1. KANGA E GJERGJ ELEZ ALIS Kanga e Gjergj Elez Alis...8 Nuk ka bamun mjeshtri armë si të mijat! 9...
Transcript of 1. KANGA E GJERGJ ELEZ ALIS Kanga e Gjergj Elez Alis...8 Nuk ka bamun mjeshtri armë si të mijat! 9...
1. KANGA E GJERGJ ELEZ ALIS
“Kanga e Gjergj Elez Alis” i është transmetuar mbledhësit Sali Vuçiterni prej një lahutari të
panjohur shqiptar me origjinë nga zona e Prokupljes, sot në Serbi.1 Pjesa e fundit të rrëfimit
është treguar në prozë.
1.1. Kënga
1 Lum për ty, more i madhi Zot!
2 Ç’ka me pa Krajleviq-e Markun!
3 I a kish nisë pijes e po pinte,
4 Tri dit e tri net pijes s’ja ka da
5 E në pije derri po u livdojte:
6 Nuk ka bamun nana trim si mue
7 Nuk ka bamun pela kalë si timin,
8 Nuk ka bamun mjeshtri armë si të mijat!
9 - Met e foli e shoqja e kralit:
10 Po ndigjo ti, or Kraleviqe Marku!
11 Ti me kanun trim-o si po thue,
12 qe kaq vjet qi me ty jam martue,
13 Ndo’j shqyptar të ri gjallë m’a kishe prue
14 E dadicë na fëmive do t’ja bajshim.
15 Keq u idhnue Krajleviqe Marku!
16 Brraf, në kamë derri kanka çue
17 E me të shpejtë armët m’i ka njeshë
18 E me të shpejtë sharqin e ka shilue
19 E në shpinë sharqit m’i ka ra,
20 Shpejt po dilka në drume të gjana,
21 Tri dit, tri net për drum po shetit,
22 Aj po lyp ndo’j shqyptar të ri,
23 Kuer ja mbërrini nji shqyptar i ri
24 Ma kish pasun nji kalë dori,
25 Dorija jelen deri në kopitë
26 Shqyptari mustaqet deri n’obluk të shalës,
27 Aj kambë-kryq mbi dori ish unjun
28 E tamurit mir-o po m’i bike,
29 Por ma mirë kangës po ja thote.
1 “Kanga e Gjergj Elez Alis”, në: Cirka, IV (56-59), Shkodër : Shtypshkronja Ora e Shkodrës, 1939, fq 6-8.
30 Fjalët s’vonojnë, tu krajli ja mbërrini:
31 Mirë se të gjejë, o Krajleviqe Marku!
32 - Mirë se vjen, o shqyptar i panjoftun!
33 A ma shet, o shqyptar kët dori?
34 - Për me e shitun, krajl-o, nuk e kam.
35 A ma shet, shqyptar, a ma falë?
36 Për me e shitë, krajl-o nuk e kam,
37 Për m’e fal jam ndodhë fukara.
38 - Ja ma shit, shqyptar, ja ma fal,
39 ja me zor une po ta marr.
40 - Për m’e shitë, krajl-o, nuk e kam,
41 Për m’e falë jam ndodhë fukara,
42 Për me zor, kurr falë ty mos të kofsha.
43 Shif ç’ka bani Krajleviq-e Marku!
44 Po ma hjek shpaten prej mellsije,
45 Me dorë të djathtë shpaten ma ka rrokun
46 E me dorë të shmajtë për dyzinash dorinë
47 E bythëprapë për drum po ma kthete.
48 Met e foli shqyptari i panjoftun:
49 A po më ndigjon, o Krajleviqe Marku?
50 Mos ma prish qefin e tamurit,
51 Se me i lëshue kambët në zengji
52 E me e qitë un tamurin në shtrajcë,
53 Çare vetit, Krajl-o nuk i gjajsh.
54 Mirë-po Krajli fjalen vesh s’ja merr,
55 Prap po e çon nepër drumt të gjanë.
56 Shif çka bani shqyptari i panjoftun!
57 Po m’i lëshojte kamët në zingji,
58 Po m’a qitte tamurin në shtrajcë,
59 Me dorë të shmajtë për dyzinash dorinë,
60 Me dorë të djathtë topuzin tridhetë okësh.
61 Kur e pa krajli se ç’e zezë po e gjan,
62 Shpejt ma shtini shpaten në mellsinë
63 E m’i qitte tre çatalla kamxhi,
64 Për dy anësh sharqin po ma rrahte.
65 Sharqi i lehtë e dorija s’muj e xuni.
66 Kur erdh dorija në breg të lumit,
67 Sharqi këcejti m’anën tjetër të lumit.
68 Atëherë shqyptari dorinë m’a ka ndalun,
69 Për pushim dorisë m’i ka zhdrypë,
70 Bregut të lumit dorinë po e shetitë.
71 Edhe krali sharqit m’i ka zhdrypun,
72 M’at anë lumit sharqin po e shetitë.
73 Prej m’at anë Krali po m’i thotë:
74 Pash Zotin, shqyptar, qi të ka dhanë,
75 Të më kallxojsh se ç’krahine je,
76 Të më kallxojsh ku t’janë rritë mysteqet kaq fort
77 Të më kallxojsh ku i asht rritë jela e dorisë?
78 Met e foli shqyptari i panjoftun:
79 Po ndigjo, ti o Krajleviq-e Marku!
80 Ti të ja puthish katër patkojt sharqit,
81 Qi nuk mujta ty gjallë me të xanë,
82 Po të kallxojshe se ç’krahine jam,
83 Po t’kallxojshe për mysteqet e mija,
84 Po të kallxojshe për jelë të dorisë.
85 Mirë-po krali prep po m’a perben:
86 Pashë Zotin, shqyptar, qi të ka dhanë,
87 Të më kallxojsh se ç’krahine je,
88 Të m’kallxojsh ku të janë rritë mysteqet tua,
89 Të më kallxojsh ku janë rritë jela e dorisë.
90 - Me te foli shqyptari i panjoftun:
91 Po ndigjo, ti o Krajleviqe Marku!
92 Ti të shkojsh te Kroni i hajdutve,
93 Aty e gjen Harambash Ilinë,
94 Ate pvete për mue, të kallxon.
95 Shif ç’ka bani Kraleviqe Marku!
96 Menjiherë në shpinë sharqit m’i ka ramun,
97 Drejt po me shkonte te Kroni i hajdutve.
98 Para po i del Harambash Ilija.
99 Mirë-se vjen, o Kraleviq-e Marku!
100 Mirë-se të gjej, o Harambash Ilija!
101 Çka je zbemun, Kralo, ti kaq fort?
102 A më ke pimun shum venë e raki?
103 Me te foli Kraleviqe Marku:
104 Po ndigjo, ti o Harambash Ilija!
105 Nuk kam pimun shum venë e raki,
106 Vena e rakija mue m’u ka nxi,
107 Qe tri dit për drum po shetiti,
108 Un po lypi ndoj shqyptar të ri.
109 Kur ja mbërrini nji shqyptar i ri,
110 Kishte hypun nji kalit dori,
111 Dorija jelen deri në kopi,
112 Shqyptari mysteqet deri n’obluk të shalës,
113 Aj kambëkryq m’at dori m’ish ulë
114 E tamurit mir-o m’i bite
115 E ma mirë kanges po m’ja thote.
116 Une deshta ate gjallë me e xanë
117 E gadi kryet e kam lanë.
118 Une e pveta se ç’krahine asht,
119 Aj më tha pvete Harambash Ilin,
120 Se per mue aj ty të kallxon.
121 Me te foli Harambash Ilija:
122 Hajde, Kral-o, na ngrykë të merremi,
123 Se ti kral sod paske lemun.
124 Atij i thonë Gjergj Elez Alija,
125 Me tridhetë vetë në mejdan i kam dalun,
126 Tridhetë shokë aj mue m’i ka premun,
127 Edhe un nën bark të kalit kam pështumun,
128 Gjarpën i idhtë krajl-o aj asht.
129 Ku t’ja ndijsh rroplimën e tij,
130 Tre konakë rrugë larg-o ti të shkojsh.
Këtu kangatari e len lahutën edhe në trajtë kallximi, si asht zakoni, u difton ndigjuesave sa
vijon: Mbas disa kohe Krajleviqe Marku, tue shetitë, lajmohet se atypari ndodhej Gjergj Elez
Alija. Menjiherë i bjen nder mend fjala e Harambash Ilisë qi i pat thanë “ku ta ndijsh
rropllimën e tij, tre konakë rrugë larg-o ti të shkojsh.” Krajleviqe Marku, tue veprue mbas
porosisë së Harambash Ilisë, menjiherë i hip sharqit dhe merr rrugën për t’u largue tri ditë larg
prej vendit ku ndodhej Gjergj Elez Alija. Ecë natë e ditë dhe në të treten e ditës mbërrinë në
grykë të Kaçanikut. Aty pa pritë e pa kujtue has në Qesexhi Musën dhe menjiherë fillon lufta
ndërmjet të tyne. Pikësparit gjuhen njeni me tjetrin me topuza e, mbasi asnjani nuk mujti me i
ra shoqit, gjuhen me mizraçe e, mbasi edhe me këto nuk mujten me i ra njeni tjetrit, u
sulmuen me shpata. Këtu, tue hasë njana në tjetrën, u thyen të dyja. Atherë u kapen fytas e
ranë prej atllarve në tokë. Lufta vazhdoi fytas prej mengjezit e deri në mjesditë. Në kët kohë,
Krajleviqe Marku, i lodhun tepër e i dishpruem prej fuqisë se Qesexhi Musës, tue mendue se
si të pështojë nga thojt e tij, i ra në mend zana e malit, e cila i kishte pasë premtue se do t’i
vete në ndihmë kur aj të ndodhej në ndonji rrezik të madh, edhe kështu Krajleviqe Marku,
kërkoi ndihmë nga zana e malit, tue thanë: - Ku je ti, mori zana e malit, se kurr ma keq unë
s’kam kenë. Menjiherë ju përgjegj zana e malit në mënyrë që nuk e ndjeu Qesexhi Musa, tue i
thanë Krajleviqe Markut qi të përdorojë thikën e helmatosun qi e kishte në brez, të cilën e
kishte harrue. Atherë krajli, për të gjetë rasë që të përdori thikën, e gaboi Qesexhi Musen tue i
thanë këtij: - A e shef ti, or Qesexhi Musa se edhe dielli po çuditet ndër ne, e shef si asht ndalë
e po na shikjon? Qesexhi Musa, i çuditun prej kësaj fjale, çon kryet me pa diellin. Krajleviqe
Marku, tue perfitue prej rasës, hieq thikën prej brezit dhe e ther Qesedi Musën. Mbasi thika
ishte e helmosun, Qesexhi Musa bjen pa shpirtë përdhe. Krajleviqe Marku, i çuditun prej
trimnisë së Qesexhi Musës, ja çan krahnorin për me pa se çfarë zemre kishte; por mbet i
habitun, kur pa për rreth zemrës së tij tre gjarpij: Njeni ishte i zgjuem, tjetri porsa i kish dalë
gjumi e i treti ishte në gjumë të randë. Prej kësaj Krajleviqe Marku mori vesht se Qesexhi
Musa nuk e kish harxhue as gjysen e fuqisë së tij dhe, i habitun prej kësaj ngjarje, ish tue
mendue se çfarë kreshniku paska kenë. Mu në kët kohë, ndjeu piskamën e zanës së malit, e
cila i tha: - Sytë të plaçin, more Krajleviqe Marku, pse po rri aty i habitun? A s’e din, o
Krajleviqe Marku, se ky asht miku i Gjergj Elez Alisë? Atherë Krajli fjalën dy s’e bani.
