PROCESVERBAL...deklarim vullnetar të pasurive” (Komision për dhënie mendimi). 2. Shqyrtimi nen...

92
1 REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut PROCESVERBAL Tiranë, më 27.07.2020, ora 14:00 Drejton mbledhjen: Ulsi Manja Kryetar i Komisionit Rendi i ditës: 1. Shqyrtimi i projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” (Komision për dhënie mendimi). 2. Shqyrtimi nen për nen i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (Komision përgjegjës). 3. Shqyrtimi i aktit normativ nr. 30 “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”” (Komision përgjegjës). 4. Shqyrtimi i projektligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues” (Komision për dhënie mendimi). 5. Shqyrtimi i projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743/2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” (Komision përgjegjës). Marrin pjesë: Ulsi Manja, Korab Lita, Klotilda Bushka, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Adnor Shameti, Bashkim Fino, Edmond Leka, Alket Hyseni, Spartak Braho, Alban Zeneli, Andi Përmeti, Aurora

Transcript of PROCESVERBAL...deklarim vullnetar të pasurive” (Komision për dhënie mendimi). 2. Shqyrtimi nen...

  • 1

    REPUBLIKA E SHQIPËRISË

    KUVENDI

    Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

    PROCESVERBAL

    Tiranë, më 27.07.2020, ora 14:00

    Drejton mbledhjen:

    Ulsi Manja – Kryetar i Komisionit

    Rendi i ditës:

    1. Shqyrtimi i projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë

    deklarim vullnetar të pasurive” (Komision për dhënie mendimi).

    2. Shqyrtimi nen për nen i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.

    45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës

    Popullore Socialiste të Shqipërisë” (Komision përgjegjës).

    3. Shqyrtimi i aktit normativ nr. 30 “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr.

    3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë

    kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”” (Komision

    përgjegjës).

    4. Shqyrtimi i projektligjit “Për regjistrin e pronarëve përfitues” (Komision për dhënie

    mendimi).

    5. Shqyrtimi i projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 8743/2001 “Për pronat e

    paluajtshme të shtetit” (Komision përgjegjës).

    Marrin pjesë:

    Ulsi Manja, Korab Lita, Klotilda Bushka, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Adnor Shameti,

    Bashkim Fino, Edmond Leka, Alket Hyseni, Spartak Braho, Alban Zeneli, Andi Përmeti, Aurora

  • 2

    Mara, Ediola Braha, Adriatik Alimadhi, Nikolin Staka, Elena Xhina, Edlira Bode dhe Artemis

    Malo.

    Mungojnë:

    Damian Gjiknuri, Jurgis Çyrbja, Elda Hoti dhe Tom Doshi

    Të ftuar:

    Anila Denaj – Ministre e Financave dhe Ekonomisë

    Vasilika Vjero - Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë

    Belinda Ikonomi - Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë

    Nikolla Lera - Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Makroekonomisë dhe Çështjeve

    Fiskale pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

    Delina Ibrahimaj - Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve pranë Ministrisë së Financave

    dhe Ekonomisë

    Elvis Koçi - Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave pranë Ministrisë

    së Financave dhe Ekonomisë

    Arjana Dyrmishi - Drejtoreshe e Politikave te Zhvillimit Ekonomik pranë Ministrisë së

    Financave dhe Ekonomisë

    Besmir Beja - Drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë

    Edmond Leka – Deputet nismëtar

    Artemisa Malo – Deputete nismëtare

    Gentjana Sula – Kryetare e Autoritetit të Dosjeve

    Skënder Vrioni - Sekretar i Përgjithshëm pranë Autoritetit të Dosjeve

    Mira Rakacolli – Zëvendësministre e Shëndetësisë

    Antoneta Njehrrena - Drejtore Juridike pranë Ministrisë së Shëndetësisë

    Romina Kuko – Zëvendësministre e Brendshme

    Pranvera Fagu – Drejtoreshë e Përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit

    Flogers Broqi – Drejtor Juridik pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit

    Blendi Klosi – Ministër i Turizmit

  • 3

    HAPET MBLEDHJA

    Ulsi Manja – Përshëndetje, kolegë!

    Pas seancës plenare po fillojmë mbledhjen e Komisionit të Ligjeve për ditën e sotme.

    Kuorumi është i pranishëm për të vazhduar me rendin e ditës.

    Në fakt, do të kemi një rend dite të gjatë për shkak se këtë javë do të ketë seancë plenare

    edhe në datat 29 dhe 30 korrik dhe projektligjet që do të kalojmë sot janë për seancën plenare të

    datës 29 korrik.

    Fillojmë me projektligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë

    deklarim vullnetar të pasurive”. Komisioni ynë është komision për dhënie mendimi dhe relator

    është kolegu Alket Hyseni.

    Dua t’u bëj një sqarim kolegëve që ky projektligj sot do të kalojë vetëm në parim, ndërsa

    shqyrtimi dhe miratimi nen për nen dhe në tërësi do të bëhet në një mbledhje tjetër të Komisionit

    të Ligjeve.

    E pranishme nga Ministria e Financave është ministrja, zonja Anila Denaj.

    Mirë se erdhët zonja Denaj në Komisionin e Ligjeve!

    Zonja Denaj shoqërohet në këtë mbledhje nga zëvendësministrja Vasilika Vjero, zoti

    Nikolla Lera, drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Makroekonomisë dhe Çështjeve Fiskale, zonja

    Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve dhe nga zoti Elvis Koçi, drejtor i

    Përgjithshëm i Parandalimit dhe i Pastrimit të Parave. Pra, në mbledhje kemi prezent pothuajse

    gjithë stafin e Ministrisë së Financave.

    Nga Ministria e Drejtësisë të pranishëm në këtë mbledhje të Komisionit të Ligjeve është

    zoti Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit.

    Zonja Denaj, mirë se erdhët në Komisionin e Ligjeve!

    Anila Denaj – Faleminderit!

    Ulsi Manja – Do t’ju lutesha të na bënit një prezantim të projektligjit për kolegët

    deputetë!

    Pas zonjës Denaj fjalën do t’ia kaloj relatorit Hyseni dhe më pas projektligji do të jetë i

    hapur për pyetje e diskutime nga kolegët.

    Fjala për ju zonja Denaj.

    Anila Denaj – Ju falënderoj, zoti kryetar!

  • 4

    Në këtë ditë është e rëndësishme të flasim në parim sa i takon projektligjit, por edhe në

    ditët ku do të bëhet diskutimi nen për nen e gjithë ministria do të përfaqësohet në të njëjtin nivel.

    Të nderuar deputetë,

    Sot po diskutojmë projektligjin “Për deklarimin vullnetar të aseteve dhe rishikimin e

    pasqyrave financiare”, e thënë ndryshe amnistia fiskale, e cila nuk është një ide që trajtohet për

    herë të parë në Shqipëri, pasi përpjekjet për të realizuar një projekt të tillë kanë ndodhur edhe gjatë

    viteve më parë.

    Çfarë e bën të veçantë prezantimin e këtij projektligji? Ajo që e bën të veçantë është

    elementi fiskal i gërshetuar me atë penal për të cilin gjykojmë që ka një vlerë të shtuar për

    efektivitetin e këtij ligji dhe për zbatimin e tij për periudhën që parashikohet dhe propozohet.

    Do t’ju bëj një prezantim të shkurtër dhe po e filloj me afatin se cilat janë shtyllat në të

    cilat bazohet deklarimi vullnetar.

    Së pari, është deklarimi vullnetar i pasurisë, strategjisë dhe individët, e cila përfshin

    pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme brenda dhe jashtë vendit, shumat në të holla, monedhë

    shqiptare apo e huaj, sende me vlerë, ar apo gurë të çmuar, vepra arti, tituj apo instrumente të tjerë

    të tregjeve financiare dhe pasuritë e luajtshme të regjistrueshme në regjistrat publikë.

    Së dyti, në raport me bizneset rishikimi i pasqyrave financiare nga të gjitha bizneset, e

    cila do të konsistojmë në dhënien e mundësisë për të gjithë ato biznese, besoj se të gjithë jemi të

    ndërgjegjshëm, që 30 vjetët e fundit kanë pasur nevojë për të bërë një korrigjim të zërave fiktivë

    të pasqyrave financiare të tilla si aktivet monetare, inventarët, furnitorët dhe ajo çka është më e

    rëndësishmja, kapitali.

    Gjithashtu, parashikohet që të falen të gjitha gjobat, kamatëvonesat, penalitetet e

    parashikuara në legjislacionin në fuqi për regjistrimin e pasurive objekt i këtij ligji apo veprimet

    administrative me këto pasuri, duke filluar nga momenti i përfundimit i procesit të deklarimit

    vullnetar të pasurisë.

    Projektligji ofron garanci ligjore të mjaftueshme për të gjitha subjektet apo individët që

    të bëjnë deklarimin vullnetar, duke u përjashtuar nga ndëshkimi penal, por besoj se kolegu se i

    Ministrisë së Drejtësisë do ta administrojë më mirë çështjen në këtë aspekt.

    Për pasuritë që do të deklarohen në mënyrë të vullnetshme do të paguhet një tarifë, e cila

    është e përshkallëzuar. Kjo tarifë është menduar e tillë për të nxitur në veçanti një përfitueshmëri

    për bizneset dhe individët në 4-mujorin e parë, ku tarifa për të cilën do të aplikohet është 5% dhe

  • 5

    më pas gjatë 4-mujorit të dytë do të shkojë në 7% dhe në 4-mujorin e tretë në masën 10%.

    Propozimi ynë është për një periudhë 1-vjeçare të realizimit të këtij procesi, pra të deklarimit

    vullnetar, thënë ndryshe amnisti.

    Dëshiroj të ndalem te një element shumë i rëndësishëm dhe në veçanti tek ajo që përbën

    thelbin e nenit 6 të këtij ligji, që ka të bëjë me individët që nuk përfitojnë nga kjo amnisti. Sipas

    projektligjit të propozuar ka një përcaktim të detajuar të subjekteve që ne i kemi përjashtuar nga

    kjo amnisti që në fillim të herës. Pra, që në fillim kemi treguar një qasje ndryshe nga aplikimi që

    bëhet në vendet e tjera ku ka pasur një hapësirë më të madhe për të vendosur persona apo individë,

    të cilët janë pjesë e projektligjit dhe më pas i kontrolleve.

    Në nenin 6 bëhet një ndarje e marzhinuar në raport me këto grupe. Të gjithë individët

    zyrtarë apo politikanë, të cilët janë ose kanë qenë subjekt i deklarimit të pasurisë së ILKDPS-së,

    si dhe personat në përbërje të gjendjes së tyre familjare, subjektet e ligjit “Për parandalimin dhe

    goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të

    ndryshuar””; subjektet e ligjit “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër

    terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit dhe të sigurisë

    publike; personat e shpallur dhe personat për të cilët ka filluar procedura e shpalljes në zbatim të

    ligjit “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar””. Të katër këto grupe janë të

    përjashtuar nga aplikimi i këtij ligji.

    Për ta zbatuar këtë ligj do të ngrihet një njësi speciale pranë Administratës Tatimore, e

    cila do të përbëhet nga njerëz që kanë eksperiencë, dije dhe integritet. Sigurisht, kjo është një

    detyrë që i ngarkohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila përtej ngritjes së grupit do të

    ketë një kohë të caktuar për të bërë dhe për të skanuar të gjitha kërkesat individuale me një afat

    prej 48 orësh përpara se i gjithë procesi të ndodhë pastaj formalisht në të gjithë sistemin financiar

    nëpërmjet pagesës dhe tarifës së përmendur pak më lartë.

