publike Elbasan, me
subjekt “Dërgojnë procesverbalin për vendosjen e afisheve”, nuk ka gjurmë të dokumentit
(foto të afisheve të vendosura) për të identifikuar kryerjen e veprimit.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit.
9.1 Rekomandimi: Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, të marrë masa në mënyrë që
dokumentacioni i ardhur nga Degët Rajonale të Shoqërive Publike të jetë gjithmonë i
shoqëruar me dokumente vërtetues (foto të afisheve të vendosura) për të identifikuar kryerjen
e veprimit.
Menjëherë
10. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi i dokumentacionit të privatizimit të pronës shtetërore
me procedurë ankandi për disa nga objektet ish Kombinatit Metalurgjik Elbasan, u konstatua
se, ka mospërputhje në deklarimin e Sipërfaqes së Përgjithshme të objektit ndërmjet
10
relacionit të hartuar nga komisioni i vlerësimit të objektit dhe dokumentit të lëshuar nga Zyra
Vendore e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Elbasan. Nga komisioni i vlerësimit të
pronës shtetërore për shitje, i ngritur nga ish Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit,
Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nuk është dhënë asnjë shpjegim në lidhje me mënyrën e llogaritjes
së Sipërfaqes Funksionale për objektet e privatizuara. Konstatohet se, në shumë raste kjo
Sipërfaqe Funksionale është shumë herë më e lartë edhe se përcaktimet ligjore në lidhje me
llogaritjen e koeficientin e shfrytëzimit të territorit për objektet në zonën industriale.
Konkretisht, për objektet e privatizuara ish pronë e “Ndërmarrjes së Prodhimit të Çeliqeve
Elbasan” kanë përfituar më shumë Sipërfaqe Funksionale objektet si në vijim: “Reparti i
rigjenerimit të vajrave” për 2,519 m2 më shumë, “Magazina sheshi 4 nr. 2”, për 1,144 m
2 më
shumë, “Magazina sheshi 4 nr. 1”, për 1,039 m2
më shumë, dhe “Objekti i tharjes së okalinës
(objekti nr. 54)”, për 793 m2 më shumë.
Për objektet e privatizuara ish pronë e “Ndërmarrjes së Seleksionimit të Metaleve Elbasan”
kanë përfituar më shumë Sipërfaqe Funksionale objektet si në vijim: “Reparti i riparimit të
autobusëve” për 2,263 m2 më shumë, “Magazina e materialeve PJ-13” dhe “Dushe,
gardërobë, tipi nr. 3” për 2,655 m2 më shumë, “Kaldaja provizore nr. 41” për 868 m
2 më
shumë. Gjithashtu konstatohet se, në shumë raste procedura e plotësimit të dokumentacionit
të vlerësimit të pronës publike për shitje tejkalon të gjitha afatet e parashikuara me ligj.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.3 faqe 44-74 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
10.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë, të marrë masa që, të monitorohet
qartë zbatimi i Ligjit të urbanistikës nga komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore për të
siguruar në këtë mënyrë zbatimin e detyrueshëm dhe të besueshëm të ligjit si dhe për të
përmirësuar transparencën.
Menjëherë
11. Gjetje nga auditimi: Në praktikën e shitjes së truallit shtesë funksional për shoqërinë G-
K. referuar Plan Rilevimit të kësaj prone, konstatojmë se trualli që kërkohet të blihet me NR
Pasurie 2/353 ndodhet në mes të pasurisë së subjektit, pasuri e cila e ka origjinën e saj nga
privatizimi i ndërmarrjes në vitin 1995, por ky truall nuk ka asnjë rrugë hyrje e dalje apo
servitut, përveçse komunikimin me pronën e subjektit, pra që në fillimin e procesit të
privatizimit është krijuar një “ishull shtet” në mes të pronës private. Me shkresën nr.