Meiherë sharqit në shpinë i ka ra, mori rrugën për me pështue prej Gjergj Elez Alisë e, mbasi
vend për të pështue nuk gjet, hyni në nji shpellë të Bjeshkës së Lybetenit. Sot e at ditë ka
mbetë i ndrymë n’at shpellë.
1.2. Zanafilla
Të dy heronjtë, Gjergj Elez Alia dhe Marko Krajleviçi, kanë jetuar në epoka të ndryshme
historike, mjaft të largëta prej njëra-tjetrës, ndaj antagonizmi i tyre është ndërtuar nga
rapsodët shqiptarë ose sllavë myslimanë me synimin e dhënies së një dimensioni parësor
heroit të bashkësisë në raport me atë të fqinjëve ortodoksë. Janë në këtë mënyrë më tepër
rapsodët që duelojnë dhe fitojnë kundër kundërshtarëve, sesa vetë Gjergji me Markon.
Por megjithatë jo gjithçka është krijuar gjatë sundimit osman; kënga mbështetet në ngjarje të
jetës së Gjergjit/Germanusit dhe transmeton motive të ruajtura edhe ndër këngët e mëparshme
të malësorëve të Currajt të Epërm, siç elementë prej historisë së rrethimit të Gelimerit dhe të
betejës së Veteres. Më tej, këtu janë ruajtur edhe të dhëna mbi një përpjekje të dytë të Stotzës
kundër bizantinëve e cila përfundoi me tërheqje drejt Libisë ndërsa u përhapën lajme se
Germanusi po rikthehej në Afrikë. Natyrisht toponimi “Libi” i De Bello Vandalico është
korrektuar në atë më të njohur, Lyboten.
Në vargjet e para [1:22] përshkruhet - njëlloj siç në variantet “Rrëmbimi i së shoqes së Mujit”
dhe “Galan Kapidani - pjesëza e vetëmburrjes së Krajlit, por përndryshe në këtë këngë është
gruaja që i kërkon Markos të skllavërojë ndonjë shqiptar të ri për ta përdoruar si dadicë të
fëmijëve. Ndaj ky i fundit do të niset dhe do të kërkojë tri ditë e tri netë, derisa në fund gjen
Gjergj Elez Alinë.
Sigurisht është pak e mundur që Markua dhe e shoqja t’ia besonin kujdestarinë e fëmijëve një
burri të saposkllavëruar, për më tepër Gjergjit, por, duke pasur parasysh edhe fjalën “dadë të
ditës” në vargjet mjaft të afërta të këngës “Rrëmbimi i së shoqes së Mujit” mund të besohet se
ideja e përkujdesjes ndaj fëmijës është krijuar pikërisht nga afërsia fonetike e emrit Placidia
me fjalën “dadicë”.
Sipas vargjeve [23:28] Gjergji është ulur këmbëkryq mbi kalë dhe po këndon një këngë të
shoqëruar me tamur.
Fjala “tamur” ose “tamra” dëfton në dialektet shqiptare të Kosovës dhe në gjuhët
sllavojugore, një instrument muzikor të ngjashëm me lahutën, por me dy ose tri tela,2 me
shoqërinë e të cilit recitoheshin gjithashtu këngët heroike. Vetë motivi i këngës me tamur, e
ka origjinën në vargjet e krijuara fillimisht për ngjarjet e rrethimit të Gelimerit, dhe rrëfehet
2 Id., fq 8, shënim. Idem: Lord A. B. The Singer of Tales. Cambridge : Harvard University Press, 1960, fq 21.
sigurisht për këngën e tij me harpë. Në epikën e Shqipërisë së veriut, harpën e mbretit vandal
e gjejmë të aktualizuar më tej në një instrument të tretë muzikor, të ngjashëm me tamrën dhe
lahutën, por me më shumë tela. Në vargjet e para të këngës “Galan Kapidani”, përpara se të
nisë monologun mbi vlerat e tij, Galani/Gelimeri përshkruhet këtu duke kënduar me sharki.3
Pjesa [29:72] vijon me takimin e dy kreshnikëve; Markua i kërkon Gjergjit t’ia shesë dorinë
ose t’ia falë; nuk merren vesh dhe përgatiten që të dyluftojnë. Shqiptari vendos këmbën në
yzengji të kalit dhe niset drejt Markos, ndërsa ky i fundit do të frikësohet dhe braktis
mejdanin.
Sipas vargut 54, Markua nuk dëshiron ti kuptojë fjalët e Gjergjit; “Mirëpo krajli fjalen vesh
s’ja merr.” - Mundet që ideja e moskuptimit të fjalëve prej armikut, të mos jetë shtuar nga
rapsodët, por ti referohet të njëjtave ngjarje në të cilat është bazuar motivi i “moskuptimit të
fjalëve” në këngën Martesa e Halilit. Për arsye se në të njëjtën pjesë të këngës (në vargjet 22
dhe 25) ndeshim togfjalëshin “drumt të gjanë” që mund të jetë një aktualizim i fjalës
“hipodrom”, dhe ndeshim gjithashtu idenë e mosdëshirës së heroit për të luftuar kundër
Krajlit: Gjergji i thotë Markos “Mos ma prish qefin e tamurit” në vargun 50, dhe fjalët e tij
mund ti referohen mosdëshirës fillestare të Germanusit për t’ju kundërvënë Maksiminusit.
Në këtë pjesë vargjet [56:65] janë mbetëza e rrëfimit të betejës së Scale Veteres.
“Shif çka bani shqyptari i panjoftun! / Po m’i lëshojte kamët në zingji, / Po ma qitte tamurin
në shtrajcë, / Me dorë të shmajtë për dyzinash dorinë, / me dorë të djathtë topuzin tridhetë
okësh. / Kur e pa krajli se ç’e zezë po e gjan, / Shpejt ma shtini shpaten në mellsinë / E m’i
qitte tre çatalla kamxhi, / Për dy anësh sharqin po ma rrahte. / Sharqi i lehtë e dorija s’muj e
xuni.
Përcillet pasazhet e kronikës që tregojnë; hipjen e Germanusit mbi kalin e dytë, betejën dhe
fitoren kundër kryengritësve dhe në fund largimin e Stotzës, fillimisht drejt aleatëve maurë
Ortaia dhe Iauda, dhe më pas drejt Mauritanisë. Nuk përshkruhet në fakt hipja e heroit mbi
kalë, por nënkuptohet prej veprimit të vendosjes së këmbëve në yzengji, pasi Gjergji, apo
“heroi i panjohur” është paraqitur prej fillimit të rrëfimit si i ulur këmbëkryq mbi kalë. Në
një moment të transmetimit kënga është korrektuar, për të mbivendosur në të, pikërisht këtë
motiv të stereotipizuar (të heroit të panjohur të ulur këmbëkryq mbi kalë) të cilin e ndeshim
në mjaft këngë të tjera epike, dhe veçanërisht në ato të Ciklit të Marko Krajleviçit.4
Për sa i përket origjinës historike; motivi mund të lidhet me ngjarjet e vdekjes së mbretit laz
Gubaz II,5 i cili u qëllua nga aleatët bizantinë ndërsa diskutonte me ta i ulur këmbëkryq mbi
kalën e tij. Rrëfimi i kësaj vrasjeje dhe disa prej gjesteve të mbretit janë transmetuar në
3 Galan Kapidani”, në: Karma G. Folklorë Ndër Malet Tona II. Shkodër : Shtypshkroja Zoja e Papërlyeme, 1940,
fq 40-3, vg. 5:6. 4 Për shembull në dy këngët që rrëfejnë betejat e Markos me Deli Musën dhe Gjemo Malësorin, në të cilat dy
heronjtë shqiptarë paraqiten të ulur këmbëkryq mbi kalë ndërsa luajnë duke hedhur topuzët në ajër. Shih në: Karadžić V. S. Srpske narodne pjesme, knjiga II (Poema popullore serbe, v. II). Vienna : Stamparija jermenskoga Manastira, 1845, n. 67 ; n. 68. 5 Për më shumë mbi mbretin Gubaz II, shih: Martindale J. R., et al. The prosopography of the later roman
empire III. New York: Cambridge University Press, 1992, fq 844-5.
poezinë epike shqiptaro-sllave, veçanërisht në këngën “Siran Ag Jabanxhija”6 ku përveç
ngjarjeve prej jetës së mbretit, edhe grupi i tij nominal është ruajtur (e ndërthurrur me emrin e
gjeneralit Baresmanas) në formulën « Burc Eleze Krajli ». Pra, mund të besohet se motivi
klishe i këngës sonë është huazuar prej këngëve të ndërtuara për transmetimin e luftërave
persike të justinëve; siç është, ndër këto, edhe vetë kënga “Siran Ag Jabanxhija”.