    Si do të bëhet ky proces në disa hapa?

    Çdo individ apo subjekt që do të bëjë deklarimin duhet ta fillojë këtë proces duke

    plotësuar formularin e vetëdeklarimit te kjo njësi speciale pranë Administratës Tatimore. Kjo njësi,

    siç e thashë edhe pak më parë, do të ketë 2 ditë kohë që ta verifikojë këtë deklarim dhe të vërtetojë

    nëpërmjet të gjitha strukturave dhe informacionit që personi është i përjashtuar nga grupet e

    përcaktuara në nenin 6 të tij.

  • 6

    Sigurisht, këtë verifikim do ta bëjë jo vetëm, por në bashkëpunim të ngushtë me

    institucionet e tjera dhe strukturat e parandalimit dhe pastrimit të parave, sikurse edhe të gjitha

    strukturat ligjzbatuese që sot kanë për detyrë të krijojnë një database të mjaftueshme për të pasur

    të gjithë informacionin e duhur. Pas 2 ditësh kjo njësi lëshon një dublikat me të cilin subjekti ndjek

    më pas procedurën e deklarimit në bankë.

    Të nderuar deputetë, është e rëndësishme të theksoj një element shumë të rëndësishëm,

    se çfarë do të ndodhë paralelisht, por mbi të gjitha se çfarë do të ndodhë pas periudhës 1-vjeçare.

    Unë si ministre e Financave jam në detyrë për një periudhë prej 1 viti e gjysmë, por besoj

    se edhe për të gjithë ish-ministrat e Financave lufta kundër evazionit është objektiv, por nuk është

    një mision i lehtë për t’u realizuar, pasi mbi të gjitha kërkohet që lufta kundër evazionit të jetë

    efektiv dhe kjo falë edhe sistemeve dhe jo vetëm individëve apo vullnetit të drejtuesve.

    Gjatë këtij 1 viti e gjysmë kemi marrë disa projektligje, të cilat kanë kaluar edhe në

    komisionin tuaj të nderuar. Disa projektligje të vitit të kaluar janë ratifikuar në parlament, që bëjnë

    pjesë në paketën MANIVAL, e cila nëpërmjet strukturës së tyre teknike FATF dhe për arsye të

    rezultateve të munguara, realizuan një vlerësim në muajin shkurt për të gjitha përpjekjet e

    parandalimit të luftës për pastrimin e parave dhe vendosjen e Shqipërisë në një monitorim të shtuar,

    çka na çoi në një plan veprimi së bashku me FATF-në, të cilën e kemi ndjekur muaj pas muaji së

    bashku me zëvendëskryeministrin, zotin Braçe.

    Gjatë kësaj pune në fokus kanë qenë edhe dy ligje shumë të rëndësishme, të cilat besoj se

    gjatë muajit shtator do të jenë për diskutim në komisionin tuaj, por mendoj se është e rëndësishme

    që t’i përmend sot si pjesë e një pakete jo vetëm e projektligjeve, por edhe e sistemeve, të cilat do

    të mundësojnë një kryqëzim më të mirë të informacionit.

    Do të krijohet Regjistri i Llogarive Bankare, i cili do të mundësojë që në kohë reale

    Administrata Tatimore të ketë të gjitha llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve. Do të

    krijohet Regjistri i Pronarëve Përfitues dhe në këtë regjistër do të regjistrohen të dhënat e pronarëve

    përfitues të të gjithë bizneseve që operojnë në vend. Pronari përfitues është individi i fundit, i cili

    ka në pronësi ose kontrollon subjektin. Kjo është për të gjitha bizneset, të cilat duhet të deklarojnë

    pronësinë e tyre për të gjitha asetet që kanë si në vend ashtu edhe jashtë.

    Po ashtu mjaft i rëndësishëm është edhe këmbimi automatik i informacionit, i cili është

    një ligj i aprovuar ndërkohë dhe vjen së fundi me një nevojë për të ndryshuar vetëm një afat të

    zbatimit të tij, pra nga data 1 shtator të shtyhet më 1 janar, për arsye se sistemi bankar nuk ishte në

  • 7

    gjendje të prodhonte të gjithë numeracionin e kërkuar sipas afatit të parë i vendosur në fund të

    muajit korrik për arsye të situatës së pandemisë dhe për këto arsye u vendosën disa prioritete

    përpara realizimit të sistemeve për këmbimin automatik të informacionit.

    Me këtë shtyrje shpresojmë që më 1 janar të vitit 2021 administrata jonë tatimore të

    këmbejë informacion në kohë reale me 146 administratat e tjera tatimore.

    Së fundi, fiskalizimi. Fiskalizimi është një ligj që e kemi miratuar vitin e kaluar. Edhe ky

    ligj ka kompleksitet, sidomos për faktin se përfshin disa aktorë mbi të gjitha bizneset dhe që

    marrëdhëniet e kesh-it, pra ato që janë marrëdhënie biznes me klient apo marrëdhëniet që kalojmë

    nëpërmjet sistemit financiar, që janë marrëdhëniet biznes me biznes, kërkojnë ndryshimin e

    protokolleve për të realizuar një lexim jo më një herë në fund të ditës nga administrata tatimore,

    por në kohë reale në administratën tatimore të çdo transaksioni që ndodh në sistem qoftë ky i

    raportuar në kesh apo në nëpërmjet bankës.

    Të katër këto sisteme që ju përmenda pak më parë janë një pjesë e një përditësimi të

    rëndësishëm institucional për të realizuar sistemin, i cili do të kryqëzojë në mënyrë më efektive

    informacionin brenda një administrate tatimore si në aspektin lokal ashtu edhe ndërkombëtar.

    Po ashtu, jemi duke punuar për të ndryshuar një qasje drejt hetimit në mënyrë që të jetë

    më inteligjent në mënyrë që të punohet me sistem dhe me inteligjencë dhe jo me kontrolle dhe

    nëpërmjet njerëzve.

    Po ashtu, dua t’ju them që në këmbimin e informacionit mes institucioneve së fundi ne

    kemi firmosur edhe një marrëdhënie bashkëpunimi ndërmjet disa institucioneve, përfshi këtu edhe

    Prokurorinë e Përgjithshme, në mënyrë që të kemi mundësi ta marrim më mirë informacionin që

    kërkohet për ta luftuar krimin e organizuar dhe paratë që rrjedhin nga ky organizim, por edhe për

    të mos lejuar që imazhi i Shqipërisë të jetë ai i një vendi, i cili nuk arrin dot rezultate të qenësishme

    për t’i dënuar këto vepra. Për këto arsye mendoj se duhet të kemi një tejzgjatje të kohës për të qenë

    në monitorim, pasi ne synojmë që të dalim nga monitorimi për një periudhë optimale deri në fund

    të vitit të ardhshëm.

    Jam e hapur për pyetje, por besoj se edhe në aspektin penal dhe fiskal kolegët janë në

    dispozicionin tuaj.

    Faleminderit!

    Ulsi Manja – Faleminderit, zonja Ministre!

    Fjalën do t’ia kaloj relatorit të Komisionit të Ligjeve, zotit Hyseni.

  • 8

    Më pas projektligji është i hapur për pyetje dhe diskutime.

    Alket Hyseni – Faleminderit, zoti kryetar!

    Të nderuar kolegë,

    E nderuar ministre dhe pjesëmarrës në mbledhje,

    Sot paraqitet në Komisionin e Ligjeve, si komision për dhënie mendimi, një projektligj

    shumë i rëndësishëm në historinë 30-vjeçare, për amnistinë fiskale, një ligj i kompletuar dhe me

    një fushë veprimi më të gjerë. Propozues i këtij projektligji është Këshilli i Ministrave, një

    propozim, i cili vjen në kuadër të nenit 81, pika 2 të Kushtetutës, pra kërkohet një shumicë e

    cilësuar prej 3/5-ve. Vetë ky nen shprehimisht në pikën 9 përcakton që ligji për amnistinë kërkon

    një shumicë të tillë.

    Unë do të ndalem fare pak sa i takon qëllimit të këtij projektligji, pasi ministrja na bërë

    një analizë shteruese, prandaj dua ta falënderoj për prezantimin e plotë që i bëri projektligjit dhe

    qëllimit të tij. Do të doja t’ju parashtroja shkurtimisht 6 boshtet kryesore që paraqet ky projektligj

    dhe më pas si relator që bashku me këshilltarët ekonomikë, por edhe të një analize të plotë që kemi

    bërë me ekspertizë aq sa ne kemi mundur, duke marrë parasysh edhe disa sugjerime të Prokurorit

    të Përgjithshëm dhe të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe të Deklarimit të Pasurive dhe të

    Konfliktit të Interesit, mendojmë se ka disa problematika që duhen adresuar dhe këtu besoj se do

    të gjej edhe mirëkuptimin e komisionit që sot këtë projektligj ta kalojmë vetëm në parim.

    Ky projektligj ka një rëndësi shumë të madhe dhe është tepër i kërkuar nga ana e

    qytetarëve shqiptarë, kryesisht nga ata njerëz, të cilët kanë shkuar në emigracion dhe me mund e

    djersë kanë siguruar të ardhurat e tyre, për të cilat shpesh ndeshen me burokracira dhe në risqe për

    t’u sekuestruar, konfiskuar ose për penalite administrative kur i sjellin në kufi, por edhe për

    njerëzit, që kanë punuar nga 2 e 3 punë për të rritur fëmijët e tyre, është një imperativ i

    padiskutueshëm.

    Nga pikëpamja procedurale është në përputhje me Kushtetutën dhe me Rregulloren dhe

    nuk ka asnjë pengesë për t’u kaluar sot në parim.

    Çështjet kryesore që trajton projektligji në aspektin juridik, unë nuk do të ndalem shumë

    të aspektet ekonomike, janë, së pari, subjektet përfituese të tij dhe përjashtuese. Subjektet

    përfituese janë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht se nëse janë apo jo

    rezidentë tatimore në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë tatimpagues rezidentë

  • 9

    në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë

    pavarësisht shtetësisë së tyre.

    Ata që përjashtohen, së pari, janë të gjithë zyrtarët, subjekt i ligjit për deklarimin e

    pasurisë; së dyti janë subjektet e ligjit antimafie, siç e njohim shkurtimisht, ose ligjit “Për

    parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërmjet masave parandaluese

    kundër pasurisë”, dhe, së treti, janë subjektet e aktit normativ që kemi kaluar së bashku, aktin

    normativ nr. 1, datë 31 .01.2020 të Këshillit të Ministrave.

    Grupi i dytë që përmban ky ligj janë taksat që paguajnë subjektet, të ndara në tri kategori,

    në tre katëmujorë me rritje progresive, për katërmujorin e parë janë taksa 5% për të shkuar në

    10% në katërmujorn e dytë. Me të drejtë qeveria ka zgjedhur një rrugë progresive për të stimuluar

    ata që janë më të ndërgjegjshëm dhe ata që janë më të interesuar në fazën më parë. Kjo është

    modeste krahasuar me totalin e tatimeve që paguhet normalisht, por besoj se do të jetë nxitëse për

    subjektet.

    Grupi i tretë që përfshin janë garancitë dhe të drejtat e subjekteve përfituese pas

    përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar, garanci që janë shumë të rëndësishme për t’u dhënë

    siguri dhe besim subjekteve, por, njëkohësisht, për t’i mbrojtur nga konsekuenca, të cilat sjellin

    pasoja në të ardhmen, përjashto ato tri subjekte që unë thashë se nuk përfitojnë.