28544/1, datë 04.11.2016, pra në tejkalim të afatit, Bashkia ka kthyer përgjigjen: “Në zbatim
të ligjit nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit’, ligjit nr. 8744, datë
22.02.2001 “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes
vendore”… Bashkia e Tiranës vazhdon ende procesin e inventarizimit të pronave të saj dhe
një informacion më i plotë do të jetë pas përfundimit të këtij procesi”, pra edhe pse ka mbi 16
vjet nga dalja e dispozitave ligjore e fillimi i inventarizimit të pronave shtetërore akoma nuk
ka një rezultat përfundimtar të identifikimit të pronave të shtetit.
-Me kontratën nr. 2637 Rep, 807 Kol., datë 02.06.2017, ndërmjet Drejtorisë së Drejtimit të
Pronës Publike dhe Shoqërisë “D.” shpk, Tiranë, në praktikën e shitjes së truallit është dhe
përgjigja e Bashkisë Tiranë, e cila shpjegon se: “Pasuria me NR. 5/286…është pjesë e
inventarit të Bashkisë …ndërsa pasuria Nr. 5/323 nuk figuron në listën e inventarit…Procesi
i inventarizimit vazhdon”, pra sipërfaqe 33.47
m2 ndodhur në ZK 8210 me NP 5/286 është në
inventarin e pronave të Bashkisë Tiranë.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.1 faqe 24-36 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
11.1 Rekomandimi: Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në të ardhmen të merren
masa që në rastin e privatizimeve, për pronat që kalojnë në këtë proces, pjesë takuese e
mbetur e shtetit, brenda të njëjtës parcelë sipas zonës kadastrale dhe numrit të pasurisë, nga
11
prona totale e të njëjtit numër pasurie, të sigurohet minimumi rrugë kalimi dhe të jetë
logjikisht e aksesueshme nga çdo blerës potencial. Ministria e Financave dhe Ekonomisë në
bashkëpunim dhe me institucionet e tjera publike të ndikojë në përshpejtimin e procesit të
inventarizimit të pronave publike, me qëllim shmangien e konflikteve gjyqësore në të
ardhmen.
Menjëherë
12. Gjetje nga auditimi: Sipas kontratës nr. 3090 Rep, 1056/2Kol., datë 27.05.2016,
ndërmjet Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, dhe Shoqërisë “M.” shpk, sipas
dokumenteve hipotekore sipërfaqja e trualli është 1718 m2 por në verifikim rezulton 1600 m
2
duke ju referuar plan rilevimit të ing. Topograf, nuk është shprehur në asnjë vend se ku
konsiston ndryshimi me 178 m2.
dhe pse nuk është marrë dhe për këtë sipërfaqe shtesë trualli
edhe miratimi i MZHETTS, si organi që ka kryer procedurën e privatizimit të objekteve,
pavarësisht se nga komisioni është vepruar në zbatim të kërkesave të VKM nr. 413, datë
25.06.2014, i ndryshuar, KREU II, pika 5.
-Në kontratën nr. 846 Rep. 230 /2Kol., datë 12.02.2016, e lidhur ndërmjet Drejtorisë së
Drejtimit të Pronës Publike dhe Shoqërisë “A.” sh.a, Glinë është konstatuar se kemi të bëjmë
me ndryshime të sipërfaqeve funksionale të objekteve, pasi kërkesa është për 3322m2 dhe që i
korrespondon dhe HTR të paraqitura nga ZVRPP, por që në fakt komisionit i rezulton
1297m2, ose 1951m
2 më pak. Nuk ka një shpjegim pse ekzistojnë këto diferenca dhe pse nuk
është marrë dhe për këtë sipërfaqe shtesë trualli dhe miratimi i MZHETTS, si organi që ka
kryer procedurën e privatizimit të objekteve, pavarësisht se në VKM nr. 413, datë 25.06.2017
nuk është përcaktohet një kërkesë e tillë.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.1 faqe 24-36 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit).
12.1 Rekomandimi: Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike të marrë masa që në shitjen e
pasurisë publike të veprojë në bazë të relacioneve të konfirmuara edhe nga MZHETTS për
praktikat e diferencave në sipërfaqe ndërmjet gjendjes fizike dhe asaj në regjistrat shtetërore,
për të shmangur diferencat në llogaritjen e vlerës së pronës që shitet.