Në pjesën [74:84] Markua e pyet heroin e panjohur për origjinën e tij, për mustaqet dhe jelën
e dorisë; dhe mesa kuptohet nga mënyra e përgjigjes të shqiptarit në një moment të
mëparshëm të transmetimit fjalët e heroit serb kanë qenë më qartësisht fyese:
“Pash Zotin, shqyptar, qi të ka dhanë / Të më kallxojsh se ç’krahine je, / Të më kallxojsh ku
t’janë rritë mysteqet kaq fort, / të më kallxojsh ku i asht rritë jela e dorisë? / Met e foli
shqyptari i panjoftun: / - Po ndigjo, ti o Krajleviqe Marku! / Ti t’ja puthish katër patkojt
sharqit, / qi nuk mujta ty gjallë me të xanë, / Po të kallxojshe se ç’krahine jam, / Po
t’kallxojshe për mysteqet e mija, / Po të kallxojshe për jelë të dorisë.”
Në mesjetë arbrit qethnin vetëm
pjesën e përparme të kokës bashkë me
tëmthat, ndërsa i linin mjekrat të gjata
dhe flokët nga pas të paprekura,
pikërisht si jele kali.7 Gjatë periudhës
osmane, mjekrat e gjata u braktisën
relativisht herët8 për ti lenë vendin
mustaqeve ndërsa mënyra e arbre e
prerjes së flokëve ka vazhduar të
përdoret deri në fillimin e shekullit
XX mes malësorëve të Shqipërisë të
veriut, Malit të zi dhe Bosnjës, siç
dëshmohet sidomos prej antropologes
Edith Durham në veprën High
Albania.9 Gjithashtu shqiptarët në jug
kanë përdorur të njëjtën prerje flokësh
deri në shekullin XIX. Arbëreshi
Aristidh Kolia shpjegon në kapitullin “Qethja e përparme e flokëve” të veprës së tij
“Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” se deri në këtë kohë arbrit e jugut: “rruanin pjesën e
6 Palaj B., Kurti D. Visaret e Kombit II. Tiranë : Shtypshkronja Nikaj, 1937, fq 186-195.
7 Schmitt, 2009, fq 120.
8 Për herë të fundit paraqitja e shqiptarëve me mjekra të lëna “sipas natyrës” dëshmohet nga peshkopi erudit
Frang Bardhi në gjysmën e parë të shekullit XVII. Shih në: Çobani T. Frang Bardhi dhe relacionet e tij. Zagreb: Misioni Shqiptar në Kroa i, 006, fq 90. 9 Durham, 1909, fq 281-2.
Ali Pasha në gjueti në liqenin e Butrintit
përparme të kokës së tyre bashkë me basetat, ndërsa nga
prapa i linin të gjata e të paprekura.” 10
Pra kënga rrëfen dhe edukon dëgjuesit me zakonet e hershme
të shqiptarëve, malazezëve dhe boshnjakëve, por ndërkohë
është për tu vënë re se kjo modë e paraqitjes së mjekrës dhe
flokëve dëshmohet edhe ndër bizantinët gjatë sundimit të
perandorit Justinian.
Nëse i qëndrojmë objektit të përgjithshëm të krahasimeve mes
elementëve të këngës dhe historisë së Gjergjit/Germanusit;
nuk ka në fakt të dhëna që gjenerali dardan ti ketë përdorur
këto zakone, por përndryshe mund të jemi shumë më të
sigurtë për sa i përket djalit të tij dhe të Tanushës, Patricit
Germanus, i cili ishte një nga drejtuesit e fraksionit të Bluve
në vitet e para të shekullit VII.11
Fraksionet apo Demet ishin në thelb organizata tifozësh rivalë të cilët përkrahnin ekipet e
ndryshme që ndesheshin në garat e kuajve brenda hipodromeve të qyteteve bizantine, por
mbartnin njëkohësisht edhe funksione administrative dhe luanin një rol të rëndësishëm në
jetën politike të Perandorisë. Demet emërtoheshin sipas ngjyrave që vishnin ekipet
pjesëmarrëse në gara; dhe më të fuqishmet mes tyre ishin Blutë dhe Të Gjelbërit, të cilat
formoheshin nga një numër i madh anëtarësh. Në rrafshin fetar, Blutë ishin përgjithësisht
ortodoksë, të afërt me Papën dhe Justinianin, i cili e bashkoi veten me ta,12
ndërsa Të gjelbërit
përkrahnin rrymat fetare orientale; më së shumti monofisizmin.13
Në kronikën Anekdota, Prokopi përcjell edhe këto informacione mjaft interesante mbi
zakonet e adoptuara nga anëtarët e fraksionit të Bluve.
“Blutë i prenë flokët shkurt në mënyrë të ndryshme nga pjesa tjetër e romanëve.
Ata nuk u shqetësuan më për prerjen e mjekrës dhe mustaqeve, por i lanë të
rriteshin sipas mënyrës të persëve, ndërkohë që ata qethnin pjesën e përparme të
flokëve deri tek tëmthat, dhe sa për ato nga prapa, i linin të rriteshin të gjata dhe
pa asnjë rregull, ashtu siç bëjnë masagetët. Prandaj ata e quajtën këtë lloj qethjeje,
hunike. Sa për veshjet, ata zgjodhën të gjithë të përdornin tunika me buzë të gjera,
më të shtrenjta se ç’duhej tu lejonte rangu i tyre, por që i paguanin me fitimet e
paligjshme që shtinin në dorë. Krahët e tunikës i shtrëngonin sa më shumë që
mundeshin tek kyçet, por pjesa e brendshme prej njërës shpatull tek tjetra kishte
10
Kola A. P., Agora A., përkth. Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve : vështrim historik folklorik politik gjuhësor. Tiranë : Shtëpia otuese 55, 2002, fq 331- . “Si krifë kali” është pikërisht edhe metafora e përdorur aty nga A. Kolia ndërsa përshkruan këtë model flokësh. 11
“mbështetës dhe drejtues i luve” sipas: Bury J. B. A history of the later Roman empire from Arcadius to Irene, v. II. London : Macmillan, 1889, fq 89. 12
Anekdota, VII. Përkthim prej: Procopius, Dewing H. B., transl. Procopius with an English translation by H.B. Dewing. London : W. Heinemann; New York : The Macmillan co., 1914-1940, 7 vol. 13
Për më shumë mbi Demet; Ka dan, , fq -4. Idem: Ostrogorsky G. Histoire de l’Etat Byzantin. Paris :
Payot, 1956, fq 95-7.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu
një gjerësi të pamatë ... Palltot veshjet dhe këpucët që përdornin përgjithësisht
quheshin hunike dhe ishin krijuar sipas mënyrës të hunëve”14
Veshjet e përdorura prej arbërve në mesjetë ishin të ngjashme me ato të hunëve të antikitetit të
vonë dhe duhet ta kenë origjinën prej veshjeve të Bluve. Arbrit përdornin njëlloj tesha të
bollshme të cilat na kujtojnë përshkrimet e Prokopit; një tunikë të gjerë të ngushtuar tek kyçet;
kapelën e famshme Albanoi të zgjatur në formë koni, po ashtu e afërt me kapelet hunike; dhe
pallto me mëngë shumë të gjera, nga e cila krahët zakonisht dilnin prej një të çare tek
bërrylat.15
Megjithëse sot veshjet arbre mund të mos na duken të veçanta apo të çuditshme, është për tu
theksuar se përpara shekullit XV ato duhet të konsideroheshin pikërisht si të të tilla.
Europianët dhe turqit visheshin mjaft ndryshe; nga arbrit, siç edhe nga mënyrat e kohës
sonë.16
Ishte në fakt - sipas historianëve të revistës së specializuar në veshjet ushtarake,
Osprey - “prej shqiptareve qe këto veshje u kopjuan nga turqit dhe italianët (këta te fundit i
kaluan ato në Evropën perëndimore gjatë shekullit XV)”.17
Ngjashmëritë mes zgjedhjeve të paraqitjes së Bluve me ato të bartësve të eposit janë të
dukshme dhe qartësisht domethënëse, edhe pse ndoshta është e vështirë të kuptohen për faktin
e distancës së gjatë kohore mes shekullit të Justinianit dhe mesjetës së vonë kur dëshmohen
tek arbrit.
Mund të vërejmë ndërkohë se ballkanikë kanë qenë mjaft të lidhur ndaj këtyre zakoneve.
Arbrit e jugut janë kryengritur pas urdhrave të sundimtarëve të kalimshekujve XVIII-XIX për
ta ndryshuar qethjen,18
ndërsa prerja e parë e flokëve për fëmijët e vegjël nga një burrë i
përzgjedhur ka qenë në Ballkanin perëndimor - dhe është ende sot në zona të caktuara -
ceremoniale dhe e shoqëruar nga një lidhje shumë e fortë sociale mes dy protagonistëve;
lidhje e njohur me emrin “kumbaria”.19
Për sa i përket procesit të adoptimit; bartësit e eposit mund të kenë huazuar traditat e Bluve
me ndërmjetësimin e Patricit Germanus dhe pasardhësve të tij, apo të një prijësi iliro-arbër që
i përkiste këtij fraksioni. Dhe përtej huazimit; ruajtja e këtyre trajtave kulturore për një kohë
kaq të gjatë mund të jetë kryer me ndihmën e teksteve zakonorë rregullues të jetesës në
bashkësi.
Një hipotezë e dytë është gjithashtu që të jenë adoptuar gjatë konsultimit të veprës së Prokopit
dhe krijimit të pjesës së parë të eposit shqiptaro-sllav në shekujt IX-X.