    Detyrimet tatimore do të konsiderohen të paguara tashmë në përputhje me legjislacionin

    shqiptar. Përjashtohet detyrimi i dhënies së informacionit pranë institucioneve përkatëse

    administrative në lidhje me kohën, mënyrën e fitimit ose mbajtjen e këtyre pasurive, ruan sekretin

    sa i përket ligjësimit të pasurive të deklaruara në përputhje me legjislacionin shqiptar, ka garanci

    për subjektet që kanë deklaruar në të holla për mosdiskriminimin e procedurat e përllogaritjes së

    detyrimeve tatimore në të ardhmen, përjashtim nga ndjekja e procedurave hetimore administrative

    në kuadër të ndryshimeve administrative, përjashtim nga ndjekja penale dhe procedimi penal për

    vepra penale në lidhje me pasuritë e deklaruara, si dhe mosvënien në masë sekuestrosh ose

    konfiskimi ndaj pasurive subjekt i këtij ligji.

    Grupi i katërt që përfshihen në këtë ligj janë organet përgjegjëse për zbatimin tij, sikurse

    është njësia e posaçme që ngrihet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila u shpjegua

    dhe nuk po ndalem.

    Grupi i pestë i tematikës është përfitimi i amnistisë penale. Ky është një grup, që na

    imponohet më tepër si Komision i Ligjeve dhe pikërisht edhe këtu kemi diskutime më shumë.

  • 10

    Unë mendoj se ka disa problematika, të cilat duhet t’i diskutojmë dhe të na shpjegojnë më tepër

    edhe propozuesit, mbase edhe në mbledhjen e ardhshme, nuk është e thënë që sot, por gjykoj se

    janë të domosdoshme për t’u shtuar.

    Së fundi është afati i amnistisë fiskale, i cili është vetëm 12 muaj.

    Do të kaloj te çështjet parimore, të cilat ne kemi gjykuar se duhet të adresohen. Së pari,

    parimi i përgjithshëm i mosdiskriminimit, një parim kushtetues. Ne e kuptojmë se nismat për

    amnistinë fiskale ose ato të faljes së detyrimeve qoftë tatimore, qoftë dhe doganore shoqërohen me

    lehtësimin e qytetarëve dhe bizneseve në procesin e deklarimit dhe ligjësimit të pasurive të tyre,

    por në çdo rast këto nuk mund të bien ndesh me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit në raport

    edhe me qytetarët e tjerë. Ka qytetarë, të cilët kanë qenë të rregullt në çdo hap të jetës së tyre ose

    të biznesit të tyre me ligjin dhe aktet nënligjore.

    Sa më sipër, vlerësojmë se do të duhet një informacion më i plotë dhe i gjithanshëm nga

    propozuesit lidhur me domosdoshmërinë dhe dobishmërinë e kësaj nisme, impaktin që ka pasur

    amnistia fiskale, e aplikuar pas miratimit të ligjit nr. 10418 të vitit 2018 “Për legalizimin e kapitalit

    dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, impaktit që do të ketë në publik dhe tek

    tatimpaguesit e tjerë kjo nismë lidhur me basimin e tyre në zbatimin me korrektësi të legjislacionit

    në të ardhmen nga ata dhe agjencitë ligjzbatuese dhe institucionet e tjera, kapacitet e administratës

    sonë për të thelluar luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal dhe për të zbatuar në mënyrë

    të plotë sistemin e penaliteteve pas përfundimit të kësaj amnistie.

    Një problem i dytë, që mendojmë se duhet adresuar, është fakti që projektligji parashikon

    se subjektet përfituese të ligjit të mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elementet e

    pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë në tërësi ose pjesë të tyre janë të padeklaruara ose

    të paregjistruara nga autoritetet kompetente.

    Një risi e kësaj nisme, në ndryshim nga amnistitë e mëparshme, është njohja e mundësisë

    për të legalizuar pasuritë, përfshirë edhe shuma në të holla që ndodhen brenda ose jashtë territorit,

    veçanërisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund t’i adresojnë me pagimin e

    tatimit përkatës dhe më pas mund të përdoren dhe administrohen lirisht nga subjektet.

    Për sa më sipër, vlerësoj se propozuesi duhet të japë disa shpjegime më tepër se cilat

    procedurat dhe masat që parashikohen të ndërmerren për të shmangur dhe parandaluar pastrimin e

    parave dhe financimin e terrorizmit? A vlerësohet i mjaftueshëm vetëm bashkëpunimi dhe

    koordinimi që parashikohet në nenin 7, pika 3, të këtij projektligji ndërmjet njësisë speciale dhe

  • 11

    institucioneve të tjera, si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave,

    Prokuroria, ose Shërbimi Informativ i Shtetit për të arritur qëllimin, parandalimin e mundësive për

    pastrimin e parave? Në këtë fokus cilat do të jenë konsekuencat e vendit tonë lidhur me detyrimet

    që ka Republika e Shqipërisë në kuadër të MANYVAL ose EGMONT grup? Çdo konsultë

    paraprake do të ishte e mirëpritur nëse ka pasur ose jo të tilla.

    Së dyti, si do të qëndrojë ky projektligj në raport me ligjin “Për parandalimin e pastrimit

    të parave dhe financimin e terrorizmit”, i ndryshuar në kohë e në vite, ku subjekte të ligjit janë

    bankat e nivelit të dyte dhe institucionet financiare jo banka ose autoritetet doganore? A do të

    zbatohen procedurat e parashikuara në këto ligje specifike, siç janë procedurat e vigjilencës së

    duhur ose ato të vigjilencës së zgjeruar pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji që ne diskutojmë

    sot?

    Së treti, si do të veprohet në rastet kur personi që kërkon të riatdhesojë pasurinë ka qenë

    i dënuar për kryerje të veprimtarisë penale në një shtet tjetër, vepër penale që nuk është amnistuar

    nga ai shtet? Si do të qëndrojë ky projektligj në raport me legjislacionin aktual në fuqi për

    marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale? A do të kërkohet shkëmbimi

    i informacionit me autoritet e shtetit prej të cilit vijnë këto pasuri para se të përfundojnë procedurat

    e deklarimit vullnetar?

    Një grup i tretë shqetësimesh ka lidhje me faktin që gjatë hartimit të këtij projektligji, a

    janë konsultuar me eksperiencat dhe praktikat më të mira të vendeve të tjera, të cilat kanë

    ndërmarrë amnisti fiskale, problematikat që janë ndeshur dhe zgjidhjet që kanë dhënë këto vende?

    Së katërti, temë për t’u diskutuar është parashikimi i bërë në pikën 4 të nenit 8 dhe neni

    13 pika 3, sepse gjykojmë se janë të paqarta dhe të pamjaftueshme. Për këtë paragraf vlerësojmë

    të nevojshme se nga ana e propozuesve duhet të qartësohet raporti i këtij parashikimi me Kodin e

    Procedurës Penale. Kjo pasi ajo që konsiderohet si provë në procedimin penal, kuptimi, çmuarja,

    marrja e tyre janë çështje të rregulluara në parashikimet e Kodit të Procedurës. Cilat ka qenë

    arsyeja e trajtimit në dispozitat e këtij projektligji të çështjeve që rregullohen nga procedura

    penale?

    Së pesti, në nenin 10, pika 2, parashikohet dhënia e përparësisë së regjistrimit të pasurive

    të deklaruara ndaj subjekteve të këtij ligji. Mos po kalojmë pak më tepër se ç’duhet? Mos po i

    bëjmë të paligjshmit më të përkrahur dhe me diskriminim pozitiv në krahasim me qytetarët e

  • 12

    ndershëm. Unë mendoj se duhet riparë kjo. Mjafton pjesa e parë, pjesa tjetër të jetë me të njëjtat

    afate dhe procedura si qytetarët e tjerë.

    Së gjashti, në lidhje me pikën 1 shkronja “dh” të nenit 16 të këtij projektligji, në adresim

    dhe të sugjerimeve dhe shqetësimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorit të

    Përgjithshëm është e nevojshme të përcaktohet qartë në ligj nëse do të zbatohet neni 36 i Kodit

    Penal për këto pasuri, ose masat e tjera ndaj pasurisë, në kuadër të hetimeve që do të zhvillohen

    për vepra penale që nuk amnistohen përmes këtij ligji, a do të aplikohen në bazë të rregullave,

    tashmë të parashikuara në ligjin procedural, apo ligje të tjera, apo do t’i nënshtrohen një regjimi të

    veçantë përmes gëzimit të një statusi tjetër?

    Së shtati, në lidhje me dispozitat që parashikojnë amnistinë penale, është e rëndësishme

    të qartësohen nga propozuesit këto çështje: Cilat baza do të përshijnë përjashtimin nga ndjekja

    penale, mosfillimin e hetimeve, pushim të ndjekjes penale për çështjet në hetimi, apo pushim për

    çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykata? Cilat janë veprat penale që do të

    përjashtohen nga ndjekja penale? Në çdo ligj të amnistisë penale janë identifikuar, në mënyrë

    shteruese dhe specifike, veprat penale për të cilat përfitohet amnistia, ndërsa te ligji që po

    shqyrtojmë konstatojmë se një parashikim i tillë është i rëndësishëm për efekt zbatimi të drejtë dhe

    garantimi i parimit të sigurisë juridike mungon. A është bërë kjo për shkak të teknikës apo është

    lënë qëllimisht kështu? I gjithë shqetësimi ynë është që gjatë zbatimit në praktikë të mos sjellë

    standarde të ndryshme aplikimi, të mos sjellë keqinterpretime dhe të mos lëmë shteg për abuzime

    nga strukturat zbatuese, jo vetëm administrative, po flasim, por edhe penale. Ne nuk mund të

    pretendojmë që kemi arritur drejtësinë e kulluar, kur të jemi të qetë që do të zbatohet njësoj dhe

    drejtë çdo ligj, jo vetëm ky ligj.

    Së nënti, lidhur me disa pretendime që ka ngritur Inspektorati i Lartë i Deklarimit të

    Pasurive, a do të fusim konceptin e përcaktuar në këtë ligj për personat e lidhur, se çfarë kuptimi

    do të kishte të përjashtonim vetëm zyrtarët, ndërkohë detyrimin për deklarimin e kanë edhe

    personat e lidhur me ta dhe ne pa e cituar në këtë ligj duket si pa dashje, ose nuk interpretohet

    qëllimisht me keqdashje, sikur janë përjashtuar?

    Këto janë disa probleme, zoti kryetar, drejtuar ministrave dhe përfaqësuesve të

    institucioneve, të cilat unë bashkë me këshilltarët e Kuvendit kemi gjykuar që duhen diskutuar dhe

    adresuar për një pjesë ndoshta shqetësimi, por për një pjesë tjetër kërkon reflektim në projektligj,

    dhe për këtë arsye unë do të kërkoja që të fokusohemi në miratimin në parim sot dhe në mbledhjen

  • 13

    tjetër të komisionit të marrim një përgjigje ne, dhe t’u japim mundësi edhe kolegëve të tjerë për

    të diskutuar për këto çështje.

    Ju falënderoj për vëmendjen!

    Ju ftoj ta miratojmë në parim njëzëri këtë projektligj të rëndësishëm dhe të shumëpritur,

    sikurse e theksova, për qytetarët e këtij vendi.

    Ulsi Manja - Faleminderit, zoti Hyseni, për relatimin, por edhe pyetjet që parashtruat në

    lidhje me projektligjin dhe që kanë nevojë të qartësohen në shqyrtimin dhe miratimin nen për nen!