Menjëherë
13. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi u konstatua se, në zërin “Të ardhura nga shitja e
pronës publike” është përfshirë edhe vlera për 80,500 mijë lekë (në llogarinë “Të ardhura nga
shitja e objekteve” për 70,500 mijë leke dhe në llogarinë “Të ardhura nga shitja e trojeve” për
10,000 mijë lekë) e arkëtuar në buxhetin e shtetit (në llogarinë e Ministrisë së Ekonomisë dhe
Financave) në muajin Nëntor 2016, nga “Shoqëria Huamarrëse në Administrim M. L Tiranë”.
Kjo vlerë përfaqëson pagesën e kryer nga ish Ministria e Pushtetit Lokal sot Ministria e
Punëve të Brendshme në vitet 1999-2000 në llogarinë e kësaj shoqërie për blerjen e objektit
Bar-Restorant Drinit, me vendndodhje në Tiranë, kontratë e shpallur kjo e pa vlefshme me
Vendimin nr. 10, datë 18.09.2009, të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë. Pra,
pavarësisht se, kontrata për blerjen e truallit dhe objektit të Bar-Restorant Drinit nga
ish Ministria e Pushtetit Lokal sot Ministria e Punëve të Brendshme është shpallur e pa
vlefshme me Vendimin nr. 10, datë 18.09.2009 të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë,
vlera për 80,500 mijë lekë e cila ka qenë depozituar në llogarinë e “Shoqërisë Huamarrëse në
Administrim M. L Tiranë” (institucion në varësi të ish Ministrisë së Financës që ka për detyrë
që, të ardhurat e realizuara nga shitja e aseteve të ish firmave piramidale të depozituara në
llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë ti përdorë për rimbursimin e shumave të humbura
nga debitorët në firmat piramidale) është rimbursuar në buxhetin e shtetit në llogarinë e
Ministrisë së Financave me rreth 8 vite vonesë. Konstatohet se, Drejtoria e Drejtimit të
Pronës Publike, nuk ka një shkresë konfirmimi nga Ministria e Brendshme (ish Ministria e
12
Pushtetit Lokal) në lidhje me regjistrimet kontabël të kryera nga ana e kësaj të fundit në
periudhën e kryerjes së pagesës për blerjen e godinës së Bar-Restorant Drinit në vitet 1999-
2000 si dhe regjistrimet sistemuese që duhet të kryente kjo ministri në momentin e
rimbursimit të kësaj vlere në buxhetin e shtetit nga “Shoqëria Huamarrëse në Administrim M.
L Tiranë” (derdhur në llogarinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë) në Nëntor 2016.
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 3.1 faqe 75-79 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
13.1 Rekomandimi: Ministria e Ekonomisë dhe Financës duhet të njoftojë me shkresë
zyrtare Ministrinë e Brendshme (ish Ministria e Pushtetit Lokal), në lidhje me veprimet e
kryera nga ana e saj në periudhën Nëntor 2016 (shtuar llogaria “Të ardhura nga shitja e
objekteve” për 70,500 mijë leke dhe shtuar llogaria “Të ardhura nga shitja e trojeve” për
10,000 mijë lekë), në mënyrë që Ministria e Brendshme të marrë masa për çregjistrimin e
veprimeve kontabile të kryera në vitet 1999-2000, për blerjen e godinës së Bar-Restorant
Drini. Veprime këto të kryera bazuar në Standardet Kombëtare të Kontabilitetit Publik.
Menjëherë
14. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi u konstatua se, Drejtoria e Drejtimit të Pronës
Publike, nuk ka një informacion në lidhje me bonot e privatizimit apo lekët e
privatizimit të përdorura ndër vite për shlyerjen e vlerës së objekteve shtetërore
(godinë+linja teknologjike makineri dhe pajisjet) të privatizuar me bono privatizimi, me
qëllim saktësimin e sasisë dhe vlerës së këtyre bonove të cilat janë disponibël në duart e
popullsisë, kjo marrë shkas nga Ligji 16/2017, datë 23.02.2017, për shtyrjen e afatit të
përdorimit të bonove të privatizimit dhe lekëve të privatizimit deri në fund të vitit 2018.