14
Anekdota, VII. 15
Heath J., McBride A., Johnson L. Byzantine armies, 1118-1461 AD. London : Osprey Publishing, 1995, fq 46. 16
Shih për më shumë të gjithë veprën e sipërcituar. 17
Ibid. 18
Kola, 2002, fq 331. 19
Ekzistojnë përshkrime të një riti të afërt edhe ndër popujt gjermanikë të mesjetës së hershme, i cili emërtohet prej autorëve latinë « Capillaturia ». Sipas historianit Yitzhak Hen; është braktisur gjatë shekullit VIII dhe është prej Paul Deakonit që përcillet dëshmia e fundit në vitin 738. Për më shumë : Hen Y. Culture and Religion in Merovingian Gaul, A.d. 481 - 751. Leiden : Brill, 1995, fq 137-143.
[85:130] Prej bregut tjetër, Krajli i kërkon për herë të dytë shqiptarit ti tregojë emrin e tij dhe
Gjergji i thotë të shkojë të pyesë një sllav tjetër, “Harambash Ilinë”, i cili ndodhet në një vend
të quajtur “Kroni i Hajdutëve”.
Emri i Markos është mbivendosur përgjithësisht mbi atë të Stotzës, ndërsa formula
“Harambash Ilia” mbetet të jetë forma e aktualizuar e emrit të një kundërshtari tjetër të
hershëm në historinë e Gjergj Elez Alisë. Në gojëdhënat mbi të parin mitik të banorëve të
Currajt të Epërm - të mbledhura nga françeskanët dhe të botuara në Hyllin e Dritës - ruhet
kujtimi i tre kundërshtarëve të Gjeshit; mavriqëve dhe luzajve, siç është përmendur, dhe një të
treti Qaush Ollit, ngjarjet e konfliktit me të cilin kanë njëfarë afërsie me ato të konfliktit të
Germanusit me Stotzën, ndërsa emri me atë të Harambash Ilisë.20
Gojëdhëna e malësorëve
rrëfen se Gjeshi dhe mikun i tij Mirashi i kërkuan armë vezirit të Shkodrës që të luftojnë
kundër mavriqëve dhe prijësit të tyre, Gurit, ndërsa veziri ua kushtëzoi me ndihmën për të
marrë gjakun e djalit të tij të vrarë nga Qaush Olli. Malësorët e kërkuan këtë të fundit tre vjet
dhe e plagosën, por gjithsesi në fund arriti t’ju shpëtojë, dhe “tuj mos i ditë tjetër shteg vedit,
hypi mbi nji barkë e mbi shpinë të detit iku e s’u pa ma.”21
Për Gurin e mavriqëve do të flitet më tej në kapitujt pasardhës, ndërsa për sa i përket historisë
legjendare të Qaush Ollit; ajo paraqet afërsi me atë të Stotzës. Mund të vërejmë këtu edhe
paralelizmat mes titullit ushtarak “qaush” me funksionin e Stotzës si oficer bizantin, dhe mes
etnonimeve, mavriqë dhe maurë.
Sipas Prokopit, pas humbjes së betejës Stotza u nis të kërkojë ndihmën e dy aleatëve të tij
maurë, Ortaia dhe Iauda - që siç është përmendur nuk pranuan ta ndihmojnë - dhe më pas u
tërhoq në provincën e Mauritanisë bashkë me me pasuesit e paktë të mbetur. Kështu në
këngën tonë episodi i braktisjes së dyluftimit dhe tërheqja e parë e Markos drejt “Harambash
Ilisë” dhe vendit “Kroni i Hajdutëve”, mund të ketë qenë në zanafillë episodi i tërheqjes së
parë të Stotzës drejt maurëve dhe më pas në provincën e Mauritanisë. Megjithëse trajtat
onomastike të dhëna prej kujtesës popullore duken të largëta nga ato të kontekstit të
legjendarizuar; gjithsesi mund të ngrihet hipoteza se janë prejardhur pikërisht prej
onomastikës fillestare të kësaj pjese të historisë dhe mund të besohet se është pikërisht emri i
Stotzës që është aktualizuar në “Olli” (ndoshta nëpërmjet një aktualizimi të mëparshëm
Stoja22) dhe më pas në “Ilia”, ndërsa Mauritani në “Kroni”. Pra mund të ketë ndodhur një
korrektim i dyfishtë: emri i Marko Krajleviçit është mbivendosur mbi atë të kundërshtarit
kryesor të Germanusit, dhe emri i kundërshtarit kryesor mbi atë të prijësave maurë, të cilët
janë personazhe të të njëjtave ngjarje. Ose përndryshe emri i “Harambash Ilisë mund të ketë
zanafillën në ata të kundërshtarëve maurë.
Në pjesën [95:110] Markua takohet me Harambash Ilinë, e pyet për Gjergjin dhe Ilia i
përgjigjet me fjalët “Kur t’ja ndijsh rroplimen e tij, / Tre konakë rrugë larg-o ti të shkojsh.”.
Pas rrëfimit të shkurtër në prozë të duelit të mirënjohur mes Markos dhe Musa Qesexhisë;
20
Hylli i Dritës. Shkodër: Shtypshkronja françeskane, 1932, 1, fq 5-12. 21
Id., fq 11. 22
Stoja është emër i antroponimisë të krishtere sllavojugore dhe arbre mesjetare siç edhe i asaj armike (Stojan) në Ciklin e Kreshnikëve. Shih në këngën : « Zana grabitë nusen e Mujit », në : Ministrija e Arsimit. Visaret e Kombit IV. Tiranë : Shtëpia Botonjëse Kristo Luarasi, 1939, fq 151-7.
rapsodi ka shtuar se Krajli është larguar dhe fshehur në Bjeshkën e Lybetenit, “Meiherë
sharqit në shpinë i ka ra, mori rrugën për me pështue prej Gjergj Elez Alisë e, mbasi vend për
të pështue nuk gjet, hyni në nji shpellë të Bjeshkës së Lybetenit.”
Përtej rrëfenjës mbi duelin e Markos me Musën - zanafilla e së cilës kuptohet mjaftueshëm
vetëm në variantin e mirënjohur hercegovinas - kjo pjesë e fundit e transmetuar në vargje dhe
prozë, e ka burimin prej episodit të një përpjekjeje të mëpasshme të Stotzës dhe maurëve për
të pushtuar trojet bizantine dhe largimin e tij, kësaj rradhe drejt Libisë. Ndërkohë duke pasur
parasysh përkatësinë sllave të dy heronjve kundërshtarë; mund të besohet se edhe episodi i
tërheqjes së një ushtrie sllave përpara lajmit se Germanusi do të përballej me ta, është
poemizuar dhe bashkëvendosur në këtë këngë. Dy ngjarjet janë si më poshtë:
Në muajt e parë të mbretërimit, Justini I e emëroi Germanusin komandant ushtarak të Trakisë
dhe pak kohë pas vendosjes në krye të provincës23
prijësi i ri u përball me sulmin e popullit
sllav të antëve që kishin kaluar Danubin me një ushtri të madhe në numër. Germanusi dhe
luftëtarët e tij ju shkaktuan një disfatë të rëndë. Rreth tridhjetë vjet më pas, në vitin 550,
Justiniani e emëroi kushëririn drejtues të luftës kundër ostrogotëve dhe ai u nis për të
rekrutuar trupa në Iliri dhe Traki. Ndërhyrja ne Itali u vonua për shkak të një sulmi sllav të
drejtuar kundër qytetit te Selanikut, të cilin Germanusi u përgatit ta ndalte, por kundërshtarët
u informuan më parë për prezencën e ushtrisë së tij në Ballkanin qendror dhe u zmbrapsën
nga qëllimi i tyre i parë.
“Ndërsa Germanusi mblidhte ushtrinë në Serdika24
, që është një qytet i Ilirisë, dhe
përgatiste gjithçka ishte e nevojshme për një luftë kaq të madhe, trojet e
perandorisë u përmbytën nga një masë e madhe sllavësh, shumë më e madhe dhe
më e frikshme se të gjitha ato që kishim parë më parë. Këta barbarë pasi kaluan
Danubin shkuan në qytetin e Nishit, ku disa prej tyre të ndarë nga ushtria për të
plaçkitur veçmas u kapën nga romanët, dhe pasi u lidhën dhe u pyetën se përse
kishin kaluar lumin, u përgjigjën se donin të merrnin Selanikun dhe qytetet
përreth. Justiniani i çuditur nga ky lajm i kërkoi Germanusit të ndryshojë
udhëtimin për në Itali dhe të kujdesej për mbrojtjen e Selanikut. Meqë fama e
Germanusit ishte e madhe mes këtyre barbarëve, zërat për ardhjen e tij i bënë të
tmerrohen. Kur Justiniani mori perandorinë, ndërsa antët që janë fqinjë të sllavëve
kishin hyrë në trojet tona, Germanusi, që ishte Magister Militium i Trakisë, u
dërgua kundër tyre, i mposhti, dhe u bë fort i shquar nga disfata e tyre. Sllavët
duke iu frikësuar kështu një prijësi kaq të madh, dhe në anën tjetër pasi mendonin
se ai pasohej nga një ushtri e madhe e cila ishte formuar kundër Totilës dhe
gotëve, lanë pas udhën drejt Selanikut, dhe duke mos guxuar të vazhdonin
fushatën, kaluan gjithë malet e Ilirisë dhe hynë në Dalmaci.”25
23
Në vitin 518 sipas Florin Curta. Shih në: Curta F. The making of the slavs : history and archaeology of the Lower Danube Region, ca. 500-700. New York : Cambridge University Press, 2001, fq 75. 24
Sofia, sot në Bullgari. 25
De Bello Gotico, III, 40, 1 (Më tej BG).