    Me sa kuptohet edhe nga problematika e evidentuar nga relatori, shumë pyetje kanë të bëjnë me

    amnistinë fiskale, sepse shqetësimi i zotit Hyseni, por edhe imi dhe i të gjithë juristëve në një

    projektligj të tillë, është parimi sigurisë juridike. Nuk mjafton që këtyre subjekteve t’u garantojmë

    amnistinë fiskale, por kjo duhet të shoqërohet në të gjithë dinamikën edhe me amnistinë penale.

    Unë mendoj që përfaqësimi i Ministrisë së Drejtësisë sot në këtë mbledhje të Komisionit të

    Ligjeve, ku prezantohet në parim një projektligj shumë i rëndësishëm, i sjellë nga qeveria, me

    propozimin e dy ministrive, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave, do të duhet të

    kishte qenë në komision vetë ministrja, zonja Gjonaj.

    Zoti Beja, Ministria e Drejtësisë, ju, si drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit, besoj i keni

    mbajtur shënim pyetjet e kolegut tim Hyseni. Para se të kalojmë në pyetje dhe diskutime nga

    kolegët e tjerë, a ka Ministria e Drejtësisë përgjigje për pyetjet e relatori apo rezervojmë të drejtën

    të sillni përgjigje me shkrim për secilën nga pyetjet para se të kalojmë në shqyrtimin dhe miratimin

    nen për nen?

    Besmir Beja – Unë me lejen tuaj, mund të jap një shpjegim të përgjithshëm. Unë i mbajta

    shënim të gjitha pyetjet dhe më pas mund të sjellim përgjigje edhe me shkrim për secilën nga

    pyetjet që relatori kishte.

    Dispozita përkatëse për amnistinë penale ka qenë një nga dispozitat që teknikisht ka qenë

    më e diskutuara, pra me të dyja alternativat: në bashkëpunim me veprat penale të posaçme, siç

    tipikisht është në traditën tonë legjislative në rastet kur kemi hartuar amnisti penale dhe posaçërisht

    janë përmendur vepra penale, të cilat janë amnistuar, ose në këto lloj rasti është një lloj amnistie

    atipike dhe do të duhet të ishin parashikuar, për shkak të llojit të mënyrës së zbatimit të kësaj

    amnistie, një dispozitë të përgjithshme për nga natyra për të mos lejuar që dispozita të keqpërdorej

    ose edhe të mos lejonte subjektet e caktuara të bënin deklarimin e pasurisë.

  • 14

    Më lejoni t’ju bëj me dije se, për shkak se të vëmendjes për të nxitur numrin më të madh

    të mundshëm të kërkesave për ta listuar dhe për të përmbushur në këtë mënyrë qëllimin e këtij

    ligji, amnistia e shkruar me dispozita të caktuara penale, pra tipikisht me ato që lidhen me veprat

    penale në fushën e taksave dhe tatimeve, dukej sikur ishte një lloj detereni përkundrejt të gjithë

    shtetasve që donin të bënin deklarimin dhe të ardhurat nga kjo lloj veprimtarie, pra nga kryerja e

    veprave penale në fushën e taksave dhe tatimeve, që nuk kanë deklaruar të ardhurat e tyre për

    shkaqe të ndryshme, dukej sikur më pas prokuroria do të mundej të bënte cilësimin e ndryshëm

    juridik të një vepre penale dhe një subjekt, i cili me të drejtë mund të përjashtohej nga amnistia

    penale, do të duhej, në raste të caktuara, nga zbatimi i ndryshëm i ligjit nga prokurorë të ndryshëm,

    të shërbente si deteren që personat të mos bënin deklarimin. Për këtë shkak ne përzgjodhëm

    çështjen që jo domosdoshmërish vjen në linjë me historikun tonë legjislativ, në rastet kur kemi

    miratuar amnisti të tilla, por përzgjodhëm një dispozitë, e cila ishte e përgjithshme nga natyra, por

    i jepte garancinë çdo shtetasi që do të përfitonte nga kjo amnisti të mund të përjashtohej nga ndjekja

    penale sa kohë që kjo lloj pasurie nuk është produkt i veprave penale të ardhura nga krimi i

    organizuar ose veprave të tjera të ndryshme penale.

    Pra, kjo është e përcaktuar qartë dhe duhet thënë me të madhe që subjektet e përjashtuara

    janë të gjitha ato subjekte që janë si pjesë e aktit normativ apo si pjesë e ligjit antimafie. Pra, kjo

    dispozitë nuk përjashton nga ndjekja penale ato subjekte, të cilat janë marrë me krimin e organizuar

    ose pasuritë e tyre e kanë prejardhjen nga krimi i organizuar.

    Ju faleminderit!

    Ulsi Manja – Faleminderit, zoti Beja!

    Në fakt, për pyetjet e relatorit, kolegut Hyseni, por edhe pyetjet e tjera, që mund të kenë

    kolegët lidhur me projektligjin, do të duhet të zhvillojmë një mbledhje tjetër të komisionit kur të

    vijë koha, sepse projektligji për amnistinë fiskale, varianti siç ka ardhur nga qeveria, edhe në

    opinionin që na ka sjellë Prokurori i Përgjithshëm, ka nevojë të qartësohet në disa nene, sepse

    vërtet është një ligj që votohet me shumicë të cilësuar edhe amnistia fiskale dhe penale, pra me 3/5

    e votave, njësoj siç votohet edhe Kodi Penal, edhe Kodi i Procedurës Penale, por mos harroni, për

    Prokurorinë, si agjenci e zbatimit të ligjit, që ushtron ndjekjen penale dhe hetimin në Republikën

    e Shqipërisë, kur ndeshen këto dy ligje, prevalon Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal. Është

    shumë e rëndësishme që në këtë ligj ne si Komision Ligjesh (në fakt, unë më shumë e shoh

    problemin te komisioni ynë se te Komisioni i Ekonomisë, sepse atje është e zgjidhur çështja e

  • 15

    amnistisë fiskale, ka modele të kësaj amnistie), por çështja e amnistisë penale, në harmoni me

    amnistinë fiskale do të duhet të kuadrohet me të gjithë kuadrin ligjor që kemi në fuqi.

    Gjithsesi, unë e deklaroj mbledhjen të hapur për pyetje dhe diskutime nga kolegët, para

    se ta kalojmë në votim.

    Kush e do fjalën për pyetje?

    Po, zoti Fino.

    Bashkim Fino – E doja fjalën për procedurë, kryetar!

    Në fakt, relatori Hyseni na çorientoi më shumë se sa na qartësoi, sepse u duk sikur ai e

    kishte lexuar për qejfin e vetë projektligjin. E vlerësoj relatorin Hyseni për eksperiencën që ka në

    fushën e pastrimit të parave, natyrisht. Drafti ishte tjetër gjë, në fakt, por në fund na kërkoi ta

    votojmë në parim, ndërkohë që kishte 9 çështje a mos më tepër, për të cilat edhe ai ishte i paqartë,

    edhe pse është më i specializuar se ne, në fund të fundit. Në këtë moment që është i paqartë relatori,

    nuk mund të na kërkojë ta votojmë në parim, aq më tepër që ky projektligj nuk do të kalojë tani.

    Më falni që po e them, ndaj e kisha për procedurë, ndoshta do të ishte mirë të merreshin

    përgjigjet dhe relatori me sinqeritetin e tij të na thoshte: “Po, me këto përgjigje unë jam i sigurt që

    projektligji duhet votuar në parim”. Atë punë që bën gjithmonë Adnori, kur është relator.

    Ulsi Manja – Faleminderit, zoti Fino!

    Në fakt, zoti Hyseni, si relator e ftoi komision ta votojmë në parim, sepse ligji “Për

    amnistinë fiskale” është çështje e vullnetit politik dhe ky projektligj është depozituar nga qeveria.

    Komisioni ynë është parimisht dakord që të kalojë, por kjo nuk do të thotë që në fazën e shqyrtimit

    nen për nen të mos marrin përgjigje jo vetëm shqetësimet e kolegut Hyseni, por edhe shqetësimet

    e kolegëve të tjerë, sepse edhe unë kam pyetjet e mia, që do t’i depozitoj për Ministrinë e Drejtësisë

    dhe Ministrinë e Financave lidhur me nene të caktuara të projektligjit. Ajo që duhet t’u garantojmë

    qytetarëve shqiptarë apo subjekteve përfitues të këtij ligji nuk është thjesht amnistia fiskale, por

    edhe amnistia penale për veprat që lidhen me pasurinë e luajtshme apo të paluajtshme që do të

    deklarojnë rrethi i subjekteve përfituese.

    Natyrisht, me të gjithë respektin për zotin Beja, nuk ndaj të njëjtin mendim lidhur me

    qartësinë e ligjit në variantin që kanë ardhur 2-3 nene, që kanë lidhje me amnistinë penale.

    Zoti Fino, zoti Hyseni është relator për të ngatërruar, pra për të bërë filtrin e projektligjit,

    për ta sjellë atë në variantin më të mirë.

  • 16

    Kush ka pyetje nga kolegët? Nëse nuk ka pyetje, të kalojmë te diskutimet dhe më pas në

    votimin në parim të projektligjit.

    Me sa duket nuk ka pyetje, sepse zoti Hyseni si relator i ka ezauruar të gjitha pyetjet për

    projektligjin, kalojmë te diskutimet.

    Nuk ka as diskutime.

    Atëherë, me dakordësinë e relatorit, kalojmë në votimin në parim të projektligjit.

    Kush është pro? Kundër? Abstenim? Kemi një votë kundër dhe një votë abstenim (Korab

    Lita), për të cilin jam i bindur që abstenon thjesht se duhet të abstenojë.

    Korab Lita – Nëse më lejoni, dua të them dy fjalë.

    Ulsi Manja – Jo, për abstenim, nuk ka dy fjalë. Po të ishe kundër, do të ta jepja fjalën për

    shpjegim vote.

    Korab Lita – Mund të jem kundër herën tjetër, por vetëm për efekt të rëndësisë që ka ky

    ligj, në lidhje me amnistinë fiskale dhe penale, dhe për kohën që unë personalisht kam pasur në

    dispozicion, nuk kam arritur ta studioj dhe të jem i qartë, pavarësisht se është shumë i ndjeshëm

    ndaj publikut dhe realisht shumë i rëndësishëm, kështu që më lejoni të abstenoj, që të jem më i

    qartë në diskutimet gjatë mbledhjeve të ardhshme.

    Ulsi Manja – Faleminderit!

    Kemi 16 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 votë abstenim.

    Miratohet në parim projektligji “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë

    deklarim vullnetar të pasurive”.

    Me votimin në parim të këtij projektligji, ftoj Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e

    Drejtësisë ta shfrytëzojnë këtë kohë, që relatori, këshilltarët e komisionit, por edhe të dyja

    ministritë, të administrojnë edhe opinionet e ardhura nga Prokuroria e Përgjithshme dhe

    Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe para se të fillojmë shqyrtimin dhe

    miratimin nen për nen të këtij projektligji, të kemi dakordësuar disa çështje, që kanë të bëjnë me

    amnistinë, me pjesën e amnistisë penale, sepse, në fund të fundit, ne do të duhet të miratojmë një

    ligj, që duhet të jetë i zbatueshëm në praktikë për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe nëse nuk e

    bëjmë këtë, kemi miratuar një ligj gjysmak.

    Falënderoj zonjën Denaj, së bashku me stafin e Ministrisë së Financave që ishin të

    pranishëm në këtë mbledhje të komisionit!

  • 17

    Falënderoj zotin Beja për prezencën në komision dhe shpresojmë që në mbledhjen tjetër

    të komisionit të jetë prezent vetë ministrja, zonja Gjonaj, sepse ky ligj realisht ka shumë rëndësi

    dhe do të ishte mirë që të dyja ministritë të përfaqësoheshin në nivel ministri, sepse edhe

    problematika që do të diskutohet nen për nen është e një rëndësie të veçantë.