Gjithashtu nuk ka një akt rakordimi ndërmjet ish Ministrisë së Financave dhe Bankës së
Shqipërisë, në lidhje me totalin e bonove të privatizimit të përdorura për shlyerjen e vlerës së
objekteve shtetërore të privatizuar me bono privatizimi).
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 3.1 faqe 75-79 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
14.1 Rekomandimi: Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Drejtoria e Drejtimit të Pronës
Publike në mbyllje të periudhës ushtrimore duhet të rakordojë me Bankën e Shqipërisë në
lidhje me totalin e vlerës së këtyre bonove të privatizimit, lekëve të privatizimit të përdorur
për privatizimin e objekteve shtetërore (godinë+linja teknologjike makineri dhe pajisjet).
Menjëherë
D. MASA PËR ARKËTIMIN E TË ARDHURAVE TË MUNGUARA
1. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi mbi shitjen e paketës së aksioneve shtetërore u
konstatua se, në procedurën e shitjes së pjesës së kapitalit të zotëruar nga shteti në shoqërinë
“E. P. shpk”, është miratuar në datën 24.2.2017 raport vlerësimi i kuotave të kapitalit të që i
përket vlerësimit të pasurisë e zotëruar nga shteti deri në datën 04.09.2014. Kjo diferencë
kohore ndërmjet vlerësimit dhe miratimit të këtij vlerësimi (për një periudhë kohore prej 901
ditësh), ka rezultuar në të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në shumën 308,111 mijë
lekë të përbërë nga vlera koresponduese e kapitalit në datën 31.12.2016 me vlerën
koresponduese të kapitalit në datën 04.09.2014 (381,111,253 - 73,000,000). Gjatë kësaj
kohe kompania ka akumuluar fitime për të cilat e drejta e pronësisë së shtetit nuk është
ushtruar si pasojë e shitjes në periudhën aktuale të pasurisë së zotëruar në vitet e kaluara, pa
marrë parasysh ndryshimin në pozicionin financiar të shoqërisë dhe performancën e saj te të
gjithë elementët pasqyrës së pozicionit financiar, me të njëjtin standard si është vepruar për
rivlerësimin e llogarisë “Toka” si pasojë e diferencës në kohë të krijuar dhe të reflektuar në
shtesë raporti.
13
(Në mënyrë të detajuar janë pasqyruar në pikën 2.2 faqe 37-44 të Raportit Përfundimtar të
Auditimit)
1.1 Rekomandimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ndërmarrë hapat ligjorë për të
bërë të mundur arkëtimin e shumës së munguar në buxhetin e shtetit. Menjëherë
E. MASA DISIPLINORE
Për personat përgjegjës në lidhje me shkeljet e konstatuara e të trajtuara në Raportin
Përfundimtar të Auditimit, i rekomandohet Titullarit të Ministrisë së Financave dhe
Ekonomisë për vlerësim dhe dhënie masash disiplinore sipas përgjegjësisë individuale të
personave konkret, nga “Vërejtje” deri në “Largim nga puna”.
F. ADRESIM PËR USHTRIM AUDITIMI PERFORMANCE NË TË ARDHMEN
Nisur nga problematikat lidhur me privatizimin e pronës shtetërore si dhe rrugës procedurale
të ndjekur për këtë qëllim ku përfshihen disa institucione të tjera shtetërore si ish-
MZHETTS, ATP, ZVRPP, ALUIZNI, njësitë e qeverisjes vendore dhe njësi të tjera publike
shtetërore, institucione këto të cilat kanë kompetencat, që përfshijnë edhe të drejtën për
iniciativë propozimesh ndryshimesh ligjore dhe nënligjore, gjë që e bën çështjen komplekse
dhe që kërkon një auditim më të thelluar dhe gjithëpërfshirës me objekt privatizimin ndër vite
të pronës, e pasqyruar edhe në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, miratuar në 20.10.2016,
nga KLSH do të shihet mundësia e angazhimit në një auditim performance për këtë rast.
Me ndjekjen dhe kontrollin e zbatimit të detyrave dhe masave të përcaktuara në këtë vendim
ngarkohet Departamenti i Auditimit të Buxhetit të Shtetit.
Bujar LESKAJ
K R Y E T A R