Ngjarje të përafërta kanë ndodhur gjithashtu në Afrikën Veriore në vitin 544, kur Stotza dhe
aleatët maurë braktisën përkohësisht një fushatë të re të ndërmarrë kundër provincave
bizantine dhe u tërhoqën pasi një prift i quajtur Paul përhapi lajmin e rremë se perandori
kishte dërguar sërish Germanusin në Afrikë:
“Maurët, gjithashtu dhe Stotza me ndjekësit e tij, sapo dëgjuan këtë, fillimisht u
tmerruan dhe më pas u larguan me shpejtësi drejt ekstremiteteve të Libisë.”26
Pra, ideja e armikut të mëparshëm, Harambash Ilisë, që i transmeton frikën një të dyti të
përkatësisë sllave mund ti referohet ndryshimit të objektivit të sulmit sllav ndaj Selanikut në
vitin 550 ose 551. Kjo hipotezë bazohet edhe në dikonominë shqiptaro-sllave, të kudogjendur
në epikën shqiptare. Leximi i pothuajse çdo kënge të Ciklit shqiptar të Kreshnikëve, lë të
besohet se kjo kundërvënie e përgjithshme është një element i zanafillës dhe një tërheqje e
tillë përpara të Parit të bartësve të eposit, vështirë të jetë anashkaluar prej krijuesve të
shekujve IX-X. Gjithashtu në Ciklin e Gijomit Hundëshkurtër, sllavët - së bashku me arabët -
janë armiqtë kryesorë të heroit francez. Franca e jugut, në të cilën ka vepruar Gijomi në
mesjetë e hershme, ndodhet shumë larg vendeve sllave ndaj ky fakt, kaq domethënës, provon
njëlloj bartjen e hershme në poezinë epike shqiptare të këtij dimensioni antagonizmi mes dy
popujve,.
Më tej, sigurisht, përmendja e toponimit Lybeten, në të cilin shkon të fshihet Markua, rrëfen
për braktisjen e fushatës së dytë nga kryengritësit dhe Smaurët dhe për largimin e tyre, kësaj
here, në Libi.
Pasi e kuptuan të vërtetën e zërave mbi Germanusin; kryengritësit dhe maurët iu rikthyen
përpjekjes kundër bizantinëve dhe rrënuan të pashqetësuar të gjithë vendin.27
Në vitin 545 një
trupë e vogël bizantine, e tradhtuar prej komandantëve të formacioneve të tjera, u përball me
ushtrinë e Stotzës dhe në një dyluftim paraprirës të betejës, komandanti Johan Sisinioli
(Sisiniolus)28
e vrau prijësin armik, dhe më pas u vra edhe vetë nga kundërshtarët që për
shkak të numrit shumë më të madh mposhtën lehtësisht trupën e tij29
26
De Bello Vandalico, II, 23, 2 (më tej BV). 27
Id., 23, 3. 28
Për më shumë mbi Johan Sisiniolin shih: Martindale, 1992, fq 640-1. 29
BV, II, 24, 3.
2. KRAJLI I TALIRIT
Kënga “Krajli i Talirit” i është transmetuar mbledhësit Hasan Reçi nga një lahutar i panjohur
prej zonës së Vushtrisë në Kosovë dhe është botuar në veprën Visaret e Kombit IV në vitin
1939.30
2.1. Kënga
1 Lum e lum e lumi Zot
2 Ishte kanë Tanusha e kralit
3 Myslimane çika ish kanë kthye
4 Ishte dalë në qytetin e vet
5 Në nji dugaj ajo ishte shkue
6 Nji letër të mirë e kishte shkrue:
7 E shkrue letrën me gjak të faqevet
8 M’a ka shkrue me lotë të syvet
9 E i a ka çue Sokol Halilit
10 Kqyr në letër shka i ka thanë:
11 - Ti qi je Sokol Halili
12 Kje mbas meje me më ra
13 Se shtatë vjet myslimane jam kthye
14 Se shtatë ramazana i kam agjinue
15 Tash po donë me më martue
16 Sod dy javë unë nuse shkoj
17 E po marr kralin e Kotorrit
18 E qofsh kurr me kanë për mue
19 Mos me lanë myslimane në Krali
20 Tartarit në dorë letrën ia ka dhanë
21 Kqyr tartarit çika shka i ka thanë
22 - Kje me ecë sod sa të jetë dita
23 Kje me ecë mbrama sa të jetë nata
24 Në Jutbinë kët letër me m’a çue
25 Do ia çojsh Sokol Halilit
26 Tartari në dorë letrën e ka marrë
27 Paska ecë sa asht kanë dita
28 Paska ecë sa asht kanë nata
29 E në Jutbinë tu Halili mrrijti
30 Paska vajtë tu kullat e Halilit
30
Ministrija e Arsimit, 1939, fq 180-8.
31 Për fat të keq Halili nuk ish kanë
32 I vllai i Halilit Muja aty ish kanë
33 Në derë tartari kur i ka krisë
34 Aty duel Gjeto Basha Muja
35 I tha “hosh bulldën Mehmet Zili”!
36 I tha; “Hosh bulldën Gjeto Basha Muja”!
37 - Çfarë haberi tartar na ke pru?
38 - Ore Mujë Halili a asht këtu?
39 Muja tartarit na i ka thanë:
40 - Halili këtu nuk asht qillue
41 Tartarit atëherë i ka thanë:
42 - Unë jam i vllai i Sokol Halilit
43 Me Halilin ti shka të kjesh
44 Kje me mue këtu me i folë
45 Tartari letrën Mujës ia ka dhanë
46 Edhe Muja letrën e ka këndue
47 Shka bani Muja Zoti e vraftë!
48 Letrën Tanushës ia ka kthye,
49 Kqyr në letër shka i ka thanë:
50 - Ti qi je Tanusha e kralit
51 Nji nuse të mirë e kam marrë
52 Edhe Halilit nusen ia kam dhanë
53 Qi në dynja shoqen nuk e ka
54 Në mend Halilit për ty nuk i bjen
55 Po Zoti ty pështimin t’a baftë!
56 Tartari në dorë letrën ka marrë
57 Fill tu çika tartari asht shkue
58 Edhe letrën çikës ia ka dhanë
59 E muer çika e ka këndue
60 Atherë fort asht pezmatue
61 Nji letër tjetër e ka shkrue
62 Edhe opet Halilit i a ka çue
63 Tartarin mirë e porositi
64 - I tha pa ia dhanë Halilit në dorë
65 Ti kuj letrën s’ke me ia dhanë
66 Kur të bajë Zoti sabahin
67 Kje me sosë në Ulicë të Jutbinës
68 Se për gjithë nadje Halili aty del
69 Ndonji haber kund e merr vesh
70 Tartari letrën e ka marrë
71 E kur bani Zoti sabahin
72 Ka ra tartari në Ulicë të Jutbinës
73 Halili prej kullvet e ka pa
74 Kupucët në kambë Halili i ka shti
75 Nji jelek krahvet e ka qitë
76 Nëpër mjet shpatën e ka njeshë
77 Në Ulicë Halili asht dalë
78 Tartari Halilin nuk po e njeh
79 Ja ka nisë e po e pëvetë
80 - Pash nji Zot or djal’ i ri
81 A di ku asht Sokol Halili?
82 E ktu Halilin me na e thirrë!
83 Qaty foli Sokol Halili
84 - Vetë jam Halili i tha
85 Letrën në dorë ia ka dhanë
86 E muer Halili letrën e ka këndue
87 Lotët prej zorit i kanë shkue
88 A mer vesht tartarit i ka thanë:
89 Tanushës ti kje me i thanë:
90 Selam shum Halili të ka ba
91 Thuej veç shpirti mue me m’dalë
92 Se robinë në Krajli nuk të la
93 Tartari te çika kanka shkue
94 Atëhere Tanushës i ka kallxue
95 E bukra fort kanka gëzue
96 Në kulle Halili atë botë asht shkue
97 Edhe Mujës vlla i ka kallxue
98 Edhe Mujës gjokun ia ka kërkue
99 - Baca Mujë gjokun me m’a dhanë
100 Se po shkoj Tanushën me e marrë
101 Muja të madhe i u ka ngërmue
102 - Ty kopil nji Zot të vraftë !