    Shumë faleminderit dhe ditë të mbarë!

    Sekretar

    Klotilda Bushka (Ferhati)

    Përgjegjëse e Sektorit të Redaktorëve Sekretare e komisionit

    Euzheni Pengili Evi Naku

  • 18

    REPUBLIKA E SHQIPËRISË

    KUVENDI

    Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

    PROCESVERBAL

    Tiranë, më 27.07.2020, ora 10:30

    Drejton mbledhjen:

    Ulsi Manja – kryetar i Komisionit

    Rendi i ditës:

    Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e

    informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të

    Shqipërisë”.

    Marrin pjesë:

    Ulsi Manja, Korab Lita, Klotilda Bushka, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Adnor Shameti,

    Bashkim Fino, Edmond Leka, Alket Hyseni, Spartak Braho, Alban Zeneli, Andi Përmeti, Aurora

    Mara, Ediola Braha, Adriatik Alimadhi, Nikolin Staka, Elena Xhina, Edlira Bode dhe Artemis

    Malo.

    Mungojnë:

    Damian Gjiknuri, Jurgis Çyrbja, Elda Hoti dhe Tom Doshi

    Të ftuar:

    Gentiana Sula - Kryetare e Autoritetit të Dosjeve

    Skënder Vrioni - Sekretar i Përgjithshëm i Autoritetit të Dosjeve

  • 19

    Ulsi Manja - Kalojmë në pikën e dytë të rendit të ditës, në shqyrtimin nen për nen të

    projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për

    dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

    Komisioni ynë është komision përgjegjës. Relatore është kolegia Vasilika Hysi. Ky

    projektligj është nismë e dy kolegëve deputetë, Edmond Leka dhe Artemis Malo.

    Nga Autoriteti i Dosjeve kemi prezent zonjën Gentiana Sula, kryetare, dhe zotin Skënder

    Vrioni, sekretar i Përgjithshëm.

    Nga mbledhja e kaluar e Komisionit të Ligjeve kemi lënë të hapura dy nene, për të cilat

    do të ndërhyjë zonja Hysi, dhe më pas do të kalojmë në votimin në tërësi të projektligjit.

    Zonja Hysi, ju kam në linjë?

    Vasilika Hysi – Përshëndetje kryetar!

    Të nderuar kolegë,

    Sikurse ju thatë, me të drejtë, është lënë një nen i hapur, neni i përkufizimeve, për shkak

    të dy-tri përkufizimeve, të cilat përbëjnë një ndryshim.

    E para, lidhur me bashkëpunëtorin për ish-Sigurimin e Shtetit. Në nismën e depozituar

    nga kolegët është hequr fjalia “vërtetohet që ka bashkëpunuar”, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë

    ka kërkuar që kjo fjali të mbetet.

    Njëkohësisht, gjatë fundjavës, në bashkëpunim me Autoritetin e Hapjes së Dosjeve, në

    komunikim me ta, është sjellë një variant që fjala “vërtetohet” të lihet “dokumentohet”.

    Njëkohësisht është shtuar edhe ai paragraf që ne ramë dakord: “Pavarësisht nëse për personin është

    dhënë një dënim apo jo për këto vepra nga organet kompetente të regjimit komunist”.

    Në fakt, riformulimi që ka sjellë përfaqësuesi i institucionit për fjalën “dokumentohet”,

    në vlerësimin tonë, përsëri është problematik dhe bie ndesh edhe me qëndrimin që ka mbajtur

    Ministria e Drejtësisë. E themi këtë, sepse fjala “vërtetohet” është më e saktë. Autoriteti është

    krijuar si një organ kolegjial, ku ka një bord që shqyrton dokumentet, jo thjesht lëshon dokumente.

    Në rast se do të thuhet “dokumentohet”, dokumentimin mund ta bëjë edhe një punonjës i thjeshtë

    i administratës, i cili merr një dokument në arkiv, e firmos me një letër përcjellëse Sekretari i

    Përgjithshëm dhe kjo punë përfundon këtu. Ndërkohë, ideja është që dokumentacioni që gjendet

    aty ka nevojë të ketë një proces verifikimi nga Autoriteti. Ndaj, fjala “dokumentohet” nuk është

  • 20

    në përputhje me qëllimin e ligjit dhe bie ndesh edhe me atë çfarë ka thënë Ministria e Drejtësisë.

    Ndaj, këtë çështje unë e lë edhe në vlerësim të anëtarëve të komisionit.

    Lidhur me përkufizimin e dytë për anëtarët, është pranuar propozimi i koleges Xhina. Pra,

    nuk mund të quhen “anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit” të gjitha nivelet e punonjësve. Riformulimi

    që sjellin përfaqësuesit e Autoritetit duket i drejtë. Ju keni para tabelën me riformulimet, ku thuhet:

    “Anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit janë punonjësit që kanë qenë në marrëdhënie pune, të cilët

    kanë pasur funksione zyrtare në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, ku përfshihen: oficerët,

    nënoficerët, punonjësit operativë deri te punonjësit e nivelit të lartë të ish-Sigurimit të Shtetit”.

    E treta, lidhur me përkufizimin e “personit të zhdukur” është sjellë një përkufizim, i cili

    është më i drejtë...

    Ulsi Manja - Ju lutem, zonja Hysi, keni një problem me audion!

    Vasilika Hysi – Ndoshta dikush ka hapur mikrofonin.

    Lidhur me përkufizimin e “personit të zhdukur” është sjellë një përkufizim i riformuluar

    gjatë fundjavës, i cili është më i drejtë me të vetmin ndryshim, që ka nevojë për një riformulim të

    teknikës legjislative, çka do të thotë se “personi i zhdukur është personi, sipas fushës së veprimit

    të këtij ligji” pra duhet ta shtojmë për të bërë dallimin nga përkufizimi që i bëhet “personit të

    zhdukur”. Ky është rregullimi që duhet të bëjmë për këtë nen, zoti kryetar.

    Ulsi Manja - Ju faleminderit, zonja Hysi!

    Pra, te ky nen kishim 3 përkufizime: përkufizimi “bashkëpunëtori i ish-Sigurimit të

    Shtetit”, ku kërkohet që të hiqet fjala “vërtetohet” dhe Autoriteti propozon të jetë “dokumentohet”.

    Po ashtu është përkufizimi i “anëtarit të ish-Sigurimit të Shtetit” dhe përkufizimi “person

    i zhdukur”. Unë e di që në mbledhjen e kaluar dakordësuam që te përkufizimi “bashkëpunëtori i

    ish-Sigurimit të Shtetit”, fjala “vërtetohet” të ngelet në projektligj dhe ne të shtojmë vetëm

    paragrafin ku thuhet: “pavarësisht nëse është dhënë ose jo një dënim për këto vepra nga organet

    kompetente të regjimit komunist”.

    Pra, përkufizimi i konceptit “bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit”, të mbetet siç është

    në ligjin ekzistues, por të shtohet paragrafi pas fjalës së ndryshuar “...pavarësisht nëse është dhënë,

    ose jo një dënim për këto vepra nga organet kompetente të regjimit komunist”.

    Vasilika Hysi – Ekzakt.

    Ulsi Manja – Dakord?

  • 21

    Vasilika Hysi – Dakord, unë personalisht jua solla argumentet e Ministrisë së Drejtësisë

    dhe problematikën që shkakton.

    Ulsi Manja – A jeni dakord të mbetet kështu siç është, duke shtuar këtë paragraf?

    Zoti Beja e ka kërkuar fjalën.

    A është në linjë zoti Beja nga Ministria ë Drejtësisë?

    Besmir Beja – Zoti kryetar, në qasjen tonë ne kemi kërkuar që ndryshimet që i bëhen

    ligjit, dhe ky ishte thjesht për të shpjeguar komentin, që kemi paraqitur me shkrim, të mos prekin

    si objektin, ashtu dhe qëllimin e tij. Me përkufizimin e parashtruar nga zonja Hysi jemi shumë

    dakord, nuk ka ndonjë problem.

    Sidoqoftë në dispozicionin tuaj do të keni shpjegimin, që mund t’ju duhet për komentet

    që kemi paraqitur me shkrim pranë komisionit.

    Ulsi Manja – Faleminderit!

    (Shkëputje interneti)

    Zonja Hysi, a dëgjohem?

    Vasilika Hysi – Po, ju dëgjoj.

    Ulsi Manja – A jemi të gjithë dakord për përkufizimin lidhur me bashkëpunëtorin e ish-

    Sigurimit të Shtetit?

    Vasilika Hysi – Po jam dakord.

    Ulsi Manja – Kalojmë te përkufizimi i anëtarit të ish-Sigurimit të Shtetit.

    Ka një propozim nga kolegia Xhina, me sa tha relatorja. “Anëtar të ish-Sigurimit të

    Shtetit janë punonjësit, që kanë qenë në marrëdhënie pune, të cilët kanë pasur funksione zyrtare

    në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, ku përfshihen oficerë, nënoficerë, nëpunës, punonjës

    operativë deri te punonjësi i nivelit të lartë drejtues i ish-Sigurimit të Shtetit”.

    A është ky përkufizimi?

    Vasilika Hysi - Përkufizimi është i saktë, zoti kryetar, dhe kjo do të shtohet si një pikë

    4/1.

    Ulsi Manja – Pra përkufizimi është i saktë dhe do të shtohet si një pikë 4/1.

    Vasilika Hysi – Po.

    Ulsi Manja – Dakord.

    Kalojmë te përkufizimi i personit të zhdukur.

  • 22

    Vasilika Hysi – Lidhur me përkufizimin e personit të zhdukur do të marrim në

    konsideratë riformulimin që është bërë pas mbledhjes me të vetmin ndryshim, se fjalia e parë do

    të lexohet “Personi i zhdukur, në kuptimin e këtij ligji...” pra jo për qëllime brenda fushës së

    veprimit së këtij ligji, është thjesht çështje e teknikës legjislative, vijimi do të jetë i njëllojtë.

    Ulsi Manja – Pra ta lexojmë: “Personi i zhdukur për qëllime brenda fushës së veprimit

    të ligjit nr. 45/2015 është çdo person i arrestuar, i burgosur, i rrëmbyer, ose të cilit i është hequr

    liria në çdo formë tjetër nga agjentë të shtetit, apo nga persona të tjerë, ose grupe personash, që

    kanë vepruar me autorizimin mbështetjen ose miratimin e shtetit, pasuar nga mohimi i pranimit të

    heqjes së lirisë, ose nga fshehja e fatit të personit të zhdukur...

    (Shkëputje interneti)

    Vasilika Hysi – Janë edhe dy mbledhje paralele në parlament, ky është problemi, është

    edhe Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

    Kryetar, a mund të shtoj diçka?

    Ulsin Manja – Po.

    Vasilika Hysi – Nëse më lejoni, sepse problemi i internetit nuk është këtu tek unë. Ta

    lexojmë në këtë formë: ““Personi i zhdukur sipas fushës së veprimit të këtij ligji...”, jo “në

    qëllim...”, “...është çdo person i arrestuar, i burgosur, i rrëmbyer, ose të cilit i është hequr liria në

    çdo formë tjetër nga agjentë të shtetit, ose nga persona të tjerë, apo grupe personash, që kanë

    vepruar me autorizimin mbështetjen, ose miratimin e shtetit, pasuar nga mohimi i pranimit të

    heqjes së lirisë, ose nga fshehja e fatit të personit të zhdukur, apo të vendit ku gjendet ai, duke e

    shkëputur nga mbrojtja e ligjit”. Ky është përkufizimi, i cili ka marrë në konsideratë sugjerimin,

    që bëri kolegia Xhina dhe duke saktësuar që ky përkufizim është për qëllimet e këtij ligji, për të

    bërë edhe dallimin nga përkufizimi i personit të zhdukur që ka Kodi Civil. Në këtë mënyrë ne

    adresojmë problemin e atyre personave, të cilët janë të zhdukur, por për të cilët nuk ka vendime

    gjyqësore, ose nuk u gjendet vendvarrimi. Autoriteti është i pranishëm këtu dhe mund të na sqarojë

    më mirë, ose kolegët propozues.