103 Se nuk asht gjoku për kurva e hallajka
104 Po e kam kreun me ta nxjerrë
105 Edhe Halili fort kanka idhnue:
106 - A mer vesht or Baca Mujë
107 Gjokun t’em boll të mirë e kam
108 Po vetëm kryet e fortë gjoku e ka
109 Nuk po muj kryet me ia ndalë
110 Edhe Halili atëbotë kenka çue
111 Gjokut të vet në shpinë i ka kërcye
112 Prej kralvet rrugën e ka marrë
113 Gruaja Mujës çka i ka thanë
114 - Ty nji Zot or Mujë të vraftë
115 Po qysh djalin ashtu e randove ?
116 E shkoi në kraili kryet atje e len
117 Muja atë fjalë kur e ka ndigjue
118 Braf në kambë atëbotë asht çue
119 Gjokun mirë e ka shilue
120 Kanka veshë, kanka shtrëngue
121 Asht çue trimi e asht fillue
122 Mbas Halilit i u ka vnue
123 Në rrugë Halilin e ka zanë
124 Në nji mal kur kankan shkue
125 Muja Halilit i ka thanë
126 - Halil kadalë duhet me shkue
127 Se Gjur Harambashi ktu asht qillue
128 Tri mijë shkije i kanë qillue
129 E ka qitë krali kand mos me lirue
130 Edhe ne ai tash me na hetue
131 Me i pasë kraht me fluturue
132 Tybe në ka me na lishue
133 Kadalë trimat kankan shkue
134 Edhe udhën e kanë dallashue
135 Nëpër mal kankan shkue
136 Ata kullës shkevet u janë afrue
137 Ikballxhi na ishin qillue
138 Ishin qillue shumë ikballxhi
139 Shka me e pa nji çudë me sy
140 Shumë raki shket kishin pi
141 Edhe shket na ishin dejë
142 Atëherë Muja Halilit i ka britë:
143 Hajde djalë he të plaçin sytë !
144 Janë çue trimat e janë shkue
145 Të tanë shket na i kanë shkurtue
146 Së mbrami pren Gjur Harambashin
147 Qaty trimat shka kanë mbarue
148 Teshat aty i kanë ndërrue
149 - Janë veshë e janë tebdilue
150 Teshat e Gjurës i ka veshë Muja
151 E të një shkau i veshi Halili
152 Atherë Halili shka i tha Mujës
153 - Pasha një zot qi shpirtin m’a ka dhanë
154 Ke ke nana për me shkue
155 E në derë për me i krisë
156 Ty ajo ka derën me t’a çelë
157 Se kush me Gjurën nuk të da
158 Gjokët e vet trimat i kanë mëshefë
159 Gjokun e Gjurës Muja e ka marrë
160 E Halilin gjokun e një sejmendi
161 Gjokvet në shpinë u kanë ra
162 Fill prej Taliri rrugën e kanë marrë
163 Krali larg ata na i ka pa
164 Edhe shërbtorvet na i ka thanë:
165 - Tek po vjen Gjura Harambashi
166 Nji xhenerali im asht qillue
167 Nuk e dike qi Gjura kish mbarue
168 Të tanë gjinden para i a ka çue
169 Fjalët vonojnë Muja aty asht shkue
170 Edhe krali në kambë asht çue:
171 Mirë se erdhët Gjure e Harambashi
172 Ata i thanë; mirëse të gjetëm kralie kapidan
173 Muhabet krali Mujës po i ban
174 Se po kujton qi Gjura asht
175 Halili çikat në kopësht po i shef
176 E mendja djalin don me e lanë:
177 Atëherë krali i ka thanë:
178 - A mer vesht orej Bailoz
179 Ti fort je tue na mërzitë
180 A po shko të çikat me u shmërzitë ?
181 Tu Muja lejë krali ka nxjerrë
182 Te çikat Halili kanka shkue
183 E me çika ai po kërcen
184 Muja kralit i ka thanë:
185 - Ti atë Bajloz atje pse e çove ?
186 Se idhnak ai fort asht qillue
187 Ndokush ata ka me randue
188 Qaty krali shka ka thanë:
189 - A merr vesht or Gjure Harambashi
190 Nuk muj kush ata me e randue
191 Se miqt e mi jini qillue
192 Me Tanushën Halili po këcen
193 Po Tanusha nuk po e njef
194 Halili aty tue këcye
195 Setra aty u ka shkomçue
196 E nishanet i u kanë dukë
197 Aty Tanusha e ka njoftë
198 Shpejt setrën i a ka komçue
199 Atë ditë Tanusha ish nuse tue shkue
200 Fort ngat krushqit janë afrue
201 Edhe aty ata janë ra
202 Shoqi i Tanushës Halilin e ka pa
203 Atëherë ai fort asht vra
204 Halilit i ka thanë:
205 - Pash njat Zot qi na ka dhanë
206 Keq prej kralit baloz mos me m’ardhë
207 Unë tash kryet ty t’a pres!
208 Halili fort asht ngushtue
209 Me vedi shpata s’i kish qillue
210 E kur krushqit kanë pushue
211 Erdhi koha kafet me jau çue:
212 Edhe Halili kafet jau ka çue
213 Topuzin mbas shpine ai e ka mshefë
214 Kafet krushqvet kur jau ka çue
215 Burrit qi do merte Tanushën
216 Atij kafen kur i a ka çue
217 Ai qi në bahçe e kish randue
218 Me topuz Halili i a ka mëshue
219 Cop copa ate e ka coptue
220 Krushqit në kambë atëbotë janë çue
221 Po donë Halilit luftë me i fillue
222 Muja kralit i u ka ngërrmue:
223 - Britu krushqve, se balozin me m’a pre
224 Unë kryet ty kral t’a pres
225 Edhe krali fort kanka frigue
226 Prandej krushqvet i u ka ngërvue:
227 - Balozin mos m’a preni mue
228 Se ai tash ma ka gabue
229 E miku i im asht qillue
230 Qaty krushqit janë ndalue
231 Kanë ndejë pak e janë fillue
232 E pa nuse në Kotorr janë shkue:
233 Sa dhandrri i tyne u shëmtue
234 Pse Halili e kish topuzue
235 Muja kralit shka i ka thanë:
236 - A merr vesh kral kapedani
237 Mbasi kjo punë kështu u mbarue
238 Atë çika qi deshe me e martue
239 Për Bajlozin a po m’a nep mue?
240 Edhe krali ia a ka dhanë
241 Edhe i a ka përhajrue
242 Çika te krali kanka shkue:
243 - Ti babë do me m’martue
244 Bajlozin e Gjurës m’a dhae mue
245 Me gjithë zemër due me e pranue
246 Mbasi ti aty me ke mue
247 Veç edhe nji çik unë e due
248 Ajo mue me m’ndihmue
249 Sa ata për ditë priten me shka
250 Vetëm nuk muj teshat me jau la
251 Nji çikë ma të mirën tha krali merre
252 E muer Tanusha çikën Angjelinë
253 Trimat atbotë kankan çue
254 E dy çikat i kanë marrë
255 Edhe ata vetë janë fillue
256 Te kulla e Gjurës janë shkue
257 Gjokët e vet i muerën
258 Edhe çikat do gjokë i muerën;
259 Teshat trimat i kanë ndërrue,
260 Të katër në gjoka janë fillue
261 Në Jutbinë kankan shkue.
262 Muja muer për Ymerin Angjelinën
263 E Halili Tanushe Devojkën
264 Muja nji letër e ka shkrue
265 Kralit në Talir i a ka çue:
266 - Ti si je krale kapidan
267 Nji mik të fortë ti e ke zanë
268 Se s’ke zanë mik Gjurë Harambashin
269 Po e ke zanë mik Çeto Basha Mujën,
270 Qi çdo punë ngusht qi të bijsh
271 Lypja derën Çeto Basha Mujës
272 Krali letrën e ka këndue
273 Edhe fort asht ngushtue
274 Se për at punë nuk ish kujtue
275 Dasëm të madhe Muja ka ba
276 Në darsëm ti e unë jam kanë
277 Muhabet shumë na ka bamë.
2.2. Zanafilla
Në këngën “Krajli i Talirit” janë ruajtur episode historike të dallueshme edhe ndër këngët e
mëparshme, siç ngjarjet e rrethimit të Gelimerit, ato të robërimit të tre pjesëtareve të familjes
perandorake dhe sigurisht ai i martesës së Germanusit me Matasuntën. Për fat të mirë ndeshim
në këngë gjithashtu informacione të tjera të historisë fillestare të cilat nuk janë transmetuar
apo janë transmetuar në mënyrë më të mjegullt në rrëfimet e tjera.
Përveç idesë së martesës së dy heronjve, në përgjithësi subjekti i “Krajli i Talirit” është i
ndryshëm prej atij të këngës “Martesa e Halilit”, por ndërkohë mund të pohohet se burimi
historik është i njëjti. Është pra sërish vepra e Prokopit dhe historia e Germanus Anicit,
megjithëse një pjesë e rrëfimit fillestar paraqitet e ruajtur më mirë në malësitë e Nikaj-
Mërturit, ndërsa një pjesë tjetër, në bashkësitë e Kosovës veri-lindore. Arsyeja e këtij fakti
duhet të jetë evoluimi i dy varianteve veçmas për një kohë të gjatë.
Ashtu siç është përmendur më parë; në këngën tonë, kuptohen disi më mirë motivet e marrjes
së kalit në betejën e Scalae Veteres, emri i vendit të origjinës së Matasuntës, ngjarjet në
fushën e Bullës dhe episodi i tejveshjes së Halilit. Përndryshe përsa i përket elementëve të
transmetuara veçmas, ato janë; diminutivi i mbretit Gizerik, ngjarjet e martesës së djalit të tij,
Hunerikut, me princeshën e robëruar romane, Eudosia, dhe të dhëna mbi marrëveshjet dhe
mesazhet e shkëmbyera mes sundimtarëve të Kostandinopojës dhe Ravenës përpara nisjes së
luftërave gotike.
Narrativa përqendrohet disi më shumë mbi ngjarjet e ndodhura në Itali, ndaj ky fakt duhet të
ketë ndikuar në ruajtjen e toponimit të vendit.
Në vargjet e para [1:29] përshkruhet konvertimi i Tanushës në fenë myslimane dhe dërgimi i
letrës së parë për Halilin. Në të, princesha i lutet që ta shpëtojë nga një martesë e padëshiruar.
Ashtu siç Tanusha në këngë, mbretëresha Amalasunta ishte dashamirëse e kulturës së
romanëve dhe u përkujdes që i biri, Atalariku, të edukohej në mënyrën e fisnikëve të rinj
romanë.31
Teodoriku i Madh, kishte sanksionuar gjatë mbretërimit të tij se gotët dhe romanët
e Italisë duhet të jetonin sipas ligjeve të tyre të veçanta dhe sipas traditës gote, fëmijët duhet ta
kalonin kohën së bashku, dhe jo në shoqërinë e mësuesve. E detyruar prej Parisë gote dhe
ligjeve të mëparshme të atit, Amalasunta u tërhoq nga zgjedhja e saj, por duke kuptuar forcën
e kundërshtarëve urdhëroi ndërkohë vrasjen e tre prej armiqve më të fuqishëm, për të cilët
besonte se po komplotonin për ta rrëzuar nga froni. Njëkohësisht i kërkoi, në një letër dërguar
me anë të ambasadorëve, perandorit Justinian që ti mundësonte strehimin në Kostandinopojë
në rast se do të humbte konfliktin me Parinë gote:
“Me anë të një ambasade në Bizant, ajo i kërkoi perandorit Justinian, nëse ishte
dëshira e tij, që Amalasuntës, bijës të Teodorikut, ti mundësohej ardhja tek ai, pasi
dëshironte të nisej nga Italia sa më parë që të ishte e mundur. Dhe perandorit, pasi
i pëlqeu kërkesa e saj, e ftoi që të vinte, dhe urdhëroi që shtëpia më e mirë në
Epidamnus32
të përgatitej në mënyrë që në kohën kur Amalasunta të kishte ardhur,
të mund të banonte aty dhe pasi të kalonte aq kohë sa do të dëshironte, atëherë
mund të nisej për në Bizant.”33
Në vargjet e para të këngës; shkrimi i letrës në dugaj (dyqan) dhe dërgimi prej një “tartari”
janë elementë të mbivendosjes së kohës osmane, kur vajzat pothuajse gjithnjë të pashkolluara
nuk mund të shkruanin vetë, ndërkohë që “tartarë” ishte atëkohë një emërtim për “lajmëtarët”.
Në pjesën [30:60] tartari ia jep letrën Mujit, por prijësi i kreshnikëve nuk dëshiron të
ndihmojë Tanushën pasi ka marrë një grua të mirë. - Fjalët e Mujit në vargun 51, “Nji nuse të
mirë e kam marrë”, i referohen martesës së perandorit Justinian me Teodorën, dhe më tej,
pjesës së “Historisë Sekrete” që shpjegonte frikën e perandoreshës për një lidhje të mundshme
dashurie mes Amalasuntës dhe Justinianit. Sipas Prokopit; perandoresha frikësoj nga bukuria
e pazakontë dhe zgjuarsia e mbretëreshës gote; ajo e njihte edhe karakterin e paqëndrueshëm
të të shoqit, ndaj besonte se të dy do të lidheshin në të ardhmen.
Ideja e mungesës të ndihmës së Mujit për Tanushën, e cila do të martohet kundër dëshirës, i
referohet vrasjes së Amalasuntës pas martesës me fisnikun Teodat, vrasje që u mundësua edhe
me ndërhyrjen e perandoreshës, sipas kronistit bizantin. Në veprën “Historia Sekrete”, ai
shkruan, se Teodora;
“menjëherë bindi perandorin të dërgonte një burrë të quajtur Pjetër, në Itali, si i
dërguar i saj. Pas caktimit të tij, perandori i dha udhëzimet të cilat unë i kam
31
BG, I, 2, 1. 32
Durrës. 33
BG, I, 2, 4.
përmendur në vendin e duhur, ku më ishte e pamundur që të informoja lexuesit
për të vërtetën, nga frika e perandoreshës. Urdhri i vetëm që ajo i dha të dërguarit,
ishte të mundësonte vdekjen e Amalasuntës sa më parë të ishte e mundur, duke e
korruptuar atë me premtimin e një shpërblimi të madh nëse zbatonte me sukses
udhëzimet. Ky burrë, duke shpresuar një post të lartë ose një shumë të madhe
parash, pasi në rrethana të tilla njerëzit nuk janë të ngathët në kryerjen e një vrasje
të padrejtë, kur mbërriti në Itali, me anë të argumenteve të ndryshme bindi
Teodatin të mbaronte punë me Amalasuntën. Pas kësaj Pjetri është vendosur në
postin e “Magister Officiorum” dhe arriti të ketë një influencë të lartë përkundër
urrejtjes me të cilën konsiderohej nga të gjithë.”34
Pa dyshim përgjigjja e parë që merr Tanusha dhe ndihma e munguar ndaj saj, nuk është ajo e
Justinianit për Amalasuntën, por vargjet transmetojnë mbetëzën e përgjigjes së Teodorës, e
cila përndryshe i kërkoi ambasadorit bizantin që të komplotonte për të vrarë mbretëreshën.
Vetë emri i lajmëtarit “Mehmet Zili” mund të jetë aktualizimi i fundit i titullit të fituar prej
Pjetrit.
Edhe vetë mesazhi i Justinianit - ftesa e tij për mbretëreshën dhe përgatitja e një pallati në
Durrës - është ruajtur në vargjet e këngës. Ai përcillet në strofën e fundit, në të cilën
shpjegohet se Muji dërgon një letër në Talir ku i shkruan krajlit, se
nëse gjendej në vështirësi mund të vinte në vendin e kreshnikëve:
Muja nji letër e ka shkrue / Kralit në Talir i a ka çue: / - Ti si je krale
kapidan / Nji mik të fortë ti e ke zanë / Se s’ke zanë mik Gjurë
Harambashin / Po e ke zanë mik Çeto Basha Mujën, / Qi çdo punë
ngusht qi të bijsh / Lypja derën Çeto Basha Mujës. [264:271]
Pra mund të vërehet edhe në këtë këngë fakti se pjesët e fillimit dhe
fundit të këngëve heroike përmbajnë pothuajse gjithnjë të dhëna të
mirëruajtuara të historive burimore. Duket sikur bashkësitë e
rapsodëve kanë mbajtur mend mirë vetëm fillimin, fundin dhe disa
ide, vargje, emra e fjalë nga historia fillestare, dhe më pas kanë
rindërtuar prej këtij bazamenti.
Në [31:95] Tanusha i dërgon një letër të dytë Halilit dhe kësaj rradhe tartari arrin ta gjejë;
heroi e lexon letrën, përlotet dhe premton se do ta ndihmojë princeshën e dashur.
Në vargjet 6 , dhe ripërsëritet emri i një vendi të quajtur “Ulicë”. Toponimi i
transmetuar prej këngës është edhe fjalë e gjuhëve serbokroate që do të thotë “rrugë”. Në këtë
rast është pikërisht një “toponim” për arsye se fjala “rrugë” ndeshet gjithashtu në këngë në
vargjet; 112, 126, 162. Me siguri “Ulicë” ka zëvendësuar fjalën e mëparshme “Bullë” dhe të
dy episodet e shkëmbimit të letrave në fillimin e rrëfimit janë një pranëvendosje e dy ose më
shumë episodesh letërkëmbimesh me origjinë në kronikën e Prokopit. Mund të vihet re, se
“Ulicë” përdoret vetëm gjatë episodit të letërkëmbimit të dytë, tri herë, ndërkohë që nuk është
34
Anekdota XVI.
Justiniani I
vendosur asnjëherë në atë të letërkëmbimit të parë. Gjatë këtij të fundit, tartari shkon vetëm në
Jutbinë. Më tej, në letërkëmbimin e dytë, në vargjet [86:87] rrëfehet se Halili përlotet kur
lexon fjalët e Tanushës; “E muer Halili letrën e ka këndue / Lotët prej zorit i kanë shkue”, dhe
sigurisht distiku transmeton një mbetëz të rrëfimit fillestar mbi vajin e vandalëve në Bullë.
Përndryshe nga historia burimore, në këtë këngë, përshkrimi i një heroi që loton ndërsa lexon
një letër duket jo edhe aq i natyrshëm, dhe vetë procesi i rindërtimit të episodit të vajit në
“Martesa e Halilit” apo kalimi i idesë së vajtimit prej popullit vandal tek Tanusha, bëhet më i
kuptueshëm. Varianti i mëparshëm është mbledhur në malësitë e “egra” shqiptare ku
transmetimi i motivit të vajit prej popullit vandal tek Halili duhet të jetë menduar si disi
problematik. Me siguri rapsodët e zonës të Mërturit nuk kanë dashur të vijojnë në rrëfimin
mbi një hero të përlotur, ndërsa vargjet mbi fatkeqësisë e vandalëve ishin harruar në
përgjithësi ose ishin korrektuar dhe heronjtë pozitivë të mbetur në këngë ishin pakësuar
ndjeshëm. Ata nuk kanë dashur gjithashtu të humbin idenë e transmetuar prej të Parëve, dhe
ndaj mesa duket kanë preferuar t’ja mbiveshin atë heroinës së këngës.
Në [96:116] Halili përgatitet të niset dhe i kërkon të vëllait që ti japë gjogun. Muji nuk
pranon, e fyen, dhe - siç nëna e kreshnikëve në “Martesën e Halilit” - kësaj here, nusja e Mujit
ndërhyn duke e qortuar për arsye se djalit mund ti ndodhë ndonjë rrezik në Krajli. - Grindja
mes dy vëllezërve, mjaft e gjatë dhe e pakuptimtë në variantin e parë, këtu është thjeshtëzuar
gjerësisht megjithëse dallohet njëfarë afërsie mes mallkimit të Mujit, “Ty kopil nji Zot të
vraftë” [102] dhe mallkimit në “Martesën e Halilit”.
Ideja e ndihmës së munguar prej Mujit; edhe në këtë pjesë mund ti referohet dërgimit të
Germanusit në luftë me forca shumë të pakta, siç edhe sigurisht rrezikut në të cilin ai u ndodh
në betejën e Veteres ndërsa kali i tij u vra nga kryengritësit. Përndryshe ideja e “ pronësisë së
kalit” i referohet sigurisht dhuratës së Justinianit për ushtrinë e Belisarit.
Në pjesën [116:160] Muji shalon gjogun; niset që të shoqërojë Halilin dhe gjatë rrugës të dy
kalërojnë afër një mali në të cilin ndodhet kulla e Gjuro Harambashit. Pa u dalluar vrasin
Gjurën dhe luftëtarët e tij; vishen me teshat e tyre; Muji merr kalin e Gjuros dhe Halili atë të
një sejmendi.
Motivi i marrjes së kalit prej një sejmendi, përkujton sërish betejën e Scalae Vetere, në të
cilën Germanusi mori një prej kuajve të ushtarëve të gardës.
Vargjet mbi kullën në mal janë kujtimi i mbetur prej të gjithë pjesës së mëparshme mbi
rrethimin e fortesës në malin Papua, ndërsa ideja e fshehtësisë dhe përkujdesja e Mujit që të
mos dallohen, mund të ketë zanafillën në sulmin e Boraidit dhe luftëtarëve të tij mbi qytetin
Syllectus.
Episodi i tejveshjes së Halilit i përcjellë në “Martesa e Halilit” është ruajtur edhe në këtë
këngë, ku heroi maskohet përndryshe si një bajloz (përfaqësues) i Gjuros, çka qartëson mjaft
mbi origjinën e motivit.