    Faleminderit!

    Ulsi Manja – A ka Ministria e Drejtësisë ndonjë sugjerim për përkufizimin e personit të

    zhdukur?

    Besmir Beja– Faleminderit, zoti kryetar!

  • 23

    Në vlerësimin tonë, qasja që është mbajtur është po ashtu e vështirë, pra është përmirësuar

    raporti në përkufizimin e parë, për të cilin ne kemi dhënë komente, por që të jem i sinqertë, nuk e

    di vështirësinë në praktikë, që ka lindur nga zbatimi i përkufizimit të personit të zhdukur sipas

    Kodit Civil. Pra është e thjeshtë të dokumentohet nëpërmjet një vendimi gjykate. Ndërkohë për

    mënyrën e formulimit do të duhet që autoriteti të vërtetojë të gjitha ato rrethana që janë parashtruar

    në përkufizim, për t’i klasifikuar ato subjekte si persona të zhdukur, pra do të duhet të provojë

    arrestimin, burgosjen ose rrëmbimin nën mbikëqyrjen e shtetit. Nga ana tjetër, përkufizimi që jepte

    ligji i mëparshëm, por që jep edhe aktualisht, ka një vendim gjykate që e ka shpallur personin si të

    zhdukur, pavarësisht rrethanave dhe si është ndarë dhe mundet që për atë subjekt të japë

    informacion nëse ka, apo jo dosje ish-Sigurimi i Shtetit për këtë person. Kjo është mënyra si e

    kemi perceptuar ne, por mundet që autoriteti, në zbatimin e tij praktik, të ketë pasur probleme, që

    mund të mos i kemi kuptuar në kohën kur kemi dhënë mendimin për këtë projektndryshim.

    Ulsi Manja – Po zonja Sula, nga autoriteti.

    Gentjana Sula -Rreth 80% e personave dhe rreth 6000, që është numri, më shumë se

    80% janë të ekzekutuar me vendime gjyqësore. Si të shkojnë në gjyq të gjithë ata dhe të vërtetojnë

    fshehjen e trupit, pra varrin e fshehur, ose të pagjetur?! Prandaj është bërë ky përkufizim. Unë

    mendoj që nëse ne fusim periudhën, pra të zhdukur gjatë regjimit komunist, si kategori, e bëjmë

    vetëm për qartësimin e fatit të personave, ose edhe një person që është zhdukur, si rasti i një ushtari

    në ushtri. Kështu që ne thjesht do të kërkojmë se çfarë dokumentesh ka dhe nuk marrim më shumë

    përsipër. Unë mendoj se përkufizimi na ndihmon, na jep rrugë dhe nuk i sorollat njerëzit. Si hap i

    parë le të marrin dokumentacion te ne, pastaj ata e dinë vetë nëse ka nevojë për proces gjyqësor

    për të vërtetuar faktin e zhdukjes apo të vdekjes. Këto janë raste të tjera, por ne masivisht kemi

    problemin e personave që janë vetëm fizikisht të zhdukur, jo në kuptimin e Kodit Civil siç ishte,

    sepse ashtu siç ishte ata duhet të shkonin të gjithë në gjyqësor me mijëra, gjë që nuk e kanë bërë.

    Mendoj se na hap goxha perspektivë, një derë, që ne të fillojmë punën, pastaj me të parë, me të

    bërë në varësi se çfarë do të bëjnë njerëzit vetë.

    Ulsi Manja – Po zoti Beja.

    Besmir Beja– Problemi që po përpiqemi të zgjidhim është i ndryshëm nga përkufizimi,

    sepse besoj se përkufizimi do të krijojë më shumë probleme për autoritetin, sepse autoriteti me atë

    lloj përkufizimi nuk do të mund të japë informacione përveç rasteve kur duhet të jetë provuar që

    personi është i zhdukur sipas përkufizimit që është dhënë. Nëse është rasti për personat e zhdukur,

  • 24

    të cilët janë dënuar me vdekje me vendim gjyqësor, por nuk i dihet varri, hajde të vendosim këtë

    lloj përkufizimi në ligj, por të mos marrim një përkufizim i cili teknikisht është në përputhje me

    konventën, ama dokumentimi dhe provimi i përkufizimit do t’i krijojë realisht më shumë probleme

    autoritetit.

    Ulsi Manja – Po, zonja Sula.

    Gentjana Sula – Me të gjithë respektin, se kolegët janë juristë dhe i njohin ligjet, por

    ICMP-ja, që ka disa vjet që merret me këtë problem, e ka propozuar këtë, ka vënë edhe një polici

    tepër, që e kam ndarë edhe me këshilltarët dhe relatoren. Ata insistojnë dhe unë mendoj se ka

    kuptim që përkufizimi i Konventës së Zhdukjeve me Forcë, që duhet të jetë standardi për

    Shqipërinë për çdo rast, megjithëse nuk po i hyjmë këtij debati, duke e kufizuar periudhën kohore,

    na fut në hulli të drejta dhe në një standard, që gjithsesi edhe Shqipëria do ta ketë një ditë.

    Ulsi Manja – Faleminderit, zonja Sula!

    Kam një pyetje për zotin Beja. Çfarë problemi na krijon nëse e fusim në ligj përkufizimin

    e personit të zhdukur sipas asaj që propozon relatorja? Pra çfarë problematike mund të na krijojë?

    Ky përkufizim, që bie ndesh me përkufizimin që jep Kodi Civil, çfarë problematike ka?

    Besmir Beja – Zoti kryetar, në vlerësimin tim nuk është çështje i mënyrës së të shkruarit,

    por i mënyrës të të zbatuarit. Pra, sipas këtij propozimi, do të duhet që për të dhënë një informacion

    për një person, që klasifikohet i zhdukur, sipas përkufizimit të ri, duhet që të provohen të gjitha

    rrethanat para se të jepet informacioni, se ndryshe si do të provojë autoriteti që personi ka qenë i

    arrestuar, i burgosur ose i rrëmbyer nga agjentë të shtetit, ose nga persona që kanë vepruar me

    autorizimin e shtetit? Të gjitha këto janë rrethana fakti, të cilat në momentin kur autoriteti do të

    japë informacionin, do të duhet që t’i provojë paraprakisht dhe më pas të japë informacionin për

    këto subjekte. Ajo që po themi është që kjo është gjithmonë përgjegjësia e autoritetit. Nëse

    vështirësia qëndron që ne e kemi kategorinë e personave të dënuar me vendim gjyqësor dhe të

    ekzekutuar, por nuk dimë se ku janë varrosur, atëherë kjo lloj kategorie personash duhet të

    përfshihet në përkufizim, edhe për autoritetin do të jetë më e thjeshtë për ta identifikuar kategorinë

    e personave, për të cilët do të japin informacion si persona të zhdukur, ose jo.

    Ulsi Manja – Faleminderit, zoti Beja!

    Në fakt, duke e kufizuar brenda fushës së veprimit të ligjit nr. 45/2015, një person i

    zhdukur në periudhën e regjimit komunist, i arrestuar, ose jo, ka dokumentacion për të, ose jo,

    është në përgjegjësinë e shtetit të japë përgjigje për brenda periudhës së regjimit komunist.

  • 25

    Autoriteti duhet të provojë që x person është zhdukur brenda kësaj periudhe, që është përcaktuar

    te përkufizimet si periudhë e regjimit komunist.

    Zonja Sula.

    Gentjana Sula– Mjafton ekspertiza e ICMP-së dhe nuk kemi pse të shpikim përkufizime

    të reja.

    Ulsi Manja - Nuk kemi çfarë të shpikim, sepse ne kemi marrë disa përgjegjësi në raport

    me OKB-në në lidhje me gjetjen e personave të zhdukur.

    Gentjana Sula –Edhe Shqipëria ka nënshkruar Konventën...

    Ulsi Manja – Lërë konventën, se e di që është nënshkruar, zonja Sula. A ke nënshkruar

    marrëveshje si autoritet, apo jo?

    Gentjana Sula – Po kemi nënshkruar, edhe ICMP-ja ka nënshkruar marrëveshje me

    parlamentin dhe më qeverinë shqiptare.

    Ulsi Manja – Zonja Hysi, ju lutem, çfarë keni nënshkruar në atë marrëveshje, që ta

    marrim vesh tamam?

    Vasilika Hysi – Zoti kryetar, atë doja të theksoja. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje

    në Kuvendin e Shqipërisë që qeveria shqiptare ka marrë përsipër angazhimin për të gjetur

    vendvarrimet e të gjithë personave të zhdukur, që mund të jenë rreth 6000 dhe zonja Sula mund ta

    konfirmojë. Gjithashtu, për të krijuar të gjitha lehtësitë është një mision ndërkombëtar me përvojë,

    i cili asiston edhe Shqipërinë për gjetjen e personave të zhdukur. Unë e besoj misionin

    ndërkombëtar, i cili është i specializuar, por besoj edhe zonjën Sula, e cila thotë se kanë vështirësi

    në gjetjen e personave.

    E para, jo të gjithë personat janë deklaruar të zhdukur me vendim gjyqësor dhe nëse ne

    do t’i çojmë nipër e mbesa nëpër gjykata për të bërë deklarimin si person i zhdukur, ndërkohë që

    ata janë dënuar me vdekje, me pushkatim dhe varri nuk u dihet, do të ishte një karvan i gjatë

    përpjekjesh.

    E dyta, fjalia që është shtuar në përkufizim, ku thuhet “...pasuar nga mohimi i pranimit të

    heqjes së lirisë, apo fshehja e faktit që personi është zhdukur, detyrimisht nuk kërkon ta vërtetosh

    që janë bërë me autorizim, apo me mbështetje, sepse rëndësi ka të thuhet që një person nuk gjendet,

    pra është i zhdukur, pastaj të fillojnë kërkimet në këtë drejtim.

    Unë nisem nga fakti që më kompetent nga të gjithë ne është Misioni Ndërkombëtar për

    Gjetjen e Personave të Zhdukur, me të cilin parlamenti ka ratifikuar marrëveshjen. Ata thonë se

  • 26

    përkufizimi i Kodit Civil nuk e hap mundësinë e gjetjes. Për rrjedhojë mbetet që ne të pranojmë

    përkufizimin dhe ekepertizën që ata kanë dhënë. Se çfarë problemesh do të dalin në praktikë, unë

    nuk mund ta them dot. Këtë mund ta thotë shumë mirë Autoriteti.

    Ulsi Manja – Faleminderit, zonja Hysi!

    Ne sigurisht që do ta kemi përkufizimin e personit të zhdukur në ligjin nr. 45/2015, edhe

    si një angazhim dhe përgjegjësi e qeverisë në raport me gjetjen e personave të zhdukur.

    Edhe në konsultën dhe bisedën që kemi pasur me prokurorin e Përgjithshëm ditën që

    raportoi në Komisionin e Ligjeve, doli qartë se do të jetë prokuroria ajo që do të kryejë hetime për

    këtë. Një nga arsyet që nuk ka gjetur zbatim akoma marrëveshja që kemi nënshkruar është

    mosgjetja e rrugëve të bashkëpunimit me prokurorinë për të hapur proceset penale përkatëse për

    gjetjen e personave të zhdukur.