Është për tu vënë re edhe fakti se dy këngët janë mbledhur në zona relativisht të largëta; në
malësitë katolike të Veriut dhe në Kosovë dhe njëkohësisht janë mjaft të ndryshme nga njëra-
tjetra. Ndaj mund të thuhet paraprakisht se ky motiv në veçanti është i vjetër dhe me siguri
është marrë prej ngjarjeve historike mbi të cilat është bazuar kënga. Pra me siguri në këtë
këngë përcillet mbetëza e një episodi që ka ndodhur vërtetë, apo që e ka zanafillën vërtetë në
pasazhet e De Bello Vandalico. Dhe është në fakt - ashtu siç e ka transmetuar kronisti bizantin
në kapitullin VII të kronikës I - historia e Julius Valerius Majorianus, drejtuesit të Perandorisë
Romane të Perëndimit në vitet 457-461:
“Majorinus, i cili kishte vendosur sundimin mbi perëndimin përpara kësaj kohe,
meriton gjithashtu të përmendet. Pasi ky Majorin, i cili tejkalonte në çdo virtyt të
gjithë ata që ishin bërë perandorë të romanëve, nuk e pranoi lehtë humbjen e
Libisë, por mblodhi një ushtri mjaft të madhe kundër vandalëve, dhe erdhi në
Ligurie, duke menduar ta udhëheqë vetë kundër armikut. Pasi Majorini nuk
tregonte asnjëherë hezitimin më të vogël përpara çdo detyre, dhe më pak nga të
gjitha të tjerat, përpara rreziqeve të luftës. Por duke menduar se do të ishte e
dobishme për të që të hetonte së pari mbi fuqinë e vandalëve dhe karakterin e
Gizerikut, dhe të zbulonte qëndrimin e maurëve dhe libianëve ndaj miqësisë ose
armiqësisë kundrejt romanëve, ai vendosi ti besonte syve të askujt tjetër përveç të
tijve, për një çështje të tillë. Prandaj ai u nis si ambasador i perandorit për
Gizerikun, duke marrë një emër të rremë. Dhe pasi frikësohej se nëse njihej do ti
bënte keq vetes, dhe njëkohësisht do të dëmtonte suksesin e ndërmarrjes, sajoi
planin e mëposhtëm. Flokët e tij, që ishin të famshëm mes të gjithë burrave, si aq
të bukur sa ngjasonin me arin e pastër, ai i vajoji me një lloj boje, të krijuar
pikërisht për këtë qëllim, dhe arriti kështu ti shndërrojë përkohësisht, krejtësisht
në ngjyrë të errët. Dhe kur erdhi përpara Gizerikut, barbari u përpoq në shumë
mënyra që ta trembte, dhe në mënyrë të veçantë, ndërsa e trajtonte me kujdes e
përkushtim si një mik, e dërgoi në shtëpinë ku ishin vendosur gjithë armët e tij, në
një koleksion të panumërt dhe jashtëzakonisht famëmadh. Atëherë, thonë, armët u
lëkundën vetvetiu dhe krijuan një zhurmë jo të zakonshme apo rastësore, dhe më
pas Gezerikut iu duk sikur kishte ndodhur një tërmet, por kur doli jashtë dhe nisi
të pyeste mbi tërmetin, për arsye se askush nuk ishte dakort me të, një mrekulli e
madhe kishte ndodhur, por nuk kishte qenë në gjendje për të kuptuar domethënien
e saj. Kështu Majorini, pasi arriti të përmbushë shumë prej atyre gjërave që
dëshironte u kthye në Ligurie, dhe duke drejtuar ushtrinë në këmbë arriti tek
Kolonat e Herkulit, duke menduar që të kalonte ngushticën në atë vend, dhe më
pas të marshonte prej aty nga toka kundër Kartagos. Dhe kur Gizeriku e mësoi
këtë, dhe kuptoi se ishte mashtruar nga Majorini në çështjen e ambasadës, ai u
shqetësua dhe nisi përgatitjet për luftën. Dhe romanët, duke pasur besim në
trimërinë e Majorinit, tashmë nisën të kenë shpresë të madhe në rimarrjen e Libisë
për perandorinë. Por ndërkohë Majorini u prek nga sëmundja e dizenterisë, dhe
vdiq ky burrë që e kishte treguar veten të moderuar kundrejt nënshtetasve të tij,
dhe një objekt frike për armiqtë.”35
35
BV, I, 7, 2.
Muji dhe Halili ndryshojnë veshjet në vendin e Gjuros, dhe personazhi i tij përkujton në këtë
këngë edhe mbretin vandal Gizerik ndërkohë që vetë grupi nominal “Gjuro Harambashi” e ka
zanafillën në emrin dhe epitetin e Gizerikut. Kështu epiteti “harambash” (prej osmanishtes
kryehajdut) duhet ti referohet pushtimit të Afrikës dhe plaçkitjeve, ndërsa emri Gjuro mund të
jetë përftuar nën influencën e emrit “Đuro”, trajtë serbokroate e emrit të krishterë Gjorg.
Mbreti Gizerik është emërtuar njëlloj me formulën “Gjuro Harambashi” ose “Duro
Jabanxhija” në pjesë të tjera të epikës shqiptare.
Në këngën tonë rrëfehet se Halili maskohet si “bajloz”, pra si përfaqësues ose ambasador,
ndaj me siguri motivi i ndryshimit të veshjes e ka origjinën në kapitullin VII mbi perandorin
Majorin, që siç e gjithë pjesa tjetër e veprës mbi luftërat vandalike, është poemizuar. Në
këngën e lëndës greke “Khartziani dhe Aretia”,36
- mjaft të afërt me “Martesën e Halilit” - prej
vargut të parë përshkruhen flokët e hijshëm biondë të heroit, i cili më tej paraqitet si
kompozim i tipareve dhe gjesteve të Germanusit, Majorinit dhe Marcianit. Në poemën e
fqinjëve të jugut janë mjaft interesantë edhe vargjet [123:124]37
ku mbreti e pyet Aretinë nëse
dëshiron të martohet me të dhe të ketë gruan e tij të mëparshme për shërbyese, çka mund të
tregojë se rapsodët e kanë paraqitur në një stad të mëparshëm në këtë mënyrë letërkëmbimin
mes Justinianit dhe Amalasuntës. Po ashtu siç heroi i këngës “Martesa e Halilit”; edhe
Khartziani vishet me tesha grash për të hyrë në shtëpinë e së dashurës së tij.
Por përndryshe ndër motivet e poemës “La prise d’Orange”, të huazuara prej shekullit XI;
Gijomi maskohet si ambasador afrikan dhe lyhet me bojë të zezë për të hyrë në kështjellën e
Orablës së dashur saraçene.38
Ndaj motivi i tejveshjes, mund të pohohet, se është transformuar
në këngën “Martesa e Halilit” në një periudhë mes shekullit XI dhe kalimit të këngës arbre në
epikën greke.
Në pjesën e dytë të këngës, [160:277] Muji i veshur me teshat e Gjuros dhe Halili i maskuar si
bajlozi i tij, shkojnë në vendin e Tanushës, konfliktohen me të fejuarin e saj dhe me krushqit,
prishin martesën e premtuar, dhe në fund është vetë heroi që do të marrë princeshën italiane.
Tanusha nuk vjen vetëm; ajo sjell me vete shoqen e saj, Angjelinën, e cila martohet në fund
me Ymerin, të birin e Mujit.
Episodi i marrjes së dy vashave prej Gjuros/Mujit dhe martesa e njërës prej tyre me djalin e
këtij të fundit, e ka origjinën në kapitullin mbi sulmin e famshëm të Gizerikut kundër Romës,
gjatë të cilit, siç është përmendur, mbreti i vandalëve mori robinja Eudoksinë dhe dy vajzat e
saj; Eudosiën dhe Placidën. Ashtu siç transmetohet nga kjo këngë e mbledhur në Kosovë;
Gizeriku e martoi Eudosiën me të birin Hunerikun, ndaj pa dyshim martesa e Ymerit me
Angjelinën përkujton martesën mes princeshës romane dhe mbretit të dytë të Mbretërisë
vandale.
Të njëjtin motiv e ndeshim, përveçse në këngën “Rrëmbimi i së shoqes së Mujit” edhe në
variantin e kësaj të fundit “Galan Kapidani”, në të cilin në mbylljen e këngës rrëfehet se dy
36
Legrand E., Pernot H. Trois chansons populaires grecques. Paris : E. Guilmoto, 1904, fq 7-20. 37
Ibid. 38
Jonckbloet W. J. A. Guillaume d'Orange, Chansons de geste de Ie et IIe si les, t. I. a aye : M. Nyhoff, 1854, n. 3, vg. 376:385.
kreshnikët marrin në Jutbinë, dy princesha sllave.39
Siç edhe në Ciklin e Gijomit, ku mbreti
afrikan Galafre pushton Italinë e Jugut dhe rrëmben gruan dhe vajzën e mbretit vendas,
Gaifier.40
Vetë vargjet e pjesës të fundit të këngës sonë, janë mjaftueshëm të qarta. Dy vajzat shkojnë në
kullën e Gjuros; E dy çikat i kanë marrë / Edhe ata vetë janë fillue / Te kulla e Gjurës janë
shkue [254:256]
Në këtë pjesë gjithashtu episodi i takimit mes Halilit dhe Tanushës, ideja e mërzitjes së rëndë
të të premtuarit të Tanushës dhe kërcënimi i bërë prej tij ndaj heroit në vargun 207, Unë tash
kryet ty t’a pres! mund të jenë shtjelluar njëlloj prej historisë së Eudoksisë, Valentinianit,
Maksimusit dhe së shoqes së këtij të fundit, megjithëse rrëfimi paraqitet këtu krejtësisht i
ndryshëm.
Në fundin e këngës (përpara rrëfimit për letrën dërguar krajlit nga Muji) motivi i martesës së
Halilit me Tanushën, i përket, sigurisht, ngjarjeve të martesës së Germanusit me Matasuntën.
39
Karma, 1940, fq 40-3, vg. 86. 40
Jonckbloet, 1854, n. 1, vg. 351:355.
Portretet
Ali Pasha në gjueti në liqenin e Butrintit: Detaj nga tabloja “Ali Pacha à la chasse sur le lac de
Butrinto”, e piktorit Louis Dupré, Koleksion privat.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu: Portret në veprën, L'Histoire de la d cadence de l Empire grec
et establissement de celuy des Turcs, tome I. Paris : M. Guillemot, 1650.
Justiniani I: Monument në Shkup, Maqedoni.
Tiranë, prill 2014
Gjergji Shuka