    Unë mendoj se nuk vjen e keqja nga një përkufizim në ligj, përkudrazi, duke e kufizuar

    brenda fushës së veprimit të ligjit nr. 4515, ne i referohemi saktësisht periudhës së regjimit

    komunist dhe nuk ka pse të ngatërrohet me konceptin e personit të zhdukur, siç e jep Kodi Civil.

    Kush është dakord me nenin 2, që ndryrshon nenin 3 te projektligji, i cili jep përkufizimin

    e bashkëpunëtorit të ish-SSH-së, aëntarit të ish-SSH-së dhe të personit të zhdukur, si dhe qartëson

    përkufizimin e Autoritetit të Informimit?

    Pro? Kundër? Nuk ka. Abstenim? Nuk ka.

    Miratohet neni 2.

    Urdhëroni, zonja Hysi!

    Vasilika Hysi – Te neni 29, në paragarafin e dytë ka thjesht një ndryshim të vogël, “në

    periudhën” bëhet “për periudhën”. Njëkohësisht, këtë nen e lamë vetëm për faktin se duhet të

    përmenden termat “anëtar”, “bashkëpunëtor”, “i favorizuar” i ish-SSH-së, sipas përcaktimeve.

    Kështu që ligji, sipas riformulimit të sjellë, që ju e keni përpara, besoj se është korrekt tani dhe

    Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimi të Shtetit i qëndron formulimit të sjellë nga relatorët.

    Ulsi Manja – Në nenin 29 bëhen ndryshimet si më poshtë: Pika 2 “Autoriteti u përgjigjet

    institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë,

    për periudhën e përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, përkatësisht nëse: a) ka qenë ose jo person në

    ndjekje për spiunazh apo terrorizëm; b) ka qenë ose jo anëtar, bashkëpunëtor, i favorizuar i ish-

    Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji. c) figuron ose jo në dokumente të ish-

    Sigurimit të Shtetit”.

  • 27

    Vasilika Hysi – Pika 4 është miratuar. E vetmja gjë ishte te shkronja “b”, meqënëse

    permendej ka qenë ose jo anëtar, bashkëpunëtor, i favorizuar i ish- SSH-së, sipas përcaktimeve të

    këtij ligji, por meqenëse ne i kishim lënë të hapur përcaktimet, ky nen mbeti i hapur për lidhjen që

    kishte me nenin e përkufizimeve.

    Ulsi Manja – Dakord.

    Udhëroni!

    Besmir Beja – Më falni që ju ndërpres! Nuk pata mundësi ta parashtroj në mbedhjen

    tjetër, por do të doja të sillja në vemendjen tuaj se e drejta për informacion, po ashtu, e lidhur me

    kriteret që ka caktuar ligji, do të duhet të jetë e kufizuar në njëfarë mënyre në kohë. Kjo vjen edhe

    në kuptim të ligjit, të vendimit të GJK-së, përkatësisht në vendimin nr.9/2010, ku është parashikuar

    që lustracioni i proces i ndalimit të zyrtarëvë të lartë të ish-regjimit komunist në marrjen përsipër

    të posteve në sistemin e drejtësisë ose edhe në organet e tjera duhet të jetë i kufizuar në kohë.

    Rrjedhimisht, edhe në këto lloj rastesh do të duhet të ketë një kohë të kufizuar brenda së cilës

    vepron ky lloj ndalimi. Pra, do të duhet të shihet me kujdes që të mos bëhet ndalimi i përhershëm.

    Ulsi Manja – Zoti Beja, ai vendim i GJK-së flet për lustracionin dhe jo për informimin.

    Më duket se nuk e keni kuptuar drejt titullin e ligjit që po shqyrtojmë.

    Ligji nr.45/2015 është ligj për të drejtën e informimit në dokumentet e ish-SSH-së të

    Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, nuk është lustracion.

    Nëse e keni lexuar ligjin, Autoriteti vihet në lëvizje me kërkesë, nuk bën lustracion.

    Në seancën e kaluar lindi ky problem dhe ky diskutim. Pyetja që unë shtrova në atë

    mbledhje ishte se, në rast se krijohet një vakancë në Gjykatën e Lartë dhe ligji “Për statusin e

    gjyqtarëve dhe të prokurorëve” thotë që përpara ngritjes në detyrë duhet vërtetimi nga Autoriteti,

    që nuk ka qenë anëtar apo bashkëpunëtor i ish-SSH-së, çfarë do të bëhet në rastin konkret?

    Do të themi se i ka skaduar afati për të cilin duhet marrë ky vërtetim? Hiqe nga kushtet

    dhe kriteret te ligji i statusit dhe je në rregull!

    Besmir Beja – Ligjet e reformës i janë referuar posaçërisht këtij ligji, i janë referuar si

    kriter ndalues, duke u bazuar në këtë ligj. Pra, de facto, ligjet e reformës kanë vendosur një formë

    lustracioni për këto lloj zyrtarësh për të mos marrë poste publike në sistemin e ri të drejtësisë, po

    kjo e ndërlidhur ngushtësisht me afatin dhe kohën që kishte ligji për Autoritetin. Pra, ndërveprimi

    i të dyja ligjeve, ndalimi për marrje postesh në sistemin e drejtësisë, por e kufizuar në kohën brenda

  • 28

    së cilës Autoriteti të mund të jepte informacion, ndryshe ndalimi i lustracionit bëhet i përhershëm

    dhe bie ndesh me këtë vendim të GJK-së, si dhe me normat e Këshillit të Europës.

    Ulsi Manja – Zoti Beja, nuk do të jetë organ i përhershëm Autoriteti i Dosjeve, po është

    organ që, sipas përcaktimit të ligjit, do të funksionojë për një kohë të caktuar dhe në momentin që

    nuk funksionon Autoriteti i Dosjeve për informimin e dokumenteve të ish-SSH-së, sigurisht që ka

    rënë edhe ai përcaktim në ligjin e statusit.

    Gjithsesi ne këtë e kemi kaluar në mbledhjen e shkuar të Komisionit të Ligjeve.

    Urdhëroni, zonja Hysi!

    Vasilika Hysi – Kjo ishte edhe pyetja që unë kam për zotin Beja, sepse ne debatuam

    afatin 2030, ndërkohë në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe për organizimin

    dhe funksionimin e institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e kemi

    një nga kriteret. Atëherë, në logjikën tuaj (unë jam dakord që nuk mund të ketë lustracion përjetë)

    prandaj pyeta se a ka ndonjë studim se kur mbaron mosha e këtyre personave që mund të kenë

    qenë bashkëpunëtorë të ish-SSH-së dhe që mund të garojnë për organet e drejtësisë?

    A ka ndonjë plan të ndryshohen këto kritere në ligj, sepse për aq kohë sa janë, ne jemi

    vënë sot në një situatë kur është bllokuar Gjykata e Lartë, ngaqë nuk operon dot të marrë vërtetime,

    se një ndër arsyet është se ka skaduar afati i përcaktuar në këtë ligj.

    Pra, a do të ndryshohen ligjet e reformës, do të hiqen si kritere?

    Besmir Beja – Referimi është, në mënyrën se si janë shkruar kriteret në ligjet e reformës,

    parashikohet që të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-SSH-së para 29

    korrikut në kuptim të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Pra, kur është shkruar kjo dispozitë, është

    pasur në konsideratë që e drejta e informimit ishte e kufizuar në një farë kohe, kriteri ishte i

    përkohshëm, nuk mund të ishte një kriter i përhershëm. Sikur të ishte një kriter i përhershëm ky

    lloj ndalimi, sigurisht që biem dakord që është një kriter që bie ndesh me Kushtetutën.

    Për këtë lloj shkaku, ajo që ne ju sollëm në vëmendje është që duhet të bëni shumë kujdes

    kur caktoni një afat. Pra, duhet domosdoshmërish të ketë një afat dhe afati duhet të jetë i arsyeshëm,

    për shkak se mund të gjendemi para një dispozite që është antikushtetuese. Pra, ka një praktikë të

    GJK-së për këtë çështje që ndalimin e përhershëm të ligjit të lustracionit të vitit 2008 e konsideroi

    si një shkelje të dispozitave kushtetuese dhe të njëjtin rrezik mund të kemi edhe tani në rast se nuk

    përcaktojmë mirë afatin brenda të cilit do të duhet t’i japim informacion Autoritetit për këtë

    kategori zyrtarësh.

  • 29

    Vasilika Hysi – Zoti Beja, në vlerësimin tuaj, cili do të ishte afati?

    Sa herë që do të ketë emërime të gjyqtarëve në GJL ose në GJK për shkak të rotacionit,

    apo të një prokurori, do ta amendojmë ligjin vazhdimisht?

    Ulsi Manja – Zonja Hysi, ju përmendni rastin e Gjykatës së Lartë, sepse ky është një

    debat juridik, por unë po ju sjell në vëmendje nenin 28 të ligjit për statusin, ku një ndër kriteret e

    pranimit në Shkollën e Magjistraturës është: “ë - Nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i

    favorizuar nga SSH-ja para vitit ‘90”.

    Zoti Beja, çfarë do të bëjmë me këtë kriter të vendosur në nenin 28, germa “ë” të ligjit

    “Për statusin e gjykatësve dhe të prokurorëve”, sepse Shkollën e Magjistraturës e kemi zgjedhur

    si laborator nga ku do të dalin gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm?

    Si t’i themi ne tani, se ligji i statusit është ligj që është votuar me shumicë të cilësuar?

    Besmir Beja – Unë kam qenë pjesë e grupeve teknike që janë marrë me hartimin e ligjeve

    të reformës dhe kur u hartuan këto ligje, u mbajtën në konsideratë afatet e kufizuara që kishte ligji

    tjeër referues dhe detyrimi ose e drejta e organeve të tjera për të marrë informacione për këtë

    çështje.

    Unë besoj se ne duhet të biem të gjithë dakord që lustracioni i përhershëm është një kriter

    antikushtetues dhe nuk mund të lexohet ligji i statusit sikur bie ndesh me Kushtetutën, por do të

    duhet lexuar në të njëjtën frymë si edhe në ligjin “Për të drejtën e informimit”. Në këtë kuptim do

    të duhet që afati që i vendosim duhet të jetë një afat i kufizuar, atë që ka rekomanduar edhe Këshilli

    i Europës që është afati 5-vjeçar.

    Duke marrë në konsideratë edhe problematikat që pati Autoriteti për t’u ngritur në kohë,

    mund të shtyhet në një kohë të arsyeshme, duke pasur në konsideratë problematikat dhe

    përmbushjen e këtij afati, por unë besoj se nuk mund të jetë i përhershëm.

    Ulsi Manja – Faleminderit, zoti Beja!

    Në fakt, siç e lexoj unë ligjin e statusit, jo domosdoshmërish ky kriter i referohet ligjit

    nr.45/2015, se, edhe nëse nuk do të ekzistonte Autoriteti, për sa kohë është një ligj që nuk ka qenë

    anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga SSH-ja para vitit ’90, këtë vërtetim do të duhet ta lëshojë

    Autoriteti që ka marrë në dorëzim arkivin, s’ka zgjidhje tjetër, edhe nuk do të ekzistonte Autoriteti.

    Urdhëroni, zoti Shameti për procedurë!

    Adnor Shameti - Faleminderit!

  • 30

    E para, me shumë elegancë, do të doja t’i tërhiqja vëmendjen si relatores, që e mori në

    emergjencë projektligjin për ta para komisionit, ashtu edhe përfaqësuesit të Ministrisë së Drejtësisë

    dhe Autoritetit të Dosjeve, për arsye se ato kishin 3 ditë kohë dhe do të duhej të na sillnin një

    variant të dakordësuar që ta kalonim.

    Në bindjen time profesionale juridike pragu natyral është afati natyral i kohëzgjatjes,

    kështu që nuk ka pse të ngatërrohemi.

    Ai përcaktim që është bërë në ligjin organik të statusit të magjistratëve qëndron, dhe

    ekziston apo nuk ekziston Autoriteti, do të verifikohen dhe ai që do të ketë magazinën e dosjeve

    në inventar në atë kohë kur do të jenë aplikimet përkatëse dhe kjo është që nga brezi im e tutje, pra

    ato që kanë qenë 16-18 vjeç në vitin ’91 e në vijim, që aplikojnë për këto pozita. Ky është standardi

    natyral kohor, kështu që nuk ka pse të bëjmë shkencë të madhe dhe mendoj se është e zgjidhur kjo

    punë.

    Prandaj mendoj se i tillë duhet të jetë edhe përcaktimi.

    Faleminderit!

    Ulsi Manja – Faleminderit, zoti Shameti!

    Zonja Hysi, a kemi tjetër nen të hapur?

    Vasilika Hysi – Jo, nuk kemi. Çështja që ngriti zoti Beja është e votuar në parlament, por

    ai kërkoi ndjesë se donte vetëm një sqarim, ngaqë nuk kishte mundur të fliste ditën e premte.

    Ulsi Manja – Zonja Hysi, shumë faleminderit!

    E sqaroi edhe zoti Shameti. Në fakt, po të bësh një përllogaritje dhe t’i referohesh ligjeve

    të kohës së regjimit komunist, përjashto një periudhë që sipas platformës së ish-SSH-së,

    bashkëpunëtor bëhesh edhe poshtë moshës 18 vjeç, por ka qenë një periudhë shumë e përkohshme,

    se pjesa tjetër ishin mbi 18 vjeç dhe zoti Shameti është i mirë në matematikë, nuk është si Lul

    Basha, i ka rënë lapsit dhe në mos gaboj, bëhet fjalë për datëlindjen ’73-’75 dhe është vdekje

    natyrale. Ata që janë mbi këtë datëlindje nuk do të kenë nevojë të shkojnë të kërkojnë vërtetim,

    kushdo ta kenë magazinën e ish-SSH-së, sepse nuk besoj se janë rekrutuar si ish-bashkëpunëtorë

    të SSH-së në barkun e nënës.

    Urdhëroni, zonja Sula!

    Gentjana Sula – Sa për të hequr merakun e kolegut të Ministrisë së Drejtësisë, se

    verifikimi bëhet për bashkëpunëtorë, bëhet për ta ndjekur për terrorizëm, për shërbime të huaja,

    spiunazh, si dhe është e futur edhe në ligjin e shërbimit të jashtëm diplomatik. Pra, është një

  • 31

    informacion që nuk duhet t’i humbasë shtetit shqiptar edhe për qëllime të sigurisë kombëtare,

    kështu që mos ke pishman, është vetëm verifikim, nuk është lustracion, zoti Shameti, rri pa merak,

    sepse shumë shpejt do të bëjmë gati edhe Arkivin e ri të Shtetit, ku do t’i magazinojmë të gjitha,

    edhe për efekt të kujtesës, të memories tonë kolektive, por edhe për efekt të pastrimit të

    administratës së shtetit nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, personat e favorizuar apo

    anëtarët e Sigurimit të Shtetit.

    Vetvetiu, si të vijë koha e datëlindjes 73 deri në 75, ata kanë dalë vetë. Pra, është natyra

    vetë që bën seleksionim. Do të dalin në pension. Nuk do të jenë më në gjendje të punojnë.

    Adnor Shameti – Por pa Simonin dhe Dhurata Mesin në atë arkivin e ri, kryetar.

    Ulsi Manja – Të lutem, zoti Shameti, se jam në votimin në tërësi të projektligjit.

    Kush është dakord në tërësi me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.

    45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës

    Popullore Socialiste të Shqipërisë”, nismë e kolegëve Edmond Leka dhe Artemis Malo, me

    ndryshimet që iu bënë në Komisionin e Ligjeve, të dakordësuara midis nismëtarëve, relatorëve dhe

    komisionit?

    Pro? Kundër?

    Adnor Shameti – Në tërësi, kryetar apo...

    Ulsi Manja – Në tërësi, në tërësi.

    Adnor Shameti – Kam edhe një ndërhyrje të vogël, kryetar!

    Ulsi Manja – Të lutem, se unë jam në votim tani! Nuk mundem tani.

    Adnor Shameti – Për procedurë.

    Ulsi Manja – Nuk mundem tani.

    Pro?

    Adnor Shameti – Nuk është se na ra sheqeri në ujë, kryetar, të lutem!

    Ulsi Manja – Kundër s’ka. Asnjë abstenim.

    Miratohet!

    Tani mund ta marrësh fjalën, zoti Shameti!

    Adnor Shameti – Dakord, dakord, kryetar!

    Duke lënë mënjanë modestinë e Rregullores së Kuvendit, si njohës i mirë i paraqitjes së

    ligjeve, do t’u lutesha relatores dhe kolegëve propozues, se tani, unë e çmoj këtë më shumë si

    çështje të teknikës legjislative se sa të thelbit, por nëse ju e çmoni se është e thelbit, do të më

  • 32

    detyroni të shtrëngohem dhe të bëj një nismë të re ligjore; nëse e shikojnë si unë, e shikojnë tek

    forma, le të bëjnë një korrigjim në të tëra nenet e ligjit: nga “autoriteti i informimit”, të bëhej

    “autoriteti i mosinformimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, duke qenë se si rregull kanë

    mosinformimin, jo informimin.

    Kaq kisha, kryetar!

    Faleminderit!

    Ulsi Manja – Faleminderit, zoti Shameti, por në fakt Autoriteti për Informimin mbi

    Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit ka edhe ca kufizime lidhur me informacionin.

    Mbaruam me pikën 2. Duke falënderuar kolegët Leka dhe Malo për nismën, si zotin Beja

    si përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me kontributin e dhënë në këtë projektligj, për

    ta sjellë në formën e në standardin e ligjit, zonjën Sula dhe zotin Vrioni nga Autoriteti i Dosjeve,

    kalojmë te pika e tretë e projektligjit.

    Sekretar

    Klotilda Bushka (Ferhati)

    Përgjegjëse e Sektorit të Redaktorëve Sekretare e komisionit

    Euzheni Pengili Evi Naku

  • 33

    REPUBLIKA E SHQIPËRISË

    KUVENDI

    Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

    PROCESVERBAL

    Tiranë, më 27.07.2020, ora 14:00

    Drejton mbledhjen:

    Ulsi Manja – Kryetar i Komisionit

    Rendi i ditës:

    Shqyrtimi i aktit normativ nr. 30 “Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3,

    datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë

    kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”” (Komision

    përgjegjës).

    Marrin pjesë:

    Ulsi Manja, Korab Lita, Klotilda Bushka, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Adnor Shameti,

    Bashkim Fino, Edmond Leka, Alket Hyseni, Spartak Braho, Alban Zeneli, Andi Përmeti, Aurora

    Mara, Ediola Braha, Adriatik Alimadhi, Nikolin Staka, Elena Xhina, Edlira Bode dhe Artemis

    Malo.

    Mungojnë:

    Damian Gjiknuri, Jurgis Çyrbja, Elda Hoti dhe Tom Doshi

    Të ftuar:

    Mira Rakacolli – Zëvendësministre e Shëndetësisë

    Antoneta Njehrrena - Drejtore Juridike pranë Ministrisë së Shëndetësisë

    Romina Kuko – Zëvendësministre e Brendshme

  • 34

    Ulsi Manja – Pika e tretë është shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 30 “Për disa ndryshime

    dhe shtesa në aktin normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave

    të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-

    19”, të ndryshuar.

    Jemi komision përgjegjës. Relator është kolegu Adnor Shameti.

    Nga Ministria e Shëndetësisë kemi në linjë, prezent në këtë mbledhje komisioni, zonjën

    Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë.

    Nuk e di a ka përfaqësues nga Ministria e Brendshme. Po, nga Ministria e Brendshme

    kemi zëvendësministren, zonjën Romina Kuko.

    Zonja Rakacolli.

    Mira Rakacolli – Isha në një takim online me disa kolegë italianë. Më falni!

    Ulsi Manja – Nuk ka problem. Një prezantim të këtij akti normativ për kolegët. Pastaj

    zonja Kuko, nëse ka diçka për të shtuar, e në vijim relatori.

    Mira Rakacolli – Përshëndetje të gjithëve!

    Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale vjen para Komisionit të Ligjeve për të

    kërkuar miratimin për një ndryshim në Aktin Normativ nr. 3, datë 15. 3. 2020, i cili ka të bëjë me

    masat e shtuara që merren në Shqipëri në kuadrin e pandemisë së coronavirusit, në përputhje me

    dinamikën e zhvillimit të situatës në vend.

    Këtë herë, ky projektakt normativ kërkon që të vendosen penalitete për ato subjekte, të

    cilat nuk zbatojnë urdhrin për mosofrimin e shërbimit nëpër bare, lokale, restorante, në ambientet

    e tyre të mbyllura, si dhe penalitete për ato subjekte që duhet të mbyllen, siç janë klubet e natës,

    diskot, lounge baret apo çdo shërbim tjetër i kësaj natyre. Përveç kësaj, ky projekt normativ

    parashikon edhe ndalimin e muzikës në çdo mjedis shërbimi, duke filluar nga ora 20. 00 e çdo dite.

    Qëllimi i propozimit të këtij akti normativ dhe i këtyre masave shtrënguese, ka të bëjë

    pikërisht me zhvillimet e fundit të situatës në lidhje me sëmundjen e Covid 19-ës.

    Siç e kemi bërë gjithmonë të ditur në raportimet tona të përditshme, Shqipëria po përjeton

    një numër të shtuar të rasteve me Covid, të cilat kanë qenë jashtë atyre të parashikuara.

    Ajo që e ka bërë më të rëndë situatën në Shqipëri, është fakti se kemi shumë të shtruar,

    dhe kjo është reflektuar në numrin e të shtruarve, është reflektuar në numrin e atyre që kanë nevojë

    për kujdes në njësitë e kujdesit intensiv, por natyrisht edhe në numrin e vdekjeve që ka shkuar

    paralelisht me këtë rëndim të situatës. Ajo që ka më rëndësi është se, nëse më përpara shumica e

  • 35

    të sëmurëve dhe e personave që kanë humbur jetën kanë qenë të pas moshës 65 vjeç, në këtë

    periudhë kemi një shtim të theksuar të të rinjve të infektuar, të rinjve të shtruar nëpër spitale, e

    sidomos të fashës së moshës 20 deri në 40 vjeç.

    Kemi të intubuar, në gjendje tepër kritike për jetën, kemi pacientë të moshës 28 vjeç, të

    moshës 35 vjeç, dhe javën e kaluar kemi pasur edhe humbjen e jetës së një djali të ri

    njëzeteshtatëvjeçar.

    Ia vlen të theksoj se shumica e këtyre të rinjve dhe e pacientëve që tashmë janë në gjendje

    kritike, nuk vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese. Të gjitha janë situata shëndetësore të

    shkaktuara pikërisht nga virusi Covid 19.

    Nuk është një situatë, e cila është prezente vetëm në Shqipëri, por është një situatë që

    ekziston edhe në rajon e më tej. Në këtë fazë, e gjithë bota po përballet me shtim të numrave.

    Kosova ka më shu